Shtesë » Shoqëria
Nxirre personalitetin nga valixhja
E diele, 23.09.2007, 05:40 PM
Minimaliste apo super e tepruar me gjërat që merr vete kur nisesh në një udhëtim. Nuk e dije? Bagazhet zbulojnë personalitetin tënd. Të përgatisësh valixhen kërkon kohë, hapësirë dhe organizim. Por jo gjithmonë këta elementë janë konstantë, sepse pikërisht valixhja mund të jetë një pasqyrë e karakterit tonë dhe e personalitetit. Prandaj duke e përgatitur mund të njohësh veten më shumë.
Ne po analizojmë disa stile të bagazheve ndër më zakonshmet. Duke i lexuar do të zbulosh se çfarë tip personaliteti fshihet pas atyre veprimeve.
Minimaliste – Bagazhi yt është i mbushur vetëm me gjërat e domosdoshme? Një valixhe e pambushur me rraqe dhe sende pa fund është sinonim i dëshirë të pashprehur për t’u dukur sa më mirë. personi që e përgatit valixhen në këtë mënyrë kërkon t’u komunikojë të tjerëve në mënyrë të pandërgjegjshme dëshirën për t’u pranuar për atë që është por pa e qenë e gatshme për t’u hapur ndaj eksperiencave të reja. Një përzgjedhje e tillë e sendeve brenda në valixhe dëshmon pikërisht për një person që kërkon të jetë i mbrojtur.
Super e tepruar – valixhja jote është gjithmonë mbushur me gjithfarë objektesh? Kjo mënyrë të sjelli reflekton një pasiguri të fortë. Shqetësimi yt kryesor është që të jesh e pëlqyer prej të gjithëve. Tregon dëshirën tënde për të qenë e dashur prej të tjerëve, por edhe dëshirën për të qenë e hapur ndaj eksperiencave të reja ndjekur, duke pranuar pa kushte edhe të gjitha ndryshimet që jeta mund të sjellë. Bëhet fjalë për një person gjithmonë në pritje të ndryshimeve të herëpashershme.
Mjekësore – një valixhe që rënkon nga ilaçet është një tregues i mirë të një raporti të vështirë me trupin. Nisja për udhëtim me një valixhe mbushur plot me medikamente mjekësore tregon për një person të trembur nga fiziku i vet. Fakti që kërkon të kesh me vete gjithmonë sendet që mund të të vijnë në ndihmë për çdo rast, nuk është një dëshirë për të qenë mirë, por një përpjekje për t’u siguruar që trupi yt nuk do të rebelohet dhe nuk do të të braktisë.
Ke sindromën e shtëpive portative, që të bën të mbushesh me çanta të stërmëdha edhe kur nisesh nëpër udhëtime të shkurtra? Kjo sjellje reflekton frikën e shkëputjes prej gjithçkaje që të rrethon në përditshmërinë tënde dhe të jep siguri. Ndoshta që në vogëli ke mësuar që ta konsiderosh botën jashtë si diçka të rrezikshme, kurse shtëpinë si të vetmin vend të sigurt dhe të mbrojtur.
Dhe në fund, disa këshilla për ta përgatitur valixhen në mënyrë praktike të shpejtë dhe të rregullt.
1. Në fillim vendosen këpucët, secila palë e futur në qese dhe larg nga njëra-tjetra vendosen në fundin e valixhes.
2. Më pas mbushen hapësirat e mbetura me bluza, veshjet intime deri në nivelin e parë.
3. Vendos fundet dhe pantallonat duke i palosur sipas përmasave të valixhes. Nëse valixhja është e ngushtë, më mirë palosi pantallonat duke i rrotulluar rreth vetes. Do të rruajnë vizën e hekurosur pa e prishur.
4. Xhaketat duhen vendosur në profil, një shpatull mbi tjetrën, me astar së jashtmi.
5. Në shtresën e sipërme vendos veshjet më delikate: këmisha dhe fustane mbrëmjesh. 6. në fund për t’u mbrojtur nga gjithçka vendos rrobat e gjumit.
7. Çorapet, rripat dhe çingërrimat e tjera vendosen nëpër vendet e ngelura bosh, në mënyrë që sendet e vendosura në valixhe të mos spostohen pasi ajo të jetë mbyllur.