Mendime
Zenun Rexhep: Letër e hapur Halil Matoshit
E diele, 29.11.2009, 07:03 PM

Pasi “i varrose” intelektualë kosovarë – në po atë “varr” e varrose edhe vetveten
Nga Zenun Rexhepi
zenun.rexhepi@yahoo.com
I nderuari Halil Matoshi, filozof, krijues, analist e gazetar,
Jam e vetëdijshëm edhe unë, “nuk kam gjë në dorë”, sikurse ti, që e pranove botërisht në emisionin “Përrallë me tupan” (dhe u bane përrallë e zotit),, se je duke punuar kot, duke “Rrehur ujë në havan” (popullore shqiptare, por jo “kosovare”, sepse kjo thënie është shpikur, para se t’i ta krijoje “identitetin kosovar” (kombin mikst, amalgam, në “Multi plingun” kosovar); je duke harxhuar kotnasikoti energjinë dhe andrenalinën, duke u përpjekur ta luash deri në fund rolin e SIZIFIT; por meqë e ke kuptuar, se kot se kot, po mundohesh t’i eliminosh bërrylat e ashpër të shoqërisë kosovare (parafrazim i një thënie të fqinjëve, të cilët po përpiqesh t’i mbrosh nga nacionalizmi në oborrin tënd), ke filluar ta ndjesh veten si i dështuar, profesionalisht dhe politikisht. Një punë të ngjashme e pat bërë i gjori Hamlet (krijesë e pafuqishme e Shekspirit, dramaturg i famshëm, por me identitet diskutabil edhe sot), kur ishte detyruar ta pranonte botërisht, në letër e në skenë, duke deklaruar: “Oj botë (ose oj jetë), o prapësi, o dreq, / Unë paskam lindë të të ndreq!” Dhe nuk e ndreqi, as ai, as ata pas tij. Kurse, qerrja e pesimizmit tënd, po vazhdon të rrokulliset drejt humnerës. Kjo del nga pikëpamjet dhe deklaratat tua publike, në gazeta, në tribuna publike, në TV (si analist i pakapërcyeshëm, si kipc i Fatos Lubonjës në TV Klanin e shtetit fqinj shqiptar), përsëri sipas teje.
Pra, edhe unë, duke ta shkruar këtë letër, do të mundohem kot, do të flas kot, sepse ai që e ka kokën të mbushur, nga ku ta di unë kush e me çka, nuk ka vend për të pranuar qoftë edhe një fjalë të vetme si porosi, si sugjerim, si kritikë (në kuptimin vlerësim, e jo si denigrim).
Natyrisht, këtë letër, nuk do ta qëndis e kallajis me citate, as të iluministëve, as të shkollave pasuese filozofike e sociologjike, sepse, dikush e tha, se vetëm ata që nuk kanë besim në mendimet dhe pikëpamjet e veta, qoftë edhe të krijuara nën ndikim e të tjerëve, mundohen t’i mbështesin ato, si me paterica, duke i përdorë citatet dhe emrat e mendimtarëve të afirmuar dhe të kontestuar njëkohësisht, siç ndodh në të gjitha fushat e krijimtarisë njerëzore.
Duke kaluar në atë konkrete, do t’ia nis nga bishti, për të dalë te koka, sepse ajo që është vlerë ose dobësi intelektuale e krijuese e jotja, është më së shumti “rezultat” i asaj për të cilën ke diplomë të profesionistit, pra të sociologut dhe filozofit.
Thonë se individët që lexojnë dhe meditojnë shumë, janë shpesh kontradiktorë (ti më shumë, e unë më pak se ti), sepse në kokën me kapacitet relativisht të kufizuar biologjik, fusin çka duhet e çka nuk duhet, prandaj vështirë e kanë të veçojnë të qenësishmen nga e paqenësishmja.
Si rezultat i kësaj bamunie, pas rreth pesëdhjetë vjet moshe, e pak më shumë se 30 vjet leximi, shkrimesh, polemikash, në gazeta e TV, pastaj pikëpamjesh, bindjesh e aktivitetesh politike, ke arritur që intelektualët kosovarë (shqiptarë e dardanë, i ke zhbërë me një vijë të lapsit kimik, apo të kompjuterit të kohës), i ke shpallur një hiçgjë, si qenie njerëzore dhe dhe si intelektualë. Të kanë mbetur në këmbë, "të goditur", po jo edhe të rrëzuar për tokë e të rrënuar, vetëm pushtetarët dhe bosët e gazetave dhe të TV, të cilët i ke shëtitur gati rend me rend. E askund nuk po zë vend; i ke “varrosur" kosovarët, si qenie e si intelektualë, ndoshta edhe si krijues e filozofë, dhe kështu, njëkohësisht “e ke varrosur” edhe vetveten, sepse je njëri prej tyre.
Kushdo qoftë, që merr guximin të polemizojë me ty, pra as unë, nuk kam si ta mohoj, se je inteligjent, trim (ndonjëherë edhe më shumë se që duhet e guxon realisht), se ke fuqi analitike, por herë-herë “ngrehtë mbrapshtë”, ose “shtynë teposhtë”.
Sikur të shkruaje: filan filani, në këtë e atë shkrim, vepër, veprim etj., sipas bindjes time (tënde), e ka mirë për këtë ose atë, kurse nuk e ka me vend këtë e atë, për këtë e atë arsye, kjo do të ishte e pranueshme, si vlerësim i adresuar dhe i arsyetuar, qoftë edhe me sukses relativ. Por, t’i gjeneralizosh gjërat, siç ke bërë me disa nga artikujt e fundit në Shtojcën për kulturë të gazetës “Koha ditore”, sa i përket intelektualëve kosovarë, pushtetarëve dhe banorëve të Kosovës, çështjes së identitetit të banorëve të Kosovës, duke i gjeneralizuar gjërat, pa bërë analizë të thellë e të dokumentuar me fakte statistikore e shkencërisht të bazuara, e me gjykime të peshuara e të formuluara mirë e mirë, është e palejueshme për një intelektual të kalibrit tënd.
Në një polemikë private me një kolegë gazetar dhe publicist, dhe në një sosh publike, me një tjetër, kam shkruar, e po e përsëris me këtë rast: Unë, si më i moshuar, ti i brezit të mesëm, dhe ata pas teje, realisht jemi / e do të jenë rezultat, pos tjerash, edhe i njohurive, i vlerave dhe i dobësive të po atyre intelektualëve, që ti i shpall të pavlefshëm e të padobishëm, madje edhe “post mortum”, kur nuk kanë mundësi as të të përgjigjen, e as të polemizojnë me ty eventialisht edhe të demantojnë. Vlerësime të ngjashme publikojnë edhe analistë të tjerë shqiptarë, në kuptimin etnik, kombëtar, e jo “shtetëror”, sepse në kokën tënde dhe të disave të ngjashëm me ty, kanë pësuar “metamorfozë” (lexo: janë deformuar) edhe disa koncepte dhe disa nocione elementare filozofike, sociologjike e politike.
Në një shkrim modest të publikuar në gazetën “Koha ditore”, me rastin e nxjerrjes në diskutim publik të Projektit të Kushtetutës së Kosovës, e kam dokumentuar me fakte bindëse, se termi “national” në gjuhën angleze përdoret për kuptimin “komb, nacion” dhe “shtetas”, prandaj nuk po i përsëris ato. Por, po e përsëris konkluzionin kryesor: Aty ku, në tekstin anglisht të kushtetutës, përdoret termi “nacional”, e nga aeroplani shihet e kuptohet se është fjala për “shtet” (pra: Instituti shtetëror..., etj. e jo “kombëtar” në kuptimin gjithëshqiptar), shqip duhet të qëndrojë “shtetëror”. Pra, kombi, etnia - shqiptar, kurse shtetas – i Kosovës, i Maqedonisë, i Italisë, etj. Fundi i fundit, a mos ke lexuar diku se serbët e Bosnjës e shpallin veten posavinas, apo banjallukas. Ata janë dhe mbesin serbë, kroatë, etj., në kuptimin etnik, kudo që jetojnë, por shtetas të Bosnjes e Hercegovinës etj. (së paku formalisht).
Prandaj, përpjekjet këmbëngulëse, tuat, e të disa bashkëmendimtarëve, për të mbrojtur me çdo kusht e çdo mjet, “shpikjen tuaj”, me gjasë të porositur, përndryshe nuk do të insistonit në të aq shumë, apo pse jeni të “pakanrisur” (lexo: pa gatishmëri pë të pranuar idetë dhe sugjerimet e tjetrit), sa i përket “njëfarë kombi kosovar-ësh”, e së fundi edhe “evrokosovarësh”, janë të pakuptimta, joshkencore, madje edhe qesharake.
Deklarata e fundit e jotja në emisionin “Përrallë me tupan”, në TV21, jo që të bën përrallë, po të bën “horë e dheut”. Besoj se e ke regjistruar emisionin në fjalë, pasi emetohet si i incizuar (e jo i drejtpërdrejt). Shikoje e dëgjoje pak me më shumë kujdes e vëmendje, atë që ke thënë: Para katër-pesëqind, gjashtëqind vjetësh, qytetarët, banorët e Zvicrës, paskan nënshkruar kontratën, marrëveshjen për krijimin e shtetit Zvicër dhe kështu paskan krijuar kombin HELVETIK. Por, ata edhe me tutje mbesin: gjermanë, italianë, francezë, retoromanë etj. (parafrazim). Unë nuk e përjashtoj mundësinë, që të ketë diçka që nuk e di, sepse nuk e kam dëgjuar, nuk e kam lexuar, madje nuk e konsideroj veten të gjithëdishëm, por e di se në periudha të caktuara historike dhe në kushte të kohës, artificialisht, me dhunë, janë krijuar dhe shpallur kombet: gjerman, francez (“O tempora, o mores”, emër i një fisi pushtues gjerman i territoreve të galëve, normanëve, bretonëe, baskëve, etj...), anglez, spanjoll, italian, madje edhe kinez, indonezian, australian, argjentinas, brazilian, me dhjeta, qindra e deri gati një miliardë e gjysmë kinezë, etj., por jo edhe për kombin Helvetik. E përsëriti para ca ditësh edhe Kadare, tha se kombi ka: gjuhën, historinë, traditat, kulturën e përbashkët. A mos i paskan këto zvicëranët (helvetikët) ?! Por, i kanë "minishtetet" e tyre, si lande, kantone.
E sipas teje, Nexhmedin Spahiut, e bashkëmendimtarëve të njohur e të panjohur, unë dhe ti e të gjitë banorët e shtetit të Kosovës, qenkemi “kosovarë”, në kuptimin etnik (lexo: sipas prejardhjes, gjuhës e kulturës), madje edhe serbët, romët, boshnjakët, ashkalinjtë etj.. Por, vazhdojmë të jemi edhe shqiptarë, serbë, dreqi e i biri, sepse flasim shqip, serbisht etj. Kjo quhet “Contadictio in adjecte”, nëse nuk gaboj, si pikëpamje, si nocion, si term dhe si përmbajtje.
S’ka dyshim, se sa i përket angazhimit profesional si gazetar, ke edhe merita, por edhe dobësi që nuk janë të vogla, sepse je tepër këmbëngulës në mbrojtjen e asaj që, ndonjëherë,nuk ka sit ë mbrohet, prandaj, në artikuj polemizues, nuk nguron të japësh kualifikime edhe denigruese, apo në emisionet televizive debatuese të reagosh me nervozitet të theksuar, saherë që dikush merr guxim të të kundërvihet me pikëpamjet e tija, të cilat ndodh të jenë, më shumë ose më pak të pranueshme, ashtu si edhe tuat.
Kapakun të gjithave, si intelektual, filozof, krijues, e sidomos si gazetar, ia kë vërë me deklaratën, po në emision "Përrallë...", kur deklarove: Jam i vetëdijshëm se po merrem me diçka të kotë. Po mundohem t’i ndreq të pandreqshme, kështu disi. E kështu, e ke deklasuar veten dhe pikëpamjet tua për jetën, shoqërinë e gazetarinë (parafrazim). Për fat të keq, në mënyrë të pavetëdijshme e ke pranuar se i takon një lagje gazetarësh, mjaft prezentë në gazetarinë dhe publicistikën kosovare e shqiptare (territorialisht), që sillën si: prokurorë, policë e gjykatës, madje edhe më të paprekshëm se ata, sepse na qenkan gazetarë, veoprimtarë publikë, gjë që është e papranueshme. E gazetari i vërtetë, sipas një mendimi të një publicisti, i cili me një rast foli për atë se si ka arritur gazeta japoneze “Asa'hi Shimbun”, me tirazh 12 milionësh, pra rekord botëror, në atë nivel, kur tha se ajo është rezultat i parashtrimit të fakteve e dokumenteve, që bëhen publike në atë gazetë, kurse lexuesve iu lehet privilegji të vlerësojnë dhe të pranojnë ose t’i refuzojnë ato, varësisht nga fuqia bindëse dhe dokumentuese, si edhe për të nxjerrë konkluzionet e për të krijuar opinionet e tyre.
Edhe shëtitja jote rend me rend, prej redaksie në redaksi, si gazetar e analist profesional, nuk mund të merret si totalisht e papranueshme, por flet sadopak edhe për ty si tepër individualist, për mos të thënë edhe grindavec e konfliktuoz, herë-herë në emër të principeve, individualitetit, dinjitetit dhe guximit profesional e njerëzor. Nuk bën ta harrosh porosinë nga fusha e të drejtave të njeriut: Të gjithë jemi të barabartë, por kjo është realative, sepse barazia dhe e drejta jonë merr fund në momentin që e cenon të drejtën, interesin dhe dinjitetin ose individualitetin e tjetrit.
Me vëmendje e kureshtje i dëgjova edhe fjalët lidhur me aktivitetin tënd politik dhe “kosovar” (në vend të atij “kombëtar”), sa i përket angazhimit në grupe e parti politike.
Deklarove se je mësuar të punosh “si treshe”, po ke vendosur të veprosh si individë, pa pasur si mburojë bodigardë e bosa (politikë dhe financiarë) të tjerë, dhe si i tillë e ndjen vetën më të fuqishëm, më të pavarur. Por, harron se vazhdimisht je sjellë, ose vazhdon të sillesh, si flutura rreth dritës, diku afër bosëve politikë e financiarë (pra afër të fuqishmëve përkah pushteti e paraja, apo afër eksponentëve të tyre), sepse ashtu e fiton bukën e gojës për vete e familjen, pasi nuk ke trashëguar e krijuar pasuri e kapital, sepse je marrë më gjëra të cilat i njeh dhe i çmon e i do më shumë, por që nuk sjellin para e fuqi.
Me një rast, pas një tribune, kur ta kam thënë sy me sy një fjali në formë sugjerimi lidhur me sjelljen tënde si moderator i saj, je skuqur dhe ke reaguar, si nuk të kishte ka hije, për shkak të vetes dhe të moshës time.
Ta shohim, si do të veprosh, kësaj here, kur e ke kutin dhe gërshërët në dorë, dhe kur dikush, më pak i guximshëm dhe i dijshëm se ti, provon të shfaq mendimin e tij për ty dhe punë e krijimtarinë tënde si gazetar, publicist e aktivist në fushën e politikës.
Me nderime, Zenun Rexhepi – Kabashi.
Komentoni
Artikuj te tjere
Ilir Dardani: Shqiptaret, ky komb pa dinjitet!
Fritz Radovani: Njeriu ka Fëtyrë... por, ka edhe...!
Shaban Peraj: Lapsi
Agron Tufa: Filozofia e furgonave
Asllan Dibrani: Mesazh për festën e flamurit, 28 Nëntorin...
Naser Aliu: Lukashenko ante portas!
Hysen Ibrahimi: E vetmja e drejtë e z. Edi Rama në Shqipëri duhet të jet vet drejtësia
Blerim Uka: “Prilli i thyer” në frëngjisht: Një gabim përkthimi ose pikpamjeje?
Rexhep Kastrati: Pas kuvendit të LDK-së
Andre de Nesnera: Analistët komentojnë mbi kredibilitetin e gjykatës së Hagës në çështjen e Karaxhiçit
Zef Ndrecaj: Vlorë , vjeshtë e tretë, 1912
Mexhid Yvejsi: Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë, Dita e Përgjegjësisë
Eduard M. Dilo: Dita e Shenjtë e Flamurit
Adnan Abrashi: Një ese si porosi, në Ditën e Flamurit
Sami Islami: ''Ne i fituam zgjedhjet!?''
Agim Vuniqi: Djathtizmi i deklaruar i spektrit politik kosovar është mashtrim-nuk ka djathtizëm pa Bashkim Kombëtar
Xhevat Rexhaj: Peza e Edi Ramës, zanzibari i Thaçit dhe M. Kusuri kinse e Gjakovës
Selim Hasanaj: A kanë shqipfolsit zot, cili asht ai?
Adnan Abrashi: Zgjedhje këto që do të mbahen mend?!
Ramiz Dërmaku: Shqipëria është zemra e trojeve shqiptare