Mendime
Arbën Xhaferi: Thërrmimi i kauzës Kombëtare
E hene, 15.02.2010, 08:42 PM

Nga Arbën Xhaferi
Njëri nga funksionet më thelbësore të politikës, ne të gjitha sistemet demokratike është anticipimi, parashikimi i proceseve shoqërore, politike, ekonomike, të sigurisë etj., që përkeqësojnë ose e përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve. Politika gjithmonë e humb kuptimin e vet nëse nuk ofron analiza dhe parashikime.
Shpeshherë këto parashikime nuk ndodhin, jo për shkak të gabimeve logjike, por për shkak të ndërveprimit të shumë faktorëve, që krijojnë realitete të paparashikueshme. Viktimë të kësaj sindrome bëhen edhe politikanët të formatit global, siç u pa me rastin e Irakut dhe rasteve të tjera gjatë historisë.
Në shtetet moderne ekziston institucioni i hearingut, hetuesisë parlamentare për ta analizuar prapavijën e vlerësimeve të gabuara të drejtuesve të shtetit. Këto ditë në Parlamentin britanik merret në pyetje ish-kryeministri britanik, Toni Bler, me gjasë politikani më i zgjuar, më parimor dhe më i guximshëm i kohës sonë.
Ai pat luajtur rol vendimtar edhe gjatë bombardimeve të NATO-s të kapaciteteve ushtarake të Serbisë. Po të mos kishte qenë ai në strukturat vendimmarrëse të NATO-s, as që do të kishte bombardime. Shtete e mirëfillta demokratike kanë krijuar edhe mekanizma të këtilla për zbulim të vërtetës.
Kritika e pamëshirshme ndaj një faktori politik që merr guximin që t'i analizojë dhe t'i anticipojë pasojat e një politike tjetër që nuk respekton parimet kushtetuese, standardet demokratike nuk është fare kritikë, por retorike boshe.
Kjo u pa edhe me rastin e reagimeve ndaj intervistës së kryetarit të PDSH-së, z. Menduh Thaçit, dhënë TV Kanalit të 5-të. Ai, me legjitimitet të plotë politik analizoi pasojat e kursit megaloman politik maqedonas që, jo vetëm i përkeqëson marrëdhëniet ndëretnike, por edhe ato ndërkombëtare, me fqinjët, me UE-në, me NATO-n, SHBA-të etj.
Kritika e një procesi degjenerues politik është veprim më fisnik, ngaqë i zbulon faktorët që e destabilizojnë shoqërinë dhe me këtë edhe vetë shtetin. T'i përkufizosh saktë dhe me kohë efektin rrënues të këtyre faktorëve nuk është radikalizëm, por një obligim intelektual, një mision moral dhe obligim patriotik.
Gazetari që e intervistonte z. Thaçi, që në fillim të emisionit e quajti radikalizëm kërkesën e kryetarit të PDSH-së që të flasë shqip, e drejtë kjo që buron nga Kushtetuta e RM-së. Ky qëndrim refraktar ndaj gjuhës shqipe ekziston në të gjitha nivelet e shoqërisë maqedonase dhe shtresat e popullsisë.
Ky vlerësim i përdorimit të gjuhës shqipe si radikalizëm, dëshmon për mungesën e vetëdijes për peshën e fjalës, për disponim antishqiptar që është bërë pjesë e strukturës mentale maqedonase. Ata aq shumë janë familjarizuar me këto koncepte saqë nuk janë të vetëdijshëm se ç' thonë. Reagimi radikal ndaj përdorimit të gjuhës shqipe, në fakt është reagim ndaj qenies, ekzistimit të shqiptarëve në këto hapësira, mohim i identitetit të tyre kombëtar.
Faktori maqedonas bën pengesa institucionale ndaj realizimit të marrëveshjeve politike, rrjedhimisht edhe të Marrëveshjes së Ohrit, ndërkaq, disa segmente të politikës shqiptare marrin pjesë në këtë lojë duke bërë opstrukcione moralizuese për implementimin e saj.
Ata thirren në një argument të sajuar nga shërbimet e ndryshme informative që vë në spikamë sjelljen kinse hipokrite të politikanëve shqiptarë, në rastin konkret të PDSH-së: "Pse ju silleni ndryshe kur jeni në pushtet dhe ndryshe kur jeni në opozitë?" Ky inputim jo vetëm që është i padrejtë, por në thelb është arsyetim për një kurs defetist, kapitullues, dorëzues të një koniunkture politike që bën këto pyetje dhe që dita-ditës e ul nivelin e kërkesave politike të shqiptarëve të Maqedonisë.
Ky argument shpifarak bie ndesh me realitetin. Siç dihet, në vitin 2001, në kohën kur kauza shqiptare, si kurrë më parë kishte hyrë në binarët e suksesit, disa faktorë pa legjitimitet demokratik nisën një konflikt me qëllime, sot e kësaj dite të paqarta. Ky konflikt nga faktori ndërkombëtar u cilësua me tone shumë të errëta që e dëmtuan imazhin e shqiptarëve.
Në vend që të përshtaten në mënyrë oportuniste këtyre vlerësimeve, PDSH-ja e zgjodhi rrugën tjetër: artikulimin e motiveve të luftës. Pra, i lë pas dore të gjitha interesat partiake dhe u përkushtua detyrës që ta ndryshojë opinionin për natyrën e këtij konflikti. Ky orientim, s'do mend e dëmtoi dukshëm interesin e PDSH-së, sidomos në marrëdhëniet, deri vonë shumë të ngrohta me faktorin ndërkombëtar, por u desh që pa hamendje të korrigjohet gabimi.
Që në fillim dihej se kostoja e këtij orientimi do të jetë e madhe, sidomos vendimi që PDSH-ja legjitimitetin e vet demokratik ta përdorë për arsyetimin e një projekti që nuk kishte përkrahje as të faktorit politik shqiptar, qoftë në Shqipëri ose Kosovë. Këtë kurs e ndoqi edhe PPD-ja, por me një dallim të vogël: ajo ishte në opozitë, ndërkaq PDSH-ja në qeveri.
Pra, nuk është e vërtetë se subjekti shqiptar është hipokrit dhe se flet ndryshe kur është në qeveri dhe ndryshe kur është në opozitë. Kundër këtij qëndrimi patriotik të PDSH-së u pozicionuan të gjitha ambasadat me seli në Shkup, sidomos pas Marrëveshjes së Prizrenit.
Ky është një fakt që flet qartë për rolin e PDSH-së në qeveri dhe sukseset e saja. Rast i ngjashëm ishte ai i vitit 2008, kur PDSH-ja pranoi propozimin që të shpallen zgjedhjet e parakohshme, edhe pse nuk kishte interesa partiake.
Veprime të këtilla dramatike kanë ndodhur si në nivelin qeveritar ashtu edhe institucional dhe në opinion. Ka pasur reagime dhe kualifikime shumë parimore të PDSH-së që shprehnin mospajtimin e saj me qëndrime të ndryshme të partnerit të tyre të koalicionit, gjithnjë duke mbrojtur interesin shqiptar. Këto pohime duken romantike, arkaike, të ekzagjeruara, por kështu ka ndodhur.
Me këto qëndrime, sido që cilësohen ata, u arrit një efekt shumë më i madh se sa mendohej: ndikoi në zgjimin e vetëdijes së fjetur të shqiptarëve, të faktorit ndërkombëtar, sidomos atij maqedonas.
Pra, në vazhdë të këtyre konstatimeve të shtrojmë pyetjen se kush është radikal në Maqedoni? PDSH-ja që në fillim të aktivitetit të saj sinjalizonte nevojën për marrëveshje historike ndërmjet dy bashkësive më të mëdha etnike, maqedonasve me shqiptarët dhe më vonë, pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit përtharjen totale të saj.
Nuk do shumë mend që të konstatohet se Marrëveshja e Ohrit, që nga pala maqedonase prej fillimit e cilësoi si diçka e papranueshme, e imponuar nga jashtë dhe prandaj në vazhdimësi bënte obstruksione duke ofruar negociata të vazhdueshme me qëllim të saktë që të modifikojë të drejtat dhe afatet e implementimit të tyre.
Këto modifikime kanë ndodhur dhe afatet janë shtyrë. Askush nuk mund të mohojë këtë të vërtetë. Këtë e di fare mirë edhe faktori ndërkombëtar, por hesht dhe toleron shmangie të këtilla të rrezikshme të palës maqedonase.
Modifikimi i Marrëveshjes së Ohrit, shtyrja e afateve për implementim të plotë të saj, anulimi i ligjit për amnisti, thellimi i kursit klerikal-nacionalist që suspendonte konceptin laik të shtetit, nxitja e armiqësive me shtetet fqinje, nxitja e mosmarrëveshjeve fetare janë të bëmat kryesore të kësaj qeveria, të cilat çuditërisht tolerohen.
Në intervistën dhënë TV Kanali i 5-të, kryetari aktual i PDSH-së i zbërtheu efektet rrënuese të këtij kursi të rrezikshëm dhe intensiv të VMRO-së. Ai sinjalizoi se veprimet e këtilla prodhojnë konflikte kudo në botë dhe detyrimisht edhe në Maqedoni. Parashikimi i konfliktit është në fakt apel shumë racional për ndërprerje të kësaj marrëzie të provokimit të qëllimshëm të durimit të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm.
Megjithatë, prapa këtyre koncepteve radikale ekziston një logjikë dhe një interes i caktuar. Kjo ka të bëjë me tendencën dinake për ta ndryshuar agjendën politike, përkatësisht strategjinë e suksesshme të shqiptarëve në përgjithësi. Me ndërtimin vend e pavend të kishave, përmendoreve të ndryshme, provokohen shqiptarët që të heqin dorë nga strategjia e deritashme politike kombëtare dhe miratim të agjendës religjioze dhe ideologjike.
Reagimi i disa faktorëve ndaj ndërtimit të kishës u konkretizua me kërkesë që të ndërtohet paralelisht një objekt fetar islam, Xhamia Burmali e rrëzuar në vitin 1925 bashkë me 120 xhami të tjera. Këto rrënime fanatike të objekteve fetare islame ishte pasojë e klimës politike të asaj kohe në botë. Kulmi i kësaj klime të ndarjeve radikale ishte Marrëveshja e Lozanës të vitit 1923, kur Greqia dhe Turqia u morën vesh për ndërrim të popullatës: grekët nga Turqia shpërnguleshin në Greqi, ndërkaq turqit, përkatësisht myslimanët e Greqisë shpërnguleshin në Turqi.
Siç dihet, viktimë kryesore e këtyre shpërnguljeve të dhunshme ishin çamët, pra shqiptarët myslimanë, ndërkaq ata ortodoks u asimiluan totalisht. Marrëveshja e Lozanës ishte në funksion të idesë që përjashtonte mundësinë e bashkëjetesës qytetëruese të pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare.
Në vijë të këtyre koncepteve ekskluzive shoviniste u morën vendime edhe në mjedise tjera, në Beograd bie fjala ku janë rrënuar më se 200 xhami dhe ka mbetur vetëm një, Bajrakli Xhamia, që në vitin 2004 sërish u dogj.
Imponimi i frymës fetare të periudhës së zmbrapsjes së Perandorisë Osmane nga këto hapësira është i rrezikshëm sot e gjithë ditën për kauzën shqiptare meqë nëse pranohet ky karrem strategjik i Gruevskit, shqiptarët do të hyjnë në një dimension pa rrugëdalje ngaqë është e pamundur të rikthehemi në periudha tjera kohore historike.
Ata që e hapin këtë çështje gjithsesi janë në funksion të ndryshimit të agjendës politike kombëtare të shqiptarëve që deri tani ka parashtruar kërkesa të realizueshme kombëtare.
Ndryshimi i katalogut të kërkesave kombëtare, zëvendësimi i tij me agjendën fetare e vë kauzën shqiptare në pozitë antagoniste me faktorin ndërkombëtar perëndimor.
Krahas këtij projekti për fetarizim të kauzës shqiptare ekzistojnë edhe tendenca të tjera të rrezikshme të natyrës ideologjike.
Pala maqedonase mjeshtërisht e fut në lojë përkatësinë ideologjike të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas kësaj strategjie, shqiptarët en bloc paskan qenë në anën e nazifashistëve, ndërkaq maqedonasit në anën e aleancës që doli fituese në Luftën e Dytë Botërore.
Kërkesa që të ndërtohet përmendorja për Xhemë Hasën në Gostivar, sado që ai është një figurë emblematike në historinë e afërt të shqiptarëve, megjithatë është në funksion të kësaj strategjie që ka një shtrirje më të gjerë. Kohët e fundit TV Beogradi, por edhe TV-të maqedonase, veçmas TV Siteli, TV malazeze etj., japin emisione dokumentare të kësaj natyre për të rikujtuar kush dhe me kë ka qenë aleate në ato kohë vendimtare për konstelacionin e sotëm strategjik.
Këto marifetllëqe, ekipi i Gruevskit i mbjell në grupacione të vogla politike apo jopolitike që bëhen viktima të një strategjie dinake që gjithmonë janë përsëritur në këto hapësira. Gruevski dhe të tjerët para tij gjithmonë janë përpjekur dhe kanë pasur sukses ta përkeqësojnë çështjen shqiptare duke e identifikuar me atë fetare islame dhe me faktin se ata janë në mënyrë fanatike në anën e aleancës naziste që humbën relevancën e tyre në Luftën e Dytë Botërore.
Të gjitha këto imponime janë të sajuara dhe vijnë ndesh realiteteve dhe interesave kombëtare shqiptare në përgjithësi.
Është historikisht e pamohueshme se Shqipëria zhvilloi luftën dhe e çliroi vendin me forca vetjake antifashiste në dallim prej shteteve të tjera të cilat, bie fjala edhe vetë Serbia, që pretendon se paska dhënë kontribut të pamohueshëm në fitoren kundër nazifashistëve. Serbia u çlirua falë ndihmës së rusëve, pastaj të bullgarëve, të rumunëve, të shqiptarëve etj. Po kështu ishte situata edhe në Maqedoni.
Në Maqedoninë e asaj kohe, të pushtuar nga bullgarët ishte e pamundur që të organizohet çfarëdo lëvizje ushtarake për çlirim. Maqedonasit, popullata e thjeshtë nuk e perceptonte Bullgarinë si forcë okupuese, por si faktor që e ka çliruar Maqedoninë dhe popullatën e saj nga diktatura serbe.
Me vite, komunistët jugosllavë përpiqeshin ta organizonin luftën nacionalçlirimtare në Maqedoni, por nuk arritën dot. Prandaj udhëheqësi dinak, komunisti i regjur Svetozar Vukmanoviq-Tempo, gjeti formulën funksionale: krijimin e brigadës kosovaro-maqedonase që zhvillonte aktivitete të nivelit të ulët ushtarak në Maqedoninë Perëndimore.
Pra, kush është radikal në këtë mes? Ai që nxit procese klero-nacionaliste, që irriton opinionin me ide anakronike, që synon t'i realizojë konceptet mesjetare politike, fetare, urbanistike, që grabit historinë e popujve të tjerë, që në mënyrë të papërgjegjshme refuzon përmbushjen e obligimeve që burojnë nga marrëveshjet e brendshme dhe konventat ndërkombëtare, ata që nisën luftën me ide epike kombëtare dhe përfunduan si personazhe komike te variantit Kole Diamanti, apo ai që konstaton këto devijime dhe fton që të zgjohen mendjet e fjetura?
Të gjitha këto rrethana të prodhuara për interesa strategjike kanë vetëm një synim të qartë: thërrmimin e kauzës kombëtare. Nuk besoj se shqiptarët do të mashtrohen, por ata kanë një problem që shumë vështirë eliminohet: kakofoninë politike që krijon paqartësi llojesh të ndryshme.
Komentoni
Artikuj te tjere
Liri Universitetit të Tetovës në Përvjetorin e Ligjëratave të Para në shkurt të vitit 1995!
Xhevat Rexhaj: Istogasit që komunën e zhvilluan si duhet
Bardhyl Mahmuti: Marrëveshje të re për misionin e vjetër antishqiptar
Drejtori i Arkivit: Kemi emrat e saktë të ekzekutuesve të dënimeve me vdekje
QKISHAIBK: “Eulex”, kërkoni vrasësit e Mon Balajt, Arben Xheladinit dhe...
Abdullah Prapashtica: Një letër pas të cilës qëndron i tërë populli
Neki Lulaj: Takimi Topi, Berisha dhe Rama
Ilir Dardani: Halldupet e Sorrerise dhe Shqiptaret e Shqiperise
Xhevat Rexhaj: RTK Kohavizion - Rubikon fushatë komuniste kundër rugoviste
Miranda Vickers: Perspektivat ndërkombëtare të çështjes çame
Proklamatë e Këshillit të pavarur për ndryshime jopolitike në Universitetin e Tetovës
Gjergj Meta: Kriza e subjektit tjetër
Abas Fejzullahi: Çfarë na dhuruan nxënësit e çfarë duhanxhinjtë!?
Ilir Taraj: Qëndro o njeri!
Faik Krasniqi: Veprimi i z.Hoxha duhet te jete shembull per intelektualet tane
INEPRA: Autostrada e kombit: Bashkim kombëtar, apo bashkim i skandaleve, korrupsionit dhe mjerimit?
Fran Buzhala: Përkujtimet - supermarketet - kërkesat sociale
Alban Dega: Urtësia e engjëjve dhe drita e shqiptarëve
Adnan Abrashi: Një popull është i madh, kur jep njerëz të mëdhenjë!
Arben Gjinaj: Dikush ka dhënë shumë për Kosovën dhe s'ka marrë asgjë!