E shtune, 03.05.2025, 08:15 AM (GMT+1)

Faleminderit

Sami Islami: Tahir Z. Berisha - veteran i palodhshëm i arsimit shqip

E diele, 29.11.2009, 08:51 PM


Tahir Berisha (majtas) dhe Sami Islami
VETERAN I PALODHSHËM I ARSIMT SHQIP


(Kushtuar  Tahir Z. Berishës me rastin e 81-vjetorit të lindjes)

Nga Sami ISLAMI

Njëri prej shumë  patriotëve kosovarë, që tërë jetën ia fali arsimit, kulturës dhe krijimtarisë është padyshim Tahir  Berisha. E themi këtë pasi që ai, që në moshë  të re, pa i mbushur ende  18 vjet e nisi këtë rrugë, jo me imponim, por me një dëshirë të zjarrtë. Kjo ndoshta sepse në atë kohë dëshira  e tij për mesues ishte jashtëzakonisht e madhe, sikur që ishte edhe nevoja e përgjithshme e kombit. Si i tillë ai e nisi rrugëtimin e tij si mësues në fshatrat shqiptare  të Vitisë, Gjilanit dhe të Anamoravës në përgjithësi, për të vazhduar më pastaj edhe në Gjilan, Prishtinë e gjetiu.

Si bir i patriotit Zeqë Verbanit, i cili tërë jetën e vet kishte luftuar kundër pushtuesit serb, edhe  Tahiri e kishte ndjekur rrugën e të atit duke e bartur mbi supet e tij djaloshare peshën e rëndë të popullit të vet. I ushqyer me këtë partriotizëm Tahir Berisha  iu rrek edhe me më shumë dashuri profesionit fisnik, atij të mësuesit, duke arritur deri tek pozicioni i inspektorit të arsimit, në ç’post edhe u pensionua. Dhe derisa Tahir  Berisha ishte me ditar në dorë, për punën e tij të pakompromis,  inspektori i atëhershëm i arsimit Mehmet Gjevori e quajti me të drejtë „Mësues i popullit“.

 Baca Tahir, siç e quajnë të tjerët për respekt,  pas pensionimit, në një moshë mjaft të shtyer, i provoi për herë të dytë traumat e luftës. Herën e parë Luftën e Dytë Botërore, në kohën kur edhe i vritet babai  nga Serbia. Dhe  tani, në fund të shekullit  XX, në moshë bukur të shtyer,   atij iu desht të largohet nga trualli  i vet shqiptar, duke u vendosur një herë në Turqi, e pastaj në Glasgou të  Skocisë, për t’u  vendosur definitivisht  në  Londër.

Edhe pse i ra „hise“ të bëhet mërgimtar në këtë moshë, ai ishte dhe  mbetet vazhdimisht  shumë i lidhur për Kosovën. Baca  Tahir shkon shpesh atje (së paku për çdo verë). Edhe kësaj vere veterani i arsimit shkoi në Kosovë, por kësaj here kjo vizitë kishte një rëndësi të veçantë për arsye se u ftua dhe mori pjesë në një përvjetor që ishte organizuar në shkollën e parë shqipe të hapur nga vetë  z. Tahir Berisha në vitin shkollor 1945/46. Ishte një emocion i papërshkruar, siç më tregon baca  Tahir,  nga se në këtë përvjetor  po merrte pjesë si mesues i parë i asaj shkolle, e cila   kishte filluar punën aty  63 vjet më parë! Në kohën kur  Tahir  Berisha e filloi punën në Zarbicë ishte më shumë i ri.   Zarbicën e kishte vizituar për herë të dytë pas plot 47 vjetësh (me 2 korrik 1993) kur ishte djegur shkolla në të cilën kishte punuar vetë z. Berisha   (hera e tretë ishte kësaj vere, pra më 26 korrik 2009)  . Në atë kohë  Baca  Tahir angazhohet për ta ndihmuar rindërtimin e shkollës duke e dhënë vetë një pension të plotë për rindërtimin e saj. Në këtë kohë ai e formoi  një këshill për grumbullimin e ndihmave, në të cilin këshill, përveç autorit , si kryetar që ishte,  ishin edhe prof. Tefik Geci, Hysen Kadriu, Veli Veliu, Ramiz Fazliu, Tefik Qarri, Shaban Xheladini dhe dr. Dali Emerllahu, të cilët më 2 korrik e vizituan Zarbicën dhe dhanë një kontribut modest për shkollën në fjalë
Takimet në Zarbicë, më vonë,  u bënë tradicionale edhe  për tërë Malësinë e Bujanocit. Vlen të theksohet se kësaj radhe   aty kishin ardhur më shumë njerëz, ish nxënës të z. Berisha, që të gjithë tani në moshë bukur të thyer, gati të një moshe sa edhe vete  z. Tahir.
Në këtë manifestim folën shumë pjesëmarrës, ndër të cilët edhe  publicisti dhe iniciatori i këtyre manifestimeve Refki Hasani, i cili tani jeton dhe punon në Gjilan.   Ai  foli për kontributin e madh të z. Berisha dhënë  për  arsimimin e gjenratave të reja, poashtu kontributin për rindërtimin e shkollës etj. Kurse  në fjalën e  tij të rastit edhe  baca Tahir nuk la pa i falenderuar  për ftesën dhe pritjen nga Zarbicasit. Ai nuk harroi t’i përmendi  edhe disa nga njerëzit, mësues, kolegë etj., kur kishte nisur punën ne këtë fshat,  si:  xha Kamber  Latën, Dynah Hajrën, Halil Islamin (atëherë ishte  kryetar i këshillit të vendit),mulla Ajet Shaqirin me vëllain Xhelalin, mulla Velijën, shitës i Koopertivës bujqësore, mulla Shabanin, korrier i shkollës, xha Mahmutin e kolegun i tij Hajrizin, korier të këshillit komunal, e shumë të tjerë.
Me këtë rast z. Tahir  Berisha u nderua me një mirënjohje  nga Refik Hasani në emër të Levizjes për kthim dhe integrim „Guri i zi“. Në manifestimin e oganizuar folën edhe : Selami Bajrami, kryetar i Bashkësisë Lokale të Zarbicës ( ende jeton në fshatin Suharrën, në mahallën Tahiraj); Prof.Rexhep Abazi, kryetar i Lëvizjes Demokratike për Integrim me seli në Medvegjë dhe Këshilltar Komunal në K.K. të Medvegjës, Eshref Shabani, nip i dëshmorit të kombit Sylë Zarbica; Sevdail Hyseni, ish-kryetar i Ansamblesë Komunale të Bujanocit, momentalisht drejtor i Radio Televizionit "Bujanoci", imami i Xhamisë në Zarbicë, Mefail Ramadani nga Novosella etj.
81-vjetori i lindjes së bacës Tahir mund të kompletohet edhe me punën  e tij të madhe edhe si publicist, kronikan e shkrimtar. Si inteletual i madh që ishte , përveç punës arsimore, ai iu rrek me përkushtim të madh të shkruante vepra. Me punë vetmohuese ai mblodhi emrat  e pothuaj të gjithë mësuesve, arsimtarëve dhe punëtorëve të tjerë të arsimit, të cilët kishin punuar në arsim që para  Luftës së  Dytë  Botërore dhe në vazhdimësi deri në ditët sotme. Ai këto biografi i botoi në veprat  me titull  „Emra që nuk harrohen“ vëlllimi 1, 2, 3, 4  Pastaj botoi veprën tjetër “Trojet që nuk shuhen”  promovuar në  tre vende: në Zarbicë, Prishtinë dhe Vërban më vitin 1993. Më vitin 1997 promovon  veprën kushtuar  babait të tij  Zeqë Vërbanit  me titull „Zeqë Vërbanbi  dhe koha e tij“. Më vitin 1998 në Elbasan dhe  Prtishtinë  promovon veprat  „Rrëfime në veten e parë“ dhe „Kujtime e shenime“ etj.
Fundi i mijëvjeçarit që shkoi për shqiptarët e Kosovës shenoi një gjenocid të paparë, bërë nga  Serbia. Ajo deshi definitivisht  t’i „heqte  qafe“ shqiptarët. Dhe mori aksionin famëkeq të pastrimit etnik, duke i dëbuar shqiptarët jashtë Kosovës. Siç dihet dhjetra mijëra shqiptarë u vranë dhe  mbi 1 milion shqiptarë u përzunë nga trojet e veta. Dhe në vargun e pafund të refugjatëve kosovarë, ishte edhe  veterani i arsimit, tani në pension z. Tahir  Berisha. Atij  , i takoi ta provonte pra edhe jetën e refugjatit, pasi që edhe ai  u ndodh në turmat e mëdha të shqiptarëve që po dëboheshin nga makineria kriminale serbe. U dëbua nga shtëpia  e tij në Prishtinë dhe u vendos në kampin famëkeq të Bllacës, pastaj të atij të  Stankovesit në Maqedoni dhe prej aty në kampin „Gazi Osman Pasha“ të Kirlarelit në Turqi. Ishte ky një përjetim tepër emocional për bacën Tahir, sepse dëbimin e shqiptarëve për në Turqi e kishte provuar edhe si i ri kur ishte në Kosovë, kur iknin shqiptaret „ nga sytë këmbet“ , si thonë, si gjithnjë nga reprezaliet serbe ( njësoj sikur tash pas 40 e dy tri vjetësh). Atje,  siç tregon autori, në memoaret e tij kishte takuar një shqiptar nga Pozhorani. Ky ishte Bajrush Misini, një i afërm i bashkëshortes së tij, të cilit turqit ia kishin ndërruar emrin në Bajram Shen. Më 1944 Serbia këtij ia kishte vrarë babain në prag të shtëpisë, ashtu siç ndodhi më vonë edhe me mijëra e mijëra shqiptarë të Kosovës. Dhe krejt atë çka kishte marrë me vete kishte qenë një pallto të babait të tij të bërë blozhë nga plumat serbe, dhe të cilën e kishte ruajtur kujtim si relikt të vërtetë për vite të tëra. Dhe shpesh kur donte të ç'mallej me vendlindjen e tij, Pozharanin, nxirrte nga fundi i arkës pallton e babait të vrarë, që serbët ia kishin vrarë gjysëm shekulli më parë. Ishte ky njëri nga shumë mërgimtarë shqiptarë që kishin ikur në Turqi po nga kjo dhunë, që po përsëritej edhe tashti…
Edhe si refugjet në dhe të huaj Berisha në asnjë çast nuk u nda  nga blloku dhe lapsi. Edhe  në ato kushte të dëbimit masiv dhe odisejades së tij  dhe krejt popullit shqiptar të Kosovës, derisa arriti në Turqi, por edhe më vonë  në  Britaninë e madhe (së pari në Gllazgou të Skocisë, e pastasj edhe në Londër)  shenonte çdo gjë që e përjetonte.  Kështu edhe lindi ditari i tij tashmë i njohur „Shenime dhe ecajake të një refugjati nga Kosova“ promovuar në Londër më vitin 2001. Libri është një ditar shumë i dobishem, nëpërmes së cilit paqyrohet jeta e një numri të madh refugjatësh prej kur ishin në Kosovë dhe deri atëherë kur u vendosën në vendet e ndryshme perëndimore, siç qe rasti edhe me bacën Tahir.
Në Llondër  u promovua edhe vepra tjetër me titull „Lermëni pak atdhe“ (2004) si dhe filmi dokumentar i autorit dhe regjisorit  Fatmir  Terziu „Trokamat në jetën e një pene“ i  vitit 2003, film ky që ishte një kontribut shumë i çmuar për të pasqyruar jetën e një pene që kishte bërë një personalitet, duke kaluar nëpër sfida të mëdha në jetën e tij si mësues, pedagog, inspektor i arsimit dhe si autor librash.
Siç thamë, tani baca Tahir  jeton në Londër, por edhe pse në moshë të shtyer ( tani është 81-vjeçar) nuk pushon së punuari. Sa herë që e takoj ose kur flasim edhe në telefon të kënaq me shakatë e tij. Gjithnjë është i hareshëm i qeshur..Kur e takova një herë, në bisedat e gjata që shpesh  i kemi,  më tregoi për rastin kur e kishte takuar (ndoshta në ndër takimet e fundit ) Dr. Ihsan Toptanin, i cili para disa vitesh ndërroi jetë këtu në Londër, dhe kur e kishte pyetur  autori se çfarë planesh kishte për të ardhmën, ai iu kishte përgjigjur :“ Do të qëndroi  këtu në Londër deri sa t’i mbushi 100 vjet e pastaj do të shkoj në Shqipëri!“,  Po për veten, si me mahi më thotë“ pasi t’i mbushi 100, do t’i shlyej të gjitha këto vite,  (si kilometrat   e veturës !) pastaj do t’ia nisi prej fillimit“.  Dhe  natyrisht qeshim.
Duke e përfunduar mund të themi se, me këtë prezentim,  nuk mund ta përfshijmë as për së afërmi punën dhe kontribitin që  baca  Tahir ka bërë për arsimim e as në lëmin e veprave që ka tashme të botuara. Ky shkrim le të jetë vetëm një kontribut i vogël  për punën e madhe dhe të palodhshme  të veteranit  të arsimit, z.Tahir  Berisha.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx