Mendime
Edmond Tupja: Homo mitingus
E marte, 01.12.2009, 07:20 PM

Nga Edmond Tupja
Nga australopithecus afarensis-i (i pari primat që, 5,5 milionë vite më parë, kaloi nga pozicioni mbi katër putra në atë mbi dy këmbë) tek homo sapiens sapiens-i (prototipi i njeriut të sotëm, shfaqur para 100 mijë vitesh), historia e njerëzimit ka njohur, përveç homo habilis-it, homo erectus-it dhe njeriut të Neanderthal-it, disa lloje njerëzish fryt i paparashikueshëm i zhvillimit të një ideologjie të mbrapshtë sidomos në shekullin XX, si, për shembull, homo sovieticus (njeriu i ri i Lenin-Stalinit), homo leifenus (njeriu i ri i Mao Ce Dunit) dhe homo albanicus (njeriu i ri i Enver Hoxhës).
Pas shembjes së diktaturës hoxhiste në Shqipëri, pra, para gati 18 vjetësh, nisi të shfaqej mes nesh, për habinë, por edhe për fajin tonë, një homo i ri, homo mitingus, d.m.th. ai ose ajo që sillet nga rrethet për të mbushur Sheshin “Skënderbej” ose atë “Nënë Tereza” në kryeqytetin tonë, arenë përplasjesh politike të shpeshta, sidomos në periudha fushatash para e paszgjedhore. Disa nga tiparet kryesore të homo mitingus-it janë: së pari, atij i duket vetja diçka e veçantë, gati e jashtëzakonshme; them “diçka” dhe jo “dikush” sepse, me shumë gjasë, homo mitingus-i ndihet gjysmë send e gjysmë frymor i manipulueshëm e, njëherazi, i moneypulueshëm; së dyti dhe për rrjedhojë, ai është pasiv, d.m.th. e marrin dhe e hipin në autobus, si të ishte robot, për ta çuar falas në kryeqytet, i caktojnë vendin ku do të qëndrojë (gjithsesi mbi dy këmbë dhe jo mbi katër putra), i mësojnë përmendsh disa parulla që jo gjithmonë ai i kupton plotësisht; shpesh i ngjisin në dorë një pankartë së cilës ai i kupton vetëm rrokjen e dytë sepse i tillë ndihet pjesërisht ose, në rastin më të keq, plotësisht; pastaj, me të mbaruar mitingu, e marrin dhe e hipin sërish në autobus, si të ishte robot, për ta kthyer falas në fshatin, qytetin apo rrethin ku ka lindur e jeton dhe, me shumë gjasë, do të vdesë në anonimatin më të plotë, por krenar që ka marrë pjesë në aksh miting madhështor organizuar nga Partia e tij e zemrës dhe e thembrës (së Akilit); së treti, gjatë zhvillimit të mitingjeve, ai nuk dëgjon se ç’thonë oratorët nga maja e tribunës, por vetëm klith e ulërin ose ha fara kungulli, ose kruan herë pas here vrimat e hundës, të veshëve apo ndonjë tjetër vrimë më të strukur e më të fshehtë të trupit të tij.
Figura tragjikomike e homo mitingus-it u shpalos fare qartë edhe gjatë protestave triditore të organizuara së fundmi në Sheshin “Skënderbej” nga Partia Socialiste. Kësaj herë, tipareve të tij të lartpërmendura erdhën e iu shtuan edhe disa të tjera si, për shembull, prania e çadrave për të nënvizuar e përforcuar instinktin e tij të kopesë partiake, kësaj radhe ngjyrë rozë, rozë, rozë deri në neveri; si, për shembull gjithashtu, dëshira e tij për t’u dëfryer duke kërcyer rock apo rap të tipit roza, rozina, na sill ca trëndafila. Në këtë mënyrë, homo mitingus-i u ndje më tepër frymor i sendërgjuar sesa send i frymëzuar, pra, të paktën, gjallesë e vetëdijshme për trupin e vet që nuk rri më gatitu! apo qetësohu!, i ngrirë si hell, por lëviz, lëviz fizikisht, sepse mendërisht është krejt i par(e)alizuar ngaqë për atë mendon Udhëheqësi, Lideri, Iniciuesi, Ideatori, Kryetari i Dyfishtë – ai i Bashkisë dhe i Partisë. Homo mitingus-i i kësaj here e ndjeu, turbullazi, por e ndjeu ama, se kafka i kishte marrë formën e një kutie, bosh sigurisht, por që e hap dhe e mbyll vetë Udhëheqësi, Lideri etj., etj. si të ishte kuti votimi fletëvotimet e së cilës duhet t’i numërojë e rinumërojë sa herë t’i teket deri sa t’i bëjnë sytë tek a çift e t’i dalin hesapet siç i do palla, vetëm Ai, i Pagabueshmi, i Pakorruptueshmi, i Ndriçuari, d.m.th. Udhëheqësi, Lideri etj., etj., Simboli dhe Ikona e një Politike të Re Socialpatologjike me politikanë të vjetër, Figura Emblematike e një embleme pa figurë në krye të një partie të çoroditur dhe të një bashkie të hallakatur.
Miku dhe kolegu im i ri Françesk Armadhi, pas disa përsiatjesh ontologjike e fenomenologjike mbi homo-mitingus-in e të gjitha ngjyrave, por sidomos atë rozë, ka arritur në përfundimin se metazmorfoza e radhës e këtij të fundit ka mundësi të jetë një tjetër produkt më i sheshtë, më i rrafshtë, më i dystë i llojit homo, madje ai ka gjetur edhe termin shkencor që do t’i përshtatet atij më së miri në një të ardhme fare të afërt: “homo trapus”!
Komentoni
Artikuj te tjere
Selim Hasanaj: Kapercatjet trishtuese të humbësve të zgjedhjeve lokale në Kosovë
Blerim Uka: Kanuni… i Lekë Dukagjinit ?!
Blerim Rrecaj: Pak fjalë për festimin e 28 Nëntorit të sivjetmë
Zenun Rexhep: Letër e hapur Halil Matoshit
Ilir Dardani: Shqiptaret, ky komb pa dinjitet!
Fritz Radovani: Njeriu ka Fëtyrë... por, ka edhe...!
Shaban Peraj: Lapsi
Agron Tufa: Filozofia e furgonave
Asllan Dibrani: Mesazh për festën e flamurit, 28 Nëntorin...
Naser Aliu: Lukashenko ante portas!
Hysen Ibrahimi: E vetmja e drejtë e z. Edi Rama në Shqipëri duhet të jet vet drejtësia
Blerim Uka: “Prilli i thyer” në frëngjisht: Një gabim përkthimi ose pikpamjeje?
Rexhep Kastrati: Pas kuvendit të LDK-së
Andre de Nesnera: Analistët komentojnë mbi kredibilitetin e gjykatës së Hagës në çështjen e Karaxhiçit
Zef Ndrecaj: Vlorë , vjeshtë e tretë, 1912
Mexhid Yvejsi: Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë, Dita e Përgjegjësisë
Eduard M. Dilo: Dita e Shenjtë e Flamurit
Adnan Abrashi: Një ese si porosi, në Ditën e Flamurit
Sami Islami: ''Ne i fituam zgjedhjet!?''
Agim Vuniqi: Djathtizmi i deklaruar i spektrit politik kosovar është mashtrim-nuk ka djathtizëm pa Bashkim Kombëtar