Fritz Radovani: Ora e Maleve, 4 gusht 1923
| E Diel, 19.06.2016, 07:07 PM |

“ORA  E  MALEVE”:  4 GUSHT 1923

Viti I, Shkoder, e Shtunë, nr. 17...

Nga Fritz RADOVANI

GREQIA KËRCËNON SHQIPTARËT E ÇAMËRISË

Lexojmë në fletorën greke “Patris”, se Qeverria e Athinës ka dhanë nji vëndim që do të dergojë në Epir nji Komision, - të cilit do ti epët forca diktatoriale, - me qellim që me çue ndër ata vise nënshtetasit grekë që kanë pasë ikë prej Azisë së Vogël, në kohën e luftës që ka kenë zhvillue mes Angorës e Greqisë.

...Lajmi i të përbartunit prej krahinës së Çamërisë, bash në atë pjesë krahine thjeshtë Shqiptare që Europa e qytetnueme e ka pa me vend me e shkëputë nga trupi i përgjithëshem i Atdheut tonë, tue shkelë kështu, të drejtat tona Kombëtare...Qeverria Greke mësa shihët e ka qitë cekën me ndjekë pikëpërpikë sistemin e Mbretnisë Otomane, përsa i përket elementave të ndryshëm që banojnë në qytete e fshatra të pushtueme me forcën e armëve e me pelqimin e Evropës; e këte sistem barbar do me e ndjekë me qellim që me i elenizue nji orë e maparë krahinat e pushtueme pa asnji të drejtë ligjore, tue i shporrun prej aty ata elementa prej të cilëve nuk mund të presin, nuk po thomi bashpunim, po në mostjetër nji të nënshtruem të plotë e të qetë të sundimit të sajë dhe nji mohim të vërtetë të ndjesive kombëtare.

Për me ia mërritë këtij qellimi...që nuk përkon me asnji nga parimet e qytetnimit që shpallën nga Shtetet Ballkanike me propozime të neveritëshme, Qeverria greke asht tue përhapë lajme krejtë të rrejshme, lajme të cilat prej Evropës bujare merrën si të vërteta, pa u përkujdesë fare me shqyrtue burimin e tyne e fillin e mësheftë që mundën me pasë.

Tregojmë se ditët e fundit asht hapë fjala nga Preveza, se në Çamërinë e pushtueme prej grekëve kanë ndollë disa vrasje, të cilat kanë sjellë turbullina. Ky lajm i rrejshëm ka dy qellime, njeni ma i dobët dhe ma i turpshëm se tjetri. Qellimi i parë asht me skreditue atje Shqiptarët faqe Evropës së qytetnueme, tue na paraqitë si njerëz gjakësorë, barbar, njerëz që nuk i bindën ligjve shtetnore; dhe i dyti qellim asht me frigue me gjithfarë mënyrash Shqiptarët që banojnë në Çamëri, me mujtë me këta mjete të liga me i detyrue sa ma shpejtë me ikë nga ajo krahinë dhe, t’ikmën me ju konfiskue pasuninë për me ia shpërnda shtetasve të vet, që do të sjellin ndër ata vise, të cilët sot janë në vorfninë ma të madhe.

Përfaqësuesi i Shqipnisë n’ Athinë, tue parapa dy qellimet e dobëta të Qeverrisë greke, që ajo ka pasë me përhapjen e këtyne lajmëve të rrejshme, ka protestue me rrebtësi tek Kryeministri, z.Gonatas; por, si zakonisht protestave tona nuk i epët fare rendësi, si dihët edhe nga të interesuemit se Shtetet e Mëdha të Evropës, nuk kujdesën fare për të mbrojtë të drejtat e Popullit Shqiptar, t’ Atij Popull që së fundi ka të drejtë me jetue si çdo popull tjetër.

Shtetet Ballkanike e quejnë të egër Popullin Shqiptar; ndonse, na nuk mund të thomi se në mes të Popullit tonë shkëlqen dija e qytetnimi i vërtetë, mund të dëshmojmë me fakte në dorë se egërsia e ndjekun nga ana e disa shtetëve fqinjë ndër visët e pushtueme prej tyne në Shqipni, asht kenë, e ndoshta, asht edhe sot aq e randë, e mënershme, sa Populli ynë me pasë kenë i lirë me vëprue, nuk kishte mujtë kurrë me ba ata barbarizma që shkapërcejnë çdo ndjesi njerëzore e bujare.

Asht koha që egërsinat me u zhdukë njiherë e përgjithmonë nga faqja e Evropës, tue mendue se sot popujt nuk mund të sundohën nga egërsinat, të cilët janë mohimi i pakundërshtueshëm i qytetnimit dhe i përparimit, sëpse sot, simbas parimëve shkencore e qytetare që ndiqën në gjithë botën e qytetnueme, nuk mund të përdorën popujt si kafshë mbi të cilët sundimtarët mund të kenë të drejtë me shfrye egërsinë e vet, sikur, popujt t’ishin frymorë pashqisa.

Përveç kësaj dhune të turpëshme që Evropa, pikërisht në shek. e XX guxoi me i ba nji Populli të vogël po, por kreshnik, nji Populli që kërkon e lypë respektimin e të drejtave të veta Kombëtare, të mbështetuna mbi thëmele historike, etnike, gjeografike, sot, ajo heshtë mbi padrejtësitë që kryhen mbi korrizë të Shqiptarëve, që ora e zezë i ka dënue me ngelë nën zgjedhën e robnisë së huej; dhe, me heshtjen e vet Evropa sot, nën rizhvillimin e qytetnimit ma të shkelqyeshëm, pëlqen, pranon, vulosë të gjitha padrejtësitë që lirisht kryhën prej atyne drejtuesve, prej atyne rrënuesve të Atdheut tonë, kundër Shqiptarëve të mjerë, të cilëve, ju mohue e drejta Kombëtare.

Sidoqë të jetë, deri sot Qeverria Qendrore e Tiranës asht sjellë shumë mirë e me takt diplomatik fort të lavdueshëm me Shtetet që kemi përreth...Populli ynë dëshron me pasë mardhanje miqësore e tregëtare me popujt fqinjë.

Shteti Shqiptar...respekton të drejtat e pakicave të ndryshme që tue banue në Shqipni përbajnë minoritetin, ndonse, këto të drejta nuk i respektohën Vëllazënve tonë as në Jugosllavi, as në Greqi, aqsa në asnjenën mbretni ata nuk kan asnji shkollë në gjuhën amtare.

Grekofonët e Shqipnisë kanë të çiluna në vendin tonë ma shumë se 40 shkolla, ku mësohet gjuha greqishte, të mbajtuna nga Shteti ynë ose ma kjartë me folë, të mbajtuna me të hollat e Popullit Shqiptar, të atij Popull... që sot ka nëvojë me shtue shkollat e veta.

Po i sillemi pra, n’emën të Popullit Shqiptar, Fuqive të Mëdha të Evropës, për me Ju lutë me u kujdesue për gjendjen e mjerueshme në të cilën gjindën Vëllaznit tonë të Çamërisë, tue e detyrue Qeverinë e Athinës mos me përdorë masat e padrejta kundër atyne Shqiptarëve, që edhe pse nuk pranojnë me u elenizue, kanë të drejtë me jetue në vendin e tyne...”   W. (At Bernardin Palaj).

Shenim nga F.Radovani: Materiali tregon qendrimin e At Bernardin Palaj, mendimtar  nder ma të shquemit e Klerit Katolik, i mbytun në tortura në 1946 me korrent elektrik nga dy kriminelët e Sigurimit Fadil Kapisyzi dhe Dul Rrjolli, me urdhën të Enver Hoxhës.

Po mbas vitit 1944 cili ishte qendrimi i disa “intelektualëve” çamë, në Veri të Shqipnisë, ose ma sakt: Teme Sejkos në 1945, dhe i Hilmi Seitit nga 1949 – 1961, tue iu referue dy “Dosjeve” Don Ejëll Kovaçit (1958 me hetues Shyqyri Çokun), dhe Don Dedë Malaj, , të pushkatuem pafaj me 11 Maji 1959, nga vetë krimineli çam gjeneral Hilmi Seiti...

Populli Shqiptar i Çamërisë duhet të njohin Atdhetarët, por dhe tradhëtarët që e shiten!


Melbourne, Qershor 2016.

(Vota: 10 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: