E shtune, 27.07.2024, 03:19 AM (GMT+1)

Mendime

Femi Cakolli: Një letër për një Krishtlindje!

E diele, 27.12.2009, 08:43 PM


Një letër për një Krishtlindje!
 
“Mos u brengosni me faktin se njerëzit po e quajnë pemën, pema e Vitit të Ri, në vend se ta quanin pema e Krishtlindjes. Isha unë Ai që bëra të gjitha pemët. Mund të më kujtoni sa herë që shihni një pemë”.

Nga Pastor Femi Cakolli

Jemi në festën e Krishtlindjes. Kam qenë duke menduar mjaft gjatë që të përgatisja një shkrim për këtë festë dhe disa herë e kam parë vetën time duke bredhur e kapur herë tek një mesazh e herë tek një tjetër. Duke shkëmbyer këto ditë letra qiellore (kështu i quaj emailat nganjëherë) pash një letër dërguar nga një miku im holandez, një poet, një humanist dhe një njeri i perëndishëm i cili ma kishte dërguar një letër për Krishtlindje.
-----
Letra ishte diçka shumë e veçantë dhe në të vërtetë as ai nuk ishte autori, por sigurisht se një person tjetër tashmë anonim. Kjo letër në të vërtetë po qarkullon shumë nëpër botën perëndimore. Përmbajtja e kësaj letre është diçka shumë personale dhe tejet e rëndësishme për secilin të krishterë. Kjo është shumë më e mirë sesa një përpjekje tjetër e imja ose e ndonjë kleriku tjetër për t’u shpjeguar të tjerëve që fare nuk janë të krishterë, në rastin tonë janë myslimanët, se çka është Krishtlindja, pasi zaten kështu bëjmë pothuajse çdoherë. U frymëzova aq tepër nga kjo letër dashurie saqë ma ndryshoi paradigmën time dhe të shumëkujt sigurisht për sa i përket Krishtlindjes ose Kërshëndellave siç e quan edhe shumëkush. Krishtlindja sipas kësaj letre nuk është sa për të festuar, por për të bërë diçka për të tjerët.

Ja se çka thuhet në këtë letër:

“Më ka tërhequr vëmendjen fakti se disa nga ju jeni të mërzitur që njerëzit po e largojnë emrin tim nga festimet e fundvitit. Ndoshta keni harruar se në të vërtetë unë nuk kam lindur në këtë periudhë të vitit dhe ishin disa nga paraardhësit tuaj të cilët vendosën të festojnë ditëlindjen time në një kohë të festave pagane. Megjithatë unë e çmoj kurdo që të kujtohem nga ju.

Se si ndjehem personalisht në lidhje me këto festime ndoshta mund të kuptohet më së lehti nga ata që janë të bekuar me fëmijë. Unë nuk brengosem se çfarë dite është. Nëse doni të festoni lindjen time, vetëm MBLIDHUNI BASHKË DHE DUANI NJËRI – TJETRIN!

Tani pasi e thash, më lini të vazhdoj. Nëse jeni të shqetësuar për shkak se qyteti në të cilin jetoni nuk po ju lejon të vendosni një skenë për të festuar lindjen time, atëherë nuk keni nevojë të merreni me baba-dimër apo dordolecë, por vendosni një skenë të vogël me motive të lindjes sime në oborrin tuaj. Nëse të gjithë ndjekësit e Mi do ta bënin këtë nuk do të ishte e nevojshme një skenë e tillë në sheshin e qytetit sepse do të kishte disa nga to në të gjithë qytetin.

Mos u brengosni me faktin se njerëzit po e quajnë pemën, pema e Vitit të Ri, në vend se ta quanin pema e Krishtlindjes. Isha unë Ai që bëra të gjitha pemët. Mund të më kujtoni sa herë që shihni një pemë. Dekoroni edhe një hardhi nëse doni: në të vërtetë unë kam folur për këtë në një nga mësimet e mia, duke shpjeguar se kush jam në marrëdhënie me ju dhe cilat janë detyrat e secilit prej nesh. Nëse e keni harruar, shikoni tek Gjoni 15:1-8.

Nëse doni të më dhuroni diçka në përkujtim të lindjes sime, po ua jap listën e dëshirave të mia. Zgjidhni ndonjë nga këto:

1. Në vend se të shkruani letër, në të cilën, kundërshtoni mënyrën se si po festohet ditëlindja ime, shkruani letra dashurie dhe shprese ushtarëve që janë larg nga shtëpitë e tyre. Ata janë shumë të frikësuar dhe të vetmuar në këtë periudhë të vitit. E di, sepse ma thonë çdo herë këtë.

2. Vizitoni një shtëpi të pleqve. Nuk ke pse t’i njohësh personalisht. Ata vetëm kanë nevojë të shohin se dikush kujdeset për ta.

3. Në vend se t’i shkruani Presidentit ankesë në lidhje më fjalët e përdorura nga stafi i tij në kartolinat e këtij viti, pse nuk i thoni se do të luteni për të dhe familjen e tij gjatë këtij viti. Pastaj vazhdo t’i shkruash. Do të ishte mirë që ai të dëgjojë nga ti edhe herë të tjera.

4. Në vend që t’i jepni fëmijëve tuaj dhurata të shtrenjta dhe që nuk i duhen, kalo kohë me ta. Tregoju historinë e lindjes sime, dhe pse erdha të jetoj me ju. Mbaji në duart tua dhe tregoju se unë i dua.

5. Zgjidh dikë që të ka lënduar në të kaluarën dhe fale.

6. A e keni ditur se dikush në qytetin tuaj do të provojë të vetëvritet këtë fundvit për shkak se ata ndihen të vetmuar dhe të pashpresë? Pasi që nuk e dini se kush është, provoni t’i jepni një buzëqeshje të ngrohtë çdonjërit që takoni dhe gjithçka mund të ndryshojë.

7. Në vend që të brengoseni se si e feston Krishtlindjen një super-market në qytet, tregohu i durueshëm me njerëzit që punojnë aty. Jepu një buzëqeshje të ngrohtë dhe një fjalë të mirë. Nëse atyre nuk u lejohet të të urojnë “Gëzuar Krishtlindja”, kjo nuk të ndalon ty që t’i urosh ata. Pastaj mos shko të blesh të dielën. Nëse ai dyqan nuk ka fituar shumë për atë ditë, ata do ta mbyllin dhe do t’i lënë punëtorët të kalojnë ditën me familjet e tyre.

8. Nëse me të vërtetë dëshiron të veprosh më ndryshe, mbështesni një misionar – veçanërisht ndonjërin që u dërgon dashurinë dhe Lajmin Tim të Mirë, atyre që nuk kanë dëgjuar kurrë për emrin tim.

9. Ja ku është një dhuratë e mirë. Ka individë dhe familje në qytetin tuaj, të cilët, jo vetëm që nuk kanë një pemë “Krishtlindjeje”, por as nuk marrin apo japin dhurata për këtë festë. Nëse nuk i njeh ata, blej ca ushqime e dhurata dhe dorëzoji tek ndonjë shoqatë bamirësie, të cilët besojnë tek unë, dhe ata do t’i shpërndajnë për ty.

10. Dhe në fund, nëse do të përcaktohesh për besim dhe besnikëri ndaj meje, atëherë sillu si i krishterë. Mos bëj në fshehtësi gjëra që nuk do t’i kishe bërë në prezencën time. Nga veprat e tua njerëzit le ta dinë se ti je një nga të mitë.

Mos harro; Unë jam Zoti dhe kujdesem për veten. Vetëm më duaj dhe bëji ato që të kam thënë. Unë kujdesem për gjithçka tjetër. Shiko listën më lart dhe fillo punën; koha është e shkurtër. Unë do të ndihmoj, por tani topi është në anën tënde. Dhe paç Krishtlindje të bekuara me të gjitha ata që i do dhe kujton: TË DUA JEZUS!”


(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora