E hene, 26.07.2021, 03:24 PM (GMT+1)

Mendime

Bardh Rugova: Sundimi i ligjit

E shtune, 06.06.2009, 02:57 PM


Sundimi i ligjit

Nga Bardh Rugova

Sintagma emërore e shqipes “sundim i ligjit” mund të ketë dy kuptime: sundon ligji dhe e sundojnë ligjin. Se kur vlen kuptimi i parë e kur i dyti mund të përcaktohet vetëm nga konteksti. Në rastin tonë, konteksti është kosovar

Një restorant i zaptuar në qen­dër të Prishtinës po e shënonte thelbin e sistemit të ri në Kosovë. Ishte viti i parë i pasluftës dhe në një tryezë të madhe në mes të restorantit “Skifterat” (tashmë të shndërruar në supermarket) ishin ulur varg njerëz të shquar të fushave të ndryshme: një shkrimtar, një profesor i Fakultetit të Mjekësisë, një juriste sapo e doktoruar, një person që prezentohej si  pajtues gjaqesh e që sillej si një mashtrues i zakonshëm dhe në krye të vendit me uniformë të bukur, njeriu që ishte (dhe vazhdon të jetë) në krye të policisë së Kosovës. Në fund të tavolinës, të ndarë në grupe sipas anës, kishin zënë vend dy familje që kishin ardhur të pajtoheshin. Një vajze të re, shitëse në dyqan, ia kishin prerë me thikë fytyrën, tek kishin dashur t’ia nxirrnin njëfarë borxhi pronarit të dyqanit. I dashuri i vajzës më pas kishte plagosur me armë zjarri një polic, i cili kishte qenë me sulmuesit e vajzës. Tani palët, ata të policit dhe ata të vajzës, ishin ulur karshi në restorantin e zaptuar dhe me ndërmjetësimin e shkrimtarit, të juristes së doktoruar, të profesorit të mjekësisë dhe të kreut të policisë po ia zgjatnin njëra-tjetrës dorën e pajtimit. As sulmuesit që ia kishin shëmtuar fytyrën vajzës së re, as sulmuesi që e kishte plagosur policin, nuk do të ndëshkoheshin nga ligji.Kreu i policisë do të shikonte me mburrje dhe krenari në krye të tavolinës. Njeriu që do të duhej të kujdesej për sundimin e ligjit, po punonte për sundimin e kanunit në Kosovë. Në vend se t’i arrestonte të dyja palët, ai po zbatonte kanunin.Kanuni, këtë e dinë më mirë etnologët dhe historianët, shekuj të tërë ka ekzistuar në shoqërinë shqiptare për shkak të mungesës së ligjit dhe të shtetit.Mirëpo, ishte viti i parë i pasluftës. Nuk kishte shtet. Mezi kishte ligj.Në fëmijërinë time mbaj mend tollovinë para stadiumit të Prishtinës. Kur nuk kishte kush të më dërgonte në stadium, qëndroja para dyerve të stadiumit dhe prisja ta gjeja ndonjë njeri të mirë që do të më fuste brenda. Në stadium lejohej të hynin pa biletë fëmijët  me përcjellje të prindërve. Mirëpo, kujdestarët te dera herë-herë dinin ta kontestonin hyrjen edhe kur të përcillte ndonjë më i vjetër, kështu që për të më futur brenda në stadium unë kërkoja ndonjë njeri si axha Sylë. Axha Sylë është një burrë i rryer, moto e të cilit është: “Vetëm a më lënë të flas!” Ai i shikon nja dy sekonda personat e tjerë dhe, nëse i vëren si më të dobët, nis t’u bërtasë e t’i shajë, derisa ia lëshojnë rrugën. Nëse i vëren si më të fortë, u bën lajka dhe llafe të mërzitshme, derisa, sërish, ia lëshojnë rrugën. Kështu unë zgjedhja ndonjë si axha Sylë dhe kur kujdestari te porta e stadiumit ma kontestonte hyrjen, njeriu alla-axha Sylë niste të bërtiste me zë të frikshëm: “A e di ti, prej kahit e kam pru une djalin me këqyr lojën, e ti këtu po më bën kerefekte?!” Zakonisht, nuk mbërrinin as ta përfundonin fjalinë deri në fund dhe kujdestarët lëshonin pe. Alla-axha Sylë ma bënte me dorë dhe e unë vazhdoja tutje në tribunën e Perëndimit për të gjetur një vend më të mirë për ta shikuar ndeshjen.Ndonjë vit më parë, ende pa u shtruar graniti në qendër të Prishtinës, axha Sylë, kishte mbushur veturën e tij me tetë udhëtarë dhe po qarkullonte në korzonë e Prishtinës pas orës 19, kur rruga mbyllej për automjete. Në fund të rrugës, po e prisnin policët. Axha Sylë doli nga vetura, ndërsa shtatë pasagjerët e tjerë, të mbështetur si sardele për njëri-tjetrin, po prisnin dënimin që duhej të kërciste. Mirëpo, axha Sylë, e shikoi për një çast, policin, e vërejti si më të dobët dhe pastaj nisi të shante: “Çka po kërkon bre jaran?! Qysh më ndal ti mu në këtë dakik?! A e di ti kush jam unë?! A e di ti çka të bëj unë?!”Polici u zbraps nja gjysmë hapi, ndërsa axha Sylë vazhdoi: “Tash për tash, po e lëmë me kaq. Herën tjetër...” Mbylli derën dhe vazhdoi tutje. Deri te semaforët e parë. Atë vit kishte shumë reduktime të rrymës dhe semaforët nuk po punonin. Polici i trafikut që po kontrollonte udhëkryqin ngriti dorën lart për t’i sinjalizuar axhës Sylë se duhej të ndalej. Mirëpo, axha Sylë vetëm shtypi më shumë gazin dhe u sul drejt policit. Polici i shkretë u shmang nja dy hapa dhe po i fishkëllonte me pipin e tij nga prapa.“O axha Sylë, po do të ta marrin patentën, more?!” i tha njëri nga pasagjerët.“Po çfarë patente! Une nuk kom hiç patentë”, ia ktheu axha Sylë.Në atë veturën e tij të stërmbushur, atë mbrëmje dimri, ai po dëshmonte në mënyrën e tij karakteristike se në Kosovë nuk kishte zbatim të ligjit. Kuvendi i Kosovës kishte nxjerrë disa ligje, por jo me dinamikë të mjaftueshme. Megjithatë, edhe ato ligje, nuk po zbatoheshin në praktikë.Zaptimet e banesave, të dyqaneve, të bizneseve ishin të zakonshme për shkak të paqartësisë së ligjit dhe të shtetit.Mirëpo, ishte viti i gjashtë i pasluftës. Ende nuk kishte shtet dhe mezi kishte ligj.Thonë se askund më mirë nuk mund të vërehet sundimi i ligjit sesa në trafik. Nëse nuk besoni, ejani ta bëjmë një xhiro nëpër Prishtinë.Gjithë kohën përpiqem të ngas sipas rregullave të trafikut në Kosovë. Nuk kam gjithnjë sukses. Nëse ndalem për t’ia lëshuar rrugën ndonjë këmbësori në kalimin e këmbësorëve, automjeti nga prapa do të më bëjë zhurmë me bori. Nëse përpiqem t’i jap përparësi në udhëkryq anës së djathtë, mbetem për shumë kohë pa kaluar dhe sërish zihem nën kërcënimin e zhurmët të borive të veturave prapa.Mirëpo, me gjithë kujdesin për të mos shkelur rregullat e trafikut, kam paguar disa tiketa. Njëra prej tyre ka qenë më bizarja nga të gjitha. Arsyetimi i dënimit thoshte: “Tejkalim i gabuar në anën e majtë”. Polici, ndoshta, nuk e kishte ditur se tejkalimi i gabuar është në atë të majtën tjetër që në shqipe i themi: e djathtë.Nëse, ndërkohë, dikush ka hyrë në semaforin e kuq dhe ju ka dëmtuar veturën, telashet nuk do t’i zgjidhni aq lehtë. Rastet në Kosovë, tregojnë se për një gërvishtje të shkaktuar në dhjetor, pala është dashur ta priste përfundimin e lëndës në gjykatën komunale deri në muajin prill të vitit të ardhshëm. Pasi lënda është mbyllur, pala vrapon te kompania e sigurimit për kompensim të dëmit dhe aty, natyrisht, i ofrojnë disafish më pak se dëmi real.Si do të arsyetohen tani situatat e tilla. Ligjet i kemi. Shtetin e kemi.Është viti i dytë i pavarësisë. Ka shtet, por ende mezi ka ligj.  Kur javë më parë u thye dhoma e dëshmive në polici, nisën të shfaqeshin më publikisht shumë nga mendimet që kishin ekzistuar edhe më parë në mesin e qytetarëve: sa mund t’i besohet policisë së Kosovës, e cila nuk ka aftësi ta ruajë as shtëpinë e saj?Natyrisht, për vjedhjen në dhomën e dëshmive, askush nuk jep përgjegjësi. Kreu i policisë, ai i njëjti që pajtonte gjaqe, nuk ndjen përgjegjësi, siç nuk ka ndjerë përgjegjësi as për vrasjen e dy të rinjve në protestat e 10 shkurtit 2007 dhe siç nuk ka ndjerë kurrfarë përgjegjësie morale as kur, ai, njëshi i policisë, nuk ka guxuar të vazhdonte udhën në veri të Kosovës, vetëm se i kishin dalë përpara një grup serbësh.Dosjet e shumta të pazgjidhura në gjykata, aferat e disa gjykatësve dhe të prokurorëve, procedurat për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues, nxjerrin në sipërfaqe pyetjen tjetër: sa mund t’u besohet gjykatave të Kosovës?Joe Biden javën e shkuar dha disa mesazhe në Kosovë. Mes tjerash, kërkoi sundimin e ligjit. Sintagma emërore e shqipes “sundim i ligjit” mund të ketë dy kuptime: sundon ligji dhe e sundojnë ligjin. Se kur vlen kuptimi i parë e kur i dyti mund të përcaktohet vetëm nga konteksti. Në rastin tonë, konteksti është kosovar.Kontekstin mund ta zbërthejmë me disa shembuj konkretë të diskutuar e të rrahur në mediumet kosovare:Kryetari i Kosovës shkel Kushtetutën, duke mos hequr dorë nga posti i kryetarit të LDK-së – vë veten mbi ligjin;Qeveria shkel ligjin e prokurimit, duke mos shpallur tender për kremten e pavarësisë – vë veten mbi ligjin;Ministria e Transportit shpall tenderët me procedurë të përshpejtuar për shtrimin e rrugëve – vë veten mbi ligjin;Kryeministri lejon emërimin e sekretarëve të përhershëm pa procedurë për shkak se lejon që KELP-i, që e kryeson ai, të mos funksionojë — vë veten mbi ligjin ;Ministria e Brendshme bën shkelje ose interpretim fare elastik të ligjit duke suspenduar policët serbë, të cilët për mbi një muaj marrin rrogë pa punuar;Secili nga këta shembuj dëshmojnë sundimin e ligjit. Jo si raste kur sundon ligji, por si raste kur institucionet e sundojnë ligjin.Me fjalë të tjera: Kush mund të thotë pastaj se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit! 



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora