E premte, 02.05.2025, 12:51 AM (GMT+1)

Mendime

Kiço Blushi: Faji, ky kopil që përherë na mbetet në derë

E merkure, 18.11.2009, 07:45 PM


Faji, ky kopil që përherë na mbetet në derë

Nga Kiço Blushi

Përse Shqipëria mbeti e fundit për vizat dhe për vendin kandidat për në BE? Kjo pyetje e lyp një përgjigje. Ky fakt i hidhur është vërtet “historik”!  Kësaj pyetjeje janë të detyruar t’i përgjigjet Berisha, ish-President dhe tash kryeministër, qeveria e tij, si dhe ish-krerët e lartë politikë. Por askush nuk përgjigjet…Përsiatja e mëposhtme, pas vendimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, buron pikërisht nga ky shqetësim i natyrshëm…

***
Nuk gaboj po të them se vetëm ne shqiptarëve, çuditërisht (por ndoshta më saktë duhet thënë: aspak çuditërisht!), përherë do të na mbetet faji si një kopil i hedhur te pragu i shtëpisë sonë të përbashkët, të cilën përndryshe e quajmë Shqipëri. Mosdhënia e vizave vetëm për shqiptarët është një tjetër kopil i lindur nga incesti i ndërkombëtarëve, i ca diplomatëve dhe i ca komisionerëve të Evropës me klasën tonë politike, të djathtë e të majtë, herë kombëtare e herë kozmopolite. Kjo është e vërteta. Nuk ka e nuk gjen dot klasë politike më të kompleksuar, më të keqpërdorur, më inferiore, më puthadore, më pa dinjitet e pa personalitet në Ballkan ndaj ndërkombëtarëve se kjo e jona që na ka sunduar e drejtuar në pasdiktaturë.
Përballë ndërkombëtarëve krerët e partive janë në një provim që nuk sos kurrë, që nuk mund të fitohet kurrë, pasi të gjithë përpiqen të japin prova e dëshmi të përditshme se, edhe pse kanë qenë komunistë, në të vërtetë tash janë antikomunistë të përbetuar; se janë pikërisht ata që i duan Evropën dhe SHBA-të më shumë se vendin e tyre; se krahasuar me rivalët e tyre, ata janë gati të dëgjojnë e të zbatojnë një për një çdo porosi të ndërkombëtarëve, edhe kur ato shkojnë ndesh me kërkesat, interesat dhe nevojat e qytetarëve të tyre; se, edhe pse kanë jo pak faje dhe mëkate, edhe pse nuk heqin dorë nga politikat konfliktuale, ata janë më të devotshmit, më të bindurit, më kokëulurit ndaj tyre; se medemek për demokracinë dhe për standardet ata mund të japin edhe jetën, madje mund të dhurojnë territore, toka e poste sipas porosive dhe interesave të ambasadorëve; ata janë të gatshëm të miratojnë me procedurë të përshpejtuar edhe ligje sipas orekseve/interesave të fqinjëve, siç ishin p.sh, ndryshimet e Kushtetutës…
Këto mysybete ata i bëjnë me zell e përkushtim, pa pikë turpi, frike, apo droje nga opinioni publik…Qoftë edhe për një foto, a për një shtrëngim dore me një të madh të botës ata kërkojnë të japin përshtypjen se vetëm ai/ata e kanë mbështetjen e ndërkombëtarëve…Kësisoj besojnë se mund të mbeten sa më gjatë në pushtet, sepse vetëm me ndihmën e fuqive të mëdha mund të mbijetosh deri në vdekje në pushtet, qoftë edhe duke bërë manipulime!...Kjo është bindja e tyre e trashëguar: sa më servil me ndërkombëtarët, po aq harbut me qytetarët e tu! Dhe nuk kanë faj. Sepse pas diktaturës diplomacia perëndimore ka funksionuar sipas kësaj skeme: për hir të stabilitetit në rajon, le të shkelen standardet, por për hir të mungesës së standardeve, le të mbeten jashtë qytetarët e Ballkanit Perëndimor! Pra, ne qenkemi më keq me standardet, sepse vetëm ne mbetëm jashtë!....
Ja pra përse kjo hidhësirë e ripërsëritur na kaplon sa herë na jepet një mundësi hapje ndaj Evropës…Nuk është rasti parë dhe i vetëm i incestit të ndërkombëtarëve me udhëheqësinë tonë kjo që ka ndodhur me integrimin e vonuar të shqiptarëve në Evropë…Kjo marrëdhënie e mbrapshtë mund të ilustrohet me shembuj të shumtë e të panumërt të historisë sonë të afërt e të largët, po sidomos me mbylljen së fundi të derës së BE-së, d.m.th, me shuplakën që na u dha për vizat, por edhe me aplikimin tonë zyrtar për t’u bërë edhe ne vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Kalimi për shqyrtim i kërkesës sonë për statusin e kandidatit nga ministrat e jashtëm të BE-së te Komisioni Evropian është një tjetër shtyrje kohe, po jo një hapje mikpritëse dere… Pra, tashmë u bë e qartë se vetëm ne shqiptarët e meritojmë në të vetëquhemi “delet e zeza” të Ballkanit …Edhe nga harta e asaj që, për të justifikuar ndarjen nga Evropa u quajt Ballkan Perëndimor, vetëm shqiptarët u përjashtuam dhe tani nuk dihet se në cilën “hartë” do të gjendemi… As në Azi nuk do të na pranojnë, paçka se kemi hyrë në Konferencën Islamike!…Edhe kësaj here na mbeti faji në derë si një kopil i padëshiruar me të cilin nuk dimë ç’të bëjmë: të gëzohemi e të lumturohemi, si na tha kryeministri në Kuvend, apo të hidhërohemi, si na thotë opozita; hall të qajmë, hall të qeshim, hall të flasim, hall të heshtim!... A e patë dhe a e dëgjuat, o shqiptarë, sa i lumtur dhe sa i ngazëllyer na u shfaq në Kuvend kryeministri i vendit bash atë ditë kur PE-ja vendosi të pranojë serbët, malazezët, maqedonasit, por jo ne, vetëm ne jo pra, duke e paraqitur këtë si një tjetër sukses madhor tonin? Kjo e bën gjendjen tonë edhe më dëshpëruese, më mjerane…
Por ajo që të dhemb e të trishton më shumë në këtë histori (diz)integrimi të shoqëruar me një tranzicion të paanë e të pafund, është fakti se për këtë faj-kopil, si përherë, kurrkush nuk do të mbajë as edhe një pikë përgjegjësie…Aq më pak klasa politike që ka e drejtuar si ka dashur këtë vend prej 20 vjetësh, duke na çuar nga dështimi në dështim, nga iluzionet në zhgënjim, nga shpresat në qorrsokak…Madje, këta drejtues, jo vetëm që nuk do të mbajnë asnjë përgjegjësi, po guxojnë të tallen me ne para kamerave pa pikë turpi, duke na konsideruar aq trushkulur e aq trutharë sa përjashtimin të na e paraqesin si sukses, fatkeqësinë si lumturi, turpin si nder, mosdhënien e vizave si një hapje përfundimtare të portave të Evropës…Edhe ikjen e çerekut të popullit në emigracion nëpër dete e nëpër male na e paraqesin si një arritje historike; krizën si rritje të paparë ekonomike; papunësinë si një zgjedhje me vullnet të lirë; shkatërrimin e prodhimit të vendit e të tokës bujqësore si ligj të ekonomisë së tregut; emigracionin ilegal si lëvizje e lirë, etj, etj…Një cinizëm dhe një demagogji kaq bajate ndaj një populli nuk është parë e dëgjuar kurrë, në asnjë regjim! Si qytetar asnjëherë nuk jam ndier më i poshtëruar dhe i nëpërkëmbur nga fakti që mbi krye kam një të tillë përfaqësues të lartë të shtetit tim, një të tillë kryeministër që del nëpër ekrane dhe na detyron të quajmë fat mosdhënien e vizave (qëllimisht e përsëris: vetëm për ne shqiptarët!), se pas mosdhënies së vizave tash do të bashkohen lirisht familjet e ndara (bir Selman i nënës, ç’të të qaj më parë?), d.m.th, që edhe derrin e quan dajë, që mashtrimin na detyron ta hamë për natë me dhe pa bukë, që gënjeshtrën e quan të vërtetë, që demagogjinë e transformon në politikë…Ku, ku ç’a na ka gjet
Harrove diktatorët, do të më thotë dikush me të drejtë. Diktatorët, nenin e parë të Kushtetutës së tyre kishin luftën e klasave, partinë mbi të gjitha, mbrojtjen me çdo çmim të diktaturës së proletariatit; kurse ne sot kemi të drejtat e njeriut, lëvizjen e lirë, fjalën e lirë, zgjedhjet e lira; votën e lirë, me një fjalë standardet e demokracisë…E pra, ku janë pas 20 vjetësh këto arritje? Jo, nuk janë shembur iluzionet e shpresës: “E duam Shqipërinë si Evropa”! Në të vërtetë është shembur besimi te idhujt pa krena që i kemi ndjekur pas verbërisht njëlloj si në diktaturë edhe në demokraci!...”Më vdiq burri”, - tha dikur një vejushë, - se për mirë, se për keq”! Pas kësaj do të ndryshojë historia jonë, d.m.th, vetëm kur ne të respektojmë më shumë veten, njëri-tjetrin, punën dhe vendin tonë!… Është shembur ndërkohë edhe besimi te ndërkombëtarët, të cilët,-le ta themi hapur!- edhe këta janë tallur jo pak me ne. Nuk ka rëndësi me qëllim apo pa qëllim, me dashje apo pa dashje. As ata nuk shfajësohen dot para popullit shqiptar të poshtëruar e të braktisur kësisoj. Sepse ata ishin dhe janë mëtonjësit dhe kontrollorët tanë të pagjykueshëm e të adhuruar, ata që na krijuan iluzionin se do të hanim me lugë të florinjtë kur të vinte demokracia, atyre që shqiptarët u kanë pas besuar edhe më verbërisht se udhëheqësve të rinj të demokracisë, ata që na thanë: rrëzoni diktaturën se dyert tona për ju do të jenë të hapura katekat…E pra, ku janë tash këta ambasadorë fuqiplotë bashkë me komisionerët që na kanë asistuar (drejtuar) dhe që kanë qenë e vazhdojnë të jenë edhe më fuqiplotë se Jakomoni i kohës së pushtimit fashist, diplomatë dhe komisionerë të tipit Rajerson, Forresti apo Doris Pack etj?!…Janë këta që për njëzet vjet rresht u hakatën të na mësojnë se si “duhet të zihet kosi” në demokraci!... E tash po na ofrojnë vetëm hirrë, nganjëherë edhe shëllirë!...Por dështimi i tyre nuk ka për t’u quajtur kurrë dështim i tyre, por vetëm yni, kjo është e sigurt!
***.
Pra, përsëri fajtorë pa faj do të jemi ne, sepse vetëm ne qytetarët shqiptarë mbetëm në udhëkryq, edhe të vetmuar, edhe të riizoluar...Mes tri palëve përgjegjës për (diz)integrimin: udhëheqësve tanë, ndërkombëtarëve dhe qytetarëve, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë dështim historik, për këtë përjashtim, për këtë denigrim të papërtypshëm! E sigurt është që as udhëheqësia e aq më pak ndërkombëtarët nuk ka për t’i vrarë ndërgjegjja…Kjo do të thotë se faj-kopili edhe kësaj here do të ikë në drejtim të paditur, duke mbetur jetim, pa nënë e pa babë, gjë që do të thotë se qytetarët e thjeshtë do të jenë sërish të detyruar ta paguajnë më shtrenjt lirinë dhe demokracinë. E sidomos ata qytetarët e varfër e të vobektë, më të këputurit, më të pambrojturit ë për këtë arsye edhe më të manipulueshmit; Këta do të heqin të zitë e ullirit jo vetëm për një vizë, po edhe për shpresën e një Shteti të së Drejtës…; sepse me sa shihet ne qenkemi të damkosur pa e ditur; sepse ne cilësohemi si me “kulturë të pamjaftueshme demokratike”; sepse edhe 20 vjet pas shembjes së murit të Berlinit ne nuk kemi mundur të realizojmë standardet; sepse nuk dimë të votojmë; sepse pajtohemi kollaj me të keqen, gënjeshtrën, poshtërimin, dhunën; sepse jemi më të varfrit e Evropës; sepse nuk dimë të zgjedhim udhëheqësit e duhur, derisa votojmë përsëri po për ata që i përmbysëm me revoltë popullore e që na lanë larg Evropës…E pra, jemi ne ata që, mesa duket, në këto vite, për shkak të akuzave të ndërsjella e të ndyra pozitë-opozitë “e meritojmë” të quhemi si shoqëri aq të kriminalizuar e të korruptuar, madje edhe aq të palarë, sa të mos na lënë të qasemi as te pragu i Evropës si njerëz të denjë, të ndershëm e të barabartë...
Ky është mesazhi ogurzi i deklarimeve as mish as peshk, gjysmë plot e gjysmë bosh që na vijnë nga Brukseli e për këtë, nuk mund ta shpëtojë dot nderin dhe shansin tonë të humbur as eurodeputetja sllovene Fajon dhe as ministri i Jashtëm italian, Fratini…Nga të gjithë popujt e Ballkanit, në çdo pikë kufitare të Shengenit tash e tëhu ne do të jemi i vetmi “popull extra komunitar”! Kjo është pasqyra ku e shohin ndërkombëtarët fytyrën dhe pasaportën tonë.…Ndonëse gjeografikisht jemi në kufijtë e brendshëm të Evropës, politikisht tani gjendemi jashtë Murit të saj pasi, pa e thënë e pa na e shpjeguar kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë ndëshkim historik, ne, mesa duken bathët, do të mbetemi gjatë të mbyllur në një karantinë politike, sa fyese aq edhe poshtëruese, pse jo edhe me ngjyresa raciste…
Jo, nuk janë problem e nuk mund të destabilizojnë BE-në aq pak shqiptarë sa kanë mbetur këtu!...Nuk është kjo arsyeja që na lanë jashtë derës!...Dy mijë e ca pyetje, apo dy mijë e ca detyra të tjera për t’u plotësuar, bashkë me pasaportat biometrike të cilat, medemek, do të plotësohen shpejt e shpejt në disa muaj, edhe këto janë broçkulla që na jepen për narkozë, për të harruar karantinën! Ne jemi të detyruar të paguajmë shtrenjt për investimin tonë të gabuar që kemi bërë në radhë të parë te udhëheqësia jonë e pandreqshme, si dhe te besimi ynë i verbër që gjithçka: punësimi, mirëqenia, të drejtat e njeriut, lëvizja e lirë, shteti ligjor, gjykatat, mediat e pavarura, investimet, kapitalet, mrekullitë, të gjitha të mirat e liri-demokracisë do të na vijnë si dhuratë nga jashtë, d.m.th, nga ndërkombëtarët, e sidomos nga sasia dhe cilësia e flirteve të klasës sonë politike me diplomatët dhe me kancelaritë e Evropës dhe SHBA-ve! Kjo është fatura që ne do të duhet të paguajmë! Ky është emri i Faj Kopilit që na ka mbetur në derë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx