Mendime
Ilir Sefaj: Kush po luan K...?!
E merkure, 25.11.2009, 08:00 PM

Nga Ilir Sefaj
Tendenca si ajo e para ca ditëve ku nga televizioni publik i Kosovës (hiç publik e pak i Kosovës) thuhej se do të bëhej një modifikim i pushtetit Qendror, pas koalicioneve mes AAK-së dhe LDK-së të bëra për pushtetin lokal nga ana e këtyre dy subjekteve politike, dëshmoi se kur flasim për institucionet e Kosovës, flasim për institucione garniturë në të cilat kur edhe kujt i teket provon të bëjë lojëra të ndyra politike duke zhvlerësuar votën e qytetarit, dhe njëkohësisht duke luajtur me dinjitetin e tij.
Mirëpo, anulimi i kësaj ndërmarrjeje pak orë pas trumbetimit të saj, dëshmoi se këta mjeranë që flasin në emër të qytetarit të Kosovës, nuk janë tjetër veçse figura të vdekura shahu me të cilat bashkësia ndërkombëtare luan si t’ia ka ënda.
Kjo iniciativë dëshmoi edhe njëherë (për të disatën herë) se Kosova nuk ka demokraci të mirëfilltë, dhe se grupet e interesit dëshirojnë ta gozhdojnë bythën për ulëset në Kuvendin e Kosovës duke marrë vendimeve anakronike në kohë dhe rrethana aspak të volitshme për qytetarët e Kosovës, ndër më të varfrit e Europës.
Pra, kjo iniciativë dëshmoi etjen e Qeveritarëve tanë për pushtet sado të kufizuar që të jetë, e rëndësishme për mentalitetin e tyre është të takojnë njerëz të mëdhenj siç edhe “vetë” janë, duke anashkaluar të gjitha interesat e qytetarit të Kosovës, duke ia imponuar këtij të fundit rrugët e arratisë në kërkim të një jete më të mirë për ta gjetur vdekjen, për ta përjetuar përbuzjen, zhvlerësimin e të huajit në tokën e huaj. Tash pyesim; a janë këta shokët e idealit të Fehmi e Xhevë Lladrovcit, të Abedin Rexhës, të Luan Haradinajt, e të Agim Ramadanit?! A janë këta njerëzit që kishin ideal Kosovën shtet?! Dyshoj, shumë dyshoj!
Si do që të jetë kur flasim për skenën politike në vend i referohemi këtyre epsheve të politikanëve tanë të cilët nuk kanë kulturë politike, duke provokuar situata aspak favorizuese, duke dëshmuar me shembuj konkret se Kosova ka institucione tepër të brishta të cilat mund të shembën brenda natës, për t’u gdhirë të dhjera.
Prapë të dëshpëruar pyesim; kush përfitoi nga kjo aventurë aspak transparente në kontekst me qytetarin e Kosovës, me dinjitetin e tij? Përgjigja gjithsesi është; askush. Bile të humburit e vërtetë do jenë ata që kurdisën këtë aventurë duke shkelur drejtpërdrejt mbi parimet e demokracisë, të cilat vunë në pah mos seriozitetin e drejtuesve të shtetit tonë karshi interesave kombëtare. Kjo aventurë dëshmoi se qytetari i Kosovës, duhet vënë në margjina, kur është në pyetje përmbushja e orekseve personale dhe të klaneve të ndryshme të interesit, klane këto tepër ogurzeze të cilat çdo ditë e më shumë po dërrmojnë kurrizin e njeriut tonë.
Çka tash? A kanë qytetarët e Kosovës institucione në të cilat mund të besohet? Kjo është dilema. Kjo ndërmarrje (pra, e luajtjes K.. me dinjitetin tonë) dëshmoi se në Kosovë nuk ka pozitë e as opozitë të mirëfilltë dhe se kur flasim për të përzgjedhurit tanë, mund të vijmë në konkludimin se ata mund t’i shohim të bashkuar shumë lehtë kur është në pyetje hajnia interesi personal, dhe kurrë të bashkuar kur është në pyetje interesi i përgjithshëm, ai kombëtar.
Përderisa Qeveria e Kosovës, agjendën e saj do duhej ta drejtonte drejt forcimit të institucioneve të shtetit, drejt ruajtjes së sovranitetit dhe të integritetit të saj, drejt zhvillimit të mundshëm ekonomik, drejt funksionimit të shtetit ligjor, ajo në fakt thurë intriga të llojit satanist duke provokuar situata aspak favorizuese dhe në të njëjtën kohë harron se vota e qytetarit nuk bën të nëpërkëmbet ngase po ajo votë ta jep dhe ta merr pushtetin, askush nuk është i gjithëpushtetshëm.
E shikuar nga një perspektivë tjetër, kjo lojë e institucioneve tona dëshmon se Kosovës i nevojiten njerëz të rinj në skenën politike të vendit të pa infektuar me virusin e të korruptuarit, të pa infektuar me ideologji të vyshkura koha e të cilave ka mbaruar, njerëz që do t’i ofronin diçka të re qytetarit të vendit, të shëndosh në pikëpamje, njerëz vizionarë dhe të përgjegjshëm para vetës së tyre dhe të atyre që përfaqësojnë.
Komentoni
Artikuj te tjere
Dibran Demaku: Ora letrare
Peter Preston: Mirë se vini në Shqipëri
Blerim Uka: Kanuni është shumë interesant për lexim
Valmir Elezi: Ditët që ndryshojnë botën tonë?
Selim Hasanaj: Mësuesi patriot, Qerim Spahiu - nji kolos me qëndrim vertikal
Halit Bogaj: Humbja e zgjedhjeve nga mjeranët e Presidentit tonë të ndjerë
Naser Aliu: Qeveria ilegale
Agim Vuniqi: A po instalohet kanuni në institucionet e Republikës së Kosovës
Reagim i Kordinatorit të Fbksh për Evropë
Sylejman Thaqi dhe Norë Gashi: Reagim në shkrimin e Xhavit Halitit ''mallkimi i kufinjëve shtetërorë''...
Flet Zëvëndëkryeminitri dhe Ministër i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta
Bekim Rexhepi: Pushteti prej letre nuk mund të quhet ndryshe veçse i djegur!...
Blendi Fevziu: Opozita, po më pas?
Blerim Uka: Shko në Shqipëri dhe bleje një grua!
Henri Çili: Mesazhe problematike nga protesta
Ramiz Dërmaku: Trimi legjendar Skenderbe, do të vij edhe tek ju
Xhevat Rexhaj: A ka më Lidhje Demokratike të Kosovës
Blerim Rrecaj: Paszgjedhjeve ftesë për zgjidhje
Kim Mehmeti: Arabizimi i gazetarisë shqiptare
Kiço Blushi: Faji, ky kopil që përherë na mbetet në derë