E merkure, 01.05.2024, 01:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Poemth për qytetin tim...

E premte, 13.11.2009, 07:49 PM


Kristaq Turtulli

   Poemth për qytetin tim...

Te thuash qe kam mall,
Është pak, shumë pak,
O trëndafil me erë,
Në gji të maleve të lartë.
 
Të thuash që më mundon në ëndërr
Më regëtin në zemër,
Përsëri është pak, shumë pak,
O Paris i vogël, dritare e se nesërmes
Djepi i kulturës
Në Ballkanin e sertë dhe të zymtë.

Tek ty
çdo mëngjes e argjende vesë
Spërkat rrugët e kalldrëmta,
shtëpitë.
Çdo mbrëmje stolisesh me xhevahiret e yjeve.
Zemra ime rend atje, në kalldrëmet e pastra,
Ndjehem sikur endem nëpër galaktikë.

Të gjitha përrenjtë e mallit
Rrjedhin atje,
tek ty
Dhe krijojnë detin e madh të shpresës,
Për një ditë edhe më të mire.
O e papërsëritshmja,
E magjishmja
zonjë.

Qyteti im,
Shumë ngjarje, ndodhi ,
kane lënë gjurmë tek unë
arrakati,
rebeli,
shkrimtari,
i rrugicave të ngushta me kalldrëm.
Ku shqiptova për herë të parë fjalën nënë,
Ku dërmova gjunjët për tu ngritur në këmbë.
            
Qyteti i parë
i dijes dhe i dritës,
I shkollës së pare shqipe,
I liceut te pare.
Qyteti i karnavaleve dhe komitëve.
Qyteti i kangjellave,
Ballove tradicionale,
I Fisnikërisë dhe punëtorisë.

Qyteti i serenadave
vajzave te bukura,
me nazet e tyre si pupe.
U grisen këpucët ne ndjekje te tyre,
u dërmuan mollëzat e gishtërinjve,
u çmenden,
u këputën telat e kitarave.

Se shihni,
djallëzisht shkel syrin
Vjeshta e artë.
Frytin e mrekullueshëm hedh mbi të lodhurit nga dashuria.

Nuk ka dimër më magjiplotë
se tek ty,
prej qiellit pikojnë yje,
hëna qëndron diku tutje,
e  ti, stolisesh me rroba te bardha
kristalore,
si një nuse e re.
Peneli i Mios se madh
Krijon një perlë te re.

I moçmi,
Simboli,
Ushtari i panjohur me gunën e rende krahëve
Asnjëherë nuk tutet,
asnjëherë nuk resht.
Ai se bashku me Themistoklinë,
Male shaluar ne mbrojtje te qytetit, ata janë çdo mëngjes.

Diku ne memorien time
Shkundet një fletë e plurtë,
Vështrimin e trishtuar të babait
Shoh përmes rrjedhjes se harbuar te viteve,
Rrëkenë e lotëve te nxehte
të urtës,
se vuajturës,  
së ëmblës,
nënës.
Era grindej, kafshonte me dhembët e mprehtë,
shtynte me bërryla qoshet e rrugicave.
Shtëpitë,
tkurreshin , mblidheshin,
Por nuk ankoheshin.
Marramendja e dhembjes ndehur ne telin e marrëzisë,
U shtri familja ime
ne çimento, një nga një
Te mbërthyer nga kthetrat e zalise
Shtëpia e madhe ishte shkreti,
beteja e minjve kishte filluar.
Dhuna,
rrëmbimi i pasurisë,sakrificës qindravjeçare,
Burgosja,
vrasja
persekutimi.
Hapi i pare i çmendurisë.
Hëna skërmiste  dhembet e verdhë
Mbi shpinë të filantropisë.
Rrugicat u tkurren, u kërrusën,
Së thelli rënkuan,
por nuk nxorën zë.
Malet çapiteshin përqark
Me halle ngarkuar,
Si pleq të vonuar,
Mëhallët e botës ishin  futur në tehun e frikës.
Heshtën kitarat.
      
Befas, diku vonë dëgjohet një shuplakë.
E unë mbas dyzet e pesë vjetësh,
Përsëri,
nxitimthi tërheq kokën mënjanë.
Është pëllëmba e babait,
Qe fshikulloi ajrin pranë fytyrës sime,
Mbas kacafytjes sime me Markon komshiun,
I ati i tij bëri sekuestrimin, na mori kamjen, pasurinë, shtëpinë.
Babai nxinte, ishte furtunë,
Zuzar,- më tha.
Zihesh me vëllanë.
Me shau me thirri borgjez,
U ankova.
Por ne akoma, borgjeza jemi biro,
 fisnikë,
Paçka se ata na lanë
kothere dhe kripë.
 
Rrugicat e tua nuk ishin të ngushta,
Ato ishin bulevarde te gjera,
Mëhalla të mëdha,
te ëndrrave te mia.
Të përmbytura me trëndafila,
tulipanë dhe zambakë,
Piva një gllënjkë ujë tek burimi i të mençurit, gjeniut,
Spiro Konda.
Urimet e nënave dhe vështrimet e baballarëve ishin ngrohta.
Era e Moravës me përkëdhelte ballin
Dhe horizontet ishin të kaltra,
Ishte shpresa...

Ne çdo gur te rrugicave gjej miqtë e mi,
Të vdekurit dhe të gjallët,
Shpirti i tyre qëndron ndehur në ajër,
Në mbrojtje të qytetit
Parisit të vogël.
Punëtorë, artistë, poetë,
Një gotë vodkë thatë,
pa garniturë,
Tek qoshku pranë bibliotekës me erotikun Kliton,
Betoheshim se do të vdisnim nga dashuria.
Luanim kokat ngadalë,
Ndërkohë përtypnim ndonjë varg apo ndonjë fjalë
dhe kthenim gotën e dytë.
Ai tani shtatëdhjetë vjeçar bërtet,
Më erdhi koha për fejesë.
Dhe fap rrëkëllehet gota e tretë.
Koçon e matur,
Dy Skenderët e qetë,
Thanin e vrulleve te mëdha.
Ilirin qe u shkoi shpejt
Vrapoi,
kërkonte te kapte retë.

Erdhi Era e ndryshimeve të mëdha,
Politika na ndau, marrëzisht na armiqësoi,
Ne fantazistët e çiltër të fund shekullit të njëzetë.
Politikanët heshtazi, nën tavolinë,
 I afroi djalli,
Paraja,
Ndërsa ne haptazi, sërish engjëlli, arti, na bashkoi.
Dhe më pas...
Xhepa zbrazur,
 ikëm,u shpërndamë
si zogjtë shtegtarë nëpër botë...

Qyteti im...
Që çdo mëngjes zgjohesh nga flladi i freskët i maleve,
E çdo mbrëmje mbështet kryet ne jastëkun e fortë të tyre.
Qyteti i ëndrrave
Dashurive,
Puthjeve,
I gjenive
I ngritjes dhe uljes se idhujve,
Politikaneve  dhe qaramaneve,
Pijetarëve dhe kryeneçeve,
I tregtareve dhe zjarrmëtarëve.
I idealistëve dhe sharlatanëve,
Thashethemnajave,
I premtimeve,
Shpresave,
xhelozive.

Flakadan ne memorien time,
Korça ime.     


Kristaq Turtulli
Toronto  2009


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora