Mendime
Gjergj Meta: Kriza e subjektit tjetër
E shtune, 13.02.2010, 08:30 PM
Kriza e subjektit tjetër
Nga Gjergj Meta
Ka ditë që më sillet rrotull mendjes ideja për të shkruar diçka në lidhje me situatën e “krizës” që po kalon vendi ynë. Në të gjithë këtë klimë të krijuar ndjej, mendoj dhe diçka më shqetëson. Së pari ndjej dhimbje për njerëzit e vendit tim (fjala popull, përveçse demagogjike e marksiste, këto kohë ka edhe nuancat e përsëritjes deri në mërzi e për këtë arsye nuk po e përdor). Së dyti, mendoj që kjo krizë është një artificë i panevojshëm pjellë e interesave të ngushta e jolargpamëse. Së treti më shqetëson fakti që në Shqipëri nuk po gjendet një subjekt tjetër përveç klasës politike që të jetë faktor zhvillmi dhe zgjidhjesh rragatjesh të prodhuara nga politika.
Pse ndjej dhembje? Largqoftë që unë të zë faqet e një gazete, duke dashur të nxjerr ashiqare të gjithëve ndjenjat e mia, jo pse kam turp prej tyre, por sepse do të ishte egoiste nga ana ime. Them se ndjej dhembje, pasi shumë sish ndjejnë dhembje për njerëzit e vendit tonë e ka shumë nga ata që i dhimbset vetja, pasi duan të jetojnë e të vdesin në këtë vend.
Kjo situatë ka një histori. Qysh se filloi shteti i ri shqiptar, më 1912, ne jemi një vend në tranzicion; njëherë për të kaluar pasojat që la pushtimi otoman me anë të të ashtuquajturit oksidentalizim i Shqipërisë: përpjekje kjo e elitave të viteve ‘30. Sapo njëfarë dielli filloi të lindë në horizontin e jetës shqiptare, me një elitë kulturore të mirëfilltë, ja ku, ajo që Dom Pal Gjini në ’38 e quajti, “bisha komuniste” e ndërpreu këtë proces me dhunë. Sa po i kthenim shpinën lindjes otomane i drejtuam sytë kah lindja sovjetike. Njerëzve të këtij vendi iu tha se do të shkojmë drejt komunizmit e se socializmi është vetëm një tranzicion e u bënë dy. 45 vjet errësirë e njerëzit e këtij vendi ishin “për me iu dhimbë gjarpnit nën gurë”. E më në fund tranzicioni i tretë i cili do të sillte lirinë, demokracinë, mirëqenien nëpërmjet ekonomisë së tregut. Tranzicioni ka dhimbje, por derisa është tranzicion ia vlen barra qiranë. Gjëja më e keqe nuk është të jesh në tranzicion, më e keqja është të mësohesh me të, apo më keq akoma të të detyrojnë të rrish në të, pa mundur të bësh çap përpara. Kjo po ndodh në të vërtetë në Shqipëri tash 20 vjet.
Pse është një artific kjo krizë? Artific do të thotë e bërë, e sajuar. Në natyrën time nuk jam komplotist. Mundohem të shoh faktet dhe të gjykoj vetëm ato. Krizat që sajohen përreth një tavoline, ulur në kolltukë luksozë, nga njerëz me paga të siguruara, shtëpi dhe makina nuk janë kriza. Janë kriza që i ngjajnë prodhimit të filmit 2012 d.m.th. i gjithi i bërë nga një studio grafike, por që bën përshtypje dhe ngjall frikë tek ata që e shohin. Ka gjasa që edhe filmi konkurrent të bëhet kësisoj. Çështje audience!
Çka më shqetëson? Përgjigja e kësaj pyetje ka të bëjë me të tashmen, por sidomos me paskrizën. Ajo çka shihet është se i vetmi subjekt veprues në këtë situatë është politika duke filluar nga partitë, te Presidenti i Republikës dhe komuniteti ndërkombëtar i cili është edhe ai një subjekt politik. Mungesa e një autoriteti moral i cili me qartësinë, vullnetin dhe kompetencën e tij bëhet një faktor shtytës për zgjidhjen e krizës, për fat të keq në Shqipëri duket sheshit. Po të vësh re me kujdes, opinionistët o janë majtas o janë djathtas, por kurrsesi të pavarur, botuesit po ashtu, biznesi po ashtu, arti po ashtu, akademikët, shkrimtarët etj. Sidomos këta të fundit, kanë përgjegjësi të ngrenë zërin, madje fuqishëm edhe pse ndoshta nuk do të dëgjohen e mund të mbeten “zëra që klithin në shkretëtirë”. Ku janë autoritetet morale të këtij vendi? U desh të fliste Këshilli i Evropës e të thotë të njëjtat fjalë që tha Konferenca Ipeshkëvore e Shqipërisë me datë 8 dhjetor 2009 që të fillonin bisedimet. Por e zëmë se feja në Shqipëri nuk mund të jetë një subjekt që shtron zgjidhje për çështje të tilla, pasi feja dhe shteti janë të ndara (argument shumë i dobët ky, por e lëmë të mirëqenë), cili autoritet tjetër në Shqipëri i qëndron politikës përballë dhe i tregon asaj kufijtë? Në Shqipëri një autoritet i tillë duket se mungon ose është i frikësuar. Për të ekzistuar ky autoritet duhet të jetë moral e mbi të gjitha shpirtëror, pasi kriza e këtij vendi është mbi të gjitha shpirtërore, por për këtë një herë tjetër….!
Komentoni
Artikuj te tjere
Abas Fejzullahi: Çfarë na dhuruan nxënësit e çfarë duhanxhinjtë!?
Ilir Taraj: Qëndro o njeri!
Faik Krasniqi: Veprimi i z.Hoxha duhet te jete shembull per intelektualet tane
INEPRA: Autostrada e kombit: Bashkim kombëtar, apo bashkim i skandaleve, korrupsionit dhe mjerimit?
Fran Buzhala: Përkujtimet - supermarketet - kërkesat sociale
Alban Dega: Urtësia e engjëjve dhe drita e shqiptarëve
Adnan Abrashi: Një popull është i madh, kur jep njerëz të mëdhenjë!
Arben Gjinaj: Dikush ka dhënë shumë për Kosovën dhe s'ka marrë asgjë!
Shaban Peraj: Fronti për Shqipërinë
Pilo Zyba: Pse po rritet çmimi i naftës?
Selim Hasanaj: A janë të gjitha këngët epike historike epos shqiptar!?
Selim Hasanaj: Kënaqësi dhe krenari të jesh shqiptar kur diplomati i shtetit tënd është patriot
Tërnoci Press: Kriza allashqiptarce...
Gëzim Mekuli: Të shkruarit e fjalimeve politike
Faik Krasniqi: Politika e shqiptareve ne Maqedoni ne qorrsokak
Ramiz Dërmaku: Kush di të falenderojë dhe të kërkojë falje, di të jetojë dhe dashurojë
Eshref Ymeri: Ka shumë të drejtë zoti ambasador
Nard Ndoka: Pse të kemi frikë nga regjistrimi i fesë dhe etnisë!
Shoqata SH.V dhe e Invalidëve të UÇK-së “Kalaja” reagon ashpër ndaj vendimit të Gjykatës së Shkupit
Kalosh Çeliku: Mos u tremb?ni nuk do t'ju l?m? t'u han? sorrat