Faleminderit
Bedri Tahiri: Hamëz Jashari n’grykë të topit…
E enjte, 19.02.2026, 07:00 PM
Heronjtë kanë veç datëlindje
HAMËZ JASHARI N'GRYKË TË
TOPIT...
Nga
Bedri TAHIRI
-Ah,
ç'ma kënaqe shpirtin e zhuritur, ore bir! Tamam, vaji i burrit është kënga!- i
tha një pasdreke të gjatë dimri i ati, kur çiftelia ishte dalldisur dhe
s'kishte të ndalur.
Dhe,
paskëtaj, Hamza shkrihej i tëri në melodinë dehëse të këngëve të trimërisë.
Thellë në zemër i flinin Skënderbeu, Mic Sokoli, Ahmet Delia, Isë Boletini,
Bajram Curri, Azem e Shotë Galica. Por, ajo që ia ndizte shpirtin flakë ishte
kënga për Zhuj Selmanin. Nuk bëhej dasmë a gazmend pa këngëtarin e ri me zë
bilbili, që edhe të vdekurit i ngrite nga varri. Veçan kjo ngjiste në odën e
tyre të madhe e të bukur që bëri emër në Drenicë e më larg.
Për
të qenë kjo edhe s'ishte fort e hershme. Pasuria më e madhe është mashkulli i
mirë!- thoshte Xhemail Abria. Fat të tillë pati edhe kjo derë fisnike. Peri i
saj i jetës qe tëholluar shumë, deri në këputje, por mbijetoi. Katër breza
vetëm me nga një bimë. Stërgjyshi, Murati, mbeti në luftën ruso-turke, duke
lënë një djalë, Fazliun. Edhe kjo lozë çeli vetëm një lule, Muratin. Kur u vra
Azem Galica mbi kulmin e kësaj shtëpie shkrepi një rreze shprese. Muratit i
lindi djali i vetëm, Shabani. Sa u gëzuan të gjithë. Djepin nuk e linin të
prekte në tokë dy motrat e tij, Fatimja e Raza.
Kësaj
here fati u tregua më dorëlirë. Shaban Jashari lis me rremba. U martua me një
malësore, me Zahide Gecin nga Llausha, dhe shtëpisë i dhanë jetë. U lindën
katërmbëdhjetë fëmijë. Prej tyre u rritën tetë, tre djem: Rifati, Hamza, Ademi
dhe pesë vajza: Hava, Zyla, Qamilja, Zoja dhe Halimja.
Djaloshi me shpirt
artisti
Sihariq
i dytë i kësaj familjeje, që gëzoi edhe trarët e shtëpisë, ishte Hamza. Lindja
e tij thoshte shumë, thyente bindjen e oxhakut me një mashkull. Ai erdhi në
këtë botë në shkurt të vitit 1950. Kjo u shënua me tri krisma mamzereje.
Mësimet e para dhe ato të mesmet i zuri në Skënderaj. Ishte nxënës i dalluar në
sjellje e në mësime. Natyrë e zgjuar që veçohej nga të tjerët. Inteligjent e
kurioz i pashoq. Lexonte shumë, çka i binte në dorë, por për libra kombëtarë e
shqelmonte edhe gjumin.
Kudo
shquhej dhe linte gjurmë të pashlyera, në muzikë, në art, në sport. Për valltar
të mos flasim fare, kur hidhej në ajër me xhamadan e tirq galana secili e
merrte për Besim Zekthin a Rexhep Çelikun.
Edhe
në skenën teatrore shkëlqente. Mishërohej me personazhet dhe rolet e tij
depërtonin në shpirtin e çdo shikuesi. Nuk harrohen kurrë Dyl Mehmeti te
"Fosilet" e Azem Shkrelit, Musë Mehmeti te "Hakmarrja" e
Jusuf Kelmendit, Marash Pali te "Shtatë shaljanët" e Ndrek Lucajt,
Zari te "Agu" i Din Mehmetit etj. E kishte përgatitur mjaft mirë edhe
Bejtush Agën nga "Halili e Hajria", por nuk arriti ta realizonte...
Një trimëri me njëqind
mjeshtëri
Por,
mbi të gjitha, Hamzë Jashari ishte mjeshtër i artit luftarak.
Kokë
katërqind dërhemësh ky Hamzë Jashari!- gjykonin të gjithë ata që e njihnin e që
u kishte rënë të rrinin sado pak me të. Dhe, nuk gabonin fare. Jo kot, asnjë
veprim s'bëhej pa dijen tij. Ai ishte ideologu kryesor edhe i ilegales edhe i
trupave të para të armatosura në Drenicë. Mbi të gjitha çmonte urtësinë e
maturinë. Një trimëri me njëqind mjeshtëri, ishte motoja e veprimit të tij. Pa
grykëhollën nuk vjen liria! - erdhi në përfundim ditën kur Ademi me shokë morën
rrugën për në Shqipëri. Ata do të ushtronin atje e ky me të tjerët do ta mbante
flakadanin e ndezur në zemrat e liridashësve sypatrembur ...
Dita
e 31 dhjetorit 1991 qe prova e parë praktike për luftëtarët e lirisë. Dhe, me
sukses të kënaqshëm ia dolën mbanë. Tre vëllezërit: Rifati, Hamza e Ademi, të
ndihmuar edhe nga anësh, çajnë rrethimin e hekurt...
Në
betejën e dytë, të 22 janarit 1998, Hamza u tregua hero i vërtetë. Natë pa hënë
ishte kur hienat tinëzare, duke i lëpirë buzët, përvidheshin drejt kullës
qëndresë. Shkonin për t'i zbatuar planet kobzeza, që vite e vite ishin
elaboruar nëpër kancelaritë makabre serbe. Në shënjestër sërish familja e
mësuesit dhe burrit të paepur, Shaban Murat Jashari. Po të njëjtit edhe shtatë
vjet më parë kishin provuar ta gjunjëzonin këtë vigan, por ishin ndarë keq. Me
gjithë rrënjë të zhduket kjo familje kryengritëse, që të tjerët të marrin
mësim!- u kishin thënë nga lart dhe urdhri duhej zbatuar.
Papritmas
nata u bë ditë nga flaka. Mortajat, mitralozat dhe bombat vallen zjarr
përnjëherësh. Toka u dridh, por themelet e kullës nuk u tundën. Predhat plasën
kudo, në oborr, në ahur, në shkallë. Breshëri plumbash vërshuan nëpër dyer e
dritare. Kudo rrëmujë marramendëse. Mungesa e rrymës, e ndërprerë qëllimisht,
bënte të veten. Por, zallamahia çmendëse qe e shkurtër fare ... Shpejt u shua.
Hesapi pa hanxhinë doli ters. Bumerangu u kthye së prapthi. Dyert e oborrit
ishin të vogla për t'i zënë përnjëherësh gjithë ikësit e tmerruar.
-Na
rrethuan keq qafirët, fill pas syfyrit. Kur u turrën brenda, filluam të
mbrohemi. Isha veç me nipat e rinj, Fitimin e Besimin. Fill m 'u kujtua Ahmet
Delia dhe amaneti i tij për ruajtjen e nderit familjar dhe të pragut të
shtëpisë. Kjo edhe është detyrë morale e kombëtare. Gjithkush duhet ta mbrojë
pragun e vet,- shprehet të nesërmen xha Shabani para vizitorëve të shumtë.
-
Atë natë nuk qëllova në shtëpi, isha te dajat në Llaushë,- thotë Adem Jashari.
Që në krismën e parë e kam ditur se na kishin sulmuar. E kemi ndezur veturën
dhe kemi nxituar. Por, kur arritëm këtu çdo gjë kishte marrë fund. Hamza me
babanë dhe me të tjerët ua kishin thyer turinjtë bishave...
Përjashta
kudo gjurmë barbarie e vandalizmi mesjetar. Kulme të shembura, mure të
rrënuara, armë të mbetura, predha mortajash të pashkrehura, bagëti të vrara.
Kulla e plagosur lëshonte rreze atdhedashurie.
-
Si mbaruam syfyrin, u ngjita në dhomën time,- vazhdon ai,- pasi zumë vend pranë
furrës së bukës. S'kanë kaluar as pesë minuta kur krisën armët. Selvetja ime
dhe Iliriana e Rifatit janë ngjitur lart dhe më kanë ndihmuar për t'i zbrazur
kriminelët që vërshuan nga ana e epërme. Ato edhe ishin plagosur, por s'më kanë
thënë derisa mbaroi beteja. Babai, poshtë në odë, nuk më kishte dëgjuar, që nga
torturat e vitit 1991 nuk dëgjon me veshin e majtë, dhe në mëngjes më tha si me
tallje: Ku je, ore Hamzë, mos ta hëngri pula kapsollin, që nuk ia shkrepe hiç?
Unë qesha si zakonisht dhe në fillim nuk i thashë asgjë.

Sa
i lakmoja këtij burri trim e mendar! Pedant e elegant në veshje, në sjellje e
në bisedë. Uniforma laroshe e UÇK-së i shkonte fort bukur atij trupi
shtathedhur e tip atleti. Revolja në brez dhe bombat nëpër gjoksore ia shtonin
edhe më madhështinë. Hero mitik më dukej tek ecte përkrah meje ...
Mic Sokoli i ditëve tona
E
enjtja e 5 marsit 1998 zbardhi me bubullima shurdhuese. O Madhëri, shkreptinte
moti apo dridhej toka?! Jo, asnjëra, as tjetra. Lagjja Jasharaj bombardohej nga
qielli e nga toka. Qyqavica plakë ngeli e pagojë. S'kishte faj, ende s'iu
kishin tharë lotët nga masakra e Qirezit dhe e Likoshanit.
Kësaj
herë ishte më ndryshe. Adem Jashari ishte bërë tmerr për Beogradin. Edhe ëndërr
e shihnin. Dhe, ishin dërguar forcat e njësive më speciale të vendit, mbi tetë
mijë veta, komandosë e xhelatë profesionalë, me arsenalin e armatimit më modern
ushtarak. Tre rrathët e hekurt shtrëngonin si me darë. Nga kodrat përreth
minahedhësit e topat e mëdhenj villnin pareshtur helm nepërke.
Edhe
kulla e qëndresës dha kushtrimin. Bacë Shabani zbrazi pushkën lajmëtare, si
dikur Muji i Jutbinës, kur sinjalizonte kreshnikët për ndonjë të ligë. Trimat u
zgjuan gjakftohtë dhe përqafuan armët e lirisë. Na priftë e mbara! - thanë duke
i zënë pozicionet. Edhe të tjerët, i madh e i vogël, u përgatitën dhe lufta u
ndez ashpër.
-
O prite, prite Adem Jasharin!
-
O prite, prite Hamzë Jasharin!
Male
e fusha jehuan mërishëm. Tej në Kodër, mbi majën e bunkerit luftarak, valëvitej
krenarisht flamuri kuqezi. As kënga s'kishte të sosur. Këngë e krisma. Krisma e
këngë:
Tek
len dielli e praron hana
Zhuj
Selman ma nuk bën nana ...
Kënga
e trimit i jepte zemër luftës. As frika nuk kishte vend andejpari. Edhe të
tjerët, edhe gratë, edhe fëmijët, luftonin e qëndronin. Një granatë e mallkuar
u shua në gjoksin e tij granit. Tanku serb shtangu dhe u fik në vend. Edhe
shumë granata shpërthyen përreth. Ca vdekatarë ranë edhe brenda në bodrum. Aman
sa keq! Tmerri ! Lemeri! Katandi! Dhe, dalëngadalë çdo gjë fashitej në heshtje
zymtësie. Pushoi edhe kënga, pushuan edhe krismat. As rrezet e diellit, që për
të tretën herë po lindte, nuk dukeshin gjëkundi nga tymi e flaka.
Në
kullat gërmadha mbante erë e rëndë shkrumbi e baruti, Obobo, ç' atmosferë
mbytëse! Gjë e gjallë s'pipëtinte. Sakaq, një si hije e përhitur kapërcente
lehtë-lehtë mbi trupat e pajetë. Vallë, ishte fantazmë apo zanë mali?' Ah, jo,
ishte Besarta njomëzake, që nën magje kishte sfiduar vdekjen. Dhe, ecte e ecte
midis kufomash me lloj-lloj uniformash e surrate të ngjyrosura. I gjeti gjyshin
e gjyshen, Shabanin e Zahiden. Edhe të tjerët i gjeti me radhë. Te kulla tjetër
gjeti edhe babanë, Hamzën. O zot, gjoksi i tij sa bjeshka, i gropuar si i Mic
Sokolit. Të lumtë baba!- tha me zemër, se zëri i ngeci në laring. Edhe lotët i
kishin ngrirë në qepalla.
Thërret
Shabani bijtë e zotit,
Hamzë
Jashari n 'grykë të topit ...
Kush
fliste kështu? Hapi sytë e rënduar, por s'pa gjë. Puhiza e hollë, që zbriste
nga korijet përballë sillte vargjet që kishin marrë dheun. Ata e sollën në
vete. Heroizëm i pashoq. Sakrificë mbinjerëzore. Frymëzim brezash e
ndërgjegjësim kokash. Resul Bedo do të shkruaj:
Një
nga një Jasharjat ranë
Armët
nga gryka nuk i dhanë ...
Figurën
madhore të Hamzë Jasharit, Mic Sokolit të ditëve tona, mjaft fuqishëm do ta
skalisë pena e Kadrush Radogoshit:
Drenica
të rriti
deri
në lartësinë e flijimit
Ti
e rrite atë
deri
në lartësinë e adhurimit
Dhe,
vazhdë e gjakut të nositëve vetëflijues lasgushian ndriu qiellin e zymtuar dhe
i dha jetë LIRISË. Kur erdhi në Prekaz, Bernard Kushneri i emocionuar tha:
"Dua ta them një të vërtetë të madhe. Prekazi lëvizi gjithë mekanizmat
botërorë, që ndikuan për të vepruar konkretisht. Dhe, sikur të kishte pasur
çmim NOBEL për Liri, atëherë ai do t'i takonte familjes Jashari."
Lavdi!









