Vangjush Saro: Ministrat e partisë dhe të shtëpisë
| E Enjte, 11.04.2013, 06:00 PM |

Ministrat e partisë dhe të shtëpisë

(Titull rezervë: “Tepër e zorshme të fshehësh të metat e mbretërve.” J. V. Gëte)

Nga Vangjush Saro

Gazeta “Telegraf”, një e përditshme serioze në Shqipëri, ka kritikuar në vijëmësi një nga politikanët e njohur të asaj që quhet e djathtë te ne, Aldo Bumçin. Kritika kanë artikuluar edhe pjesë të tjera të shtypit shqiptar. Z. Bumçi është kritikuar kur ishte Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, sidomos për copëtimin e veprës së Onufrit dhe neglizhencën për shumë pasuri të tjera kulturore, por edhe për ngathtësi në lëmin e turizmit, si dhe anësi në thurrjen e komisioneve për ndarjen e çmimeve letrare të vitit, komisione që nga disa shkrimtarë janë cilësuar jo kompetente dhe të përbërë nga njerëz të panjohur.* Zoti Aldo Bumçi edhe tani, që është Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, po kritikohet (gjithaq nga ato media) në lidhje me heshtjen për disa zhvillime që e kanë zanafillën në Serbi dhe që synojnë të tjetërsojnë Gjykatën e Hagës. Duket se qeveria shqiptare dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, aktualisht janë të zënë me dokrra fushate, pra nuk iu del koha për çështje kësi...mbarëkombëtare.

Gjithsesi, në këtë shkrim, zotëria dhe ministri në fjalë (dhe jo vetëm ai), do të shihet në një dritë tjetër. Sigurisht, nuk janë aftësitë e tij, por qëndrimi prej militanti symbyllët dhe prej puthadori, që i kanë dhënë mundësi të bëjë karrierë. Ne po e themi pa doreza se Aldo Bumçi, aktualisht Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë (së paku edhe për nja dy-tre muaj) duket se po e përfundon keq këtë cikël komik të karrierës së tij si zyrtar i lartë. Siç rikujtuam, më parë, ai ka qenë edhe Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më parë ende, ka qenë edhe Ministër i Drejtësisë. Shikoni pra se ç’ndodh, Shqipëria ka mbetur në dorë të këtij njeriu, që i bëka të gjitha punët e që mund t’i drejtoka të gjitha ministritë. Sigurisht, lexuesi i nderuar e di shprehjen “Sa poshtë ka rënë katundi!...”

Tani është vendi të kujtoj se para disa kohësh, kam shkruar një analizë ku pranëviheshin drejtues të qeverisë shqiptare nga njëra anë dhe ata të qeverive të vendeve fqinje, (nga Maqedonia problematike deri te Bullgaria, Kroacia, Sllovenia,) nga ana tjetër. Në atë analizë, përpiqesha të tregoja se si në këto vende, në postet kryesore gjendeshin njerëz me reputacion të padiskutueshëm, të konfirmuar në një fushë të caktuar, pra ekspertë, zakonisht inxhinerë, juristë, ekonomistë, diplomatë karriere. Dhe më tej, kthehesha te doktorët dhe piktorët e Shqipërisë, që një Zot e di pse shqiptarët i ‘qëllojnë’ përherë kështu zoraxhinj. (Unë e urrej këtë fjalë, por ata e meritojnë.) Për rastësi, edhe Ahmet Zogu, për disa merita të të cilit kam shkruar me paanësi, ishte pa shkollë. Edhe Enver Hoxha ishte pa shkollë. (Është fjala për përfundimin e një shkolle të lartë, me një diplomë, pa le për më shumë.)

Drejtuesit e sotëm të politikës formalisht e kanë një shkollë, madje disa kanë edhe dy; por shumica e tyre janë piktorë, doktorë, zotëria e tij - ministër shumë herë - Aldo Bumçi, ka mbaruar për marrëdhënie ndërkombëtare a një gjë kështu…Janë disa emërtime këso që shkojnë kundër çdolloj profesionalizmi dhe njerëzit që i mbajnë ato vetëm ekspertë nuk mund të jenë. Shkurt, këta janë kryeministra dhe ministra të partisë, janë punonjës ideologjikë; është e qartë që janë ministra edhe për shtëpitë e tyre; ka fakte të përditshme që tregojnë se ky vend, si rrallëherë, bie erë nepotizëm dhe abuzim. (“Revolucionet mbarojnë në momentin kur plotësohen qëllimet personale të drejtuesve.”, thotë Viktor Hygo.)

Ministrat e partisë dhe të shtëpisë kanë krijuar modelin më të keq që mund të krijohej. Me gjithë përbetimet se do të punojnë për vendin, orientimi i këtyre zyrtarëve militantë është thellësisht politik, partiak, i anshëm; veçmas tinzarë ata shfaqen në përzgjedhjen e punonjësve në ministri dhe në të gjitha dikasteret e tjera, që varen andej, duke iu bërë presion të paanëve apo kundërshtarëve politikë, duke i hedhur në rrugë, për të krijuar ‘familjen e madhe’ të partisë në pushtet. Se ç’thotë BE-ja për administratën publike, që duhet të jetë e aftë, e përzgjedhur me parime të forta, profesionale, etj., këto kërkesa gjithnjë i kemi shkelur me këmbë ne. (Paskëtaj, kemi edhe sy e faqe e grindemi që atë statusin e vendit kandidat nuk e morëm sepse nuk u votuan ato tre ligjet...)

Ministrat e partisë dhe të shtëpisë (së tyre), janë një nga hallet më të rënda të Shqipërisë. Ngaqë mund të lëvizen si t’i vijë për mbarë partisë, ata i bien asaj në gjunjë. Kur iu thotë partia që duhen bërë ca shkurtime në buxhet, ministrat e Partisë dhe të shtëpisë i bëjnë ato symbyllazi; ata pranojnë çdolloj mase, le të mbeten në mëshirë të fatit veprat e artit dhe ajo pak traditë që kemi, le të mbyten njerëz në tentativë për të kaluar lumin, le të përmbyten fushat dhe qytetet. (Të na rrojë partia dhe kryetari i përjetshëm!) Një nga këta ministra, Ridvan Bode, bëri çmos me biznesmenë e miq, të nxirrte kampion ekipin e futbollit të Skënderbeut. Mirë edhe kjo. Po si i bëhet për ato gra të shkreta që u mbytën në Devoll? Se andej sikur është ky që ka siguruar kaq shumë para për atë ekipin e futbollit...Ka edhe këso. Ministrat e partisë dhe të shtëpisë urdhërojnë fëmijët e shkollave dhe mësuesit të gjenden nëpër mitingje politike, duke i kthyer arsimtarët e shkretë në kukulla, njerëz pa dinjitet, frikacakë, që kanë frikë t’i drejtojnë fytyrën një kamere televizioni se mos i heqin nga puna. Në çfarë rendi jetojmë?

Më tej, nuk e dimë nëse këta ministra flasin ndonjëherë në mbledhje qeverie a në Grupin Parlamentar; zakonisht kemi parë të flasë vetëm shefin e tyre, Leninin, atë Stalinin, Enverin se u bëra lëmsh...Është kaq e turpshme, por hë për hë vështirë të shkohet më tej. Unë pata rastin të shprehem në një portal të rëndësishëm edhe në lidhje me emërimin ministër të të nderuarit Visar Zhiti. Duke kujtuar se ishin beniaminët e klanit Berisha ata që më pushuan nga puna dhe më hodhën në rrugë, kryesisht për shkak të shkrimeve të mia, u shpreha se unë politikën nuk e shikoj si votues apo si anëtar i ndonjë partie a fryme. Nuk kam asnjë interes nga ndërrimi apo mosndërrimi i pushteteve në Shqipëri, gjithaq nga fakti se kush sundon atje; kam shkruar dhe do të shkruaj në mënyrë kritike për gjithçka që nuk shkon mirë; për ndërrimin e modelit të Lindjes me atë të Perëndimit. Dhe emërimi i Visarit është një shprehje e mantalitetit të Lindjes, është një shkrepje sipas modeleve të Lindjes.

Personalisht, bëj pjesë ndër ata që e nderojnë Visarin, si njeri dhe si krijues. Por pse ky emërim sot, pse për kaq pak muaj? Ku ishte gjer tani, me mendje dhe me interesa, klani përzgjedhës? Është e para herë që klani Berisha (dhe jo vetëm ai) e bën një gjë të tillë. Prej 22 vjetësh, nuk kemi parë të artikulohen emrat e familjeve të mëdha të përndjekura nga rendi i shkuar, nuk kemi parë që të përndjekurit të vlerësohen në shkallën e duhur, moralisht dhe materialisht, aq më pak t’iu ofrohen atyre poste të larta. Përkundrazi, komunistët dhe bijtë e komunistëve (madje edhe të kuadrove më të përzgjedhur) janë parë të lançuar me shumë dëshirë.

Në të tërën e vet, do të thosha - duke kërkuar ndjesë - që kjo është një çështje e kompromentuar. Por kaq prodhon politika shqiptare. E ç’është për të ardhur keq, ndërkohë të tjerë po përgatiten të vijnë në pushtet me të njëjtat sjellje e parime, me të njëjtën psikologji mëtonjëse, pra lum si ky popull ç’do të heqë ende, deri sa të pastrohet nga komunistët dhe nga modelet autokratike të Lindjes. E di e di. Nganjëherë flas duke ëndërruar, çka megjithatë, krijon pak frymëzim e shpresë.

........................................................

*Do të bashkohesha me këtë mendim për shkak të qëndrimit çinkurajues, për disa vjet radhazi, ndaj letërsisë për fëmijë dhe të rinj. Snobë që nuk e njohin këtë letërsi, që mburren për biografinë antikomunistre (njësoj si dikur kur komisionet ishin me prokomunistë të thekur) nuk i pëlqejnë emrat e njohur të kësaj letërsie, si Gaqo Bushaka, Bardhyl Xhama, Petraq Zoto, Viktor Canosinaj, Pandeli Koçi, Ferit Lamaj, etj.. (ku, e them me modesti, mund të përfshihej edhe emri i autorit të këtyre radhëve). Ministria dhe komisionet në fjalë, kanë diskriminuar letërsinë për fëmijë dhe të rinj, përfaqësuesit e saj kryesorë, duke mos denjuar së paku që në këto deli komisione të ketë një ekspert të kësaj letërsie, etj. (Sigurisht, pushteti gjendet të ndihmuar edhe nga ndonjë botues që mendon se shpikja më e madhe  letrare në botë është Hary Poter). Kështu, Ministria e Bumçëve dhe komisionet e tyre, nuk kanë marrë mundimin t’iu hedhin një sy librave më të mirë të botuar në këto vite, duke u shprehur se nuk ka letërsi të mirë ose thjesht kanë përzgjedhur për ndonjë çmim (të vonuar) autorë të panjohur dhe pa prurje në letërsinë për fëmijë e të rinj. Histori e vjetër kjo për Shqipërinë...



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: