E hene, 26.07.2021, 02:22 PM (GMT+1)

Mendime

Halil Matoshi: Kombi i lindur nga konflikti

E shtune, 06.06.2009, 03:02 PM


Halil Matoshi
Halil Matoshi
Kombi i lindur nga konflikti
       
Na Halil Matoshi
 

Mirëmëngjesi Kosovë

Për cilin komb foli Joseph Biden në Prishtinë dhe cila është semantika e fjalimit të tij? Cili është kontributi teorik dhe praktik i Joseph Bidenit për kombin e lindur nga konflikti dhe pse ai e identifikoi kombin multietnik kosovar me kombin e tij amerikan?

Kur kosovarët duhet t’i marrin përgjegjësitë shtetërore, një dorë njerëzish nga bota kuazi­akademike, por edhe nga polit­ika, flasin e shkruajnë papë­rgjegjshëm për kotësinë dhe panevojshmërinë e krijimit të shtetit të Kosovës, ose përkohshmërinë e këtij shteti, gjithnjë në dritën e megaloideve serbe dhe greke të fundit të shekullit XX dhe në përballje me to ata po ashtu flasin për nevojën e sabotimit të simboleve të këtij shteti, sepse Kosova e pavarur, në këtë dioptri, na del projekt i dhunshëm (i imponuar!?), e jo i vullnetshëm, pra minimal. Ata së këndejmi kërkojnë zhbërjen e tij, duke propaganduar bashkim kombëtar dhe shtet unik shqi­ptar, në kohën e integrimeve globale, kur askush nuk qet thera në aksin e integrimeve të shq­iptarëve, në rrafshin kulturor e shkencor, në komunikime profesionale e mes kushërinjve, por sidomos në rrafshin ekonomik, në epokën e këmbimeve të vlerave materiale e shpirtërore. Por duket sheshit, shqiptarët kulturalisht defensivë dhe ekonomikisht impotentë, kur nuk kanë çka t’i japin njëri-tjetrit, të çakorduar e plot frikë hidhen kundër ideve të reja të tjetrit/tjerëve. Të gjithë ata që argumentojnë për një “njësi të rritur” politike, nga etnia dhe populli në komb të shtetit, i stigmatizojnë me tendenca përjashtuese, pa i dëgjuar fare. Etnia është një konstantë, ndërsa kombi i shtetit një variabël. Debati për kombin e shtetit dhe identitetin kosovar të shtetit (komb i lindur nga konflikti, siç e cilësoi miku i Kosovës, Biden) që është sfida e shoqërisë kosovare sot, po shkakton frikë paranoide nga shkombëtarizimi dhe mosbesim për të ardhmen.. Kosova si nocion (emër-kuptim) gjeografik, me bazë sllave, pas pushtimit nga Serbia më 1913, dhe posaçërisht në gjysmën e dytë të shekullit XX, ngërtheu në vete edhe konceptet identitare territoriale dhe politike. Natyrisht se emërtimet autoktone si ai antik Dardania, ose emërtimi arbër Dukagjin do të ishin shumë më të pranueshme, por për emërtimin Dardani duhet shkuar në referendum dhe kjo është e pamundur sot kur Kosova është ende pavarësi e mbikëqyrur, kurse emërtimi Dukagjin nuk përfshin tërë hapësirën e Kosovës së sotme, me kufijtë e njohur ndërkombëtarisht. Pra, asgjë s’do të prishte punë sikur të emërtohej edhe Shqipëri Veriore, etj. Siç nuk prish asnjë punë sot emërtimi Kosovë, që është i rrënjosur përgjatë shekujve!?

Askush, asnjëherë dhe askurrë nuk e ka mohuar origjinën etnike shqiptare të shumicës dërrmuese të popullsisë së Kosovës (gjaku, kujtimet e së shkuarës, simbolet, gjuha dhe trualli i përbashkët), por në kushtet e lindjes së idesë për një shtet të pavarur, pas një konflikti të gjatë dhe pas një lufte të armatosur, duhet të gjendet një modus i vullnetit të përbashkët, për një bashkësi qytetarësh të mbledhur në shtet mbi parime demokratike, jo duke u shkombëtarizuar, por duke “harruar” origjinën, për hir të integrimit të shoqërisë dhe kohezionit të saj kombëtar, për ta ruajtur integritetin territorial dhe për të lidhur marrëdhënie ndërkombëtare me kombet/shtete kudo në botë, si entitet politik sovran.

Por në vazhdim e ftoj lexuesin e vëmendshëm për një lexim krijues dhe refleksiv të fjalimit të z. Biden, për sa i përket “kombit” dhe “çështjes kombëtare”, që po shkakton uragan në mendjet dhe zemrat e etnisë shqiptare në Evropën Juglindore dhe të të gjitha pjesëve të popullit shqiptar, pra edhe në diasporë.

Në çfarë konteksti e përmendi Bideni kombin, në fjalimin e tij në Prishtinë, cili është ky komb që e “popullon” këtë territor dhe që e administron këtë bashkësi demokratike - shtetin?

Pse Biden e identifikon kombin e Kosovës me kombin e tij amerikan?

Pse Biden kur foli për të gjitha kombet, përfshirë Kosovën, nuk u shpreh, ta zëmë: të gjitha kombet, përfshirë shqiptarët?

Së pari, a ishte ky kumti se Kosova shtet i paraprin krijimit të kombit të shtetit.

Së dyti, kur ai iu drejtua liderëve kosovarë si liderë të një kombi të lindur nga konflikti, ai e nxori në qendër të fokusimit të komb-krijimit konfliktin e fundit Kosovë – Serbi, e jo konfliktet historike shqiptare-serbe.

Dhe së treti, ai i thirri ata (liderët kosovarë) që të vazhdojnë të ëndërrojnë për një komb shumetnik, të lirë, sipas modelit të kombit amerikan!?

Pse Biden e përmendi tri herë idenë e kombit dhe askush nuk u ndal ta dëgjonte, ose pse askush nuk e merr mundimin ta kundërshtojë? Për këto dhe disa “demonë” të tjerë lexoni në vazhdim. Kjo pyetje në rend të parë u adresohet ligjvënësve kosovarë dhe ekzekutivit që priten të ekzaltuar rreth 40 minuta shfaqjen e mikut në foltore dhe iu enjten shuplakat duke duartrokitur, pra ata, (por edhe bota akademike) duhet ta zbërthejnë semantikën e secilës fjali ikonike që e tha Biden, e veçanërisht kur ai adresoi çështjen e kombit të lindur nga konflikti. Nëse Shqipëria si komb-shtet nuk ishte e përfshirë në konflikt, atëherë për cilin komb foli miku Biden në Prishtinë?

E para, duke folur për sfidën që e pret Kosovën, në aspektin e balancës sociale dhe për krijimin e mirëqenies për të gjithë qytetarët, Biden u angazhua për një treg të lirë dhe për vende pune. “Për të ndërtuar një ekonomi që mund të garojë në shekullin XXI, të gjitha kombet, përfshirë Koso­vën, duhet të krijojnë një klimë mirëseardhëse dhe transpar­ente biznesore që nxit investi­me, si dhe krijon vende pune. Punë që të rinjve tuaj u duhet.” Fjala “të gjitha kombet, përfshirë Kosovën”, sinjalizon se Biden po flet për një komb, Kosovën, (që i përket Kosovës, pra kombin kosovar) si të gjitha kombet e tjera, pra, duke dhënë mesazhin se në bashkësinë evropiane hyjnë kombet, e jo etnitë apo pjesët e ndara të popujve, që varësisht si trajtohen në shtetet respektabile, nuk përmbushin kushtet politike dhe juridike që të hyjnë në marrëdhënie “me të gjitha kom­bet.”

E dyta, Biden iu drejtua liderëve kosovarë si liderë të një kombi, të cilin e identifikoi me kombin e tij. “Si liderë të një kombi të lindur nga konflikti, sikurse ka qenë kombi im dhe është juaji, ju keni një përgjegjësi të posaçme të tejkaloni trashë­giminë e ndarjes, hidhërimit, frikës dhe mosbesimit brenda vendit tuaj.”

Cili është kombi i lindur nga konflikti? Kjo tezë duhet të shqyrtohet kujdesshëm e ftohtë, duke u mbështetur në teoritë sociologjike dhe politike mbi kombkrijimin dhe identitetin kombëtar, e jo duke i shpërfillur argumentet dhe duke i stigmatizuar bartësit e frymës së një debati të hapur. Pra, “si liderë të një kombi të lindur nga konflikti, sikurse ka qenë kombi im” është një argument i z. Biden, që mund të mbështetet ose të kundërshtohet. Mirëpo, nëse përfaqësuesit e sovranit, deputetët e Kuvendit të Kosovës i duartrokitën atij me aq eufori, a kanë ata fuqi ta kundërshtojnë këtë teori të hedhur nga ai dhe a u janë shteruar tashmë kundë­rargumentet dhe po e pranojnë në heshtje?

Koncepti i Bidenit për një komb të ri të lindur nga konflikti është i ri, sepse e sjell në qendër të debatit konfliktin e Kosovës me ish- Jugosllavinë, përkatësisht me Serbinë, si amë e lindjes së një kombi të ri, e jo origjinën dhe kujtimet e së shkuarës, historinë, mitet dhe simbolet, kulturën dhe gjuhën e përbashkët por, thjesht, rrënjën e konfliktit dhe të drejtën për liri dhe demokraci.

Dhe së treti, është ideja e lirisë, pra ëndrra e lirisë (e vullnetit të lirë sepse, siç thotë Franz Neuman, vetëm njeriu i lirë mund të vendosë lirisht dhe me vullnet) që krijon një bashkësi të lirë qytetarësh, pra një komb të vullnetit, të bashkuar rreth vlerave të përbashkëta evropiane të lirisë. “Ju duhet të vazhdoni të ëndërroni për një komb të lirë, shumetnik dhe të fuqishëm dhe përfundimisht, për herë të parë në histori, drejt integrimit në BE.” 

Është shumë e thjeshtë porse pranohet me vështirësi ajo që e qiti nga goja Biden. “Një komb shumetnik dhe i lirë”, ky nocion e shtron para nesh një drejtpeshim, një reflektim dhe këndellje. “Po ku ka komb shumetnik?” – po pyesin me agresivitet dhe pezëm shumë kundërshtarë të koncepteve të reja mbi kombkrijimin në këtë shekull.

Kurse Biden e krahasoi këtë kombin tonë me atë të tij, i cili është natyrisht një komb shumetnik, por një komb i vetëm amerikan, i mirëqenë dhe demokratik, ndërkaq që kombet etnike në fqinjësi, në Amerikën Jugore, ta zëmë, përballen përditë me kriza e përplasje, me puçe ushtarake e reprezalje ndaj bashkëkombësve të tyre, me lidership nacional-komunist, si Castro apo Chavez...

Pra kemi dy modele amerikane të kombkrijimit, të strukturimit të idesë kombëtare dhe të identitetit kombëtar, modelin verior dhe jugor. E tash, ne duhet të zgjedhim, cilin model e kemi më për zemër, cili nga ta ofron mirëqenie dhe stabilitet, cili model i shërben njeriut të thjeshtë, qytetarit, e cili ia merr atij të sotmen dhe shpresën për të ardhmen, duke u rrokur pas tablove të origjinës, pas tablove biologjistike të botës dhe duke e instrumentalizuar idenë e madhe kombëtare për ta sunduar më lehtë dhe më ashpër qytetarin.

Biden në Prishtinë konkludoi: “Ndihuni krenarë me atë që keni arritur. Mbani durimin dhe ngulmin tuaj dhe insi­stoni të mos dorëzoheni nga ajo që kurrë nuk ka ekzistuar këtu më parë në plotësi - një demokraci e vërtetë shum­etnike.”

Dhe, në fund, z. Biden i jep shp­resë këtij vizioni, demokracisë shumetnike, pra demokraci me të tjerët e jo ekskluzive njëetnike. Derisa për një demokraci të tillë në këtë vend pakkush ka kurajë qytetare të mendojë e të angazhohet, çuditërisht Biden thotë: “Unë jam optimist për shtetin tuaj.”

Biden e përmendi kombin kosovar në tri kontekste, atë ekono­mik/integrues, në kontek­stin e lidershipit që drejton një komb të lindur nga konflikti, në konte­kstin e shumetnicitetit dhe të diversitetit kulturor e fetar (demokraci shumetnike.)

Fjalimi i Bidenit ishte një eks­plorim dhe deshifrim i ëndrrës që duhet ëndërruar, për një komb shumetnik dhe të lirë...



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora