E shtune, 18.05.2024, 08:50 AM (GMT+1)

Mendime

Naser Aliu: Shteti privat

E diele, 27.12.2009, 08:55 PM


Shteti privat

Nga Naser Aliu

Në Ballkan, Evropën Lindore, në Azi, në Afrikë dhe në Amerikën Latine ka shumë shtete private. Për dallim nga shteti publik, ku shteti dhe administrata shtetërore është në shërbim të qytetarit, në shtetin privat ndodhë e kundërta: qytetarët janë në shërbim të administratës dhe shfrytëzohen prej saj! Në shtetin privat zakonisht politikanët sillen si në vetëshërbim. Eksitimin më të madh që ata e përjetojnë, sapo ta fitojnë pozitën, nuk është posti, por imuniteti. Ata e perceptojnë imunitetit si një licencë për pasurim personal, vjedhje, fshehjen e krimit dhe punësim të të afërmeve. Këta të fundit janë më besnik për t´ia mbajtur këmbët e karriges së tij!

Në shtetet publike ka shumë padi kundër vendimeve të administratës dhe shteti publik, për të evituar diskriminimin, harxhimet për gjyq i merr mbi vete, nëse qytetari i pakënaqur me një vendim, nuk mund ta mbulojë vet koston gjyqësore.

Gjykata e shkallës së parë paguan një këshillim me një avokat si dhe procedurën e tutjeshme. Kjo bëhet për shkak të ruajtjes së parimit të barazisë dhe në mënyrë që çdo njeri t´i realizojë të drejtat e veta, e jo gjyqi të jetë luks vetëm për të pasurit.

Në vendet me shtete private gati nuk ekzistojnë kundërshtime kundër vendimeve të administratës shtetërore. E para se njerëzit kanë frikë nga shteti, e dyta se nuk kanë besim në avokatin, e treta se kostoja është e madhe, shteti privat nuk ndihmon, dhe rrjeti i krijuar në mes avokatëve, gjyqtarëve dhe pushtetarëve, nuk jep shpresë të fitojë qytetari, edhe kur qytetari ka të drejtë.

Në shtetet private qytetari shihet si burim i të ardhurave shtesë. Qeveritë e këtyre vendeve nuk mund të akuzohen, pse nuk krijojnë vende pune, mungon kapitali, por këto qeveri së paku duhet ta evitojnë korrupsionin më shumë se te vendet e pasura. Deri në zhdukje! Krimin deri në asgjësim dhe të kujdesen për një arsimim të mirë, në mënyrë që investitorët e huaj të tërhiqen në vend. Së paku këto duhet t´i bëjnë në mënyrë efektive!

Në vendet me shtete private shumë herë ka klane dhe grupe, rrjete dhe lidhje të cilat mbrojnë interesat vetjake. Aty populli jeton i drobitur dhe me shpresa!

Në shtete private shpesh njerëzit hyjnë në politikë jo pse kanë ide që duan t´i realizojnë në shërbim të vendit, por, sepse u nevojitet pushteti për t´i realizuar qëllimet e veta. Prandaj në botë kemi politikan, që ndryshojnë gjendjen ekonomike të vendit, zvogëlojnë papunësinë dhe politikan që bëhen milioner (kryesisht familja) dhe varfërojnë ekonominë nacionale. Në shtetet private kundërshtarët dhe shtypi i lirë trajtohen si armiq apo si tradhtarë! Opozita në shumë vende shërben apo reduktohet në dekoracion politik!

Shtetet private presin investime nga jashtë për ta përmirësuar gjendjen apo përpiqen të krijojnë kushte emigrimi. Mirëpo, rrallë herë investitorët e huaj investojnë në një vend, ku shteti është i korruptuar deri në palcë.

Shtetet publike kujdesen për mirëqenien e qytetarëve dhe janë të përkushtuar. Në shtetet private punën e parë që bën politikani, nis distancën nga votuesit për t´i afruar si një grua e përdalë pak para zgjedhjeve dhe i siguron vetes një makinë e cila do ta shquante nga populli.

Nëse bazohemi në ekonominë e shteteve private, atëherë politikanët e këtyre vendeve, në rastin më luksoz, duhej të ecnin veshur si Gandi! Në fakt ekonomia e tyre nuk ka mundësi t´i financojë ata veshur me Dolce&Gabana apo Giorgio Armani, edhe pse e bëjnë këtë! Politikanët e shteteve private gati të gjithë dinë se kur prashitet misri, kur skuqen domatet e kur përgatiten drunjtë e dimrit dhe kur bëhet gati turshia. Pra, edhe pse vijnë kryesisht nga rrethet rurale, sapo ta fitojnë pozitën, blejnë makina të shtrenjta, ashtu si i kanë edhe politikanët superfuqive ekonomike botërore. Në vend se të shkojnë në biçikleta në punë, ata ecin me makina të blinduara, thua se dikush është çmendur të bëjë atentat mbi ta...

Ata nuk duan të duken si kombi i vet; vazhdimisht përpiqen të diferencohen prej tij, sepse ata vuajnë nga kompleksi i të qenit jo bir industrialisti e kapitalisti, por i një fermeri! Ata vazhdimisht përpiqen t´i tregojnë kombit se janë një elitë e re dhe se meritojnë të largohen jo vetëm prej shatit të djeshëm, por edhe prej kombi të vet!

Ata do të punonin në dobi të vendit, kur mbeten siç ishin, e jo kur shtiren se janë bij të kapitalistëve!

Politikanët e shteteve private nuk kanë politikë nacionale dhe identitet politik të vetin; ata janë në shërbim të politikanëve të huaj dhe ekzekutojnë kërkesat e tyre.

Para zgjedhjeve zakonisht nuk numërojnë rezultatet e arritura, por përsëri merren me pretime dhe populli shumë herë nuk vendosë për realistin, por për shitësin e shpresave.

Në shtetin privat politikanët nuk ndërrohen pas katër apo tetë viteve, por mbeten në politikë derisa të jenë gjallë. Shumica vdesin me funksion politik!

Në këto vende kultura demokratike e votuesve është shumë inferiore dhe mundësia që demagogu i vërtetë të fitojë, është shumë më e madhe se sa e një idealisti të vërtetë.

Në vendet industriale me shtete publike ndërron shpesh skena politike dhe tërhiqen në bizneset e tyre ose pensionohen. Populli gati nuk e merr vesh se dikush u largua. Në vendet me shtete private gati rrëzohet shteti, kur largohen patriarku!

Në Ballkan, fytyrat që shohim sot, do t´i shohim edhe pas 20 apo 30 viteve. Në Kosovë dhe Shqipëri jemi duke krijuar përmendore të gjalla, si dikur Fadil Hoxhën, Ali Shukrinë, e në Shqipëri Enverin Hoxhën e Ramiz Alinë. Shumë njerëz, kanë mundësi të vdesin duke parë në skenë fytyrat e njëjta politike. Ne braktisëm komunizmin, por në politikë konservojmë fytyra të njëjta si në komunizëm! Kjo nuk do të ndodhë vetëm në Shqipëri e Kosovë, por në shumicën e vendeve ballkanike dhe në botë ku ekzistojnë shtete private, ku madje edhe fëmijët trashëgojnë pozitën e t´atit! Sa për ilustrim: në Egjipt Mubaraku përgatit djalin e vet për ta marrë pushtetin!

Mund të thuhet se një popull është i pjekur për demokraci, kur ndryshon politikanin pas katër viteve apo më së shumti pas tetë viteve! Një parti mund të konsiderohet demokratike, kur rrëzon politikanin e vet, pas një skandali! Nëse nuk është në gjendje ta bëjë këtë, atëherë është fjala për një parti me lidhje dhe vetëdije tribale!

Popujt e vendeve me shtete private janë mësuar me tutor dhe paternalizëm, madje figura politike që ka karakteristika diktatoriale u krijojnë atyre iluzione të sigurisë, mirëqenies edhe pse e din se kjo nuk është e mundur, prapë ata kontrollohen nga nëndija e tyre dhe votojnë e ndërtojnë përmendore prej mishi! Kur u vdes atyre kryetari i shtetit privat, populli qanë nëpër rrugë!

Karakteristikë e shteteve private nuk është vetëm makina, pasuria dhe veshja e protagonistëve politik, por edhe punësimi i të afërmve dhe i rrjetit të tyre, rrjet i cili kujdeset për lustrimin dhe mirëmbajtjen e përmendores së gjallë. Shpesh herë prijësi duket qesharak, sepse qartë shihet se ai flet dhe vepron sipas dëshirave dhe interesave të një grupi të caktuar, e jo për të mirën e përgjithshme! Karakteristikë  e vendeve me shtete private është edhe mosrespektimi i ligjit nga ata që vet e kanë aprovuar dhe përjashtimi nga puna i njerëzve, që nuk nënshtrohen apo simpatizojnë opozitën!

 

Një gjermane kthehet e mahnitur me ligjet e mira që paska Serbia dhe Maqedonia. Ajo nuk dinte se ato ligje që në Kuvend janë votuar, janë ligje vetëm në letër, sepse në Ballkan kudo ka diskriminim të pakicave, sepse ligjet e votuara, nuk i shërbejnë qytetarëve, por për ta gënjyer botën. Sa për ilustrim: në Greqi nuk ekziston problemi çam, edhe pse ky vend gjendet në BEE. Në Maqedoni nuk respektohen të drejtat e shqiptarëve dhe Maqedonia shpërblehet me heqjen e vizave. Në Serbi ka mbi 30 % pakica, por gati asnjë në Kuvend. Jetojnë rreth një milion romë, por asnjë në Skupshtinën serbe!

Evropa duket sikur pendohet me bombardimin dhe e ofron Serbinë edhe pse akoma nuk ka dorëzuar kriminel të luftës. Tani krimineli serb, ka mundësi të strehohet diku në Evropë! Evropa nuk e thotë, por ndaj Serbisë sillet si fajtore dhe len të kuptojë se qe e detyruar nga SHBA-ja. Kjo ishte pak dhe tani Sali Berisha i dhuron një qyteze serbe 400.000 Euro. Edhe pse nëpër Serbi gjendet akoma kufoma shqiptare, edhe pse demokrati serb mban plaçkën Millosheviçit, arkivat e Kosovës dhe nuk i kthen prapa dhe kryeministri jonë e fton atë në vizitë për t´iu bashkangjitur shpërblimeve dhe pendimeve evropiane! Menjëherë pas shpërblimit evropian, vrapon kryeministri jonë t´i shpërblejë serbet, të cilët akoma nuk distancohen nga politika e Milosheviçit!

Tadiçi në Shqipëri, nuk është lajm i madh, Tadiçi në Kosovë si Willy Brandt i gjunjëzuar në Poloni, kjo është vetëdijesim dhe shikim para, e jo injorimi deri në mburrje i masakrave dhe shkatërrimit të pronës private dhe publike në Kosovë! Me këtë ftesë Sali Berisha po i fal gjenocidin në Kosovë, madje edhe po i kërkon ndjesë! Krejt ky teatër me një qëllim: të fitojë simpatinë e politikanëve proverb në BEE!

 

Sjellje të tilla mund të bëhen vetëm në shtetet private, në vendet e qytetëruara politikani i tillë në rastin më të mirë do të rrëzohej nga partia e vet, në më të keqin nga populli! Serbia nuk paguan pensionet e kosovarëve, ku kanë paguar shqiptarët me dekada! Saliu dhuron gati gjysmë milion euro: 5000 serbeve! Edhe pse shteti shqiptar zyrtarisht ka falimentuar dhe nuk është në gjendje t´i paguajë rrogat për dhjetorin!

Në shtetet private politika sillet në kundërshtim me interesat kombëtare, sepse qëllimi kryesor nuk është mirëqenia e kombit, por efekti që dëshiron të prodhojë ai në botë dhe të fitoj simpatinë jashtë, sepse atyre në fakt nuk u duhet mbështetja e brendshme, karrigia e tyre garantohet dhe sigurohet nga kryeqendrat e vendeve të mëdha! Popujt e shteteve private e çmojnë politikanin e vet jo në bazë arritjeve brenda, por në bazë të respektit që ai fiton jashtë, madje edhe kur e fiton simpatinë në dëm të vendit! Rasti me Detin Jon.

Shembulli më tragjik i shteti privat në botë është Kosova. Ky është shteti më privat që ekziston në planetin Tokë. Ky shtet që nga shpallja e pavarësisë ka marrë urdhrat dhe i respekton në mënyrën më ortodokse që ekziston. Ia vizatuan flamurin dhe nuk pyetën as kombin, as elitën shqiptare të Kosovës! Ia kompozuan himnin pa asnjë fjalë dhe e pranuan me duartrokitje, pa asnjë vërejtjen. E deshqiptarizuan Kosovën, fshehën simbolet shqiptare dhe nisin krijimin e kombit kosovar! Thua se ne kishim ushtruar gjenocid mbi serbet dhe meritonim ?new education!?

Kjo bëhet me ndihmën e atyre, që dje luftonin me shqiponjë për bashkim! Këta i zbatojnë ato urdhra sot! Ky është shtet më privat në botë, sepse çdo vepër e bëri sipas dëshirës së huaj, e për asgjë nuk pyet popullin edhe pse veten konsideron vend demokratik!

Ky është i vetmi vend në botë, që dëshiron të ndërtojë vend multietnik, duke qenë gati homogjen. Serbia dhe Maqedonia me gati gjysmën e popullsisë pakica, konsiderohen shtete nacionale. Shqiptarët në Kosovë trajtohen prej politikanëve të vet si minoritet dhe mund të thuhet se autonomia e Kosovës e vitit 74 u lejonte shqiptarëve më shumë vetëvendosje, se sa shteti i sotshëm! Shqiponjën nuk mundi ta ndalojë as Jugosllavia komuniste, na e përjashtoi demokracia perëndimore! Nënshtrimi i politikanëve kosovarë, nuk bëhet vetëm nga mirënjohja, por edhe nga mungesa e përvojës politike dhe injoranca e madhe! Vendet e mëdha demokratike, e dinë se demokracia me tutor nuk është demokraci dhe se shumica vendosë, e jo pakica, siç ndodh te ne!

Shtetet private kanë edhe një veti, që i mungon shteteve publike: ata posedojnë njerëz që janë të gatshëm të sakrifikohen për karrigen e patriarkut. Militantë quhet talebanët partiak! Madje ata edhe pezmatohen nëse shprehesh kundër idhullit të tyre, të cilin e respektojnë më shumë se Zotin!

Ata akoma nuk kanë kuptuar se dashuria në mes njeriut dhe karieristtit nuk guxon të jetë aq e thellë, sepse kjo dëmton demokracinë. Kur politikani devijon, duhet të largohet, pa marrë parasysh se cilës parti i takon! Kjo është demokraci! Nëse ruhet edhe pas skandaleve, atëherë ai këto do t´i prodhojë në mënyrë serike, sepse e din se nuk ka dënim për sjelljet e tija!

Shtetet private kudo në botë, janë karikatura të shtetit dhe do të mbeten të tilla deri sa nuk fitojnë pavarësinë ekonomike! Kjo pavarësi vështirë të fitohet, sepse aty politikanët nuk qeverisin, por sundojnë si klane të korruptuara dhe postet nuk i ndajnë sipas aftësive dhe profesionalizmit, por sipas lidhjes farefisnore apo gaditshmërisë nënshtruese. Shteti privat pikësëpari përpiqet tua thyejë kurrizin medieve të lira. Kur ta arrijë këtë, atëherë vrulli nuk mund t´i ndalet më! Shkurt e shqip, shtetet private sundohen nga përmendoret, që i krijojnë vet popujt pa përvojë dhe kulturë demokratike!



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora