E merkure, 27.01.2021, 12:36 AM (GMT)

Mendime

Gjergji Kajana: Kosova, 10 vjet më pas

E merkure, 10.06.2009, 05:22 PM


Kosova, 10 vjet më pas

Nga Gjergji Kajana

Në kadencën gati 10-vjeçare të datave kyç të historisë kosovare, që shkojnë nga heqja e autonomisë prej Millosheviçit në 1989-ën e kalojnë përmes qëndresës "gandiste" të Rugovës në pjesën dërmuese të viteve '90-të, thyerjes së kësaj strategjie me daljen e UÇK-së e luftës se përgjakshme të '98-'99-ës deri në shpalljen e pavarësisë në Prishtinë, më 17 shkurt 2008, viti 1999 shënon ndarjen thelbësore - e jo vetëm në një plan kronologjik datash - mes Kosovës së vjetër e asaj të re.

Ai vit, që nisi me zbulimin makabër të masakrës së Raçakut në janar (45 shqiptarë të vrarë), kaloi përmes negociatave të Rambujesë, sulmeve të NATO-s ndaj Serbisë, vendosjes në Kosovë të misionit të UNMIK-ut e trupave të KFOR-it, pra me fundin "de facto" të juridiksionit jugosllav mbi provincën e martirizuar shqiptare.

Ato ngjarje shënojnë një kthesë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare e ballkanike gjithashtu.

Më 9 qershor, një marrëveshje teknike ushtarake e njohur si Marrëveshja e Kumanovës, mes forcave ushtarake të KFOR-it e Republikës Federale Jugosllave, përcaktonte modalitetet e tërheqjes së ushtrisë jugosllave nga Kosova, si kusht për ndalimin e bombardimeve të NATO-s.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratonte rezolutën 1244, që vendoste Kosovën nën administrimin civil të UNMIK-ut, autorizonte misionin ushtarak paqeruajtës të KFOR-it, kërkonte rikthimin e refugjatëve e të zhvendosurve nga lufta dhe çarmatimin e UÇK-së e grupeve të tjera të armatosura shqiptare.

Forcat ajrore të NATO-s ndërprisnin bombardimin e pozicioneve jugosllave. Lufta kishte mbaruar: ishte koha e rindërtimit material e shpirtëror të Kosovës.
Në pikëvështrimin historiko-politik, lufta e Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-s shënojnë një hap vendimtar në ripërcaktimin e kufijve etnikë të Ballkanit.

Në planin "jugosllav", ngjarjet e '99-ës janë fillimi i fundit të regjimit të Millosheviçit (rrëzuar nga një revoltë popullore në Beograd, më 5 tetor 2000) e krijesës së tij, të quajtur "Republika Federale e Jugosllavisë" (që zyrtarisht merr fund në qershor 2006, pas referendumit malazez mbi pavarësinë, më 21 maj të atij viti), pasi gjatë luftës, Qeveria e Malit të Zi refuzoi të përkrahte një luftë, gjykuar në Podgoricë si problem "serb".

Në planin ballkanik, lufta i dha jetë një periudhe paqeje pas 8 vjet luftërash në Ballkanin Perëndimor, si rezultat i shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë së Titos në '91-shin.

Në planin evropiano-ballkanik, dështimi në parandalimin e gjenocidit kosovar bindi Bashkimin Evropian që, me Paktin e Stabilitetit të Sarajevës, t'u ofronte vendeve të Ballkanit perspektivën e anëtarësimit në këtë organizëm për t'u larguar nga e kaluara e tyre e zymtë, si "Bota e tretë" e Evropës.

Veprimi luftarak i NATO-s hodhi bazat për një nisje të re, me perspektiva të qarta suksesi në marrëdhëniet mes shteteve ballkanike e mes tyre e Perëndimit.

"Marshimi" ballkanik drejt institucioneve euroatlantike e demokracisë së qëndrueshme, e ka origjinën nën tymin e hirin e luftës kosovare të '98-'99-ës.
Faktori politik shqiptar në Ballkan ka dalë i fituar nga përvoja e '99-ës. Kosova arriti të fitojë lirinë e kërkuar me të drejtë, e mohuar pa të drejtë për dekada.

Shqipëria luajti një rol të moderuar gjatë gjithë krizës, duke ia besuar mbrojtjen e kufijve të saj NATO-s e duke iu ankoruar me inteligjencë qëndrimeve euro-amerikane në planin politiko-diplomatik, qëndrim realist i pasuar me krizën maqedonase të 2001-shit e në periudhën e përcaktimit të statusit final të Kosovës, në fillim të 2008-ës.

Gjatë luftës në Kosovë, krahu politik shqiptar arriti të bënte për vete e të tërhiqte në anën e vet ngadhënjyesit e një diktature të egër nacionaliste në zemër të Evropës.

Fitorja më e madhe ishte angazhimi i Perëndimit në rindërtimin e Kosovës e moslargimin e tij pas luftës.
10 vjet më pas, Kosova është një shtet i pavarur, i njohur nga 60 prej 192 vendeve sovrane të OKB-së e në procedurë të avancuar anëtarësimi në organizma të rëndësishëm ekonomikë, si FMN-ja e Banka Botërore.

Angazhimi i politikanëve të saj është integrimi në të gjitha strukturat e zhvillimit rajonal e euroatlantik, në një periudhë disavjeçare, të nevojshme për të konturuar identitetin material të një shteti të ri. Ky vend gëzon të gjitha mundësitë e potencialitetet për të pasur rastin e qenies së një shembulli suksesi, në një proces në vazhdim përcaktimi pozitiv të faktorit të rëndësishëm shqiptar në Ballkan e Evropë.

*Università degli Studi di Roma "La Sapienza"



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora