Fritz Radovani: Shqipnia, inkuzicioni dhe gjenocidi
| E Shtune, 08.10.2016, 02:17 PM |

Nga Fritz RADOVANI:

SHQIPNIA

INKUIZICIONI  DHE  GJENOCIDI

Shkodra

“Aty si tash para se me ardhë fiset

ishe

me tambël në plasaritjen e currave

e me themele në ujin e njelmë.

Të dhanë vetëm nji emën: SHKODRA.

E të thirrën qytet me kunora

e të hodhën përkrye gur

e hekurat e para.”

Martin CAMAJ.

Nuk kishim mësue endè ndër shkolla alfabetin dhe as autorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, kur mësuesit e “shkollës së re” në vitet e para të “çlirimit”, “kur patën hy këta”... mbas 1944, na treguen kuptimin e fjalës së huej “inkuizicion”. Në Fjalorin e Gjuhës së sotme Shqipe, botim i Akademisë së Shkencave RPSSH, fq.722, Tiranë 1980, shkruhet: “Inkuizicion – Organizatë terroriste policore e gjyqësore e kishës katolike, e themeluar në shekullin e XIII, që ndiqte, burgoste e zhdukte mizorisht njerëzit përparimtarë...”.

Mbas 700 vjetësh, për 50 vjet rresht në Shqipni në gjysmën e dytë të shek. XX, kemi “besue” se çdo klerik, ipeshkëv, prift, frat e murgeshë asht “inkuizitor”, ose siç shpjegon fjalori po aty: “inkuizitor – Gjykatës i inkuizicionit... Ai që vepron mizorisht kundër një tjetri, ai që e mundon dike me qellim dhe i shkakton vuajtje të mëdha; gjykatës mizor e i pamëshirshëm...” pra, çdo shqiptar, simbas këtij përkufizimi, kështu duhej të mendonte për Klerin Katolik Shqiptar, inteligjencën katolike dhe të gjithë ata që simpatizonin ate, ose kishin mësue ndër bankat e shkollave të tyne, që ishin të parat shkolla në vendin tonë, edhe pse dyert i kishin të hapuna edhe për muslimanë e ortodoksë Shqiptarë.

Mbas themelimit të Shtetit Shqiptar në vitin 1912, qeveritë Shqiptare janë drejtue nga këta 36 Kryeministra: Ismail Bej Qemali, Myfid Bej Libohova, Fejzi Alizoti, Turham Përmeti, Esat Pashë Toptani, Sulejman Delvina, Iljas Vrioni, Pandeli Vangjeli, Qazim Koculi, Hasan Prishtina, Omer Vrioni, Xhaferr Ypi, Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci, Fan Noli, Koço Kota, Mithat Frashëri, Mustafa Kruja, Eqrem Libohova, Maliq Bushati, Ibrahim Biçaku, Mehdi Frashëri, Rexhep Mitrovica, Fiqeri Dine, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Fatos Nano, Ylli Bufi, Vilson Ahmeti, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Ilir Meta, Sali Berisha dhe Edi Rama.

Se, cili ishte “inkuizitor” nder këta, ua la në kompetencë “dr. Prof. e akademikëve”!

Se, cili ushtroi Gjenocid në Shqipni, “nuk ka nevojë per akademikë as profesora”!

Mbi bazën parimit të inkuizicionit në vitin 1941, shovenistët jugosllavë të instruktuem nga Rusia staliniste erdhën e  themeluen Partinë Komuniste Shqiptare, tue vue në krye të saj karrieristin fanatik, anadollakun Enver Hoxha. Që ditën e parë të themelimit të saj kjo parti tregoi karakterin e vet inkuizitor ndaj elementit katolik, tue përjashtue nga drejtimi i saj edhe komunistët e vitit 1936 të grupit të Shkodrës, kryesue nga Zef Mala. Në vitin 1942 Enver Hoxha vret edhe komunistin Qemal Stafa, ish student në gjimnazin e Shkodres, të po atij qyteti që konsiderohej reaksionar. E shpejtë edhe Vasil Shanton.

Në luftën për pushtet eleminohet nga kjo parti pothuej krejtësisht elementi katolik, përveç disa spijunve, që deri “një ditë”, i kanë sherbye Sigurimit të Shtetit dhe organeve të diktaturës komuniste. Listat e tyne ruhen në Arkivin e Ministrisë së Mbrendshme.

Inkuizicioni komunist në Shqipni, merr trajtën e tij të veçantë nga vendet tjera të Lindjes komuniste europjane për vet faktin e kushteve historike të vendit tonë, që trashigoi nga e kaluemja jo e largët e pushtimit turk edhe barbarizmin fanatik anadollak, të cilin e dëshmon në Shkodër që në vitin 1945, prania e “Seksionit Katolik pranë Degës së Punëve të Mbrendëshme”, organi i jashtligjshëm ma terrorist i komunizmit që asht drejtue gjithnjë nga oficerë anadollakë filosllavë e kriminelë të zgjedhun në të gjithë Shqipninë për këte qellim nga vetë tiranët Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia.

Ja si shprehet At K. Gjolaj për këtë akt antiligjor diktatorial në librin “Çinarët” : “Ky Seksion Katolik shyqyr që asht kenë formue, mbasi nuk len kurrkend me kundërshtue se Enver Hoxha me Sigurimin e Shtetit ka krye GENOCID MBI POPULLSINE KATOLIKE Shqiptare, sepse edhe ai vetë ka kenë KRIMINEL ANADOLLAK.” Fq.93.

Per “Inkuizicion” nga Kleri Katolik Shqiptar, deri sot nuk e njoh as nuk e kam ndigjue!

Do të theksoj një vlerësim që ka ba Prof. Sami Repishti, i cili ka thanë: ”Shqiptarët katolikë janë përpjekë për shekuj me radhë të sjellin në Shqipni frymën civilizuese të Evropës, mendjet e ndrituna të kontinentit, arritjet e pakrahasueshme në fushën e mendimit njerëzor, të krijimtarisë letrare artistike, të shkencës e të teknologjisë dhe të organizimit politik të shtetit modern, që siguron zhvillimin e përparimin e njeriut të lirë”(Përshëndetje në përurimin e Kishës Shqiptare në Harstdale, N Y, 25 prill 1999).

Po Enver Hoxha, si mendonte: “...meqenëse katoliçizmi shqiptar, dhe në veçansi kleri, ishin pengesa më e madhe për triumfin e komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje për t’i shpartalluar ata.”E.H.Selected Works, V.I, fq.438, 1974).

Ndërsa, dijetari At Zef Valentini S.J., thotë: “Tue kenë të kulturuem me arsim të ngritun katolikët shqiptarë gjithmonë u patën ngjallë zili disave. Vrasësi antikatolik Hoxha e pranonte këte tue i ba nderë katoliçizmit, dhe në veçanti klerikve, që ishin pengesa ma e madhe për triumfin e komunizmit.” (Romë 1954).

Mbas vitit 1944 ky inkuizicion merr të gjitha tiparet ma të rrepta të Gjenocidit, i cili përcaktohet kështu, po në Fjalorin e Gjuhës së sotme Shqipe, fq 610: “Gjenocid – Shfarosje e plotë a e pjesëshme e një popullsie ose e grupeve të veçanta kombëtare...”, gja e cila asht në përputhje të plotë me veprimet e komunistëve të kryeme në Shqipninë Veriore, ose ma saktë, në Shkoder dhe rreth saj ndaj popullsisë katolike Shqiptare.

Si inkuizicioni, ashtusi edhe Gjenocidi komunist në Shqipni, përfshijnë jo vetëm të gjallët, po edhe të vdekunit, madje, edhe varrezat e Tyne, që prishen, plaçkiten deri unazat e ipeshkvijve dhe treten në Drinazë Eshtnat e të vdekunve…tue fillue nga Kisha Katedrale e Shkodres, Kisha e Françeskane, Kisha e Zojës brinjë Kalasë, Kisha e Jezuitëve etj. Një vepër me të vërtetë makabre e shekullit XX në qytetin brinjë Rozafës.

Nga ky Gjenocid u zhdukën Kisha, kuvende, biblioteka, muzeume, vepra arti, kulture, shkolla, gjimnaze e seminare, shtypshkronja, Xhamia, e çdo gja që i jepte Shkodrës pamjen me fëtyrën e vërtetë të kulturës Europjane Përendimore përparimtare. Vetem hudhja n’erë e Kishës së Vaut të Dejës nga Fadil Ymeri, flet per të gjitha krimet Fetare!

Në këte kuadër të mnershëm rrënimi e shpartallimi para të cilit sfokohet edhe vepra “Ditët e fundit të Pompeut”, përfshihet edhe figura e madhe Atdhetare dhe fetare shkodrane e Argjipeshkvit të Shkodrës, Imzot Lazër Mjedja, i vdekun në vitin 1935, i varrosun në Kishën Katedrale dhe i çvarrosun në vitin 1967, kur ajo Kishë u kthye në pallat sporti. Çvarroset themeluesi i Shoqnisë “Bashkimi”(1899) Imz. Preng Doçi, shoqni Atdhetare kulturore, per të cilen i madhi Luigj Gurakuqi tha: “Ajo ishte një akademi!”, randsia e së cilës nuk mund të përmblidhet në pak rreshta, dhe Eshtnat e bekueme të Atij që e themeloi i treten...i treten...nga ai varr i Atij Burri, që mbarë Toka Shqiptare e vajtoi ata vite...vdekjen dhe humbjen e Tij. Shqipnia sundohej nga një qeveri hijenash!

Imzot Lazër Mjedja i përket asaj “Epoke të Artë” të fillimit të Shek.XX, kur në Shkoder Kleri Katolik Shqiptar, inteligjenca, tregtia, politika, arti, kultura dhe zhvillimi i mendimit europjan përparimtar me një guxim e vetmohim të posaçem arrijnë në ato pika kulminante të historisë së Shqipnisë, që nuk mund të përsëritën kurrma!

Kolosët Atdhetarë, klerikët dijetarë, poetët, letrarët, intelektualët, politikanët etj., të një ideali të naltë per “Atdhé e Fé”, lanë gjurmët e pashlyeshme në themelet e Shtetit të porsaformuem Shqiptar. Kontributi i Klerit Katolik asht aq i madh dhe i vyeshëm, sa Historia e Shqipnisë nuk ka me mujtë kurrë me i dedikue kapitujt e merituem të Tij, mbasi në Historinë tonë të shkrueme asht hjedhë aq shumë baltë, shpifje, fallsifikime, shtremnime, përdhosje, urrejtje, intriga, hakmarrje, fanatizëm, gënjeshtra e zmadhime të pavërteta, sa duhën vite e vite të tana me spastrue çdo rresht të shkruem të saj si dhe mentalitetin e çdo historiani që do të shkruej, nga ideologjia fallse marksite leniniste, sllavo – aziatiko komuniste bolshevike apo filogreke e filoitaliane e tashti edhe filoturke.

Po mbushën plot 100 vjet që endè nuk asht botue në Shqipni dokumenti origjinal i Pavarësisë së Shqipnisë në Vlonë me 28 Nandor 1912, sepse gjysma e Atyne Atdhetarëve u quejtën për 65 vjet “tradhtarë”...nga pseudohistorianët tanë. Ndersa, per Don Nikoll Kaçorrin e Gurakuqin me shokë, po punohet me i “dyllosë në Arkivin e Harresës”!

Pak kush njeh aktivitetin e Bajram Currit, Mark Kakarriqit, Gjelosh Lulit, Kolë Mirakaj...

Askush nga Shqiptarët nuk njeh aktivitetin Atdhetar të Ipeshkvijve Lazër Mjedja, Luigj Bumçit, Preng Doçi, Jak Serreqi, Vinçenc Prennushi, Klerikëve: Gjergj Fishta, Mati Prennushi, Buon Gjeçaj, Ndre Mjedja, Loro Caka, Lazër Shantoja, Gjon e Nikollë Gazulli, Anton Harapi, Palë Dodaj, Çiprian Nika, Nikoll Mazrreku, Pjetër Mëshkalla, Marjan Prela, Justin Rrota, Kolec Prennushi dhe të rreshtit të pafund të Burrneshave e Burrave të Malësisë Madhe, Hotit e Grudës dhe të Dukagjinit, Shllakut, Mirditës, Pukës, Lezhës e Matit, që ishin forca morale, shpirtnore  e parzmorja e mbrojtjes së Atdheut.

Si duhet ti themi “zhdukjes” së këtyne Emnave, Inkuizicion apo Gjenocid ?!

“Vorri i t’ huejve a këtune! Bertet”, shkruente i Madhi Mjedja... për Malësorin tonë!

“Po mos të ishte mendimi gjenial i Imzot Lazër Mjedjës për veprimet tona të vitit 1911, në lidhje me Dedë Gjo’Lulin e Burrat e Hotit, kurrë nuk do të formohej Shqipnia...” ka thanë At Mati Prennushi në vitin 1941, në festen e katundit të Dajçit të Bregut të Bunës. (Dëshmi gojore e Prof. Gaspër Ugashit rreth vitit 1962).

Per “Inkuizicionin në Shqipni” asht mirë me shkrue “italianët komunistë” që kanë ruejtë në Tiranë “revolverin me të cilin u vra Mussolini”.., deri mbas vitit 1992.

Tue shfletue materialet e pakta dhe të sakta historike, mendoj se, duhet vu një Gur në themelin e atij lapidari që koha ka me ngritë tue fillue me Heroin Rin Monajka, e tue shpresue këte edhe per Don Simon Jubanin, Vrasjet nder kufinjë...dhe “Hapjen e Dosjes së 2 Prillit 1991”... në një të ardhme jo fort larg! Historia ynë fillon me Gjenocidin!

Mos harroni se çdo Prift tue fillue nga gjermani Don Alfons Tracki, shpetoi nga vrasja e fashistëve e nazistëve “një komunist”, dhe sejcili prej tyne...ka vra një Klerik Katolik !

Ky ishte “fanderimi, mirnjohja dhe shperblimi i tyne!”

Vetem Hapja e Dosjeve nxjerrë në shesh të Vertetën!


Melbourne, Tetor 2016.

(Vota: 9 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: