E enjte, 01.05.2025, 09:10 PM (GMT+1)

Mendime

Sami Islami: ''Ne i fituam zgjedhjet!?''

E merkure, 25.11.2009, 08:57 PM


“NE  I  FITUAM  ZGJEDHJET!?”

Nga Sami ISLAMI

Zgjedhjet “lokale” në Kosovë përfunduan. Fushata parazgjedhore,  që u parapriu këtyre zgjedhjeve ishte njëra ndër më “spektakularet”që më ka rënë të shoh deri sot. Të përsëritet një spot politik disa herë brenda disa minutave mund të ndodhi vetëm në zgjedhjet në Kosovë. Fraza:”…premtoi, nuk e bëri, dështoi” , “N. N. zgjedhje më e mirë për kryetar” etj. etj., i kaluan caqet propagandave politike!  Për një muaj rresht televizionet e Kosovës qenë përplot me debate, reklama, mitingje  politike…
Me rëndësi është se ato përfunduan! Sipas KQZ-së më së shumti komuna i fitoi  PDK-ja, pasuar nga LDK-ja, AAk-ja , e kështu me radhë. Si populli më i “politizuar”, jo vetëm në rajon  por edhe më gjerë, ia filluam të festonim madje edhe pa u dhënë rezultatet preliminare. Po t’i shikonte ndonjë i huaj këto  “festime” do të mendonte se shqiptarët e Kosovës e “paskan” zbuluar ndoshta  ndonjë planet tjeter! Veturat e stolisura me flamuj partiakë parakalonin gjithandej nëpër qytetet tona  duke festuar, festa këto edhe më të “nxehta” se ato për pavarësinë e Kosovës!

Karakteristikë e këtyre zgjedhjeve qe fakti se kandidatët për kryetarë të komunave nuk ishin ata aktorët kryesorë në fushatë. Në fushatë po konkurronin  liderët e partive politike, që kishin edhe funksione të ndryshme në parlament ose në qeveri të Kosovës.  Pothuaj në të gjitha tubimet  zgjedhore, shumë më përpara se të dilte kandidati i “zgjedhur” nga partia për kryetar, dilnin liderët e partive dhe pasi flisnin për “vlerat “ e kandidatëve  (sikur  ata nuk  ishin në gjendje të flasin për veten e tyre !),  u jepej fjala atyre që duhej të ishin të parët.   
Po pse atëherë liderët  u bënë „katëqind copa“ që të ishin në ballë  në çdo tubim zgjedhor?
E këtu del tani ai „marifeti “ partiak i politikanëve tanë. Ata,  duke „fituar „  kandidatët e tyre nëpër komuna,  do t’i „forconin“ pozitat e veta duke e rregulluar kështu “terrenin”  për  zgjedhet e përgjithshme! Ku ishte kandidati i  AAK-së për kryetar  komune ishte edhe z.  Ramush Haradinaj, kryetari i partisë; ku ishte  kandidati i LDK-së për kryetar, ishte edhe z. Lutfi  Haziri kryetari i grupit parlamentar të LDK-së (kësaj radhe kryetari  i LDK-së  z. Fatmir  Sejdiu nuk doli, sigurisht mori mësim nga zgjedhjet e kaluara parlamentare!) ... Ku ishte përfaqësuesi i   AKR-së  dhe  LDD-së  aty ishte  z. Behxhet Pacolli ose  z. Nexhat  Daci (nganjëherë edhe të dytë)!
Është  me interes të theksohet  se zgjedhjet u vlerësuan shumë „demokratike“. U provua në vepër „pjekuria“ politike e shqiptarëve të Kosovës. Pak rendësi “pati” a  fitoi ky apo ai kandidat i partisë.  „Nuk“ pat parregullsi, ose më mirë të themi ato parregullsi që ndodhën ishin „të vogla“ ani pse në TV pamë njerëz që i bartnin ilegalisht  kutiat me votat e shqiptarëve! Pamë poashtu  njerëz që ishin të kërcënuar për t’ua dhënë votën kandidatëve të kësaj apo të asaj partie.
 
Siç thamë në fillim,  kandidatët e  PDK-së për kryetarë të komunave   fituan  shumicën. Në rregull. Po a thua kush u gëzua më shumë për fitoren e kandidatëve  për kryetarë të komunave të Partisë Demokrtatike? A u gëzuan ata vetë që e morën votën e popullit, pra kryetarët e ardhshëm të komunave, apo u gëzua më shumë kryeministri Hashim Thaçi?
Nuk është aspak vështirë për ta dalluar këtë situatë. Kushdo që e ka parë kryeministrin në njërën nga seancat e kuvendit të Kosovës, pas  zgjedhjeve, do të bindej se  atë ditë kryeministri ishte „shend e verë“. Kryeministri dukej se po „fluturonte“  nga gëzimi që partia e tij fitoi në zgjedhjet lokale.  Mezi iu përgjigjej pyetjeve të ndryshme të deputetëve të tjerë. Bile një pjesë të përgjegjeve i bënte prej vendit ku ishte ulur dhe nuk e shihte “të arsyeshme“  të dilte  madje as në foltore. Kryeministri Thaçi the ministri Fatmir Limaj u „shkrinë“  duke qeshur gjatë seancës së kuvendit.  Kjo u pa qartë. Sado që e qeshura  të bën mirë,  thonë,  bile , sipas disa mjekëve,  e qeshura të zgjat jetën, nuk e kuptova se  a ishte kjo e qeshur  se me këto zgjedhje kishte „fituar“  Kosova, siç patën deklaruar ata me përfundimin e tyre,  apo ishin të qeshura  për „suksesin“ e tyre   politik ndaj partive të tjera rivale?
Nejse.
Pas „insistimit“ të një deputeti, që të mos përgjigjej nga karriga ku ishte ulur,   më në fund  z. Thaçi doli në foltore dhe fjalinë e parë e tha kështu: “Ne i fituam zgjedhjet!“
Të them të drejtën kjo deklaratë e kryeministrit  më habiti, por për çudi  asnjë deputet nuk reagoi në deklaratën  e tij  dhe kryeministri vazhdoi fjalimin, apo përgjegjen, s’ka rëndësi. Me rëndësi është të dihet se  çfarë deshi të thoshte  me fjalinë: “Ne i fituam zgjedhjet”? Kujt i tha qe ai i kishte „fituar“ zgjedhjet?  Mos vallë  kryeministri paska menduar se është në mbledhjen e partisë  ( në këtë rast edhe do të „shkonte“ disi kjo deklaratë)?. A thua tha kështu nga gëzimi i madh që kishte se kishte fituar partia e tij dhe kishte “harruar” se  ishte ne parlament? A e di kryeministri se posti i kryeministrit nuk është post partie por shteti. Me këtë deklaratë ai edhe  krejt parlamentin e  Kosovës e „beri“ seancë të PDK-së! Po pyetja është se deri kur do të emancipohen ministrat dhe në vençanti kryeministri i Kosovës z. Thaçi? A  e di ai se në parlament është edhe opozita dhe deputetë  të partive të tjera, që „nuk fituan“ në zgjedhejt lokale? A mos priti  kryeministri që të duartrokitej edhe nga deputetët e partive të tjera duke dalë me kësi deklarate?

 Atij, si kryeministër nuk i ka takuar, madje,  as  të dalë nëpër mitingje zgjedhore. Për këtë punë më mirë do ishte të kishte caktuar dikë tjetër, por jo ai vetë. Zgjedhje lokale bëhen edhe kudo nëpër Evropë. Ai ka qene në Evropë dhe e di mirë se si zhvillohen zgjedhjet atje. A dalin  në fushata zgjedhore lokale kryeministrat, ose kryetarët e shteteve? Sigurisht që jo. Fundja  kjo mua nuk më ka rënë të shoh asnjëherë.  Te shqiptarët po.

Kjo deklaratë e kryeminstrit  Thaçi ma kujtoi, kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali  Berisha (para disa vitesh) kur ishte kryetar  i Shqipërisë. Ai, si kryetar i partisë, por edhe si kryetar shteti sa herë që  fliste në parlament ose gjetiu nuk lente pa e përdorur edhe slloganin „të kuqët“ që u referohej  deputetëve të Partisë  Socialiste!  Merre me mend kryetari i shtetit bënte kësi segregacionesh (ndasishë)! Dhe ky ishte kryetar edhe i “të kuqve” edhe i “të kaltërve” , me një fjalë i të gjithëve.  
E njejta gjë ndodhi edhe  në zgjedhjet e fundit parlametare në Kosovë, kur kryetari i tashëm i Kosovës  z. Fatmir Sejdiu, edhe pse ishte në funksionin e kryetarit  nuk pat lënë asnjë miting zgjedhor pa dalë dhe pa i pri fushatës së LDK-së. Pra edhe kryetar i vendit, edhe i pari në zgjedhje partiake! Rast unikat shqiptar,  apo jo?
.
Fundja  pse ndodh kjo në Kosovë dhe në Shqipëri  edhe nuk është për t’u çuditur. Ne kujtojmë se jemi vend demokratik dhe në “demokraci” mund të bësh edhe kësi gjërash! E vërteta është se  tek ne  emancipimi politik është shumë larg kritereve  të disa shteteve ballkanike e të mos flasim për ato evropiane. Kjo thjesht mund të quhet mangësi, si në Kosovë poashtu edhe në Shqipëri. Ne jemi një komb me këtë kulturë politike, sigurisht edhe “udhëheqësit” i kemi  të tillë.
Duke u nisur nga kjo pikë mund të pyesim: a thua kur do të emancipohen politikanët tanë?


(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx