E diele, 28.04.2024, 12:26 AM (GMT+1)

Mendime

Kiço Blushi: Edhe njëherë mbi dumbabizmin ngadhënjimtar

E marte, 06.10.2009, 02:37 PM


Edhe njëherë mbi dumbabizmin ngadhënjimtar

Nga Kiço Blushi

Para afro tre pesëvjeçarësh kam pas botuar një përsiatje modeste për dukurinë krejt të pastudiuar, pse jo edhe të panjohur, të dumbabizmit shqiptar. Atëbotë nuk kam qenë në gjendje të hulumtoj mbi shkaqet dhe parimet e kësaj praktike të rëndomtë qeverisjeje që herë quhet revolucionare, herë reaksionare, sa ballkanike aq edhe shqiptare, sa e lashtë (d.m.th, e trashëguar), aq dhe e re…Si shumë idealistë të përkorë e të naivosur nga ideologjizimi i stërgjatë, edhe unë kam pas kujtuar se në demokraci dumbabizmi, si frymë dhe si zbatim, njëlloj si komunizmi, do të shkulej vetiu me rrënjë e me degë nga kjo tokë e lashtë, e shumëvuajtur, e mallkuar e gjithaq edhe e bekuar. Pas mirëseardhjes së demokracisë të gjithë besuam se iku njëherë e përgjithmonë koha e Dumbabëve! Por, a ka njeri sot që të thotë e të provojë se në shoqërinë tonë demokratike Dumbaba ka cofur, ka vdekur, ndaj nuk ka më shfaqje të dumbabizmit? Ndonëse u harrua Haxhi Qamili, i cili thirrej “Dum Babën!”, mund të thuhet se ai ka meritën historike që kjo “filozofi’ e lashtë drejtimi, e nakatosur herë me monarkizëm, herë me komunizëm e tash edhe me melhem demokracie, mori emrin dumbabizëm…Po çështja shtrohet: A nuk ka më sot shfaqje të dumbabizmit në hierarkinë tonë shtetërore?
Të gjithë pra, shqiptarë të këtushëm e të diasporës kemi pas shpresuar, prej dëshpërimit dhe prej zhgënjimit që buronte nga tejzgjatja e diktaturës, se vetëm vdekja natyrore e Dumbabës mund të na shpëtonte nga sundimi i tij; kurse në demokraci, hamendësonim (mesa duket gabimisht) se nuk ka kushte dhe as mundësi të lindin, të ngjallen e të mbijetojnë Dumbabët. Qytetarët e lirë (kështu besonim në vitet e para të demokracisë, apo jo?) nuk mund të pranojnë me “votë të lirë” apo, dava më mirë, me “një anëtar një votë”, ringjalljen e më pas sundimin e tyre; pakkush dyshonte se shqiptarët e lirë mund të thërresin përsëri: “E duam, e duam Dumbabën!”, le më të shkruajnë nëpër faqe malesh e gërxhesh: “Rroftë Sali Bollëku!”, sikundër bënin dikur, ca prej qejfit e ca prej hallit, në të flamosurën diktaturë…Por ja që Dumbabët shfaqen në jetën tonë njëherë si tragjedi, njëherë si komedi, por gjithherë si një fatkeqësi gati e pashmangshme kombëtare. Së këndejmi lind pyetja: A mund të quhet dumbabizmi një dukuri e pashmangshme, meqë gjallon e gjakon thuajse njëlloj edhe në diktaturë, edhe në demokraci, edhe në Shqipëri, pse jo, edhe në Kosovë?
E pra, kujt i shkonte ndërmend në vitet 1990 se do të na fanepseshin si në një ëndërr të keqe, edhe në demokraci, jo një, por disa Dumbabë të rinj, herë të djathtë e herë të majtë, të cilët, sapo zënë kryet e vendit ndihen po aq të pavdekshëm dhe po aq të pazëvendësueshëm sa pararendësit e tyre të diktaturës? Kush besonte asokohe dhe atëbotë në qytetin “Studenti” që edhe Dumbabët e demokracisë do të këmbëngulnin e do të luftonin të mbijetonin në pushtet me të njëjtat mjete dhe metoda, jo njëzet vjet, por: “sa t’u jepte ymër Allahu”?! Kush mund ta përfytyronte që përsëri do të zgjidheshin Dumbabë të rinj me mbi 90% të votave, pas premtimeve të pambajtura, me ca demek rivalë, njëlloj si manekinët që vihen e vendosen nëpër vitrina? A besonte kush se do të kishte, edhe pas diktaturës, qytetarë që do të duartrokisnin me yxhym, pa qenë të bindur, si dhe analistë të spikatur që do të mbronin e do të himnizonin pa pikë droje, madje edhe me entuziazëm, Dumbabët e rinj, duke i lavdëruar këta edhe pas një Gërdeci apo edhe pas një 1997-te, pa i kërcënuar kush paraprakisht me burgim apo internim nëpërmjet nenit famëkeq për agjitacion e propagandë?...A e mohon dot kush që sot edhe një Dumbabë i një partie të vogël, si p.sh, ai i PR-së, të jetë aq i paprekshëm dhe i pabarabartë përpara ligjit me qytetarët e rëndomtë, sa ç’ishin Dumbabët e diktaturës?...Këto pyetje janë jetime.
E pra, ndryshe nga dje që brohorisnim vetëm për një Dumbabë, sot ca thërresin “Rroftë Dumbaba!”, ca “Poshtë Dumbaba!” e kjo quhet politikë, demokraci, liri, pluralizëm, standard, shtet ligjor etj, etj…Po ku është ndryshimi mes atyre që brohorasin “rroftë” dhe atyre që ulërijnë “poshtë”? A nuk na vënë Dumbabët për qëllimet e tyre të mbrapshta, kundër njërit-tjetrit, duke bërë të harrojmë që jemi shqiptarë e të mos sillemi si qytetarë evropianë, derisa nuk e kuptojmë që s’kemi arsye të përçahemi e të sillemi si armiq? Mungesa e një ndryshimi bindës mes dy palëve “armiqësore”, mes të djathtëve dhe të majtëve, mes ca hiçëve të djeshëm dhe ca diçëve të sotëm, provon që tek ne Dumbabët jo vetëm janë të plotfuqishëm, por edhe lindin e zhvillohen pavarësisht nga sistemet, pavarësisht nga programet, sloganet, parullat e nga mënyra se si dhe për kë do të votojnë nesër qytetarët. Kështu, sa për kujtesë, një nga Dumbabët tanë më të spikatur ka pas thënë dikur: “Jeni ju (populli), pa jemi ne! (udhëheqësit)”. Mos kjo do të thotë se jemi ne ata që i pjellim dhe i rrisim Dumbabët me dashuri e përkushtim skllavëror, e, paskësaj, pas shembjes së tyre, natyrore apo të dhunshme, i mallkojmë?
Kam frikë se kësaj pyetjeje as vetë historiani Beqir nuk i përgjigjet dot!
***
Andaj ne, tekefundit, lipset ta pranojmë hapur se, për arsye të një mbivlerësimi naiv të vlerave të demokracisë dhe të mirë(vetë)funksionimit të mekanizmit të saj (të rrotacionit, pra nëpërmjet zgjedhjeve të përgjithshme, por edhe brenda partive), kush më shumë e kush më pak, të gjithë kemi pas shpresuar se nuk do të ketë asnjë mundësi të na sundojnë sërish e të mbijetojnë kaq gjatë në demokraci Dumbabë të rinj, herë të djathtë e herë të majtë…Përnjimend asokohe patëm pandehur se pas çrrënjosjes përfundimtare të komunizmit, bashkë me të do të zhdukej edhe dumbabizmi, ndërsa me analizën e tyre, nj’ashtu si me zbërthimin e marksizmit, fashizmit apo nacionalizmit do të merreshin historianët, akademikët, politologët e sociologët…Këta “analistë të pavarur” do të kishin kurajën dhe energjinë e mjaftueshme që të na zbulonin shkaqet se përse në truallin tonë patën lindur e sunduar kaq shumë e kaq shpesh Dumbabët!
Por ja që nuk ndodhi aspak kështu…Me dumbabizmin, si mënyrë qeverisje e drejtimi nuk merret kurrkush, as akademikët! E pra, ja që edhe në demokraci paska, njëlloj si në diktaturë, jo një, por disa Dumbabë. Tani mund të thuhet se kemi një pluralizëm të vërtetë Dumbabësh; e njëkohësisht, ashtu si e lyp liria e shprehjes dhe e mendimit (“e garantuar me ligj”), tani kemi të drejtë të shajmë sa të duam nëpër kafenera apo gazeta Dumbabën në fuqi, po vetëm kaq ama! Tani mund të shkruash në shtyp se filan Dumbabë është bërë më i pasuri i Ballkanit dhe se familja e tij zotëron prona e pasuri pafund dhe vetëm kaq! Se Dumbaba ka vënë nën kontroll të gjitha institucionet, edhe Drejtësinë dhe… vetëm kaq…Në të kundërt tani kemi edhe tekste historie, pra jo vetëm analiza të llojllojshme, që mbivlerësojnë e lartësojnë kontributin “historik” të Dumbabës në pushtet (sepse të vjetrit, ata që kanë vdekur, i shajmë!) që po na qeveris “nga fitorja në fitore”, që po lufton korrupsionin si askush, që na e solli demokracinë në pjatë, që na futi në NATO e që do të na pajisë së shpejti edhe me viza që ne…që ne të papunët e të pashpresët e lumtur të ikim lirisht e përfundimisht nga ky vend…
Pra, nëse Dumbabët e diktaturës të rrasnin në burg po t’i shaje, Dumbabët e demokracisë të lënë t’i biesh legenit sa të duash; nëse Dumbaba diktator nuk të linte të arratiseshe, Dumbaba demokrat bën çmos që të ikësh nga atdheu; nëse Dumbaba i diktaturës të shtypte e të shkelte me këmbë e nuk të linte as të qaje e as të ankoheshe, të sotmit të lenë të qash e të ankohesh sa të ngopesh…! Por ama në të dy rastet rezultati është i njëjtë: në krye kemi përsëri një Dumbabë që i vete pas jo vetëm historia, po edhe ne, delet e kopesë! Ndaj besoj se në këtë gjasme demokraci dumbabizmi është e vetmja ideologji sunduese dhe drejtuese, derisa ne drejtohemi nga dumbabizmi, sa kohë ka ndër ne jo pak që vazhdojnë të besojnë se pa aksh Dumbabë në krye të qeverisë apo të partisë nuk mund të ketë ka as parti, as fitore, as liri e as demokraci!
Në këtë kuptim besoj se nuk ka ndonjë dallim mes të qarave me oji për vdekjen e Enverit dhe klithmave të Nafijeve të Beratit “për unitet” me Dumbabën. Ky është një mjerim i frikshëm dhe i neveritshëm moral. Ja përse liria jonë ka pas qenë cung pasi ka mbetur peng i kësaj mendësie primitive e për këtë ne nuk kemi të drejtë t’i ankohemi apo t’i vëmë faj askurrkujt, natyrisht përveç vetes! Por e reja në demokraci qenkërka pikërisht në faktin se ndryshe nga koha e diktaturës, në demokraci mund të bashkëjetojnë njëkohësisht, por edhe të luftojnë mes vedi, jo vetëm një Dumbabë i vetëm që del dhe i shpall luftë ndërkombëtarëve, si bënte Hoxha vaktit, por disa Dumbabë që hakaten e duan me gjithë shpirt t’i hanë kokën njëri-tjetrit. Kjo është risia më e thekshme, por natyrisht jo e vetme, mes një Dumbabe demokrat dhe një Dumbabe diktator. Teksa Dumbabët e demokracisë janë puthadorë të neveritshëm të ndërkombëtarëve, ata janë po aq arrogantë e demagogë me njëri-tjetrin dhe me ne qytetarët, sa ç’ishin pararendësit e tyre, Dumbabët e diktaturës.
Risia tjetër është se lufta e ndërsjellë dhe pa kompromis mes Dumbabëve i jep kuptim dhe ngjyrim kinse demokratik jo vetëm sistemit të demokracisë, por edhe pluralizmit, duke krijuar kësisoj iluzionin optik se ne sot po jetojmë të lumtur e të lirë në një demokraci të vërtetë dhe vetëvepruese, ndonëse paksa “të brishtë”, për shkak të atij që quhet “tranzicion”, por ama kurrsesi jo për faj të Dumbabëve…Sepse Dumbabët, në çdo kohë e në çdo sistem janë demagogë të përkryer nga që ndihen të pagabueshëm dhe të pakontrollueshëm, por edhe të pagjykueshëm (natyrisht sa janë gjallë dhe sa janë në pushtet). Ndaj po ta vështrosh me vëmendje këtë dukuri, mund ta kuptosh se pikërisht për këto arsye themelore tek ne nuk ka e nuk mund të ketë as qasje e as përplasje platformash e programesh, alternativash dhe rivalësh, idesh dhe vizionesh. Në shoqërinë tonë nuk ka e nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme apo garë mes më të mirëve, por tifo militantësh të verbër e të blerë që hyjnë me bjeritibiem në një luftë pa kuptim mes Dumbabëve, qofshin demokratë apo socialistë, të cilët e duan fitoren vetjake me çdo çmim…
Në këtë zallamahi “demokratike” ka vetëm një rregull: kush hyn në mes të kësaj beteje bajlozësh do të asgjësohet, por ama kush mban anën e njërit apo tjetrit, edhe sikur të plagoset, edhe po të baltoset e të njolloset publikisht e moralisht, me siguri do të dalë një ditë i fituar, me “plaçkë lufte”!…Tashmë është provuar, me shumë shembuj, por edhe me zgjedhjet e fundit, se askush nuk bën dot karrierë e nuk vë dot pasuri e katandi pa qenë ndjekës i një Dumbabe! Pra, kush bëhet militant i flaktë dhe besnik i Dumbabës ai fiton imunitet, bëhet deputet, doganier, komisar, etj, d.m.th i paprekshëm nga ligjet, pra nga Drejtësia!
***
Tani e kuptoj që edhe unë kam pas qenë i gabuar kur dyshoja se dumbabizmi ishte një dukuri kalimtare dhe e përkohshme. Sepse në Shqipëri vetëm po të jesh shurdhmemec nuk e kupton dot se dumbabizmi jo vetëm që nuk është shkulur si dukuri, por ai vazhdon të sundojë jo vetëm në partitë e mëdha që na kanë qeverisur, po edhe në partitë e vogla që vazhdojnë të mbijetojnë nëpërmjet “aleancave” dhe flirteve…Pavarësisht nga dallimet mes një Dumbabe të madh e një të vogël, një Dumbabe në pushtet e një në opozitë, një Dumbabe të gjallë e një të vdekur, të gjithë kanë të njëjtat tipare, sepse të gjithë marshojnë drejt të njëjtit synim: të mos dorëzojnë kurrë fuqinë, pushtetin, autoritetin, d.m.th, partinë.
Sepse pa një parti nën hyqëm, një Dumbabë ndihet më i rrezikuar, më i dobët dhe më i poshtëruar se një lypës, apo edhe se një kriminel që ikën “në drejtim të paditur”. Ramiz Alia, p.sh, u rras në burg pasi dha dorëheqje, ndërsa Nano mbeti si sëpata pa bisht pasi dha dorëheqje nga partia…Këto dy shembuj, besoj, mjaftojnë për të kuptuar ç’është një Dumbabë që mbetet pa një parti “private”…A do të ishte sot Berisha një Dumbabë tipik dhe i suksesshëm, nëse do të kishte dorëzuar, bashkë me Presidencën, edhe partinë në vitin 1997? Kjo e bën situatën jo vetëm tejet të komplikuar, por edhe mjaft të vështirë për t’u shoshitur e zbërthyer me themel. Sepse dumbabizmi shqiptar mesa shihet nuk është një dukuri që ka lidhje organike vetëm me sistemin politik (derisa shfaqet edhe në diktaturë, edhe në demokraci, me të njëjtin efekt), dhe as me statutet, kushtetutat, a fizionominë e një partie; dumbabizmi, si një mënyrë efikase drejtimi nuk mund të shpjegohet vetëm me natyrën e etur për pushtet të pakufizuar të disa prej udhëheqësve tanë (si p.sh, Haxhi Qamili, Zogu, Enveri apo Saliu), po kryesisht me cilësitë e shoqërisë dhe të qytetarit, gjë që e bën dumbabizmin të jetë një dukuri me rrezatim mbarëkombëtar dhe, pse jo, edhe përmbihistorik.
Kjo do të thotë që nuk janë vetëm Dumbabët ata që e mbajnë gjallë dhe e trashëgojnë dumbabizmin nga një shekull te tjetri, nga një brez te tjetri, nga një sistem politik te tjetri, po edhe ne si qytetarë që për arsye ende të pashpjegueshme nga shkenca e socio-antropologjisë nuk shkëputemi dot prej kësaj dukurie, prej kësaj praktike dhe mendësie tipike shqiptare. Sepse në Ballkan e veçanërisht në Shqipëri, dumbabizmi i ka dhënë e po jep ngjyresë dhe formë të veçantë jo vetëm nacionalizmit e diktaturës, por edhe demokracisë.
Pikërisht për këtë arsye ne kemi mbetur më të fundit në procesin e integrimit për në BE!


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora