E merkure, 07.05.2025, 11:54 AM (GMT+1)

Mendime

Sami Repishti: Letër për ish të përndjekurit politikë grevistë të urisë

E marte, 01.12.2009, 07:27 PM


Letër përshëndetje për grevistët e urisë-Tiranë?

LETËR PËR ISH TË PËRNDJEKURIT POLITIKË GREVISTË TË URISË
Fatmire Lamaj, Gjergj Ndreca, Lizak Bejko, Kostandin Gjordeni, Petrit Shpuza, Lico Cola, Tiranë, Shqipëri

Nga Prof. Sami Repishti*
sdrepishti@att.net  

Të dashtun kolegë,
Bashkëngjes këtu nji Letër përshëndetëse dërgue gjashtë grevistëve të urisë në Tiranë, të harruem nga Qeveria, shtypi dhe mediat, dhe pa ndonji ndërhymje nga bota e jashteme. Nji qendrim i këtillë më ka ofendue shumë, dhe vendosa që unë, si individ i lirë, të baj detyrën time: të përgëzoj guximtarët që janë gati të flijohen në mbrojtje të së drejtës së tyne. Ky ashtë nji akt kurajoje civile që ndërton shoqëninë civile në çdo vend të qytetnuem.

Qëllimi im ashtë të shpëtohet jeta e tyne sot në rrezik. Me përzemërsi.

Te dashtun bashkëvuejtës:
Sot, e shtunde, më 28 nandor 2009, vetëm tre vjet para përkujtimit të qindvjetorit të pavaresisë kombëtare shqiptare, mora nji mesazh nga Shqipëria. Logjika ma elementare dikton me mendue se do te ishte nji “urim” për këtë datë fatlume që solli ringjalljen e kombit tonë, pruni pavarësinë e humbun në 1479, dhe hodhi themelet e shtetit të parë shqiptar, që nga kohët e lavdishme të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu.

Ashtë shumë e vështirë me përshkrue trishtimin që pësova nga leximi i mesazhit. Për efektin e duhun, duhet që lexuesi të familjarizohet me përmbajtjen sa të dhimbshme aq madhështore, që evokon enthuziasmi për demokraci që na frymezoi gjatë dekadave të vështira të diktaturës komuniste në Shqipëri - e kësaj amalgame të paditunisë, gënjeshtrës, urrejtjes, hakmarrjes dhe terrorit të pafre. Leximi ringjallë kujtimet tona të ditëve kur akoma shpresohej tek vlera e së vërtetës, e të drejtës fisnike, të andrrës sonë demokratike, “të lirë nga frika, të lirë nga uria”, dhe shfaqe dhimbjen e plagës së hapun, dëshprimin e zhgënjimin rrenimtar të “sundimit” në emën të demokracisë dhe të shkeljes me çizme diktatoriale të “gjakut dhe varreve tona” nga “elita gjakatare e komunistëve” dhe pjella e tyne e pariformueme. Teksti i mesazhit që më drejtohet nga “lugina e lotëve”:

“Të jeshë luftëtar i së vërtetës dhe i së drejtës në një vend ku sundon gënjeshtra dhe padrejtësia është nji detyrë fisnike e aq njerëzore.
Padrejtësia në këtë vend është kthyer në formën më të keqe të sundimit, duke hedhur mbi vete mantelin “demokratik”.
Demokracia u ngrit mbi dhimbjen, gjakun e varret tona, e sot frytet e saj i gëzojnë kriminelët dhe bijtë e tyre komunistë. Demokracia e sëmurë Shqiptare ka nevoje për “doktorë të vertetë” dhe jo pseudo-doktorë që dolën nga elita gjakatare e komunizmit.
Falenderimet tona më të sinqerta per ju dhe gjithe shqiptareve qe u solidarizuen me veprimin tonë.
Grevistët e urisë të burgosur politikë: Fatmire Lamaj, Gjergj Ndreca, Lizak Bejko, Kostandin Gjordeni, Petrit Shpuza, Lico Cola “.

E gjithë kjo në Shqipërinë “demokratike”, njizetvjet mbas ramjes së turpshme të komunizmit ndërkombëtar në nji vend që “aplikon” dhe “shpreson” të hyjë në familjen e qytetnueme europiane. E pabesueshme! Vllazën, motra! Hapni sytë, Ndigjoni! Sepse kumbana bie për të gjithë…edhe për ju!

Kush janë këta gjashtë “heroj të gjallë” që parapëlqejnë vdekjen ma parë se jetën në vorfëni, të harruem dhe të përbuzun? Kush janë këta “veteranë fisnikë të demokracisë” që japin shembullin suprem të qytetarisë së ndërgjegjshme për fatin e individit shqiptar të shtypun nga makina mishngranëse e shtetit, brutalë dhe pandjenja? Kush janë këto “jetë të lavdishme” që nuk pranojnë përuljen para monstrit të politikës së ditës, megjithë rrezikun që paralajmeron lugati, lubia, leprozi shtetnor?
Veterani fisnik i demokracisë Lizak Bejko, tuberkuloz të marrun gjatë viteve te denimit, i dërrmuem në tortura, burgje e kampe pune të detyrueshme, nxjerr gjak nga goja dhe transportohet urgjentisht në spital. Qeveria, shtypi, mediat heshtin!
Ashtu heshtin edhe për veteranin fisnik të demokracisë Lico Cola, 70-vjeçari me probleme zemre dhe organe të damtueme që paralajmerojnë pasoja katastrofale.
Ashtu heshtin edhe për veteranin fisnik të demokracisë Kostandin Gjordeni, i dërguem urgjentisht në Spital. Kostandini heroik, organizator i revoltës së Qafë-Barit (1984), i plagosun me tre plumba, njëni nga të cilët gjindet akoma në klavikulën që e mundon.
Grevistët e urisë janë pa punë, pa shtëpi, dhe pa bukën e përditshme të femijëve. Heshtje!

Pretendimet qeveritare për ndihmë janë vetëm premtime. Votohet për shperblime dhe thuhet se nuk ka fonde pagese. Premtohet punësimi dhe thuhet se nuk ka vende pune. Premtohet përkrahje dhe jetohet përbuzja. “Veteranët fisnikë të demokracisë”, ata që mbajtën mbi shpatullat e tyne peshën e randë të diktaturës komuniste 45-vjeçare, ata që u torturuen e nuk u thyen, që përkulën kurrizin në punët moçalore dhe në miniera vdekjeprurëse, por nuk e ulën kokën, ata që të parët ngritën krye në nji përpjekje vigane me shkatërrue nji sistem sa gjakatar aq edhe shtazarak në ato ditë të paharrueshme të fundvjetorit të 1990 dhe fillim të 1991, kur “sundimtarët” e nomenklaturës sotme dhe mbeturinat e diktaturës strehoheshin në skuta nga frika e Sigurimit kriminal dhe “sampistëve” gjakpirës “ keto “reparte avangarde” të demokracisë në Shqipëri, sot janë lanë mbasdore e persekutohen përsëri, sepse nuk pranojnë krimin, korrupsionin e kërcimet akrobatike të politikës së paskrupullt, që karakterizon klasën sunduese shqiptare.
Vllazen, motra! Hapni sytë! Ndigjoni, sepse kumbana bie për të gjithë…edhe për ju!

Heshtja e madhe e mjeteve të informimit -sepse nga qeveria nuk mund të pritet mirekuptim- ashtë çmendëse, e frikshme, dhe ogurzezë. Ata që mbushin kolonat e shtypit me bisedat parlamentare që kanë zbritë aq poshtë, sa edhe fjalët e kumarxhinjve në klubet e bixhozit ma vulgar, ose historitë e “dashurive” të çorodituna e thellësisht pornografike, nuk gjejnë vend për këto “histori njerëzore” që kalojnë pajehonë, për heroizma të këtillë që i mbulon heshtja- e harresa- sepse jo larg nga tenda e tyne ku janë ngujue afër njiqind metro larg nga Parlamenti, zhurma e dëfrimeve të natës ka përfshi masat e dehuna nga fitimet e paligjshme, e mbytë zanin e mekun të viktimave në prakun e vdekjes.
Vllazen, motra! Si mund të flini të qetë në shtepitë tueja plot konfort?
*
Dëshiroj t‘u baj thirrje gjashte vllazënve e motrave të grevës së urisë në Tiranë:
Të dashtun bashkëvuejtës! Sakrifica e juej e ka ba efektin e vet. Kudo që ka shqiptarë -dhe shumë joshqiptarë- mendohet për ju, bahën lutje për ju. Mos sakrifikoni jetët tueja fisnike me bindë monstrin-shtet, shurdhë dhe të pashpirt. Pushoni grevën! Kthehuni në shtepitë tueja, të mbuluem me lavdi, e falënderime nga mijëra e mijëra bashkevuejtës, e të tjerë, që ju kuptojnë. Me grevën tuej ju keni avancue kauzën e drejtë të njohjes, mirënjohjes dhe shpërblimit të vuejtjve tueja të jashtëzakonshme. Nga heshtja që ju rrethon, do të lindë, unë jam i sigurt,zani i fortë i protestës popullore, në atë ”luginë të loteve” që ashtë sot atdheu i ynë i përbashkët. Ju mbroni të drejtën, të vërtetën, njerëzoren, dhe nderin kombëtar shqiptar.

Ju meritoni të gëzoni ma shumë se asnjëri fitoren tuej që ashtë e pa evitueshme. Me ju ne jemi ma të fortë. Pa ju jemi ma të dobët, dhe lumi i lotëve të derdhun për dekada me rradhë, do të vazhdojë të rrjedhë akoma ma shumë. Betejën tonë për nji shoqëni civile të ndërgjegjshme dhe të qytetnueme, do ta fitojmë të gjithë së bashku.
Vllazën dhe motra grevistë të urisë! Bashkëvuejtësit tuej dëshirojnë shpëtimin e jetës suej fisnike. Sot, ndoshta nji jetë njerëzore nuk çmohet shumë; por asgja, e përdys, asgja, nuk ka ma shumë vlerë se nji jetë njerëzore.
Me përzemërsi dhe respekt të veçantë nga nji bashkëvuejtës i juej,

*Sami Repishti, Ph.D City University of New York (ret.), ish i burgosun politik në Shqiperinë komuniste (1946-1956), dhe në Jugosllavinë komuniste (1959-1960)


(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx