Fritz Radovani: Ndotje nga Semani
| E Enjte, 20.10.2016, 08:33 PM |

NDOTJE  NGA “SEMANI”...

Nga Fritz RADOVANI

1946...

A E DINI SE EDHE “SEMANI” KA DOSJE ?!

KERKONI N’ ARKIV TË MINISTRISË SË MBRENDSHME NË TIRANË...

DOSJEN E “SEMANIT”...

Emni i këtij lumi të pistë njihet nga viti 1946 – 47 , kur permbyti qytetin e Shkodres!

Ujët i tij i flliqtë ka permbytë pak kohë perpara Beratin, e mandej, mori mbarë tokat e brigjet e Adriatikut, derisa u perplas per shkambin e Rozafës... Ai nuk njeh asgja perveç damtimit, vdekjeve dhe zhdukjes së kufomave pa ju dijtë as emni...

Nga gjamët e tij 70 vjeçare, kudo ku ka kalue ka shkretnue e vorfnue shka i doli para!

Pa lè njerzit rrezikzezë që mori në qafë, po deri edhe bagëti e shpend që i mbyti me atë ujë të turbulltë, që të shtin tmerrin kur e sheh tue u perplasë per brigje...

Dallga e tij e ndytë vetem mjerim ka sjellë ku ka kalue...

Semani asht edhe vrasës e gropues i shumë objekteve që ka zhdukë si mos t’ ishin...

E shihni foton naltë ? Kushedi sa viktima asht e zhdukun nen atë ranë e zallishta!..

Shikojeni mirë dhe mendoni shka ban Semani kur del nga shtrati i tij... Mjer ata njerëz e mjer ajo Rini Shkodrane, që pat rrezik me u zhytë pa shpresë nen llomin e atij ujë!

I mori e i plandosi nder ato qeli prej kah nuk e pane ma me sy driten e Diellit...

T’ uritun, të çveshun, t’ etun per ujë dhe të masakruem e të gjakosun, të torturuem dhe tue ecë rrëshanë bashkë me ujin e Semanit... Ma në fund, mërrijten me na kujtue pak fletë të lavdishme të Historisë sonë të permbytun, po të shkrueme me Gjak Herojsh!

***

Ishte bash ajo Rini Shkodrane që pa dallim Feje këndonte Hymnin e Shqipnisë së 1913:

Porsi fleta e Ejllit të Zotit

Po rreh Flamuri i Shqipnisë

E thrret t’bijtë e Kastriotit

Me u mbledhë tòk ndër çetë t’ushtrisë.

Bini Toskë, ju bini Gegë,

Si dy rrfé, që shkojnë tue djegë!

A ngadhnjyes a t’gjithë Dëshmorë,

Trima mbrendë! Me dorë, me dorë!....

E, në shenjë vllaznimi mes muslimanëve dhe katolikëve, Autori do të lidhte me një kordon dritash Kishen e Fretenve me minaren e Xhamisëe së Fushës së Çelës...

Ishte po, Frati i Zadrimës, bash i asaj shtëpije që sot po shembet, që i shkruen Mikut të vet At Palë Dodës, me 16 Shtator 1922 sa vijon: “Ndërkaq vizita eme në Washington pati për rezultat njohjen e Shqipnisë nga ana e Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të qeverisë sonë dhe të “Vatrës” mbetën pa ndonji përfundim të mirë. Unë pata sukses. Kjo u ba me nji ndërhymje të Senatorve katolikë, të cilëve ua parashtrova çështjen, sidomos nga aspekti fetar, që qeveria amerikane u shty me e njoftë zyrtarisht Shqipninë.” (Telegram i derguem nga Parisi, në Kuvendin Françeskan 1922).

***

1946... SHKODRA E 26 BURGJEVE...

“Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100  (njëqint) konviktorë nga Jugu”. (Arkivi M.M.Tiranë).

Me këto fjalë i drejtohet Ministrit të Mbrendshëm kryetari i Degës së Mbrendshme të Shkodrës, i porsa ardhuni krimineli i njohun Hilmi Seiti.

E, pikrisht, me këta 100 bisha t’egra erdhi në Shkoder dhe agjenti i vjeter “SEMANI”.

“SEMANI” asht pseudonomi i kriminelit të Sigurimit të Shtetit NASHO JORGAQI.

U mbaruen të gjallët.., e SEMANI, po rikthehet me “Rilindjen” prap nga të vdekunit...

***

Do ta mbylli këte shkrim me thanjen e Prof. Nderuem z. Aurel Plasari:

“Mos t’i japim Fishtës vendin që i takon, por t’i kthejmë historisë së letersisë atë çka i mungon, do të thoja që tek Panteoni i patriotëve dhe intelektualëve tanë më të shquar, të cilin e përfytyroj me trajtën e një kurore të ngjizur nga dy krahë hiperbolash konvergjente asemtotike, ku gurët e vyer janë vendosur dy e nga dy deri sa arrijnë e bashkohen atje ku vetëm një vend kulmor është bosh, atje i takon të vendosët Margaritari Patër Fishtë !”


Melbourne, Tetor 2016.

(Vota: 21 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: