Faleminderit
Iljaz Gogaj: Thoma Turtulli, bamirësi i madh që ndërtoi Korçën...
E hene, 14.12.2009, 08:37 PM
Thoma Turtulli
Bamirësi i madh që ndërtoi Korçën...
Nga Dr. Iljaz GOGAJ, Milosao
Korça është qendra më e dalluar në vendin tonë për mirëbërësi, posaçërisht në fushë të arsimit, kulturës, kultit, shëndetësisë etj. Mirëbërësit korçarë nisin qysh me Iljaz Bej Mirahorin shek. XV dhe vijojnë me Joasaf Korçarin, Anastas Lakçen (1882-1894) Jovan Mihal Bankën (1875-1905) Thimi Prandi Kapedanin(1813-1882), Gjergj Thimi Dokon(1812-1882), Diamandi (Mandi) Tërpon (1844-1894), Gaqo Janaq Avramushin (1827-1905), Llazar Gjergj Qiriazin (1850-1915) e shumë e shumë të tjerë, brenda dhe më shumë jashtë atdheut në emigracion.
Kur në vitin 1822 Korça u dëmtua rëndë nga një zjarr i madh që ra në çarshi dhe më tutje nga një tërmet i fuqishëm, biri i saj i shquar në mërgim rilindësi me emër Thimi Mitko shkroi vargjet:
“Hesht mos qaj e mjera Korçë
Se ke djemtë kurbetlli.
Ata do të ndihmojnë
Me para e flori
Janë të pasur e të mirë
Në Misir e në Vllahi.
Ata do të ndërtojnë
Si se sa ka ndër mend njeri”
Dhe ashtu vërtetë korçarët e mërgimit kanë derdhur shumë para për Korçën, tjetër gjë se ato u abuzuan rëndë tej kufirit, gjë për të cilën duhet të flasë me dokumente historia. Më i rëndësishmi mirëbërës korçar në vitet e Pavarësisë, vepra e të cilit është e gjallë edhe sot në qytetin e Korçës, është Thoma Koci Turtulli. Prandaj Korça i detyrohet shumë këtij biri të paharruar.
Portreti i bamirësit
Thoma Turtulli u lind në qytetin e Korçës në vitin 1865. I ati i tij, Koci i Ndrios-Gozhdaxhiu i zbritur nga Vithkuqi, kishte rënë në Korçë dhe kishte nisur tregtinë, duke u bërë nga më të dalluarit e qytetit, si biznesmen i aftë dhe njeri i drejtë. “I tërë tregu kishte besim tek ai, muhamedanë e të krishterë të qytetit e të fshatit”, na dëshmon shtypi i kohës. I biri, Thomai, i hyri shpejt tregtisë, qysh në moshë të re dhe në gjurmët e të atit, nisi shpejt të bëhet i suksesshëm, duke e zgjeruar tregtinë edhe në Elbasan, Berat, Durrës, Vlorë, Tiranë, Shijak dhe Shkodër. Qysh në vitin 1885, firma tregtare “Vëllazëria Turtulli”, i kishte kaluar kufijtë shqiptarë dhe kishte krijuar degë në Selanik, Manastir dhe gjetkë. Erdhi një kohë që firma tregtare Turtulli, u bë magazinë e madhe universale me shumë dyqane, ku tregtoheshin veç materialeve të ndërtimit, manifakturës edhe artikuj ushqimorë, sapun, sheqer, bulmet, alkool, birrë, lëkurë, vajguri e deri stafidhe importi. Thomai nuk arriti të shkollohej me mësime të rregullta, por me inteligjencien e tij të rrallë, nxuri shumë nga jeta dhe, siç do të provonin bindshëm vitet e mëvonshme, ai ia diti shumë vlerën arsimit dhe diturisë, të përthithur në gjuhën amtare. Pastaj, që në moshë të re, spikati për karakterin e qëndrueshëm dhe mbajtjen e fjalës së dhënë. “Ay u ngjet stërgjyshërve tanë, shkruan në shtypin Korçar “Morava” (pseudonim) atyre shqiptarëve karakteristikë që e bënë “Besën” e shqiptarit proverbiale”. Nga ky karakter, doli edhe një atdhetar shqiptar i vendosur. Të gjithë në Korçë e mbanin mend se “me sa shpirt e me sa gazep Thoma Turtulli ndiqte paretë që këndonin kafeneve ose rrugës këngë të huaja”. Karakteri i qëndrueshëm, përvoja në tregti, me shqiptarë, dhe me të huaj, si edhe veprimtaria e njohur atdhetare e trevës së Korçës, e kishin bërë Thoma Turtullin, jo vetëm të dalluar në tregti, por edhe një atdhetar veprimtar. Në eksodin e korçarëve më 1919, kur u hap lajmi se Korça do të invadohej nga andartët grekë, Thoma Turtulli, ndër të parët u largua familjarisht, së bashku me familje të tjera korçare, të cilat shkuan nëpër Evropë të sensibilizonin botën e jashtme për rreziqet, të cilat i vinin atdheut të tyre, posaçërisht Korçës, nga të huajt e në mënyrë të veçantë nga shovinizmi grek. Në vitin 1921 në Korçë u krijua “Grupi politik i Korçës”, qëllimi i të cilit, ishte “bashkimi i gjithmbarshëm, forcimi i shtetit dhe përparimi i popullit dhe i kombit shqiptar përbrenda kufirit të drejtësisë dhe të njësisë së vërtetë të të gjithë nënshtetasve shqiptarë”. Grupi angazhohej, posaçërisht, se do të përpiqej për zhvillimin kulturor dhe ekonomik të qarkut të Korçës. Pleqësia e grupit përbëhej nga Koço Kota kryetar, Qani Bej Dishnica n/kryetar, Sulejman Mborja arkëtar, Nuçi Kondilli sekretar dhe Thoma Turtulli e Adem Bej Vila këshilltarë. Dera e madhe qytetare Turtulli, ishte përfshirë familjarisht në lëvizjen atdhetare të qarkut të Korçës. Shoqëria patriotike e zonjave të Korçës: “Përlindja” që u themelua në vitin 1919, të shoqen e Thoma Turtullit, Erasti Grigor Turtullin e kishte zgjedhur sekretare.
Biblioteka e qytetit
Vepra mirëbërëse e familjes Turtulli, sipas të dhënave të deritanishme, nis në vitin 1921, kur Korçën e vizitoi miku i shqiptarëve francezi Justin Godart. Ai bëri edhe një vizitë në jetimoren e Korçës. Me atë rast, “zonja e Thoma Turtullit, u solli jetimëve një paqetë me kufeta të mira”.Po atë vit Thomai vetë bënte pjesë në një komision të përhershëm për të zgjidhur çështjen e rikonstruksionit të kishës së Shëngjergjit.
Sipas traditës kulturore, Korça me hinterlandin e saj, ka trashëguar pasuri me libra të përqendruara në institucione fetare, arsimore dhe familje të caktuara. Pa u futur në pasurinë bibliotekare të Voskopojës, apo edhe të Vithkuqit, biblioteka të hershme ka pasur edhe në fshatra si në Boboshticë, në Dardhë, në Drenovë e gjetkë. Pastaj në qytet ka pasur disa biblioteka të vendosura në kisha e në shkolla të kohës. Sipas të dhënave të tërthorta, Korça ka pasur bibliotekë publike para vitit 1921. Në bërthamën e atij fondi, bënin pjesë edhe librat e shoqërisë “Vatra”, të ardhura nga SHBA. Më vonë fondi i bibliotekës pasurohet me librat e dhuruar prej Spiro Dines, Nikolla Lakos, Thimi Mitkos, Aladro Kastriotit, si edhe të autoriteteve të tjera kulturore patriotike të kohës. Për këtë çështje bashkia qe detyruar të marrë me qira edhe një ndërtesë të posaçme për bibliotekë, por ajo kishte qenë e pamjaftueshme. Prandaj në mesin e viteve ’20 të shek. XX, nevoja e një lokali të ndërtuar me kërkesat e kohës për bibliotekë, ishte bërë urdhëruese. Për këtë çështje në vitin 1924, Nikolla Lako kishte trokitur në derën e ministrit Stavro Vinjau, por pa përgjigje. Më në fund edhe kryeministri Fan Noli, nuk kishte mundur të paktën të premtonte, për një bibliotekë në Korçë. Ai që e dëgjoi zërin e popullit të Korçës, në radhë të parë të rinisë korçare, ishte Thoma Turtulli, i cili vuri në dispozicion të ndërtesës së bibliotekës 200 napolona. Porsa u dha lajmi, reporteri i gazetës së Korçës, shkoi menjëherë të përgëzojë Thoma Turtullin për gjestin e tij mirëbërës, kulturor. Atje gjeti disa të rinj, të cilët i thanë Turtullit: “Kurrë nuk do të harrojmë emrin tënd Zoti Thoma, se po na krijon tempullin, ku do të shkojmë kohën, që të shpëtojmë nga veset ku mund të prishemi”. Pastaj gazetari shkoi te prefekti Hilë Mosi, i cili si njeri i kulturës, mirëpriti me kënaqësi të veçantë ngjarjen e madhe dhe me këtë rast, porositi që të mblidheshin të gjitha thesaret e librave, të cilat mund të ndodheshin andej këndej. Dhe ashtu u bë, u mblodhën shumë libra nga shqiptarët, brenda dhe jashtë shtetit.
Porsa u hodh guri i parë në themelet e bibliotekës, ministri i arsimit Xhafer Ypi i telegrafonte Thoma Turtullit se kryetari i republikës A.Zogu, e çmonte veprën e lartë patriotike dhe kishte pranuar propozimin e Ministrisë së Arsimit, për dekorimin e Thoma Turtullit me urdhërin “Komandar i Skënderbeut”. Ende pa u mbaruar ndërtesa, Nikolla Lako, që kishte ëndërruar për një bibliotekë në Korçë, e çoi në 25000 volumin e librave të dhuruara, ku bënin pjesë libra albanistikë në shqip dhe gjuhë të huaja, koleksione hartash gjeografike të Shqipërisë dhe Ballkanit si edhe foto e gravura me tematikë kombëtare shqiptare.
Pas dy vjet e gjysmë pune, në korrik 1930, ndërtesa e bibliotekës ishte gati. Më 1 gusht 1930, para noterit Mehmet Babani, u nënshkrua akti publik i dhurimit të bibliotekës. Mirëpo biblioteka nuk po i hapte dyert dhe kjo zgjati disa muaj. Në ditët e para të dhjetorit 1930, më në fund, u bë përurimi i bibliotekës, me pjesëmarrjen e autoriteteve të vendit. Fjalën e rastit mbajti drejtori i saj Nikolla Lako, i cili vuri në dukje se biblioteka që po hapte dyert, do të bëhej vatra e diturisë, e qytetërimit dhe e përparimit. Pasi analizoi shkurt këtë ide, ai falënderoi në emër të popullit të Korçës dhuruesin Thoma Turtulli dhe tha se ai, kishte bërë këtë gjest kaq të mirë e të shpejt që të gëzonte që me gjallje veprën e tij. Për fat të keq, nuk kaloi dhe një vit nga dita e përurimit dhe biblioteka u dëmtua nga tërmeti i vitit 1931. Ishte prapë Thoma Turtulli që zgjati dorën bujare, për të bërë shpenzimet e meremetimit.
Në vitet e mëvonshme biblioteka u pasurua më tej. Më 1934 Dr. Mihal Turtulli dërgoi nga Selaniku njëqind volume me libra, si dhuratë për bibliotekën e Korçës, ku përfshiheshin libra historike për Shqipërinë, më të shumtat në gjuhë të huaj, por edhe në gjuhën shqipe. Në letrën shoqëruese që i bënte Bashkisë , ai deklaronte se po përpiqej të dërgonte në Korçë, si dhuratë për bibliotekën e qytetit edhe bibliotekën e tij të plotë, të cilën e kishte në Aleksandri(Egjipt)dhe, nëse kjo nuk arrihej me gjallje, ajo do të dërgohej në Korçë, pasi kjo ishte e dëshmuar edhe në dhiatën e tij. Edhe të huaj patën mirësinë të dhurojnë libra për bibliotekën e Korçës. Konsulli italian në Korçë, Borlengi (Borlenghi), person i respektuar në Korçë, dhuroi enciklopedinë e njohur italiane Treçani, një vepër me vlera të veçanta. Më pas, me anën e ministrit amerikan në Tiranë Hugh G. Grant, biblioteka e Kongresit Amerikan i dhuroi bibliotekës së Korçës një sasi librash. Falë pasurisë së bollshme në sasi dhe larmisë tematike të librave, biblioteka e Korçës e drejtuar me kulturë e përkushtim nga veterani Nikolla Lako, vijoi punën frutdhënëse për intelektualët e Korçës dhe për rininë shkollore, veçanërisht për mësues e nxënës të Liceut Kombëtar.
Një jetimore...
Një vit pas përurimit të bibliotekës, familja Turtulli hodhi një hap tjetër të rëndësishëm mirëbërës, në fushë të ndihmës shoqërore për fëmijët e paprind. Në vitin 1919 në Korçë kishte bërë vizitë një komison i Kryqit të Kuq Amerikan, i kryesuar prej zonjës Marie Reynolfs Ford. Me përpjekjet e saj, më 10 dhjetor 1919, u themelua jetimorja e parë në Korçë, e vendosur në një shtëpi private me qira. Pas vitit 1920, Kryqi i Kuq Amerikan u largua nga Shqipëria dhe gjithçka ia dorëzoi bashkisë. Mirëpo një ndërtesë më e madhe se ekzistuesja dhe me kërkesa higjienike e pedagogjike ishte e domosdoshme, sepse atje do të rritnin shtatin dhe do të edukonin karakterin filiza të rinj të privuar nga kujdesi prindëror. Prandaj, kësaj kërkese iu përgjigj Erasti Turtulli e veja e Grigor Turtullit në pranverën e viti 1930, duke qenë gati të përballonte shpenzimet e blerjes së truallit të ndërtimit dhe të pajisjeve të brendshme të godinës. Bashkia mori përsipër projektimin e ndërtesës dhe shpenzimet e tjera anësore. Shpejt u ble trualli me 200 napolona. Ishte një vend shumë i gjetur klimaterik e piktoresk mbi një bregore në lindje të qytetit. Ndërtimin e mori përsipër Tase Nake, me 1950 napolona. Lajmi për ngritjen e jetimores ngjalli një gëzim të madh popullor, sepse ishte fjala për të venë dorën mbi bonjakët, të cilët, pa një përkujdesje të tillë, do të dergjeshin dhe do to degjeneronin rrugëve dhe asisoj do të bëheshin shtresë potenciale e krimit. Ndërtesa u ngrit brenda vitit dhe atje me kohë u grumbulluan jetimë nga Korça, po edhe nga Berati, Shkodra, Kosova, Vlora, Përmeti etj. Për të qenë jetimorja edhe më e plotësuar fëmijët ishin “nën mbikëqyrjen dhe kujdesin atëror të një babe të përbashkët e shpirtmirë të kujdestarit të mirënjohur Thanas Vise Mborja. Këtë gjest të madh humanitar E.Turtulli e bëri për kujtim të djalit të saj të vdekur, Nikollaqit. Nga ana e tij këshilli bashkiak e përjetoi emrin e djalit të humbur të Erastisë, duke ngritur një bust të tij në hyrje të jetimores. Në shenjë mirënjohje dhe respekti jetimët vinin shpesh atje tufa me lule. Për të kompletuar me pajisje të brendshme jetimoren, në përvjetorin e themelimit të saj, Erastia vuri në lotari një kuvertë të bukur të punuar me dorë, të cilën e fitoi qytetari korçar Petraq Pilkati. Të ardhurat e mbledhura u përdorën për qëllimin e caktuar.
Ndërtimi i spitalit
Në vitin 1932, Thoma Turtulli bëri një hap të rëndësishëm përpara, duke e ngritur në një shkallë të lartë humanizmin e tij. Kur në gusht të vitit 1932, drejtori i përgjithshëm i shëndetësisë Dr.Osmani, bëri një vizitë inspektimi në Korçë ku mori premtimin nga Thoma Turtulli për të ngritur një spital në Korçë. gazeta “Besa”e dha shpejt lajmin e mirë për Korçën dhe për mbarë vendin. Pas traktativave të Turtullit me autoritetet përkatëse të shtetit, ai shkoi në Tiranë për të bërë formalitetet e dhurimit.Trualli për ngritjen e spitalit ishte mjaft i gjetur për kohën nën bregoren e Shën Thanasit, kundrejt kafenesë së Pando Osmanllisë. Në pranverën e vitit 1933 gjithçka ishte gati për fillimin e punimeve. Në një ditë të bukur të majit të atij viti, mirëbërësi i madh, shkruante gazeta “Vatra” e Tiranës “ç’quante nga flokët e bardhë sa edhe nga shpirti bujar që e cilëson atë, në mes të turmës që po dëshmonte formalitetet e inaugurimit të themeleve “.Guri i parë i themelit, u vu përmbi një shishe ku do të ruheshin në një dëshmi të posaçme nënshkrimet e dhuruesit dhe të autoriteteve shtetërore. Kur punimet për ngritjen e ndërtesës së spitalit kishin hyrë në një fazë të rëndësishme në Parlamentin shqiptar u miratua një ligj për shtesën e një fondi për të balancuar taksën doganore të materialit të sjellë prej Thoma Turtullit nga jashtë shtetit për ngritjen e spitalit. Më të shumtët e deputetëve gjetën rastin “për të falënderuar nxehtësisht Z. in Thoma Turtulli, për veprat mirëbërëse” që po i dhuronte Korçës. Në atë kohë, “Gazeta e Korçës” kishte kërkuar që t’i jepej një vlerësim moral i përjetshëm Thoma Turtullit, duke i vënë emrin e tij ndonjë rruge të Korçës. Gjatë procesit të ndërtimit për t’iu bërë godinës “çdo gjë e sosur e saktë dhe e këndshme” shquhej kudo në kthinat e të tri kateve, portreti i përhiruar fisnik në kokën thinjoshe të Turtullit. Më në fund erdhi dita e shumëpritur. Më 11 korrik 1934, në praninë e përfaqësuesve të qeverisë të ardhur nga Tirana, të autoriteteve të prefekturës së Korçës dhe të popullit të Korçës, u bë përurimi i spitalit. Përpara shumicës së popullit, në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë foli Dr. S. Pojani pastaj përshëndetën kryetari i bashkisë, Rustem Ymeri, drejtori i spitalit Dr. Sali Zavalani, Dr. Nikolla Zografi etj. “I pritur me duartrokitje që s’kishin të mbaruar, shkruante shtypi i kohës, plaku simpatik, xha Thomai, me lot në sy dhe me zërin që i dridhej nga emocioni, falënderoi përfaqësuesit e qeverisë dhe popullin për mirënjohjen dhe simpathinë që ç’faqnë, për veprën e tij më të re humanitare”. Përshtypja që ngjalli te të pranishmit ndërtesa e spitalit për komoditetin dhe bukurinë e saj, ishte impresionante. Jani Martiniani, në një reportazh që bënte me këtë rast në “Gazeta e Korçës”, nuk përmbahej së vlerësuari cilësinë e punimeve të spitalit, si edhe të pajisjeve dhe mobilieve, një pjesë e të cilave (kompletimi i një pavioni )ishte dhuratë “prej shoqërisë së kafexhinjve dhe berberëve” të qytetit. I ngazëllyer nga ato që pa në spitalin “Thoma Turtulli”, J. Martiniani e mbyllte me këtë paradoks reportazhin: “Unë, pa ekzagjerim, kur pashë ato dhomat e bukura të mobiluara aq mirë me mobilie të reja, plot diell e dritë dhe që shkëlqejnë nga pastërtia ta them të vërtetën ndjeva dëshirën...të sëmurem që të prëhem disa ditë atje”.
Megjithatë, spitalit diçka i mungonte. Korça me klimën e saj, me shumë ditë të ftohta dimërore, kishte nevojë për ngrohje në stinën e dimrit. Këtë e plotësoi e shoqja e mirëbërësit Athina Turtulli, e cila i dhuroi kryqit të kuq në Korçë, një kalorifer me tërë aksesorët e duhur për spitalin e ri të porsa ngritur. Ai kalorifer ishte i pari në Korçë me qymyrguri, nga xehëtorja e Drenovës. Duke mbyllur temën e spitalit të Korçës, duhet të shënojmë se ajo pati jehonën më të madhe sesa veprat e mëparshme mirëbërëse të Thoma Turtullit. Gazetat e Tiranës: “Besa”, “Vatra”, “Shtypi”, shkruan më shumë se dhjetë herë për spitalin e Thoma Turtullit. Pra emri i Th.Turtullit, po bëhej i njohur dhe i nderuar në të gjithë vendin.
Liceu i Korçës
Në vitet 1934-1935 Turtulli do ta ngrinte në një shkallë më të lartë veprën e tij mirëbërëse ndriçimtare në udhën e qëndrueshme evolucionare të zhvillimit të Korçës dhe të mbarë vendit. Ishte fjala për ndërtesën e madhe, të bukur dhe solide të Liceut Kombëtar të Korçës, të Shkollës Industriale dhe të përfundimit të katedrales së atjeshme. Pasi dha ndihmën e nevojshme për përfundimin e katedrales, që kishte mbetur prej kohësh, ashtu e pa u mbaruar, Thoma Turtulli vuri në dispozicion të qeverisë shqiptare 40000 fr.ari për Shkollën industriale të Korçës. Këtë radhë dhurata e re doli publikisht në emër të bashkëshortes së tij Athinasë. Gazeta “Besa”, me anën e korrespondentit të saj në Korçë, bënte të ditur kënaqësinë e veçantë që kishte prodhuar lajmi për ngritjen e ndërtesës së re të Liceut. Ato ditë erdhi shpejt vlerësimi nga Oborri mbretëror. Mbreti Zog dekoroi zonjën Turtulli me urdhrin e Skënderbeut.
Plani përkatës ishte përgatitur nga Ministria e Punëve Botore, sipas instruksioneve të dhëna nga Ministria e Arsimit në janar 1936. Për të rakorduar përfundimisht me Ministrinë e Arsimit më 9 mars 1936, Thoma Turtulli i shoqëruar nga intelektuali i njohur korçar, Andon Frashëri, shkoi në Tiranë.Turtulli vuri në dispozicion për ndërmarrjen e re mirëbërëse 300 napolona flori. Ishte fjala për shkollën e mesme më të rëndësishme në Shqipëri, që përmblidhte nxënës nga të gjitha anët e vendit. Me ndërtesën e re shumë më të madhe se e vjetra, po ashtu edhe shumë më cilësore, do të shtohej numri i atyre të rinjve, të cilët përgatiteshin për zhvillimin mbarëkulturor të vendit. Për fat të keq, çështja po zvarrisej, sepse Ministria e Arsimit kërkonte që të zgjeronte kapacitetet e ndërtesës së projektuar mbi fondin e derdhur nga dhuruesi dhe donte që puna të niste sa më shpejt. Çështjen e zgjidhi prefekti i Korçës, Markë Kodheli, i cili u mor vesh me Ministrinë e Arsimit që, më vonë, ai dikaster mund të shtonte pavionet e nevojshme si: laboratorë, salla ngrënie etj.
Më 15 prill 1937, me një ceremoni të veçantë, u vu guri i parë në themelet e Liceut, ku përveç autoriteteve lokale dhe një pjese të popullit të Korçës, mori pjesë edhe i dërguari i mbretit, Inspektori i Përgjithshëm i Oborrit Mbretëror Xhafer Ypi. Në këtë kohë revista”Java”e kryeqytetit vlerësonte me superlativat më lavdëruese figurën, tashmë më madhore të mirëbërsisë shqiptare në shekullin e XX.”Në rrafshin shoqëror Thoma Turtulli ishte përjashtim , shkruhej aty, pse ishte më gjenerozi, midis gjenerozëve, më filantropi, midis filantropëve, më altruisti midis altruistëve...Nuk e ndjemë veten aq të përgatitur për të lavdëruar shpirtmirësinë e gjerë të mirëbërësit të madh shqiptar...Vetëm një gjë mund të themi, duke iu drejtuar njeriut më të pastër Thoma Turtulli:Kombi do të jetë mirënjohës”
Punët në ndërtesën e Liceut po ecnin me ritëm të shpejtuar në verën e vitii 1937 dhe muret po hidhnin shtat, por për fat të keq, Thoma Turtulli, në gusht ra në shtrat nga bronkopneumonia për të mos u ngritur më. Kishte marrë të ftohur kur shkonte shpesh për të ndjekur ecurinë e punimeve në ndërtesën e Liceut. Shqetësimi u përhap shpejt në të gjithë vendin. Me interesimin personal të Mbretit Zog, përveç nga Kryeqyteti, erdhën mjekë specialistë edhe nga Selaniku, por mjerisht, sëmundja kishte përparuar shumë dhe shpresat e shërimit shkonin duke u venitur. Pas katër muaj lëngate të rëndë, mirëbërësi i madh, i mbylli sytë për jetë, më 28 gusht 1937. Përveç Liceut të cilin nuk arriti ta gëzojë, ashtu të bukur e të madhërishëm për kohën, i mbeti edhe një peng tjetër:donte të ngrinte në Korçë një shtëpi për të moshuar. Nderimet e fundit iu bënë sipas meritës. Ceremonia e varrimit ishte madhështore në solemnitetin e saj. Një dhimbje të tillë, qyteti i Korçës nuk e kishte përjetuar kurrë më parë dhe një funeral si ai, nuk e kishte vështruar asnjëherë. Atë ditë, Korça i jepte lamtumirën e fundit birit të saj të madh, kur edhe i gjithë tregu i uli qepenat dhe zyrat i mbyllën dyert në shenjë zie. Në kryeqytet, N/ kryetari i Parlamentit Hiqmet Delvina, pa hyrë në rendin e ditës të Kuvendit Kombëtar, e mori fjalën dhe tha:”E kanë marrë vesh të gjithë kolegët se Shqipëria, për fat të keq, ka humbur mirëbërësin e saj më të madh, mund të them, të vetmin mirëbërës, mbas indipendencës shqiptare, Thoma Turtullin. Nuk them se këtë mirëbërës e humbi vetëm Korça, ky nuk qe vetëm për Korçën, por për të gjithë Shqipërinë. Me mirëbërësin dhe sakrificën e tij ai i ka dhënë mësim çdo shqiptari se, kushdo në mos mund të sakrifikojë jetën, në mos mund të bëjë okazion të derdhë gjakun për atdhe, ka edhe mjete të tjera të bëjë detyrën e tij”. Pastaj Parlamenti mbajti pesë minuta heshtje në nderim të kujtimit të Thoma Turtullit
Kinematë e para
Humbja fizike e Thoma Turtullit nuk e uli ritmin e punimeve në ndërtesën e Liceut dhe pas shtatëmbëdhjetë muaj pune rekord për ritmet e kohës, ndërtesa e Liceut ishte gati. Me rastin e datëlindjes së mbretit Zog, më 8 tetor 1938, u bë përurimi. Niste përsëmbari një vit i ri shkollor për nxënësit dhe për profesorët e shkollës së mirënjohur, në një ndërtesë të re, të bukur dhe komode. Ata që kuptonin dhe dinin të vlerësonin sipas meritës, vlerat njerëzore dhe më në fund edhe sakrificat e atyre, të cilët nuk kursyen asgjë për të mirën dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit lindor, nuk e harruan kurrë Thoma Turtullin.Ata ditën edhe t’i kundërvihen çdo goje cmirëzezë, që mërmëriste se, gjoja Thoma Turtulli, në krahasim me pasurinë e tij, nuk kishte bërë ndonjë gjë të madhe. Shadije Alizoti, shkruante nga Korça në gazetën “Drita” të Tiranës:”E vërteta nuk qenkërka ashtu.Veprat e tij (Thoma Turtullit-ig)po të krahasohen me pasurinë, do t’i shtohet akoma më tepër vlefta e sakrificës së tij dhe ndërgjegjes kombëtare njerëzore”. Për ta dhënë sa më të kompletuar figurën madhore mirëbërëse të Thoma Turtullit, duhet të shtojmë se ai ka meritë të veçantë edhe për ngritjen e kinemave të para në qytetin e Korçës, pra për kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin kulturor të popullit të Korçës. Në vitin 1921 në bashkëpunim me aksionerët Dhimitër Mano dhe Nasi Aristidhi, Thoma Turtulli mori me qira një sallë nga lokalet e Mitropolisë, ku çelën një kinema. E para kinema publike në Korçë me pronarë vendas. Kurse në vitin 1921, Th.Turtulli me Ll.Mborja, Dh. Mano, N. Aristidhi dhe sipërmarrës të tjerë, krijuan në Korçë Shoqërinë Anonime Shqiptare C i n e m a t r o me një kapital fillestar 120000 fr.ar.Shoqëria pati statutin e saj të aprovuar nga organet larta përkatëse shtetërore. Më 25 dhjetor 1927, Cinematro çeli në Korçë, kinemanë e njohur Majestik. Filmi i parë me zë u shfaq më 21 tetor 1931. Duke përmbyllur këto shënime, na pëlqen të përmendim një bisedë me Thoma Turtullin që qarkullonte në Korçë në atë kohë. Kur njëherë në shtëpinë tij mysafirëve ua kishte ndezur cigaren me kongjillin e prushit të qymyrit në mangall, të cilin e mbante për ngrohje, ata të habitur e kishin pyetur:
-Po si është e mundur, Zoti Thoma, ju që derdhni aq para për vepra të mëdha mirëbërësie, kurseni edhe një fije shkrepëse për të ndezur cigaren?Dhe pasuria e ngjizur me mençuri, ishte përgjigjur:
-Po, duhet kursyer, kudo aty ku ka mundësi dhe duhet derdhur paraja pa ngurrim, aty ku duhet (corsivi im- I. G.)
Paslufta e la në hije dhe në harresë emrin e madh të Thoma Turtullit si kapitalist borgjez që ishte. Për më keq akoma u prish edhe varri monumental i tij.
Më në fund, në se Korça nuk e ngre dot sot varrin e Thoma Turtullit, ashtu siç ka qenë, dhe siç do ti kishte hijeshi nurit të traditës së saj, atëherë duhet të ngrejë një shtatore për birin e saj të lavdishëm, që të shëmbëllehen pasanikët e sotëm, nga vepra e tij e pavdekshme me vlera mbarëkombëtare.

Komentoni
Artikuj te tjere
Milazim Kadriu: Akademi përkujtimore për ish pjesëtarin e UÇK-së, Veli Sylejmani - Zogu
Neki H. Lulaj: Ahmet Krasniqit
Sabile Keçmezi-Basha: Një proces i pa zakontë gjyqësor për Hidajete Osmanin
At Zef Pllumi: Për Fe e Atdhe
Gjergj B. Kabashi: Një shpirt i madh, mbathur me sandale
Dibran Demaku: Dy lulet e kombit
Agim Gashi: Kush vret në liri?
Ramiz Dërmaku: Komandantit të UCK-ës, luftëtarit, strategut luftarakë, Tahir Zemajt
Arben Llalla: E vërteta për shkrimtarin dhe poetin arvanitas Anastas Kulluriotin
Halit Bogaj: Te varri i Presidentit
Sabile Keçmezi- Basha: Katarina Josipi-Pjetri, Anëtarja e devotshme e ONDSH-së
Mexhid Yvejsi: Hafiz Musa Dërguti (1888-1961)
Kalosh Çeliku: Poeti nuk ka nevoje p?r horra e morra komunist? (Frederik Rreshpja - Mbret i poezis?)
Agim Gashi: Kolosit Dardan Dr. Ibrahim Rugovës
Milazim Kadriu: Përkujtohen dëshmorët Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi
Mustafë Rugova: Me rastin e 20 vjetorit të vdekjes të mësuesit Rexhep Podrimaj
Ramiz Dërmaku: Me bablokun Hysen Tërpeza
Halit Bogaj: Hazir G. Bregu - Kujtime që s'vdesin
Murat Gecaj: Sali Gjukë Dukagjini – me penë, pushkë e flamur në dorë
Sami Islami: Tahir Z. Berisha - veteran i palodhshëm i arsimit shqip