Mendime
Proklamatë e Këshillit të pavarur për ndryshime jopolitike në Universitetin e Tetovës
E shtune, 13.02.2010, 08:34 PM
Dje në Tetovë, më 10.II.2010, derisa binte borë e madhe jashtë, brenda në lokalet “e nxehta” të Universitetit të Tetovës dhe në praninë e një numri të madh të studentëve, të pedagogëve e të personelit administrativ-teknik u formua Këshilli i pavarur për liri akademike dhe pavarësi politike të Universitetit të Tetovës nga partitë qeveritare maqedonase.
Anëtarët e Këshillit të pavarur tash për tash janë:
1. Dr. Fadil Sulejmani, prof. ordinar i jashtëm i shkencave të filologjisë në UT,
2. Dr. Remzi Izairi, prof. ordinar i rregullt i shkencave të mjekësisë në UT,
3. Dr. Nexhmedin Karimani, prof. docent i rregullt i shkencave të mjekësisë në UT,
4. Mr. Valbon Ademi, ligjërues i rregullt i shkencave të kompjuterikës në UT dhe
5. Ali Salihi, jurist i diplomuar, Sekretar i Përgjithshëm në UT
Arsyet e themelimit të një këshilli të pavarur për mbrojtjen e Universitetit të Tetovës nga politizimi i vazhdueshëm i partive politike të Qeverisë maqedonase
Politizimi sistematik i Universitetit të Tetovës nga partitë qeveritare që nga viti 2004 dhe dëmet aq të mëdha që për disa vjet me radhë i shkaktoi universitetit në veçanti dhe arsimit të lartë në përgjithësi, na shtyri që të veprojmë për ta ndryshuar traditën e keqe politike që është instaluar aty nga Qeveria maqedonase dhe të krijojmë një gjendje të mirë akademike, një universitet pa politikë dhe pa ndikime partiake qeveritare.
Këtë veprim apolitik në universitet do ta realizojmë në mënyrë të organizuar me themelimin e një organi të pavarur universitar i quajtur
Këshilli i pavarur për ndryshime jopolitike në Universitetin e Tetovës
Detyrat e Këshillit
Detyra e këshillit do të jetë e para dhe e fundit që ta largojë politikën ditore nga Universiteti i Tetovës, ndikimet, ambiciet dhe veprimet e partive të Qeverisë maqedonase prej aty.
Këshilli si organ i pavarur do ta bëjë monitorimin dhe mbrojtjen e Universitetit të Tetovës nga çfarëdo lloj virusi e ndikimi politik dhe do të veprojë në universitet derisa nuk do të ketë aty politikë dhe ndikime politike, qoftë prej jashtë apo prej brenda tij.
Në shumë vende të botës demokratike në kuadër të universiteteve funksionojnë këshillat e pavarura që luftojnë çdo politikë nga universiteti.
Andaj, duke pasur parasysh politizimin e vazhdueshëm të Universitetit të Tetovës, do të ishte shumë i nevojshëm një organ i këtillë i përhershëm që në mënyrë permanente do ta mbikëqyrte e vlerësonte pavarësinë e universitetit tonë, do të kujdesej që të mos cenohej autonomia e tij prej asnjë lloj politike, si dhe të mos mungojë në asnjë rast dhe për asnjë interes transparenca dhe komunikimi me publikun për çdo veprimtari mësimore, shkencore, administrative dhe financiare në universitet.
Kërkesat e Këshillit
1. Kërkojmë nga Qeveria maqedonase që ta largojë nga Universiteti i Tetovës koalicionin e saj qeveritar BDI-VMRO/DPMNE;
2. Kërkojmë nga partitë qeveritare maqedonase BDI-VMRO/DPMNE që sa më parë dhe në qetësi ta lëshojnë Universitetin e Tetovës, ta lënë të qetë këtë universitet që në liri dhe i pavarur nga politika e tyre t’i kryejë punët e veta akademike ashtu siç i ka hije një universiteti të mirëfilltë të botës;
3. Kërkojmë nga Qeveria maqedonase që t’i tërheqë nga Universiteti i Tetovës forcat e saj pushtuese policore, agjentët, xhandarët, bodigardat dhe militantët, ekstremistët dhe radikalistët e partive të saj BDI-VMRO/DPMNE;
4. Kërkojmë nga Qeveria maqedonase dhe partitë e saj që në asnjë mënyrë të mos e pengojë Këshillin e pavarur për ndryshime jopolitike në UT që nën mbikëqyrjen e faktorit ndërkombëtar të shpallë zgjedhje të pavarura për formimin e organeve udhëheqëse të Universitetit të Tetovës sipas Ligjit për Arsimin e Lartë, të Statutit dhe të Rregullores së universitetit jashtë ndikimeve dhe veprimeve të politikës ditore partiake;
5. Kërkojmë nga Universitetit i Tetovës, pedagogët dhe personeli administrativ-teknik që ta vazhdojnë punën normalisht në universitet, duke i kryer secili prej tyre detyrat e veta me përgjegjësi morale dhe juridike.
Ndërsa nga studentët kërkojmë që t’i ndjekin rregullisht mësimet, ligjëratat dhe ushtrimet, sipas orarit javor dhe mujor të paraparë në fakultetet e universitetit.
Në mënyrë të veçantë kërkojmë nga organet aktuale politike që kanë ardhur në postet udhëheqëse të universitetit me emërime partiake-qeveritare t’i pushojnë funksionet e tyre jolegjitime në universitet, dhe kështu t’u hapin rrugë zgjedhjeve të lira, demokratike dhe legjitime në këtë insitutcion të lartë arsimor-shkencor dhe, po qe se ata dëshirojnë dhe i plotësojnë kushtet akademike, mund të konkurojnë e të zgjidhen në organet përkatëse drejtuese të universitetit në konkursin publik që do të shpallet në mjetet e komunikimit masiv të vendit tonë.
6. Po ashtu kërkojmë edhe nga kryesia politike e Unionit të Studentëve që sipas funksionit dhe detyrës morale që ka marrë të mbrojë interesat e studentëve, të cilat janë liria dhe pavarësia e Universitetit të Tetovës nga politika ditore dhe për asnjë kusht e interes të mos u shërbejnë partive të Qeverisë maqedonase që kanë qëllime të errëta ndaj universitetit tonë.
7. Ne thërrasim studentët, prindërit e tyre, pedagogët dhe intelektualët e mirëfilltë, punëtorët administrativë-teknikë, dashamirët e Universitetit të Tetovës dhe të arsimit, të shkencës e të artit që të na bashkohen në qëllimin tonë fisnik dhe human për fitoren e dijes e të shkencës dhe për të mposhtur njëherë e përgjithmonë dhunën politike në universitet; të rreshtoheni në anën tonë, në anën e fëmijëve tuaj, dhe ta jepni kontributin tuaj të çmueshëm për një universitet të pavarur nga politika ditore e partive qeveritare maqedonase, për një universitet të lirë, pa politikë, pa diktate dhe diktaturë partiake qeveritare, siç duhet të jetë Universiteti modern i Tetovës.
8. Kërkojmë përkrahjen e nevojshme nga mjetet e komunikimit masiv që të na e mundësojnë paraqitjen tonë publike me gojë dhe me shkrim për të komunikuar me masën e gjerë popullore dhe për ta informuar për gjendjen e mjerueshme që po mbretëron sot në Universitetin e Tetovës si pasojë e ndërhyrjes politike në këtë universitet nga ana e partive qeveritare maqedonase, për kaosin, dëmet e mëdha dhe fatkeqësinë që i ka shkaktuar kjo politikë e huaj universitetit tone, dhe kemi besim se këtë përkrahje do ta kemi nga këto institucione tona publike, meqë ngjajshëm me UT-në edhe ato janë të kontrolluara dhe të penguara në punën e tyre informative nga politika ditore partiake qeveritare.
Qëllimet dhe objektivat e këshillit
Këshilli ka agjendën dhe platformën e vet të veprimit neutral dhe këto janë liria akademike dhe pavarësia funksionale e Universitetit të Tetovës.
Qëllimet dhe objektivat e këshillit janë mbrojtja e interesave shkencore, juridike, morale, materiale dhe financiare të universitetit tonë.
Qeveria maqedonase dhe partitë e koalicionit të saj qeveritar, që flasin njëra shqip e tjetra maqedonisht, e kanë okupuar dhe politizuar Universitetin e Tetovës që nga viti 2004, duke e shndërruar atë në një qendër të tyre politike dhe financiare prej nga grumbullojnë të holla dhe vota, me të cilat blejnë pushtetin dhe fitojnë zgjedhjet.
Kjo ndërhyrje politike në tempullin e Universitetit të Tetovës ka dëmtuar rëndë interesat e tij, ka tendosur tej mase situatën, ka ngritur tensionet ndërnjerëzore aty, ka shkaktuar dëshpërim dhe pakënaqësi te popullata në rajon, ka shkelur ligjet, Statutin dhe Rregulloret e punës në universitet, ka cenuar të drejtat dhe liritë e njeriut aty dhe mbi të gjitha ka përçarë, armiqësuar e diskriminuar studentët, pedagogët dhe punëtorët e tij në baza partiake, familjare e territoriale, dhe kështu ka sjellë kaos në universitet dhe krizë të thellë në procesin mësimor, shkencor dhe administrativ me parregullsi të shumta e probleme të mëdha në punën dhe jetën e tij institucionale.
Këshilli synon që ta ndryshojë këtë gjendje të keqe në universitet, ta shporrë prej aty politikën ditore dhe të krijojë një gjendje të mirë, ku do të mbretërojë klima akademike e një universiteti jopolitik dhe jopartiak; ku do të ketë të drejtë çdo individ të punojë dhe të punësohet në universitet sipas kritereve juridike dhe profesionale-shkencore e jo sipas interesit dhe besnikërisë partiake.
Këshilli do ta sensibilizojë popullin për dëmet e mëdha që i ka shkaktuar politizimi partiak-qeveritar Universitetit të Tetovës në veçanti dhe sistemit të përgjithshëm arsimor, shkencor, juridik, ekonomik dhe mjekësor në përgjithësi, si dhe për pasojat që do t’i vuajmë ne dhe rinia jonë sot dhe në të ardhmen.
Këshilli do ta njoftojë edhe faktorin politik dhe akademik kombëtar dhe ndërkombëtar, brenda dhe jashtë atdheut, për okupimin dhe politizimin e dhunshëm të Universitetit të Tetovës nga ana e partive qeveritare maqedonase, për dëmet dhe pasojat e tij që do të ndihen e reflektohen jo vetëm në Maqedoni, por edhe jashtë saj në Ballkan e në Evropë e më larg me integrimin në këto vende të kuadrove të dobëta që do të dalin nga universiteti ynë si rrjedhim i politizimit të tij, dhe për këtë fatkeqësi politike që po përjeton sot ky universitet, shkenca, dija, arti dhe kuadrot e tij, fajin dhe përgjegjësinë do ta mbajë vetë Qeveria maqedonase si shkaktare e vetme dhe e qëllimshme e dhunës politike në këtë universitet.
Këshilli do të kontaktojë dhe do t’i informojë për politizimin e UT-së nga Qeveria maqedonase dhe partitë e saj politike edhe institucionet universitare, arsimore dhe kulturore që e çmojnë dhe vlerësojnë autonominë dhe pavarësinë akademike të universiteteve, duke kërkuar edhe ndihmën e tyre të nevojshme për ta dëbuar nga universiteti politikën qeveritare maqedonase.
Për t’ia arritur këtij qëllimi fisnik e human dhe në interes të shkencës, dijes, artit dhe të kuadrove tona profesionale ne do kërkojmë ndihmë të nevojshme dhe të domosdoshme në radhë të parë nga vetë Universiteti ynë i Tetovës që ai me ndihmën e vet dhe tonën ta çlirojë vetveten nga kthetrat vrastare të politikës qeveritare maqedonase, pastaj do të kërkojmë ndihmë të veçantë dhe mbështetje të gjithanshme nga studentët dhe prindërit e tyre, nga personeli administrativ-teknik, nga pedagogët dhe intelektualët brenda dhe jashtë universitetit, nga populli arsimdashës dhe mbarë institucionet tona shoqërore, shkencore, kulturore si dhe politike, që çmojnë dhe vlerësojnë pavarësinë e universitetit nga politika.
Madje do të kontaktojmë edhe me krerët politikë të Qeverisë maqedonase dhe do të kërkojmë prej tyre që sa më parë dhe në qetësi t’i tërheqin nga Universitetit i Tetovës Qeverinë dhe partitë e tyre politike.
Për t’i realizuar sa më shpejt dhe më mirë këto qëllime dhe objektiva tona për lirinë dhe pavarësinë e Universitetit të Tetovës do t’i përdorim metodat konstruktive dhe mjetet demokratike si kusht që Qeveria maqedonase dhe partitë e saj politike ta zhbllokojnë menjëherë okupimin e universitetit dhe sa më parë e në mënyrë paqësore të largohen prej këtij institucioni autonom akademik.
Ne si Këshill personalisht nuk kemi asgjë kundër askujt dhe nuk jemi kundër asnjë partie politike dhe qeverie maqedonase që ato si të tilla të qëndrojnë dhe të veprojnë aty ku e kanë vendin e vet.
Ne kemi ngritur zërin e arsyes së drejtë dhe të interesit, të përgjithshëm të popullit tonë, që është Universiteti i Tetovës, dhe kështu publikisht duam t’jua tërheqim vërejtjen e fundit që të mos merreni me universitetin e popullit, të mos luani me fatin e fëmijëve tanë, të mos e shkelni vendin e tij të shenjtë, të mos e okuponi, të mos e partizoni, të mos e politizoni, të mos e plaçkitni, të mos e dhunoni këtë tempull dhe të mos e shuani këtë diell, që po i jep dritë këtij vendi dhe jetë këtij populli; nuk e keni këtë të drejtë, as moralisht, as humanisht, as juridikisht; lëreni Universitetin e Tetovës të lirë dhe të qetë që t’i kryejë punët e veta ashtu siç i ka hije një universiteti autonom dhe modern!
Liri Universitetit të Tetovës!
Tetovë, më 10.II.2010
Komentoni
Artikuj te tjere
Gjergj Meta: Kriza e subjektit tjetër
Abas Fejzullahi: Çfarë na dhuruan nxënësit e çfarë duhanxhinjtë!?
Ilir Taraj: Qëndro o njeri!
Faik Krasniqi: Veprimi i z.Hoxha duhet te jete shembull per intelektualet tane
INEPRA: Autostrada e kombit: Bashkim kombëtar, apo bashkim i skandaleve, korrupsionit dhe mjerimit?
Fran Buzhala: Përkujtimet - supermarketet - kërkesat sociale
Alban Dega: Urtësia e engjëjve dhe drita e shqiptarëve
Adnan Abrashi: Një popull është i madh, kur jep njerëz të mëdhenjë!
Arben Gjinaj: Dikush ka dhënë shumë për Kosovën dhe s'ka marrë asgjë!
Shaban Peraj: Fronti për Shqipërinë
Pilo Zyba: Pse po rritet çmimi i naftës?
Selim Hasanaj: A janë të gjitha këngët epike historike epos shqiptar!?
Selim Hasanaj: Kënaqësi dhe krenari të jesh shqiptar kur diplomati i shtetit tënd është patriot
Tërnoci Press: Kriza allashqiptarce...
Gëzim Mekuli: Të shkruarit e fjalimeve politike
Faik Krasniqi: Politika e shqiptareve ne Maqedoni ne qorrsokak
Ramiz Dërmaku: Kush di të falenderojë dhe të kërkojë falje, di të jetojë dhe dashurojë
Eshref Ymeri: Ka shumë të drejtë zoti ambasador
Nard Ndoka: Pse të kemi frikë nga regjistrimi i fesë dhe etnisë!
Shoqata SH.V dhe e Invalidëve të UÇK-së “Kalaja” reagon ashpër ndaj vendimit të Gjykatës së Shkupit