Radovani: Kupa e artë për katoliçeskaja banda
| E Shtune, 26.11.2016, 07:00 PM |

KUPA  E  ARTË  PËR “KATOLIÇESKAJA  BANDA”

Nga Fritz RADOVANI

25 NANDOR 1946 – 2016... 70 VJETORI I PUSHKATIMIT !

Ata janë gurtë e thëmelit të Atdheut që nuk vdiqën por u gurosën e, prap sot, na mësojnë si Atë ditë kur lane me Gjakun e Tyne të Shenjtë Tokën Shqiptare!

Dardania Heroike Shqiptare asnjëherë nuk u pajtue me robninë sllavokomuniste, po luftoi e derdhi Gjak per Liri. Emnat e shumë Atdhetarëve mbetën të pashlyeshëm  nga: Prof. Ymer Berisha, Ndue Përlleshi, Mehmet Gradica, Met Dini, Adem Shala, Gjok Dom Gjoni, Pjetër Toma, Shaban Polluzha, Bajraktari i Llaushës,.... deri tek Adem Jashari me far’e fis i ditëve tona. Historia e Tyne asht një libër mija faqesh i shkruem me Gjak!

Urdhni i Titos duhej zbatue! Partia Komuniste Jugosllave kontrollonte edhe Shqipninë e robnueme prej tyne. Enver Hoxha, Fadil Hoxha, Omer Nishani, Mehmet Shehu, etj., zbatonin urdhnat e Dushan Mugoshës, që vazhdonte me vra barbarisht Shqiptarë...

Në dhjetorin e vitit 1945, u krijue Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar, pra NDSH për Kosovën me kryetar Prof. Hajdar Pllaneja, profesor i Gjimnazit Prizrenit, mik i Mit-hat Frashërit, Kol Parubit, Gjergj Martinit, Muhamet Vokshit dhe mbasardhës i denjë i prof. Ymer Berishës. Marsel Vuçaj vepronte në Pejë ku ishte famullitar At Bernardin Llupi. Humbjet në njerëz nuk llogaritën. Ndonse, Maria Shllaku, luftare e zjarrtë nga Shkodra, ishte arrestue që në shtator të 1945, OZN-a e formoi grupin e “armiqve të popullit”, tue i akuzue ashtu si të gjitha “demokracitë popullore” njerëzit që donte me zhdukë, me faj e pafaj tue i veshë me nenët 3 pika 3 pika 1, neni 3 pika 7 e 12, neni ...“ i tradhtisë ndaj Atdheut dhe e bashkpunimit në grup për rrëzimin e pushtetit popullor me dhunë, agjenta e spijunë të ...etj. etj.”, akuza fallse si gjithmonë në sistemet komuniste totalitare. Një pjesë Shqiptarësh i nisën per Tivar, me Ramiz Alinë e i zhdukën...

Në grupin e Prizrenit përfshihën: Maria Shllaku, At Bernardin Llupi OFM, Kol Parubi, Gjergj Martini, Marsel Vuçaj, Isa Cavolli, Masar Begolli, Hamza Begolli, Jusuf Haxhiymeri, Mehmet Vokshi, Viktor Gashi, Frano Civlaku, Jak Krasniqi, Osman Basha, Skender Rizaj, Engjëll Berisha, Shefqet Kelmendi, Ramiz Kelmendi, Kamber Pajaziti, Sebë Mateja, Jak Shahini, Gita Mjeda, Luçije Leka, Sebë Kola, Miftar Bala, Binak Dema dhe Gjergj Deda. Dosja asht e cungueme e jo e saktë. Megjithate, pjesa që na intereson për ketë shkrim del edhe nga kujtimet e bashkvuejtësve të shumtë të asaj ngjarje. Kryesisht jam ndihmue per këte material nga bashkvuejtësi Sheuqet Kelmendi (1995).

Gjyqi i montuem sllavotitist vendosi: Maria Shllaku 24 vjeç, At Bernardin Llupi 60 vjeç, Kol Parubi 40  vjeç dhe Gjergj Martini 29 vjeç, u dënuen me vdekje me pushkatim. Vendimi u zbatue me datën 25 Nandor 1946, në të dalun të dritës në Prizren...

Sa u hap dera nga rojet jugosllave, At Llupi pa ju trembë syni, tha: “Gjergj e Kolë, ejani të shkojmë krenarë, lé ta shohin këta se nuk ia kemi frikën plumbit! Duhet të jemi të lumtun se po vdesim për idealet e Kombit!”.

“VDEKJA SI  KJO, VDEKJA PËR SHQIPTARIZËM,

ASHT KUPË E ARTË!.. RRNOFTË SHQIPNIA!”

Këto ishin fjalët e Fratit At Bernardin Llupi para plutonit pushkatimit!

E, mbas të shtimëve të automatikut, At Llupi kishte mbetë në kambë edhe pse zhguni i panjollë ishte la me gjakun e Atij Martiri... Ai thirri edhe njëherë: “Rrnoftë Shqipnia!” ...Xhullinjtë Ju afruen dhe vazhduen me shti mbi Té, derisa Frati Shkodranë u shtri mbi Tokën Nanë Shqiptare...të Prizrenit robnuem!

Vazhdoi Mësuesi Gjergj Martini: “Lamtumirë vëllazën! Tregoni Botës mbarë se Kosova e Shqipnia ka trima, që japin jetën për vatan dhe, nuk ka asnjë armik që na tremb!

Shqiptari nuk përkulët kurrë!”.

Prof. Kol Parubi me një za të lehtë siç fliste Ai, u tha: “Lamtumirë vëllazën, Amanet vajzën. Rrnoftë Kombi ynë Shqiptar, rrnoftë Shqipnia!”.

U ndigjue zani i Maria Shllakut, Ajo nuk doli nga qelia pa i dhanë fund kangës së trimit maleve Ymer Berisha...At Llupi i tha: “Të lumtë, o bylbyli i shqiptarizmës! Lé ta marrin vesh Bota si shkon me vdekë femna Shqiptare...me kangë në gojë!”...

Maria u përgjegjë: “Rrnoftë Shqipnia e Madhe! Rrnoftë bashkimi i Shqiptarëve!”.

***

Në këte 70 vjetor të pushkatimit të Këtyne Atdhetarëve Trima, pa asnjë hezitim duhet ruejt naltë figura e simbolit Lirisë së Dardanisë Ibrahim Rrugovës dhe, e të gjithë Atyne Martirve që punuen e vdiqën si me lé për Atdhé e përparim!

Amaneti i tyne duhet të bahet udhërrëfyesi i gjithë Rinisë Shqiptare!


Melbourne, 24 Nandor 2016.

(Vota: 14 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: