E enjte, 01.05.2025, 03:40 PM (GMT+1)

Mendime

Agron Tufa: Filozofia e furgonave

E shtune, 28.11.2009, 07:23 PM


Filozofia e furgonave

Nga Agron TUFA

Rruga Tiranë-Peshkopi vajt-ardhje zgjat respektivisht, bashkë me ndonjë pushim të shkurtër, pesë orë e gjysëm - gjashtë. Udhëtarët e kësaj linje e marrin këtë udhëtim jo pa rrënqethje: përveç se e gjatë, rruga është e lodhshme, e keqe, gjithë kthesa, dhe pa mbërritur në fund të udhëtimit, ndjehesh i dërrmuar, me trurin dhallë. Ngushëllohen këto kohët e fundit me shpresën se pas dy-tre vitesh do të shpëtojnë nga kjo torturë, meqenëse Rruga e Arbërit nuk është më utopi, përderisa shihet me sy se po punohet në disa segmente.

Por kultura e furgonave të kësaj linje nuk ndryshon aspak nga ato të linjave të tjera. Si në Veri, si në Jug, bisedat janë po ato, sidomos për politikën. Janë po ato muhabete që rrihen tash 15 vjet, po ai pasion ose më sak, po ajo marrëzi. E hapin këtë temë burra të rëndomtë, gra e plaka, amvisa shtëpie, emigrantë apo barinj, studentë apo intelektualë. Argumentet aty sillen kryesisht biografike, fakte të imtësishme të heroizmave apo poshtërsive të heroit politik që është bërë objekt i kuvendimit – dhe të gjitha këto thanëethasha shoqërohen me të atillë patetizëm dhe betime për vërtetësi, sa mbetet të besosh se rrëfimtari ka ngrënë një thes kripë me protagonizmin e historisë.

Shi n’at moment kur kuvendimi trashet si gjuha e pijanecit dhe palët e rraskapitura gjejnë mirëkuptim duke u strukur në njëfarë heshtjeje e gjysmëdremitje, shoferi fut në kasetofon disqet e pluhurosura dhe prej tij pllakos kabinën tejpërtej një muzikë edhe më e pluhurosur. Ka diçka tejet të sëmurë në tingujt e zhyer lyrshëm në brengë. Muzikë aziate. E rëndë, e panatyrshme dhe molepsëse ajo të godet në stomak me atë zhul të papastër ndjenjash të sëmura. Laringu i këngëtarit që shkërben brengën se si lëngëzohet, se si i ndjell hundët me manierën jevgjite, sa të duket se të ka zënë kusuri në një geto jevgjish. Ke mall për ajër të pamanipulueshëm. Ndjen rëndesë dhe një dhimbje të shurdhër në veshka. Nuk është vetëm gulçim shpirtëror, por dhe siklet fizik. Dhe pret me shpresën se njëra anë e diskut mbaroi... se edhe tjetra do të mbarojë. Po kur mbaron vërtet, shoferi fut diskun e dytë nga pirgu i pluhurosur, mandej të tretin e me radhë, derisa ndjen një dërrmim në kocka, sikur të kanë hequr njëqind e një hu.

Njëherë nuk durova dhe i thashë shoferit:

- Aman more zotni, na e hëngre zotin me atë muzikë... po më duket sikur e mbaj unë furgonin në shpinë, e jo ai mua!
- Nuk të pëlqen? – tha ai i skandalizuar.
- Çfarë thua more, po ti na bërë pleh të gjithëve me atë këngë të pasosura! Ti qenke dhe dora jonë (d.m.th., i bardhë)!
- Valla mua më pëlqejnë, - tha shoferi dhe ia shtoi volumin kasetofonit. – Ti po deshe, mos i dëgjo, - shtoi ai, duke ngritur supet pafajshëm.
- Jo ti mund t’i dëgjosh, - thashë i nxehur, - por jo këtu or i bekuem. Shko ke shpia jote, dhe dëgjoi derisa të ejtesh. Por jo këtu or dashamir, se unë të kam pague biletën, e jo shijet e tua muzikore.
- Mirë e ka ky djali, o shofer, - foli një mesoburrë fytyrëkuq, që qe ulur në vendin e parë, në të djathtë të shoferit. – Ti s’po na pyet hiç për midet tona... na pëlqen, s’na pëlqen... Edhe mua po më duket si të më kena rrahë me shkop nga veshët. Të paktën të na kishe vu kangë të anëve tona. Mor çfarëdo, por veç të jenë shqipe, se mirë e ka ky zotnia: ata janë kangë gabelçe or shofer.

Si duket shoferi u prek, sepse me ta fikur kasetofonin, u kthye pak nga ne e tha:

- Mir mor, unë s’jam razi me ju prishë kuvendimin.

Ra një heshtje që zgjati për minuta të tëra dhe dukej që s’kishte ndërmend ta prishte kush. Makina po ngjitej në të përpjetën e pasosur të Klosit me njëmijë e njëqind kthesa. Udhëtarët dukeshin si të përgjumur. Makina kishte hyrë në kthesat e forta të Qafë-Buallit kur nga mesi i furgonit u çua një zë i fortë, që grishte vëmendjen e të gjithëve:

- Të mos kishte qenë ai babloku, - rahmet i gjett shpirti – zor se këta të sotmit do të kishin ça kryet me e ba kët rrugë.

Fjalët e thëna me një gjuhë gjoja popullore, që të bënin efekt, qenë thënë prej një djaloshi të ri. Kuptohet se me babloku, ai aludonte për Enver Hoxhën. Mesoburri fytyrëkuq u kthye, e pa atë që foli dhe prapë u rehatua në vendin e vet. Askush nuk iu përgjigj djaloshit. Pas disa minutash mesoburri fytyrëkuq u kthye prapë dhe e pyeti djaloshin:

- Prej nga je, or trim?
- Nga fshti R., - u përgjigj ai.
- Kur ke lindë, zotrote? – pyeti fytyrëkuqi.
- Në vitin 1986.
- Atëherë i bie që nana jote e nderueme të këtë punuar në kooperativë, apo jo?
- E ku tjetër të punonte? – gjegji djaloshi.
- Atëherë i bie që ajo të ketë punuar nëpër të gjitha ato fushat rrethe e rrotull kodrës së Kobenit, - vijoi fytyrëkuqi.
- Pse jo? Edhe aty ka punuar...
- Për shembull ka prashitur në ato ara, - saktësoi më tej mesoburri.
- Për shembull, po. E pastaj? – tha djaloshi.
- Si e pastaj? – u habit tjetri. – A e din ti more djalë se sa ka qenë norma e prashitjes?
- Jo, këtë s’e di.
- Ta kallzoj unë, mos u lodh, - i tha mesoburri fytyrëkuq. – Me kultivator, norma për një ditë pune ka qenë 800 m2, kurse pa kultivator – 400 metra.
- E ç’don me nxjerrë prej kësaj zotni, s’e s’po të marr vesh.
- Po ja, - tha ai, - përfytyroj nanën tande bashkë me kooperativistet e tjera. Dilnin prej shpie aty nga ora gjashtë e mëngjesit, merrin më këmbë nja 3-4 kilometra rrugë dhe fillonin prashitjen në ato arat e gjata rrotull Kobenit...
- Po pse nanën time? A bën ta di?
- Atë due me të tregue mor djalë, por lermë të flas... Pra, ajo prashiste me, ose pa kultivator, deri aty nga ora nëntë. Nga ora nëntë deri në orën dhjetë, ka qenë orari i fëmijës (nëse i kujtohet ndonjërit prej më të vjetërve këtu, - tha duke iu drejtuar ta miratonin  pasagjërët e tjerë më të moshuar).. Dhe nana jotë, mor djalë, ka marrë udhën vrap prej 4 kilometrash me u kthyen në shpi e me të dhanë ty gji. – Por imagjinoje vetë, - iu kthye me gjeste ai djaloshit – imagjinoje pas gjithë asaj raskapitje edhe vrapin për të të ushqyer ty! Dhe pas gjithë asaj lodhje e atij vrapi, kur ka mbërrijtë në shpi, asaj me ia rrahë gjinjtë edhe me lesë, prapë mezallah se i ka dalë një pikë tamli. Kështu or djalë, ajo qumsht s’ka pasë, e ka mundësi të të ketë ushqye me shurrë! Dhe ti s’e ke marrë atë fuqinë e tamlit që japin nanat e që të mban gjithë jetës.
- E pse ma thua këtë histori jalla? Çdon me provue me të?
- Hiç ore! Ashtu... kot. Mendova moshën tënde 23 vjeçare... Po ti, pse nuk më thua, ç’të lidh ty, djalë i ri e student, të na lavdërosh Bablokun tënd?



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx