Zeqir Lushaj: Njeriu - bjeshkë
| E Shtune, 13.04.2013, 10:00 AM |

NJERIU – BJESHKË

- Të lutëm, i dashur lexues:- më beso! (Ose, e thëna e mbrame)

–Nxjerrë nga libri “Dyqani i mendjes” , faqe 149, Kristalina KH, Tiranë, 2009.

Nga Zeqir Lushaj

Ndoshta edhe të lodha, por, ja…, erdhëm në fund të librit tim modest. E di, si me qenë bashkë me Ty tani, se, për disa shkrime do të thuash – Sa mirë!, dhe, për disa: -Ç’ja ka fut Zeqiri kot!! Jam dakort, me të dy qëndrimet. Dhe, jo sa për oportunizëm. Jam dakort me gjithë mend, me gjithë shpirt…Po cili qe ai, o Ti, lexuesi im, që i tha të tëra gjërat mirë? Po cili qe ai që, në plot raste, nuk i rrëshqiti pena e, pa dashje, por shpesh-herë, nuk “ja futi kot”?! Po unë kush jam? Zotit i lutëm që, të mos jam ma i keqi, pa, për “ma i miri” (!)…, as kam menduar, kurrë në jetë…! Sidoqë të jetë qëndrimi i lexuesit, unë, në ndërgjegjen time jam i qetë. Pse, do të thuash Ti? Sepse,në fund të fundit,kjo është fjala ime,ky është mendimi im. Mendimi im, pa shtirje,pa

sforcime, pa rekomandime, pa frymëzime ndjellakeqe.Mendimi im, pa interes! I pavarur, zotri!

Në shoqërinë e ekonomisë së tregut, edhe pavarësia krijuese është realisht më e madhe. Dhe, them-se, kjo i bën autorët të jenë më të qetë në ndërgjegjen e tyre krijuese e botuese. Unë, për vete, këtë pozicion e ndjej plotësisht. Besoj se, e ndjejnë edhe të tjerët… More, vëlla i dashur! Në fund të fundit, ky libër është botuar me lekët e mija, pa kredi, pa borxhe, pa një fije korrupsioni, pa asnjë cent nga taksapaguesit shqiptarë.(Kjo shprehja, “taksapaguesit shqiptare”, më duket se, shpesh, është degjeneruar, në gojën e shumë qeveritarëve. Po përdoret në mënyrë vulgare, abuzive, aq sa në kohën e monizmit, kopje-shprehja: “djersa e popullit”! Përmbajtja dhe simetri-hipokrizia e këtyre dy togëfjalëve, sibinjake, më duket e njëjtë… Unë, e paça gabim!)

…Krejt padashur, e kuptoj se, u largova pak nga ajo që fillova dhe dua të të them, në fund të këtij libri…. Që e patëm fjalën, duke qenë i ndërgjegjshëm se, shumë gjera, Ty, i dashur lexues edhe mund të të mos kenë pëlqyer, unë, kam menduar që, gjithsesi, në fund, ta mbyllim mirë, miqësisht, marrdhënien tonë, krijues-lexues. Thonë se, e mbramja, fundi pra, mbahet ma shumë mend. -Po, do të thuash Ti: –Ç’farë do të ndryshosh tani, …tani, që libri mbaroi?! Unë, të përgjegjem se: - Libri, ka mbaruar, kur të mbyllet e, të vendoset në raft. Bile, edhe kur të mbyllet, duhet të shikohet me kujdes dhe kopertina mbyllëse, ose, do të thoja,e shqipëruar, të shikohet shpindina e tij. Edhe ajo, pra shpindina, është pjesë funksionale e librit, diçka në ide, e huazuar, nga shprehja e vjetër popullore: “Vesha-kopilesha”! Edhe Ti, lexuesi i nderuar i librit tim (cilësorin “i nderuar”,unë e përdori sinqerisht, dhe jo, sa për portokoll,cilido të jesh Ti, Ti që e lexon këtë libër, për mua je i nderuar, je obligues, i mirëseardhur), të lutem, shikoje me kujdes këtë shpindinë të librit që ke në dorë. Dhe droj se, po ta shikosh me shumë vëmendje e ta deshifrosh “folklorikisht”, këtë fotoshpindë, frigem se, do t’ma “kritikosh” titullin e librit tjetër, (me vjersha, me motive të gurbetit), botuar këtë vit, që e kam edhe ma përzemër: “Vdekja e varreve”. Droj se, Ti, do të më thuash :

-Eeej, Zotri! Gabim! E sheh? Varret, nuk vdesin!

Amen! Ashtu qoftë! Bashkohem me Ty. Dhe shpirti im lutet që: -As varret, kurrë mos vdekshin!

Kështu më thotë edhe kjo fotoshpindinë, për të cilën, po ju tregoj sak, si është puna, si me erdhi në dorë, dhe, pse e zgjodha, pikërisht për fotombyllëse? - Mba vesh, pra…, lexuesi im shumë-dimensional!

…Ka qenë fillim Nëntori, 2007. Në Nju Xhersi, të SHBA-së.Nuk kisha as gjysëm ore që u ndava me nipin tim, Hamitin,(Hamit Ymaj). Pimë nga një kafe aty, breg-ujit, përballë Nju Jorkut, dhe u shpërndamë, gjithësekushi, në shtëpi të vet.Mbas një copë herë, në shtëpi, hapa kompjuterin, kur, “fap”,me shfaqet një NJESH, në zarfin tregues të Imellit tim!- Kush me kujtoj tash, në këtë orë të vonë të natës?, -thash me vete dhe, përnjëherë, klikova mbi zarf.Ekrani i kompjuterit u mbulua me foton që ju do te shihni në shpindinën mbyllëse të librit. Fotot (dy), shoqroheshin me një tekst të shkruar nga Hamiti, ose, siç e thërrasim, si me shaka, ne, shqiptarët e Kllifsaj Parkut, (hinglizçe), Hamilltoni.

Ja, teksti shoqrues i imellit-foto:

* * *

Dajo!

Kjo pamje është e një liqeni në Tropojë, pikërisht e liqenit të Sylbicës. Këtë vend e kam parë me dhjetra herë me sy, se aty jam rritë, por, syri im, s’ka mundur të kapë atë, ç’farë ka kapë kamera e fotografit. Shikoje dajo!... Liqen, shumë i bukur…

… Nëse, nuk dallon gjë të veçantë tek fotoja e parë, shikoje të dytën, (është e njëjta foto, por e vendosur vertikalisht), ku,dallohet qartë që, në majat e shkëmbinjeve të Alpeve, Zoti, ka krijuar fytyrën e njeriut …me gojën, hundën, mjekrën, sytë…,me gjithçka!!

* * *

Ky ishte shënimi përcjellës i Hamilltonit.Sa ia lëshova sytë fotos, ajo, siç thonë: - më mori me vete! U befasova, dhe, mund të them, u trondita! Dhe, si për koinçidencë (e çuditshme), sapo kisha mbaruar së lexuari një libër shumë interesant të mikut tim tiranas, fotografit të

mirënjohur prej dekadash, Besim Fusha. Libri i Besimit titullohet: “Përshpërimat e kryeqytetit të shurdhuar”. Isha hala në emocionet e leximit të këtij libri që ka për subjekt-bazë,reagimet e opinionit shoqror, mbas ikjes nga Shqipëria të shkrimtarit tonë nr. NJE, Ismail Kadare. I  panjohur, si kaq i talentuar në fushën e prozës, sa na shfaqet në veprën e tij, Besim Fusha, per mua, i ka dhënë vlera të reja librit edhe me ato pak foto të botuara në brendësi, dhe, sidomos, me dy kopertinat. Në ballinë, është një foto: “Nusja me duvak. Farkë, 1964”, ndërsa, në shpindinë, një foto tjetër, që unë, edhe pak për humor ndaj Besimit, ia vura deçiturën: “Nusja

cipricullak”! Gjetje të mrekullueshme të syrit të fotografit profesionist, tash, mase një gjysëm shekulli, të syrit të Atij, që, mund të them me plot gojën se: -Nuk ka gabuar asnjëherë! Miku im, Fusha, para pak ditësh, më kish dërguar, dorazi, veprën e Tij në Amerikë. Mbasi e lexova, shumë i kenaqur, e ndjeva për detyrë shoqërore dhe intelektuale, t’i nisi një përshëndetje. Dhe, dy ditë më parë, i kisha dërguar këtë imelle:

* * *

Që nga ballina: “Nusja me duvak”,

Deri te shpindina: “Nusja cipricullak”,

Gjithçka në vend të vet,

E gatuar me merak…!

* * *

Iu riktheva komunikimit (të këtoditshëm) me Besim Fushën, jo për t’i bërë mikut tim ndonjë reklamë, (Ai, mund të ketë “nevojë”, për miqësinë time, por, jo për reklamën time),por për të thënë se, në momentin e marrjes së Imellit të Hamilltonit, pra, të fotos që shihni në shpindine të librit që keni në dorë, isha, emocionalisht në botën e fotografisë, që,unë personalisht, për fat të keq, e pranoj që, e njoh shumë pak.Ama, në këtë botë sugjestioni, më kish futur, pikrisht, mjeshtri i madh i shkrepjeve magjike, farkaxhiu i mirë tiranas, Besim Fusha!

* * *

…Jam ngulur e, shikoj si i shastisur, siç thonë nga Korça...Shihja foton në ekranin e kompjuterit dhe, habitesha. Ç’është kjo foto? Ku e mori Hamilltoni? Pse ma dërgoj kaq vonë dhe si, nuk me ka folur asnjëherë për të?!... Paralelisht me këto,thoja me vete: - More, po ky nipçja im, paska edhe shije të holla artistike! - Brravo, mister Hamillton, - thoja me vete, dhe vazhdoja të eksploroja në foton-Bjeshkë, në foton-Alpe,në foton-Njeri, në foton-Legjendë…E futa Imellin në “Save”, (ruajtje) dhe, e emertova shpejt,ne kembë e në dorë: Njeriu-Bjeshkë!

E ndjeja për detyrë, t’i pergjigjesha Hamitit. Dhe,menjehere, i shkrova, si më poshtë…

* * *

…Foto e mrekullueshme. Kurrë, nuk e kisha parë, as,nuk do ta kisha besuar, po të ma kish thënë dikush me fjalë,këtë farë kompozimi, fantastik, të papërseritshëm, natyronjerëzor.E, kur e ke përballë, në ekran, e sheh me sy, e shijon,e fantazon, e fotokopjon dhe, e komenton siç e ndjen, (si puna ime, tani), at’herë bindesh: - Ky, Njeriu-Bjeshkë, ekziston realisht. “Pamvarësisht, nga ndërgjegj-ja jonë…”, -siç thuhej dikur, në mësimet e Dialektikës… Ky, është Ai, Ai, Njeriu –

Bjeshkë, ose, Njeriu, që (për mua), ju dha bjeshkëve, magjinë e fytyrës së Tij!

Të lutem, zotri Hamillton: - më thuej, - Kush e ka fotografuar?!…Ndoshta, do ta zgjedh për kopertinë (shpindine) të një prej librave që kam në dorë dhe, mendoj t’i botoj pak më vonë.

(Gjithnjë, duke ruajtur autorësinë e fotografuesit. Nuk kam pasur kurrë, nuk kam as sot, ndonjë dëshirë, të anashkaloj e aq më pak të përvetësoj, punën e tjetërkujt). Shumë faleminderit, nipçe, mr. Hamillton!

* * *

Me duket se ju mbajta pak gjatë, por desha të jem besnik i momentit në fjalë. I momentit, kur rastesisht më erdhi kjo Imellë-foto në kompjuter dhe, i momentit që, bashkëjetoja këto ditë, në ngjasimide, me zotin “f. f. besfu”, (pseudonimi i foto-shkrimtarit Besim Fusha)…

* * *

Prap, shikoj foton. Nuk ngihem duke e parë. Vras mendjen. Flas me vete. Mendoj, gjykoj, ngatërroj, pshtjelloj gjitheandej, po, prap, … i zvilloj, konkludoj,etiketoj…dhe…më në fund: Shënoj!

…Po, po!! Ky është! Këtë fytyrë njeriu unë e njoh mirë. E njoh aq mirë sa, fare nuk gaboj. Bile, e njoh që nga fëmijëria. Jam rritë bashkë me Të, nën mlojsen e djepit tim! Mbas fytyrës së prindërve të mij. Ky, është njeriu im më i afërt, më i dashur. Me Të jam rritur.E kam në sy, në mendje, në zemër. Jam i njësuar me Të! Në shpirt, por, jo në lavdi! Lavdia e Tij, është fryma ime e shpirtit.…Po, po! E njoh shumë mirë. Pa asnjë diskutim. Këtu,nuk gaboj. Këtu, “bereqavers”, nuk ka politikë, nuk ka interesa, nuk ka pse të ketë korrupsion as mashtrim!... Ai,është!

Ai, dhe nuk ka tjetër. Nuk ka tjetër si Ai. Jam prezentruar me Të, për herë të parë, në telat e lahutës së plakut të mirë, të fukarait vetmitar e shpirtbardhë, shpirtartist, Haxhi Zymerit,njeriut ma të vjetër që unë mbaj mend nga mosha ime ma e re, do të thosha, që nga djepëria. Ai, ma ka sjellë këtë njeri rreth djepit, më ka folë për Të, më ka këndue për Të, dhe, ma ka bërë pjesë të shpirtit tim. More, a merr vesh Ti, apo jo: -Unë, jam bashkërritur me Të!

…Ai është! Ai, që ma kanë thanë legjendet nëpër libra,kur nisa të marre vesh se ç’janë ato. (Ato, …librat, pasqyra e shpirtit njerëzor, nëpër qindravjeçarë). Ai është dhe, nuk ka tjetër. Ai, është i vetmi, dhe, po të doni, ua përsëriti 1 000 herë: - Nuk ka një tjetër, si Ai…! Atij, nuk mund t’i ngjasoj kërkush, asnjëherë. Se, Ai, është bërë Bjeshkë, është bërë Zot.

* * *

- …Ai, …është(!!!)… OMEEERI, moreee!!

- …OMEEERI, … djali, i Çeto Basho Mujës!!

Unë i besoj në mënyrë të patundshme këngës: “Ajkuna qan Omerin”… Unë i besoj lahutës së kushëririt të babait tim, lahutës, të të vetmes pasuri që, pati dhe la pas, Haxhi Zymeri.

…Absolutisht, po! Atë, Omerin, e kam “takuar”, të paktën, sa e sa herë që, kam patur rastin, ose shancin, për të shkelur në Grykën e Dragobisë. Sa e sa herë, e kam marr atë bjeshkë në sy. Gjithnjë, absolutisht gjithnjë, (papërjashtim), sa herë i jam afruar asaj Gryke, për të marrë rrugën përpjetë,vetvetiu, instingtivisht, koka ngrihej lart. Koka ngrihej lartë, e, sytë kërkonin! Kërkonin, majtas e djathtas. Kërkonin të gjejnë e të shohin Atë, Omerin, ose-ose, për të qenë krejt i saktë, kërkojshin për të gjetur Atë, Atë që, nuk e gjeti dot as trishtimi i tejskajshëm, deri, ndoshta, në çmenduri, i Nënës shqiptare, Ajkunës. Sytë, kërkonin…! Kërkonin varrin e djalit, varrin e kockëlegjendës, të kuarckollonës së Alpeve, të shpirtkombit…, me emrin, Omer!

Shikoja, e shikoja. Kërkoja e kërkoja. Por, absolutisht, ishte një shikim instinktiv, krejt jasht koshiencës së ndërgjegjës time të deklaruar. Nuk di, as sot, (jo at’herë), t’a shpreh mirë atë

gjendje të brëndshme,“sekrete”! Ndoshta, ndoshta, ishte një shpirt i dytë, i dytë, brënda meje, shumë thellë, në zgafellat e panjohura të botës moszbërthyese të Robit të Zotit…! Këtë Mbinjeri, që sot e shoh, dhe, e kam besuar gjithmonë, isha i bindur se do ta takoja një ditë. Veçse, kurrë, as mendja ma e “ç’mendur”, nuk do të guxonte të ma thoshte se:

-Eeeej, Jaran!! - Omerin, do ta takosh, në Amerike! Befasisht, do ta gjesh në ekranin e kompjuteri të dërguar nga nipi yt, nga Hamilltoni.

O Zot! ( I kërkoj falje Omerit të Mujës, Omerit të legjendës se, fjalët: kompjuter, imellë, ekran, internet, celular, etj etj, i përdori jasht konceptit të kohës së Tij. Bile-bile, ne, kujtojmë se, ç’farë po themi, por, këto terma, pa ua ul vlerën e përdorimit, sot, për ata, për Kreshnikët, nuk janë kushediçka, …janë, jo-interesant).

Dhe unë, (të paktën) sa herë shkelja në Grykë të Dragobisë, aty ku realisht fillon masivi i Alpeve tona, me sy e mendje, kërkoja varrin, varrin e Omerit. Kërkoja atë Varr, që nuk e gjeti dot as Nanë Ajkuna! Atë varr që, lotët e derdhura në kërkim të tij, ndoshta, krijuan liqenet çudikaltra të Sylbicës e të Doberdolit, krijuan, vet kristalin, cilësisht të përveçëm, me emrin Valbonë.

Ai, vaji, vaji i Ajkunës, them se ju la bjeshkëve, përjetësisht oshtimën vajtuese, trishtuese, sugjestionuese e, do të thoja sfiduese, - Ooooiiii!

Ajkuna nuk e kërkoi tjetërkund djalin e saj, Omerin. Ishte e bindur se, është aty, në atë fillimgrykë a, diku, deri thellë në Alpe. Dhe, shpirti i nanës, për të mos thanë kurrë…,-tepër rrallë, mundet me gabue!

…Gryka e Dragobisë! Është ai vend, fillim-gryka e Bllokut të Alpeve, ku Mbinjeriu, për qëndresën ndaj besimit, legjenda (tjetër) e gjallë e Alpeve të shekullit të 20-të, Dervishi i Luzhës,(ndoshta, mbasi ish takuar e kish ndenjur me vet Omerin), pranoj, si tepër rrallë në jetë që, të pozojë, e, të fotografohet nga një kamer e një njeriu krejt “të panjohur”, i paparë kurre prej Tij, që shkelte për herë të parë e, ndoshta të fundit, në atë vend. Dhe, për çudi, gjërat lidhen në një fill. Lidhen e lidhen,e, filli bëhet kaq i trashë, bëhet litar (konop) trageti shumëtonesh.Bëhet, i pakëputshem! Ky djalosh, që bindi Dervish Luzhën të pozonte, atë ditë pranvere të vitit 1970, ishte, disaherë i përmenduri në këtë shkrim, fotografi sugjestionues tironas, Besim Fusha, (ff besfu).

Jo veç Ajkuna e legjendës, por, dhe ne të tjerët, të legjendarizuar deri në gen, (faleminderit Zotit, sa mirë!), ishim të bindur se, aty është Omeri. Unë, jetova me këtë bindje, plot 6 dekada! Edhe pa këtë foto, edhe pa këtë rrëfim, një ditë, do të vdisja i bindur në atë ç’ka fola e paraqita më lart! Jam i lumtur që, këtë bindje, nuk do e marr me vete. Gëzohem që, e lë këtu, mes jush…

Jemi dakort, - i dashur dhe i respektuar, lexuesi im?

Duke të kerkuar falje për mundimin, të lutem, mbylle librin dhe, shikoje pak çaste shpindinën e tij. Të kam rixha,siç thonë nga Jugu, besom për sa të fola. E, në fund të fundit besoju syve të Tu. Unë, ta përsëris:

-Ja, ky është Omeri! Omeri, djali i Mujit e i Ajkunës! Nipi i Halilit! Omeri që, i ka dhënë bjeshkës, fytyrën e Tij! Omeri i Legjendës, ose, … (në autorësinë time), Njeriu-Bjeshkë!!

Dhe tani, flasim, thjeshte mes nesh! Bile-bile, hëpërhë, guxoj të them se, as mos e fol me kënd! - Ky, është Omeri,Omeri i shfaqur mbi Alpe, është vet horizonti shkrepor i tyre!...

A e di Ti, lexuesi im se, aty, mu aty, në Alpe, por jo në horizont, në zemër të tyre, janë të ngujuar dhe vet Ata, të Dy, Muji e Halili?

Aty janë, dhe një ditë, Shkëlzeni do të hapet! Ata, të Dy,do të shfaqen, do të dalin në Fushë-Judbinë, në Fushë-Kosovë,në Fushë-hqipëri e, Fushë-Ballkan! Nuk do të shkojë shumë

gjatë dhe, ke për t’i parë. Jo veç me sytë e shpirtit. Ke për t’i parë, me sytë e ballit… Ata, po bëhen gati…

Të lutem, lexuesi im i mirë: -Kurrë, nuk kam mashtruar njeri…, prandaj:

…Prandaj: - Më beso!!

./.

( Fund -USA, vjeshtë, 2007)

-Per ZemraShqiptare, Prill 2013-



(Vota: 31 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: