Vasjan Lami: Nuk mund të bëj dallime teatër- film
| E Merkure, 13.04.2011, 07:09 PM |

Flet aktori dhe regjisori Vasjan Lami: Nuk mund të bëj dallime teatër- film

 

Nga Albert ZHOLI

 

Teksa gjerb kafenë dhe thith cigaren në lokalin përballë Teatrit Kombëtar, ai hedh vështrimin tek ajo godinë me të cilën ka lidhur jetën dhe për një moment hesht. Në atë serizotetin e disa sekondave ai përcjell në mendje rrugën  gati 33 vjeçare që ka në godinën më të bukur, më të sukseshme të artit shqiptar.

Vasjan Lami ka lindur në Tiranë në maj të vitit 1957. Në vitin 1978 diplomohet në Akademinë e Arteve, dega e Dramës si Aktor dhe në gusht të atij viti emërohet  në Teatrin Kombëtar, ku vazhdon ende të punojë prej 33 vitesh. Gjatë kësaj peridhe ka realizuar një galeri rolesh, jo vetëm në teatër, por edhe në film. Deri tani ai ka në arkivin e tij artistik mbi 70 role. Ka interpretuar përkrah korifejve të skenës dhe kinemasë shqiptare, si Sulejman Pitarka, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Tinka Kurti e të tjerë.

-Ju keni tre dekada si aktor, në filma dhe në teatër, ku e keni ndjerë veten më mirë nga këto dy zhanre?

Loja, apo interpretimi i aktorit në teatër dhe në film, ka një ndryshim, që mund të quhet  teknik. Nga  eksperienca  personale do të thoja se: “në thelb, ndryshimi qëndron tek respektimi i distancave. Nëse në film, ti interpreton në distancë reale, pra i flet partnerit realisht sipas largësisë që ke, në teatër, duhet ti flasësh partnerit në atë mënyrë që të dëgjojë edhe spektatori në fund të sallës. Pra në teatër kërkohet një farë amplifikimi vokal, emocional dhe xhestikulativ, për të përcjellë deri në fund të sallës gjithçka”. Por që ta bësh këtë diferencë nuk është e kollajtë për të gjithë aktorët, sidomos për ata aktorë që kanë luajtur shumë teatër dhe pak film. Unë pata fatin të aktivizohesha shpejt në film, sepse atëherë bëheshin mbi 11 filma në vit dhe pata shansin ta mësoj më shpejt këtë lloj ndryshimi, të lojës në teatër dhe në film.

Përsa i përket preferencës sime, se ku ndjehem më mirë, mendoj se preferncën nuk e bën zhanri më shumë se sa e bën roli. Për një rol që do të më pëlqente, do të lija njërën për tjetrën. Nuk duhet harruar që teatri, në raport me filmin janë si nënë e bir, sepse profesionisti i mirfilltë natyrisht bëhet në teatër, aty ke mësuar të ecësh, të flasësh, aty je maturuar dhe pasi ke arritur të quhesh profesionist, ti si një zhongler do të dish ta luash topin siç duhet. Në film, aktori në fillimet e veta, natyrisht do të luaj vetveten dhe këtë mund ta bëjë edhe dikush që mund të mos ketë kualifikim profesional, por që mund të jetë një natyrë artistike apo me talent të lindur, por natyrisht nën drejtimin e një regjisori të mirë. Mirëpo nëse do ti kërkohej më vonë të realizonte një karakter të ndryshëm nga vetvetja, do ta kishte të vështirë, për këtë arsye them, që profesionisti, ai që ka kryer një shkollë teatri, si dhe ka një eksperiencë skenike, bën dallimin në jetgjatësinë e karrierës artistike. Meqenëse jemi akoma tek dallimi film-teatër, për aktorin, filmi është më komod se teatri, sepse në film, pasi ke rënë dakord me regjisorin për figurën e personazhit, bën një punë individuale me rolin dhe me regjisorin takohesh në shesh të xhirimit. Do të bësh aq dubla për skenën sa të bindet regjisori se u arrit dhe mbyllet ajo skenë përfundimisht, për të menduar për episodin pasardhës. Mirëpo filmi ka edhe dizavantazhin, që nëse nuk e ke realizuar siç duhet, ti nuk ke më shansin ta korrigjosh dhe sa herë që ti sheh filmin, të kujtohet për dreq shprehja, që në këtë rast nuk vlen: “Po të bëhesha edhe një herë nuse, do të dija si të nusëroja”. Ndërsa teatri ka një magji që rrallë gjini të artit e kanë; loja përballë spektatorit, sa ka përgjegjësinë shumë të madhe, aq është edhe shpërblyese. Emocionin dhe sadisfaksionin që të jep skena e teatrit, vetëm ata që e kanë provuar, mund ta pohojnë. Ajo pa ekzagjerim shkon deri në parametrat e Magjisë.

                 

-Ju, padyshim që e kujtoni shkollën me nostalgji. Kur jeni paraqitur përpara një komisioni , si jeni ndjerë dhe çfarë keni paraqitur?

Më kthyhet shumë vite pas. Nuk e di me sa interes mund të jetë, por për ata që e kanë ëndërr këtë profesion, ndoshta. Mendoj që është interesante se si hyra në shkollë , si i gjeta materialet, si u përgatita dhe fati që pata. Normalisht, ai që do të konkurrojë duhet të gjejë një person që ka lidhje me këtë profesion, për ta ndihmuar të gjejë materialet dhe ta përgatitë përpara se të paraqitet në konkurs. Po kështu, edhe unë gjeta një  ish profesor të Akademisë, Miho Gjinin, i cili më këshilloi të merrja monologun e Guinplenit, nga “Njeriu që qësh” i Hygoit, poemën “Alarme të përgjakura”, të Fatos Arapit, si dhe fabulën “Kuarteti” të Krillovit. Pasi i mora librat në bibliotekë, ai më kërkoi të lexoja fabulën. Mbaj mend që kur e lexova për herë të parë para tij , një shok që ishte me mua, më tha:  “sa keq e lexove edhe unë do ta lexoja më mirë”. Pas dy ditësh, kishim lënë takim me profesorin, për të më dëgjuar fabulën, të cilën ai më kish thënë ta përgatitja, ashtu siç mund të dija unë. Pasi e dëgjoi se si e tregova unë (që natyrisht e kisha mësuar përmendësh) më tha: “Ti do ta fitosh shkollën”. Atëherë mu duk shumë e çuditshme ajo shprehje, sa e gëzueshme për mua, aq e pabesueshme njëkohësisht. Por për fat e pata harruar shpejt dhe e kam kujtuar shumë vonë, kur isha në atë pozitë me  te rinj që konkurronin si unë atëherë. Më pas ai u largua dhe mua mu desh ti përgatis vetëm materialet. E kisha të vështirë, sepse ishte qershor dhe atë muaj unë përgatitesha për provimet e maturës, duhet të përgatitesha për konkursin e Dramës, si dhe për fatin tim të mirë, në Teatrin Kombëtar, regjisori i madh i teatrit Pirro Mani, vinte një shfaqje për fëmijë “Kështjella dhe helmi”, sipas “Kështjellës” së Kadaresë,  me aktorë amatorë, ku luaja edhe unë. Duhet thënë se ndërkohë, unë isha aktivizuar vazhdimisht në shfaqjet që bëheshin në konkurset e trupave amatore në festivalet teatrore të Tiranës. Pra kisha tre detyra paralele, të cilat mbaronin të gjitha në fund të qershorit. Të treja, për shansin tim të mirë, u kurorëzuan me sukses.

Megjithatë, unë do tu jepja një këshillë të gjithë atyre që duan të meren me këtë profesion: mos nguroni kurrë të konsultoheni dhe të kërkoni mendime nga profesionistë dhe njerëz me eksperiencë në këtë profesion. Një mëndim, apo këshillë e profesionistit, mund të të ndihmojë për të kursyer kohën dhe mundin, që do të duhej, për të realizuar një material artistik, apo për të shkuar tek personazhi që do të interpretoni.

Në fakultet, pedagog kujdestar kisha Timo Fllokon, gjithashtu kam punuar edhe me Birçe Haskon, si dhe të ndejrët Vangjush Furxhiu dhe Esat Oktrova, etj. Pra kam patur fatin të kem pedagog, që çdo student do ti dëshironte. Nëse do të vazhdoja të flisja për kohën e shkollës, mendoj se do të duhet një tjetër intervistë, pasi ka të bëjë me ëndërrën, si e mendoja atë, çfarë vështirësishë kishte, çfarë mu desh të bëja etj, etj

 

-Mbas shkollës ju keni realizuar shumë role në filma dhe teatër. Keni patur vështirësi në role të veçantë, të kujt karakteri dhe në ç’kohë?   

Unë pata fatin që ta mbaroj universitetin 21 vjeç, pra fare i ri dhe ishte ëndërr që unë të emërohesha direkt në Teatrin Kombëtar. Më kujtohet që në momente të caktuara, sipas personazheve, të cilët kalonin situata apo momente për të cilat unë nuk kisha eksperiencë personale,  isha intuitiv, sepse në ato kushte, kur ti nuk ke pika referimi të tuat, atëherë do ti referofesh një shembulli të dikujt tjetër. Është normale pra, që përpos talentit duhet edhe eksperienca jetësore. Shembull evident i kësaj, është edhe Lorenc Oliver, i cili pat luajtur role të Shekspirit shumë herët, por rolin e Hamletit e luajti kur ai ishte 40 vjeç, ndërkohë që persnazhi është 20 vjeç. Kujtoj edhe vetë, vështirësitë që kam patur kur më duhej të interpretoja situata dhe momente dramatike, që eksperiencës time jetësore dhe profesionale i mungonin. Ajo natyrisht që kaloi, por nuk jam në gjendje ta kujtoj se kur, apo pas sa rolesh të realizuar. Mbaj mend në filmin “Vitet e Pritjes”, në momentin kur djeg krevatin e martesës, që nuk e kisha të lehtë të besoja atë moment të vështirë psikologjik. Ndërsa më vonë, në momente analoge, zgjidhjet e situatave natyrisht ishin shumë më të lehta. Ndërsa për të treguar se çfar presupozon eksperienca personale, kujtoj një nga rolet e para, një përsonazh me situata të vështira për eksperiencën që kisha, ishte roli i Jakobinit, tek “Në prag të jetës” e Dhimitër Xhuvanit. Ndonse i ri, me tre-katër vite punë,  prap nuk e kisha fort të vështirë për të shkuar te personazhi, pasi ai rol, ishte shumë pranë moshës time dhe një karakter tepër i prekshëm i asaj kohe.

                                                                                                            

-A ke pasur ndonjë vlerësim nga udhëheqësit e asaj kohe dhe a ke pasur rastin që ti takosh nga afër?

Në atë system, përpara se të vinim shfaqjet në skenë kishim komisione nga komiteti i partisë. Hera e parë ku unë u ballafaqova fare i ri ishte kundërshtimi i Xhelil Gjonit për skenografinë që kishte bërë Drita Agolli dhe ndriçimin që kishte pregatituar ajo për skenën. Unë isha asistent i Dritës.

 

-Ju keni shumë arritje në punën tuaj, por ka aktorë që kanë pasur më shumë se ju, a keni xhelozi ju për ata aktorë? Thuhet se në art ka shumë xhelozi.

 

 

Arti është subjektiv, sepse ka të bëj me të bukurën dhe është një shprehje proverbiale që thotë se:  e bukur është ajo që më pëlqen mua...”. Në këtë konteks mund të ketë edhe vlersime subjektive, por gjithmonë, pavarsisht ekstremeve, është një gjykim apo vlerësim bazë ose nominal, siç mund ta quajmë. Është normale që për bazë, në vlersime serioze, merret parasysh mendimi i një apo disa profesionistëve, madje, edhe me shije të kultivuara e bashkëkohore. Sipas kësaj llogjike, një aktor, sado mund ti vijë keq, apo të mos ta pranojë publikisht, duke qenë profesionist, ai pa tjetër e di se kush janë vlerat reale të tij, apo kolegut më të suksesshëm. Pra ai që nuk ka kurajën, apo ndërgjegjen të pohojë të vërtetën, qoftë edhe të hidhur për të, atëherë faji dhe e keqja nuk qëndron tjetër, veçse tek ai vetë. Dhe një njeri që nuk njeh veten, jo që nuk mund të bëjë përpara, por mbetet në vend, për të mos thënë që shkon në regres.

Ndërsa për opinionin që: ”në art ka xhelozi”, në një farë  mase është e drejtë, tek disa individë si ata që folëm më lart, sepse ky profesion është në një garë të përjetëshme. Megjithatë, unë mendoj se pavarësisht ndikimit që mund të ketë profesioni në karakter, edukimi familjar dhe një karakter i ndërtuar drejt, nuk mund të bjerë prehë e mediokritetit, apo xhelozisë.

 

-Kemi dëgjuar shpesh në prononcimet e aktorëve të rinj, se na i kanë zënë vendet këta të vjetrit, dhe nuk na lenë të ecim e të prezantojmë vlerat që kemi. A jeni dakort me të tilla mendime?

Është e vërtetë që ky brez aktorësh që kanë dalë këto dhjetë – pesëmbëdhjetë vitet e fundit, nuk kanë patur shansin që kishim ne kur mbaruam fakultetin, që emëroheshim direkt nëpër teatrot respektive, sipas qyteteve. U bënë disa breza që mbarojnë shkollën me ëndrrën “të punojnë si aktor”, dhe të paktë janë ata që e kanë marrë këtë sadisfaksion. Kjo është si rezultat i politikës shtetërore të këtyre viteve, ku shumë pak kanë investuar për artin, në raport me rritjen e popullsisë dhe kërkesave artistike e shpirtërore të njerëzve, gjithmonë në rritje. Kur kam hyrë në teatër, ishin 60 aktorë, ndërsa tani jemi 35.

Përsa i takon aktivizimit të të rinjve në teatër, janë aktivizuar herë pas here, kur ka qenë nevoja për ndonjë aktor të moshave të reja, por këto raste nuk kanë qenë aq të shpeshta sa të gëzonin shumë prej tyre. Mendoj se një politikë e mirë në këtë drejtim, është ndjekur nga MTKRS në bashkëpunim me TK, me organizimin e Festivalit të të Rinjve. Ai u bë disa vjet tashmë dhe është një mundësi shumë e mirë për shansin që u jepet këtyre të rinjve të prezantohen me vlerat e tyre.

Sa për atë shprehje që përmendët ju, si pyetje: se nuk po i lenë të shfaqin talentin, të vjetrit (ku edhe pak do të futem edhe unë), mendoj se është një shprehje naive, apo një batutë e mbetur pa argument. E them këtë, duke marrë  edhe veten si shembull, sepse sado të kisha qejf unë, nuk do të mundesha dot, të luaja një personazh 30 vjeçar. Do t’ju tregoj konkretisht, se si, për disa arsye, kam humbur një rol që  do të doja shumë ta rrealizoja. Në një film të një regjisori të shquar shqiptar, këto vitet e fundit, mu afrua një rol i cili do të kishte dy kohë xhirimi: një të moshës reale dhe tjetra para 15 vitesh. Rolin e fitova, mbeti vetëm për të provuar parukën që do të më rinonte. Kur më vuri parukën grimiori, jo vetëm që nuk më rinoi, por më transformoi në  një njeri krejt tjetër. Uroj të ketë qenë paaftësia e grimiorit, se sa pamundësia ime për tu rinuar, por si përfundim, unë e humba atë rol, sepse nuk u rinova dot 15 vjet. Ndërsa për “çudi”, për tu vjetruar, nuk isha shumë i vështirë. Kam një eksperiencë nga filmi “Dasma e Sakos”, ku luaj rolin e Qehajait të Sakos, në moshën reale, dhe po atë personazh, 30 vjet më pas në kohë. Nëse ju kujtohet filmi është një plak mbi të shtatëdhjetat, në fund të filmit, që do ti shesë shtëpinë, djalit të Sakos. Kur ta rishihni, do të kuptoni se sa kollaj mund të plakeni, dhe do tju kujtohet se sa të vështirë e kisha të rinohesha.

 

-Patjetër që në këtë eksperiencë të gjatë keni shumë emocione per të kujtuar …..                   Mirë e thatë, janë shumë vite dhe padyshim ka patur plot emocione negative dhe pozitive, por natyrisht ato pozitive janë më të mëdha. Duke lënë mënjanë  ato familjare apo personale, po them diçka vetëm për ato professionale.  Mendoj se nuk mund të harrohen  emocionet  që ke, kur merr sadisfaksonet e para në një profesion që ti e do. Ky profesion, ka të mirën dhe të keqen e tij, që shpërblimin e krijimit, ta jep shumë shpejt, apo live, siç kemi qejf ta quajmë tashmë. Por ndoshta prandaj është edhe i bukur, spse gjithë jetën je në provim përpara spektatorit. Në çdo rol ti e fillon punën nga zero, pra pavarsisht eksperiencës, ti nuk mundesh ta bësh një rol duke i futur një fotokopje të roleve të mëparshëm.

Dhe pastaj ke avantazhin tjetër, që notën e merr direkt. Barometri i duartrokitjeve, ta çon adrenalinën aq tepër, sa rrallë profesione të tjera. Nëse do të kujtoja role të fillimeve të mia do të përmëndja: “Jakobinin” tek Vërshime pranverore, “Tibaldi” te Romeo dhe Xhulieta, “Rikardo” tek Monserati, “Lakrua”  tek Vdekja e Dantonit,  etj., ndërsa këto vitet e fundit: “Jasoni” tek Medea, “Garibaldi” tek Forca e Zakonit, me të cilin mora çmimin Kult-2010 - “Aktori i vitit”, apo “Pedagogu” tek Elektra etj. Në filma, do të përmendja: “Agroni” tek Hije që mbeten pas, “Seko” tek Vitet e Pritjes, “Bekimi” teK Njerrëz në rrymë, Viti i gjatë ,  Lule të kuqe  lule të zeza ,etj. Me regjinë teatrale jam marrë gjatë. Kam eksperienca të bukura, fillimisht si asistent me P.Manin, D.Agollin, etj, apo bashkëpunimet me A.Qirjaqin,E.Vigner,etj. Kujtoj vënien e dramës “Nemesis” të D.Culit apo edhe  kënaqësia që kam marrë nga filmat me metrazh të shkurtër që kam realizuar, si regjisor dhe skenarist: “Lypja” dhe “Kafeja e Fundit”. Së shpejti do të ve në skenë edhe një komedi franceze.

 

Gjithmonë në fund të bisedave, pyetet se çfarë planesh ke për të ardhmen, ndërsa unë, nëse do të më lejoje, do të doja ta çoj edhe më tej pyetjen: çfarë ëndërrash  ka Vasjan Lami, për profesionin, apo më gjerë?

Kjo, më gjerë, mos e ke fjalën për planin e ardhshëm pesëvjeçar? (qesh) Bëj shaka, sepse të flasësh për ëndërrat, përgjigja është sa lakonike aq edhe e pafund. Nuk jam nga ata aktorë, që mund të kenë ëndërr të luajnë filan rol, kjo për faktin sepse dramaturgjia ka pafund role të bukura, ndërsa unë ëndrrën mund ta kem më gjithëpërfshirëse.

Në planin profesional, do të kisha dëshirë të marrë vlersime sa më të mira, për rolet që do të luaj dhe pastaj, që është edhe më kryesorja: të kem një shëndet të mirë dhe të gjatë, që ti gëzoj dhe të më gëzojnë, familja ime e vogël dhe ata që më duan. Ndërsa, sa për ëndrrat e vogla, apo të afërta, tani kam shqetësimin se si do të  presë spaktatori rolet e mija të fundit. Sapo ka filluar të shfaqet në TK, drama “Shtrigat e Salemit”, e Artur Milerit, me regji të Spiro Dunit. Aty unë kam një personazh interesant, por dhe shumë të vështirë, pasi ka një transformim dhe metamorfozë të madhe, psikologjike dhe shpirtërore. Fatmirësisht, shfaqja është vlerësuar nga profesionist, si ndër premierat më të realizuara këto vitet e fundit.

 

Çmund të na thoni diçka më shumë për Priftin Heill të realizuar nga ju ?

Për mua më e rëndësishme është, që personazhin  të cilin do të realizioj, të jetë i ndryshëm nga ata, që spektatori më ka duartrokitur deri tani. Kjo natyrisht që nuk është e thjeshtë. Realizimi i një karakteri të ndryshëm nga sa ke bërë më parë, do të thotë një punë disa herë më e madhe me rolin, se normalisht, dhe kur pas saj, dëgjon fjalë të mira, natyrisht që sadisfaksioni bën të harrohet lodhja dhe mundi. Për realizimin e priftit Heill, që është një personazh, i cili pëson një zhgënjim dhe dramë  tronditëse, që shemb themelet e parimeve dhe besimit të tij, ishte një punë jo e lehtë natyrisht. Por bashkëpunuimi me regjisorin Spiro Duni, qe i suksesshëm jo vetëm për mua, por edhe për kolegët, tregues i së cilës ishte edhe suksesi i shfaqjes.

Do të thoja, se me aktorin, për çudi, ndodh si me gratë. Të dy palët, mundohen dhe vuajnë për të sjellë në jetë një krijesë. Por ndryshimi fillon pikërisht pasi lindin; sepse aktori nuk merret më me krijimin, ashtu si gruaja që do ti japë të pijë e do ta rrisë atë. Aktori e fut krijimin në arshivën e tij dhe fillon shpejt të mendoj për krijimin tjetër. Nuk duket fort shpirtërore, kjo indiferencë, apo ftohtësi nga ana e tij, por kjo ndoshta e bën atë të veçantë dhe të bukur, e ndryshe nga profesionet e tjera.

Kështu po më ndodh edhe mua konkretisht tani, sepse pa marrë akoma kënaqësinë e realizimit të këtij roli, jo pak të vështirë, kam nisur punën me një tjetër rol, që pa diskutim do të jetë më i vështiri që kam bërë deri tani. Është një bashkëpunim mes TK , Aleancës Franceze dhe Ambasadës Franceze. Regjisor është francezi, Frantz Helmer, që do të verë në skenën e TK, pjesën “Leksioni” të Joneskos. Këtu do të luaj rolin e Profesorit , personazhi i cili bart mesazhin dhe idenë e autorit. Eshtë nga karakteret më komplekse që kam hasur në dramaturgji. Ai është njeriu - timid , xhentil, akademik, diktator, pervers dhe krimilnel. Nuk po flas më shumë për personazhin pasi do ta shihni në shfaqje. Premiera do të jetë në 12 maj. Prandaj mendoj të ndahemi këtu për ta vazhduar bisedën pas kësaj date.

Sa për ëndrrat, mund të flitet pa fund, sepse ka plot të realizuara, të parealizuara, apo ëndrra në sirtar, që je me shpresën se një ditë do ti nxjerrësh. Por edhe mund të ndodhë që, në një moment x..., hap dritaren dhe i fut një të fluturuari çelësit të sirtarit, aq larg, sa mos të mundësh ta gjesh më dot. Por….ëndrrat, janë si dashuria, pa to jeta nuk ka kuptim.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: