Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Një ndarje tragjike për të cilën gjuha njerëzore mezi gjen fjalë
E enjte, 16.04.2026, 06:59 PM
Prof. Blerim Latifi:
Atë
mëngjes të 12 prillit 1999, ushtarët serbë po ktheheshin edhe një herë në
Prekaz. Katundi, i kthyer krejtësisht në gërmadhë, ende u dukej i pamposhtur.
Një ditë më herët, një njësi ushtarake serbe kishte rënë në pritën e UÇK-së në
rrugën Mitrovicë–Skenderaj, dhe tani ata po vinin për t’u hakmarrë.
Por,
para se të hynin në katund, duhej ta bombardonin. Kështu filluan granatimet.
Ata
pak njerëz që kishin mbetur mes rrënojave, kryesisht gra e fëmijë që nuk kishin
mundur të largoheshin më herët, vrapuan të fshiheshin në bodrumet e shtëpive të
shkatërruara.
Kur
granatimet pushuan, këmbësoria serbe filloi depërtimin në katund.
Në
lagjen e Bregajve, në një bodrum, ishin fshehur një grup grash dhe fëmijësh.
Ushtarët që kaluan aty dëgjuan një zë fëmije. Menjëherë filluan të qëllonin
drejt vendit nga erdhi zëri.
Plumbat
e goditën në bark djaloshin 9-vjeçar, Sinanin.
Britmat
e grave dhe fëmijëve arrinin deri në qiell. Nana e Sinanit nuk e lëshonte nga
duart djalin e plagosur. Ai ende ishte gjallë dhe, mes dhimbjeve që po ia
copëtonin trupin, i kërkonte ujë nanës.
Ushtarët
hynë brenda. Kur panë Sinanin të gjakosur për vdekje, i urdhëruan të tjerët të
dilnin jashtë. Nanës, që po e shtrëngonte fort për trupin e saj birin e
plagosur, ia morën me forcë dhe dolën jashtë.
Këto
ishin çastet e fundit të tyre bashkë.
Një
ndarje mes britmave, lotëve, gjakut dhe dhimbje. Një ndarje tragjike për të
cilën gjuha njerëzore mezi gjen fjalë.
Sinanin
e plagosur rëndë e nisën drejt Mitrovicës, gjoja për mjekim. Por që nga ajo
ditë, asgjë nuk u mor vesh për të. Emri i tij u shkrua në listat e personave të
zhdukur.
Njëzet
e shtatë vjet më pas, mbetjet e tij mortore u identifikuan në një varr pa
shenja, në lagjen Suhodoll të Mitrovicës.
Të
shtunën ai do të rivarroset në vendlindjen e tij, në Prekaz, në Luginën e
Atavës, shumë afër vendit ku ndodhet varri legjendar i Prenk Kuçit, njeriut që
shekuj më parë themeloi Prekazin.
Në
atë luginë, Sinani i vogël kalonte çdo ditë për të shkuar në shkollë. Aty
luante me shokët dhe ruante bagëtinë, pa e kuptuar se një ditë emri i tij do të
bëhej shenjë e historisë dhe kujtesës së saj.










