E shtune, 14.02.2026, 01:57 AM (GMT)

Faleminderit

Gjekë Gjonaj: Njeriu, fjala e të cilit ishte ligj

E premte, 13.02.2026, 06:57 PM


Kolë Mark Gjeku Lulgjuraj (1912-2002)

Njeriu, fjala e të cilit ishte ligj

Nga Gjekë Gjonaj

Treva e Malësisë, e shtrirë përgjatë rrjedhës së sipërme të lumit Cem, për shekuj me radhë ka formuar njerëz me karakter të fortë. Peizazhi i ashpër, guri, toka e varfër dhe lufta e pandërprerë për mbijetesë kanë krijuar një mentalitet nderi, pune dhe respekti për fjalën e dhënë. Në një mjedis të tillë lindën njerëz që nuk mbanin tituj zyrtarë, por gëzonin autoritet moral të padiskutueshëm. Kolë Marku Ljulgjuraj ishte pikërisht njëri prej tyre.

Kush ishte Kolë Marku?

Ai ishte një plak dhe figurë e njohur nga një zonë malore e Malësisë, përmes së cilës kalon lumi Cem. Në komunitetin lokal, ai njihej si “një nga kryetarët malësorë dhe si udhëheqës (vojvodë) i vëllazërisë Ljulgjuraj, një figurë së cilës fjala dhe autoriteti i respektoheshin pa diskutim brenda familjes dhe shoqërisë më të gjerë. Konsiderohet një nga figurat më tipike të urtësisë tradicionale shqiptare në Malësi.

U lind në Cem të Llofkës në vitin 1912 dhe  i përket atij brezi burrash që nuk u shquan për poste apo pasuri materiale, por për autoritet moral, mendim të pjekur dhe ndjenjë të lartë drejtësie.

Jetoi dhe veproi në një periudhë të vështirë historike, kur popullsia shqiptare e Grudës, dhe e krahinave përreth, përballej me varfëri të theksuar dhe sfida të shumta shoqërore. Në këtë kontekst, Kolë Marku u kthye në institucion të pashkruar pajtimi dhe këshillimi, ku drejtoheshin familje e individë për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme. Kolë Mark Lulgjuraj ishte një plak thellësisht i rrënjosur në traditën e Malësisë - një njeri, fjala e të cilit ishte autoritet dhe ligj.

Plaku që nuk favorizonte askënd

Veçantia e tij qëndronte në faktin se nuk mbante anë fisnore, nuk favorizonte  askënd  për interesa personale. Ai vepronte mbi parimin e së drejtës dhe arsyes njerëzore, duke ruajtur baraspeshën mes traditës zakonore dhe logjikës praktike të jetës. Nuk kishte “grupe” apo palë - kishte vetëm një anë: të drejtën. Fjala e tij ishte e njëjtë për të gjithë, e bazuar në arsyen, përvojën jetësore dhe ndjenjën e drejtësisë. Ajo ishte e prerë, por kurrë e rëndë; e thjeshtë, por gjithmonë e thellë. Për këtë arsye, vendimet e tij pranoheshin pa kundërshtim, sepse buronin nga logjika, përvoja dhe ndershmëria. Në Malësi thuhej se, kur fliste Kolë Marku, fjala peshohej para se të thuhej, dhe pikërisht për këtë ajo pranohej pa kundërshtim.

Figurë që linte mbresë

Tiparet kryesore të mjedisit  ku ai jetoi natyrisht se patën ndikim në formimin personal. Në Malësi fjala ka më shumë peshë se dokumenti i shkruar, nderi dhe reputacioni vlejnë më shumë se pushteti formal, kurse  pleqëria është burim autoriteti, jo dobësie. Kolë Marku ishte fryt i këtij mjedisi dhe njëkohësisht shprehja më e pastër e tij, duke përfaqësuar tipin e plakut malësor që bashkon forcën morale me respektin për  vendlindjen  dhe traditën.

Kujtesa popullore e përshkruan Kolë Markun si një malësor shtatlartë, me mustaqe , me qëndrim të qetë dhe sy që reflektonin përvojë. Prania e tij impononte respekt, pa pasur nevojë për fjalë të mëdha apo gjeste imponuese. Ai ishte nga ata burra që flisnin pak, por kur flisnin, fjala mbahej mend. Fjala e tij bashkoi Malësinë.

Mikpritje që i tejkalonte kufijtë etnikë

Shtëpia e Kolë Mark Lugjurajt ishte një vatër mikpritjeje, ashtu siç e do tradita malësore. Aty gjetën mirëseardhje burra të njohur nga Malësia e Madhe, intelektualë, njerëz të profesioneve të ndryshme, madje edhe jo shqiptarë, të cilët e vlerësonin për urtësinë dhe karakterin e tij. Mikpritja e tij ishte shembullore: bukë, kripë, zemër, fjalë e nder. Në një kohë kur kufijtë kulturorë e etnikë shpesh ishin të fortë, Kolë Marku ishte shembull i komunikimit njerëzor pa barriera, ku fjala e drejtë vlente më shumë se prejardhja.

“Vojvodë” pa gradë dhe titull

Në traditën gojore dhe në të folurën vendore, Kolë Marku ishte vojvodë, por ky emërtim nuk ka kuptim ushtarako-historik. Ai nënkupton: njeri të rendit, ruajtës të zakoneve, autoritet moral të bashkësisë. Kjo është një vojvodëri e karakterit, jo e hierarkisë. Në këtë kuptim, Kolë Marku i përket tipit të vjetër ballkanik të udhëheqësve që nuk mbahen mend për beteja, por për pajtimin, maturinë dhe qëndrueshmërinë.

Kolë Marku si  simbol i “të fundit”

Rëndësia e këtij burri të urtë ( urtak) malësorë  u dokumentua edhe në  filmin dokumentar “I pari dhe i fundit” të regjisorit malazez Dragan Matoviq,  në të cilin ishte figura qëndrore - një plak i thjeshtë në pamje, por me peshë të jashtëzakonshme morale dhe kulturore. Titulli i filmit mban një simbolikë të thellë. Kolë Marku është:i pari” për nga autoriteti, por edhe “i fundit” përfaqësues i një bote të tërë. Ai nuk është figurë historike e regjistruar në arkiva, as vojvodë me titull formal, por bartës i autoritetit moral, përfaqësues i botës tradicionale të Malësisë dhe dëshmitar i një epoke që po zhduket.

Në këtë film  thuhet se Kolë Marku kishte 84 vjet dhe ishte pjesë e një mjedisi fisnor malësor, ku vëllazëria e tij kishte pasardhës edhe jashtë vendit (kryesisht në SHBA). Pra, figura e “vojvodës Kolë Mark Gjekë  Ljulgjuraj  nuk është karakter imagjinar i filmit të Matoviqit, por bazohet në një person të vërtetë nga tradita vendore- një plak i vjetër dhe udhëheqës i vëllazërisë Lulgjuraj nga Malësia (zona e Cemit të Llofkës).

Në këtë dokumentar ai  paraqitet si simbol i mbijetesës së zakoneve dhe vlerave në kohën kur të rinjtë po largohen në masë të madhe. Ky portret synon ta vendosë  Kolë Markun në kontekstin shoqëror, historik dhe kulturor, duke u mbështetur në: dëshminë filmike të Momir Matoviqit, traditën gojore të Malësisë dhe analizën antropologjike të hapësirës malësore. Kolë Marku shfaqet në film si një njeri që fjala dhe qëndrimet e tij kanë peshë: fjala e tij ishte “e para dhe e fundit” në kuptimin e vlerave dhe zakoneve - nga kjo frymë filmi merr edhe titullin, ai paraqitet si “njeri i Zotit” dhe simbol i vazhdimësisë së traditës dhe jetës në prag të ndryshimeve moderne.

Puna si parim jetësor

Kolë Marku  parim jetësor kishte punën. Pavarësisht moshës së tij, ai çdo ditë kryente punë të rënda rreth shtëpisë prej guri dhe mullixhi duke i mbetur besnik tokës dhe mënyrës së jetesës së paraardhësve të tij. Për këtë figurë të respektuar të Malësisë, puna nuk ishte detyrim, por mënyrë ekzistence dhe lidhje me traditën e paraardhësve.

Përfundim

Kolë Marku Lulgjuraj nuk la pas vepra të shkruara, as dokumente formale, por la një gjurmë të thellë në kujtesën kolektive të Malësisë. Falë filmit të Momir Matoviqit, figura e tij ruhet si: dëshmi e shoqërisë tradicionale, shembull i autoritetit moral pa pushtet institucional dhe kujtesë për   vlerat që bota bashkëkohore po i shkatërron.

Vdiq në moshën 90-vjeçare, në vitin 2002, dhe u  varros me nderime të larta në  varrezat e Kishës së  Shën Mhillit në Dinoshë. Nuk ka lënë trashëgimtarë, as shkrime, por kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen e Malësisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Ilir Çumani: Ai zë ishte Vaçe Zela Ilir Çumani: Bujar Hudhri, botuesi që mbron me dinjitet fjalën e bukur shqipe Gjon Keka: Gjergj Kastrioti jeton përgjithmonë në histori Gjekë Gjonaj: Rrugëtimi profesional i Marina Kastratit Florim Zeqa: Nebih Zeneli – hero i gjallë i arsimit shqip Gjekë Gjonaj: Në kujtim të Ali Zekut Pepiq (Pepa) Lekë Mrijaj: Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Jobi Biblik i Epokës Moderne Gani Qarri: Dr. Ibrahim Rugova, Apostulli i Jodhunës së kohës sonë! Gjon Keka: Me vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova kombi ynë humbi njeriun e madh Bedri Tahiri: Porosia e Gjergjit tonë të Madh Ismet Lekë Hajrullahu: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Atleti i Krishtit Lekë Mrijaj: Busti i Kastriotit në Klinë – Kujtesë e identitetit tonë kombëtar Dorian Koçi: Kryezoti Gjon Keka: Gjergj Kastrioti nuk ka vdekur, ai është fryma që mban gjallë shpirtin dhe trupin e kombit tonë Lekë Mrijaj: Ernest Koliqi – Figurë poliedrike e hapjes së shkollave shqipe në Kosovë Dorian Koçi: Ismail Qemal Vlora Lekë Mrijaj: I amshuari Shkëlqesia e Tij Imzot Mark Sopi – Bariu epik i Kosovës Lekë Mrijaj: Akademi Solemne në 30-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit Luljeta Pula: Kam luftuar kundër Serbisë, por kam luftuar edhe me ndërskamcat e brendshme Ismet M. Hasani: Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Fishtës (4)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx