Faleminderit
At Zef Pllumi: Për Fe e Atdhe
E shtune, 12.12.2009, 12:07 PM
![]() |
At Zef Pllumi |
Nga At Zef Pllumi
Gjatë jetës së njeriut nji ndër punët ma të vështira asht me fol për njerëzit e mdhaj ose siç thonin klasikët në antikitet, njerëzit e vdekshëm me fol për ata të pavdekshmit.
Sot kombi shqiptar përkujton maritirzmin e nji ndër bijve të tij ma të shquem At Shtjefen Gjeçovi të vram nga kriminelat serbomdhoj. Kur përmendim emnin e At Shtjefen Gjecovit për nji herë na shkon mendja te Kanuni i Lekë Dukagjinit që pa dyshim përfaqson Kartën e Identiteti Shqiptar.
Nji pjesë e madhe e kombeve në historinë e vet kanë nji periudhë e cila quhet ‘e artë’ për shkak të lulzimit, begatisë e përparimit, ndërsa për ne të thirret kohë e artë vetëm ajo periudhë kur shumë shqiptarë lavrun sejcili në lamin e vet kultivimin e idesë kombëtare:
Dikush në letërsi, kush propagandë e shtyp, kush politikë e n’ekonomi, në arsim, folklor e shkenca humanitare, por të gjithë nji herët e sejcili i pamvarun dhe të gjithë të bashkuem vetëm n’idealin kombëtar numron vllaznet Frasheriotë, Faik Beun e Konices, gjithë klerin katolik me në krye Imzot Docin e Fishten, dhe në fund themeluesin e kishës autoqefale shqiptare Fan Nolin.
At Shtjefen Gjeçovi lindi në Janjevë të Kosovës. Që në Femini të parë hini në Kolegjen Franceskane ku asohere, jepte mësim nji ndër konstruktort e parë të idesë kombëtare në Shqipni, Arbëreshi i madh At Leonardi De Martino. Mbasi kreu studimet e larta në Filozofi-Teologji kthei en Shqipni ku asohere kleri katolik shqiptar kish organizue ma së miri jetën kulturale aq sa nën kryesinë e Imzot Preng Docit, plot para njiqind vjetësh u themelue Shoqnia Bashkimi e cila pa dyshim cilësohet si Akademia e parë shqiptare. Rreth kësaj bërthame kleri katolik shqiptar punonte në të dy krahët:
Për Fe e Atdhe. Njikoheshit ndërsa kryente detyrat fetare ndër malet e vështira të veriut, punonte po ma aq vrull për edukacionin kulturor të popullsisë së mjerueme tue shkrue tue përkthye e tue msue për me hjedhë dritë ndër të gjitha mendjet e shqiptarëve.
![]() |
At Shtjefën Gjeçovi |
Shifni këtë relike të Gjeçovit që sot ruhet ne muzeun e Shkodres. Asht shkopi që e shoqnoi gjithkund. E ka punue Ai vetë, gdhenun prej tij në dru bushi. Shifnji me kujdes se si ndër zagnat e gdhenuna Ai ka shkrue për të gjitha vendet rradhazi, ku i shkeli kamba. Mund të thuhet pa dyshim që kurrnji udhtar i shkencës nuk e përshkoi mbarë Shqipninë që nga Veriu deri në Jug me shumë se Ai.
Nuk e di nëse ish fat ose fatkeqësi për mue, por po ju tregoj se vorbullat historike të këtij shekulli me caktuen mue si ‘amanetqarin’ kujdestarin e fundit të të gjitha veprave të tij të panumërta, te nryeme në nji arke drrase të veshun parasitë me plaster metalike e që ruhej me zili në arkivin e kuvendit Franceskan në Shkoder. Unë fatkeqi kur jua derzova këto atyne njerëzve që po e shanin e po e përbuznin më dukej se po dorzojshim trupin e tij me dhunue. Sa herë i kishim shfletue ato dorëshkrime të tija: Këtu nji rregjister ku ishin mbledhë 15 përralla, aty nji tjetër që përmbante kangët e dashunisë e të dasmave të asaj krahine që thirrej Bregu i Bunes, po ashtu blloqe ku përshkruente doke të vjetra popullore e fletore me fjalë të rralla për fjalorin e shqipes, studime të thella historike si të kohnave trako-iliriane ashtu të epokës mesjetare për Dheun e Arbnise, gojëdhëna të mbledhuna në bajraket e Ohrit mbi Skanderbeun. Dorëshkrimi i veprës Agimi i Gayeties e registrar të panrumuem që përmbanin Kanunin e Maleve, e mbi të gjitha dua të vë këtu në pah nji vepër po aq madhështore të fratit shqiptar të Kosovës, i cili përmes fesë shejtnonte idenë e pamvaresisë kombëtare, përkthimi i jetës të heroines franceze Zhan d’Ark qe i kalon kufijtë e letërsisë e hin në propaganden e njenjes kombëtare për programin Fe E Atdhe. Me këtë përkthim Ai duente Atdheun e vet Shqipninë, pamvaresisht se ishte mysliman ortodoks apo katolik.
Ndër të gjitha dokumentet e tija ishte tepër interesant letërkëmbimi me personalitet me patriotike të kohës nga të cilat mund të nxirret vërtet shkëlqimi i fytyrës patriotike të Gjeçovit aq sa u duk e nevojshme ndihmesa e tij në luftën e Vlones kundër pushtuesit Italian në vitin 1920.
E thashë që në rreshtat e parë se portreti i Gjecovit asht Kanuni i Lekë Dukagjinit, portret identik i shpirtit shqiptar. Janë 500 vjet që të gjithë armiqtë e deklaruem edhe ato të mshefunit e luftojnë Kanunin për me pushtu e poshtnu popullin shqiptar tue shpif sikur të ish ligj hajdutash e kriminelash, me ne krye gjakmarrjen.
Para pak ditësh lexova librin e Z. Fabio Martello [Capire L’Albania] i cili shifet që jo vetëm që nuk e njef por as nuk e kupton fare dhe paraqet sikur Kanuni të ish shkaku i vërtetë i të gjitha të zezave që sot e kanë mbulue Shqipnine. Mjerisht këto opinione janë përqafue edhe prej shume shqiptarëve të vjeteve të fundit të cilët nuk kuptohen se për çfarë interesash shpifin vazhdimisht në masmediat shqiptare. Se fundi dua të vë në dukje edhe nji të metë tjetër të madhe: A ka hije që dy koloset e kulturës shqiptare si At Gjergj Fishta e At Shtjefen Gjeçovi të mos kenë në Shqipninë e re asnji përkujtimore. Mendoj që ka ardh koha që kjoftë edhe nga ky simpozium të propozohen ato.
Për këtë punë iniciativa e Familjes Gjonlekaj duhet çmue si një veprim i naltë patriotik e kultural, tue thirre e organizue përkujtimin e 70-vjetorit të martirizimit prej serbëve të At Shtjefen Gjeçovit.
Ky veprim i juj kjoftë i nderuem prej të gjithë popullit shqiptar e paçi bekimin e Zotit.
(Kumtesë e mbajtur në New York, në Universitetin Fordham me 23 tetor 1999, me rastin e 70-vjetorit të rënies së At Shtjefen Gjeçovit.
Ky simpozium u organizua dhe u financua nga Gjonlekaj Publishing Company.)
Komentoni
Artikuj te tjere
Gjergj B. Kabashi: Një shpirt i madh, mbathur me sandale
Dibran Demaku: Dy lulet e kombit
Agim Gashi: Kush vret në liri?
Ramiz Dërmaku: Komandantit të UCK-ës, luftëtarit, strategut luftarakë, Tahir Zemajt
Arben Llalla: E vërteta për shkrimtarin dhe poetin arvanitas Anastas Kulluriotin
Halit Bogaj: Te varri i Presidentit
Sabile Keçmezi- Basha: Katarina Josipi-Pjetri, Anëtarja e devotshme e ONDSH-së
Mexhid Yvejsi: Hafiz Musa Dërguti (1888-1961)
Kalosh Çeliku: Poeti nuk ka nevoje p?r horra e morra komunist? (Frederik Rreshpja - Mbret i poezis?)
Agim Gashi: Kolosit Dardan Dr. Ibrahim Rugovës
Milazim Kadriu: Përkujtohen dëshmorët Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi
Mustafë Rugova: Me rastin e 20 vjetorit të vdekjes të mësuesit Rexhep Podrimaj
Ramiz Dërmaku: Me bablokun Hysen Tërpeza
Halit Bogaj: Hazir G. Bregu - Kujtime që s'vdesin
Murat Gecaj: Sali Gjukë Dukagjini – me penë, pushkë e flamur në dorë
Sami Islami: Tahir Z. Berisha - veteran i palodhshëm i arsimit shqip
Zyhdi Zekja & Namik Kruja: Musa Juka - ky burrë i madh shteti
Sabit Rrustemi: Paqja rri pezull mbi atdhe
Agim Gashi: Ismail Kadaresë (Një dhuratë për Ditën e Flamurit)
Jorgo S. Telo: Zagoriti mendjendritur e shpirtgjerë Ilia Dilo Sheperi