E marte, 19.03.2024, 09:42 AM (GMT)

Mendime

Ilir Çumani: Kthimi i një dashurie të humbur...

E marte, 20.01.2009, 10:39 PM


Ilir Çumani
Ilir Çumani
KTHIMI  I  NJË DASHURIE TË HUMBUR...

Nga Ilir ÇUMANI*

Andi,  humbja e pamerituar e  një dashurie.

Ai është një djalë i ndrojtur, tërheqës, i sinqertë dhe tepër i edukuar. Flet shumë pak dhe vetëm dëgjon, si për të të thënë me këtë gjest se diçka kërkon të mësojë prej teje. 
Gjatë  gjithë kohës që  bisedon  me të, thuajse vetëm hesht, ashtu siç mund të heshti një  nxënës i mirë përpara mësuesit, ose një fëmijë i bindur  para prindit të tij. 
Duket se rrethanat që e sollën  në jetë atë djalë, peripecitë  dhe “dallgët” që  i’a trazuan fëmijërinë qysh në ditët e para të jetës,  kanë mikluar tek ai  instiktin e të qënit njeri paqësor, racional dhe  tolerant me cilindo  që do të kishte të bënte me të.
Por gjithësesi,  ai është tepër i dashur dhe miqësor, por edhe vëzhgues i vëmendshëm me bashkëbiseduesin. Kjo bën që t’a duash dhe të ndjesh edhe dhimbje për fatin që ka patur, edhe respektin  ndaj një djali dinjitoz si ai.
Quhet Andi Xhelili dhe është 23 vjeç. Është student i vitit të II-të në  Universitetin e Tiranës. Studion për anglisht në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. 
Në të vërtetë  mbiemri i Andit  ka qënë “Seferi”. Këtë mbiemër ai e trashëgoi nga dy prindër biologjikë që  kurrë nuk mundi t’i njohë gjatë gjithë jetës së tij.
Mund të thuhet  se ardhja e tij  në këtë jetë ka qënë krejt aksidentale, nga dy njerëz që  nuk mundën të gëzonin  frytin e  dashurisë së tyre për shkak të çmendurisë së kohës që jetonim.

Prindërit biologjikë, nëna Beharja dhe babai i tij Kujtimi, atëhere ishin dy të rinj 18 – vjeçar, maturantë të një shkolle të mesme në  qytetin e Krujës.
Ishte qershori i vitit l980  kur dy të rinjtë e dashuruar,  pas shumë takimesh të “fshehta”  i kishin thënë “po” dashurisë së tyre të brishtë e të pastër, e cila  kurrë nuk mund t’i çonte në altarin martesor.
Befas, gjithçka do të shkatërrohej në mënyrën më të paimagjinueshme dhe të pamëshirëshme.
Prindërit e dy të rinjve të dashuruar  në atë kohë, kishin shpallur armiqësi për shkak të një gjakmarrjeje.  Një dramë e re që lindi mes këtyre familjeve, por që  do t’i  kushtonte shumë Behares dhe Kujtimit  me një ndarje tragjike.
Të rinjtë  nuk do të takoheshin më kurrë me njëri – tjetrin, duke lënë në mes një ëndërr të bukur, të parealizuar, me  shumë kujtime  nga vitet e tyre më të bukura të shkollës, por  dhe  një “mal” me  brenga e gëzime,  dhimbje edhe  lot...
Asgjë nuk mund t’a toleronte këtë konflikt  mes dy familjeve që tashmë kishin hyrë në gjak. As lotët dhe përgjërimet e dy të rinjve që kërkonin nga familjet e tyre të shuhej kjo gjakmarrje. As lutjet që përsëriteshin pa fund për hir të dashurisë së tyre. As   foshnja në barkun e Behares  që pritej të vinte në jetë pas tre muajsh, nuk mund t’a shuante këtë konflikt të hapur. 
Gjakmarrja duhej shpaguar me ç’farëdolloj çmimi, edhe  pse ndëshkoheshin  ata që  nuk ishin aspak fajtorë. Madje absurdi i kësaj padrejtësie i kalonte caqet,  përderisa ajo prekte dhe ndëshkonte  një krijesë që pritej të vinte në jetë.
Në këto rrethana,  prindërit  ushtronin presion të vazhdueshëm mbi Beharen,  adoleshenten e pafajshme 18 – vjeçare. Një presion  që ajo t’a  dështonte fëmijën  për të larguar këtë “turp të madh” i cili  kishte “damkosur” të gjithë  familjen dhe fisin. 
Shpesh herë ajo kërcënohej nga fisi dhe familja se edhe nëse do t’a  lindte fëmijën, do ta dorëzonin në Befotrof  jashtë vullnetit dhe dëshirës së saj si nënë. Pastaj   do ta martonin  me një djalë nga një tjetër familje, duke  varrosur kështu njëherë e përgjithmonë  këtë histori,  ndoshta të vetmen dashuri të vërtetë në jetën e saj.
Në përpjekje për të përballuar opinionin e egër konservator dhe provincial të kohës,  ajo bëri të pamundurën për t’i njohur foshnjës atësinë, gjë të cilën arriti  t’a realizojë, por që nuk mundi t’i  rezistojë presionit të familjes  për ta mbajtur pranë Andin e vogël,  foshnjën e porsalindur.
E ndodhur në udhëkryq, më në fund Beharja detyrohet t’a dorëzojë fëmijën  në Befotrofin e Shkodrës, duke lënë  pas një pjesë të trupit të saj,  dhe duke marrë me vete peshën e një dhimbjeje të madhe, të një ndëshkimi dhe përbuzjeje të pamerituar...

Tregon Vjollca, motra adoptive e Andit.

Andi në moshën 6 vjeç
Andi në moshën 6 vjeç
Vjollca Xhelili, motra adoptive e Andit  tregon se nëna  saj Zyraja, një grua fisnike dhe bujare,  edhe pse kishte tetë fëmijë,  kërkonte me çdo kusht të mbante në shtëpinë e saj  edhe një fëmijë jetim nga Befotrofi i Shkodrës.
Familja jonë në Shkodër, - tregon Vjollca, - përbëhej nga  l0 vetë. Nëna, babai dhe fëmijët, që ishin  gjashte motra dhe dy vellezër. 

Hyqmetja, Fatmira, Vaideja dhe Vjollca kishin mbaruar për mësuesi. Vëllai i tyre Ndriçimi,  kishte mbaruar ekonomikun, kurse motra tjetër Baftjarja kishte përfunduar studimet për mjeke laborante. Ndërsa Flutura dhe Gëzimi kishin mbaruar inxhinierinë mekanike. Të gjithë kishin përfunduar  shkollat e larta dhe kishin dalë në punë.
Mirëpo Gëzimi,  një nga vellezërit, ishte zhdukur nga Shiroka për në Mal të Zi  pa lënë asnjë gjurmë. Ai  nuk u kthye më kurrë në atë shtëpi dhe nuk u bë asnjëherë i gjallë...
Ka qënë viti l982. Shteti, por edhe familja Xhelili,  Gëzimin e  konsideronin të humbur. Nëna dhe babai e vuanin edhe më  shumë humbjen e tij. Pas dy vjetësh, nga meraku i madh,   babai vdes.  Me vdekjen e tij dhimbja në këtë familje u bë edhe më e madhe.
Nënë Zyraja besonte shumë te zoti dhe gjithmonë shpresonte se një ditë ajo do t’a gjente të birin. Sa herë që dilte në qytet me vajzat, ajo kalonte  nga jetimorja dhe shpesh u thoshte: “Ah moj bija, a nuk e marrim një fëmijë nga befotrofi se mbase më lehtësohet ndopak dhimbja për Gëzimin...?!”
Më bënte përshtypje ky mendim i saj, - vazhdon rrëfimin e saj Vjollca, - dhe  thosha me vete: si ka mundësi, kjo grua me 8 fëmijë të ketë në mendje një gjë të tillë?  Në fillim m’u duk diçka për të qeshur, por kur ajo e përsëriste shpesh këtë gjë, vendosa të mos i’a prish dhe i them: po mirë moj nanë, tani që po afrojnë edhe festat e Vitit të Ri, shkojmë e po e marrim një fëmijë për ta mbajtur ca kohë në shtëpinë tonë.
Ditën e parë kur shkuam në befotrof, takuam drejtoreshën. Asaj i bëmë  të ditur kërkesën tonë për të na e dhënë një fëmijë dhe    për ta mbajtur ca ditë për festat e vitit të Ri. Mua rastësisht më shkuan sytë tek një femijë tre vjeçar. Ishte tepër tërheqës dhe i them nënës: Ja, marrim këtë fëmijën që po loz këtu. Nëna  i’a  nguli sytë fëmijës, dhe me intuitën e pagabuar që mund të ketë vetëm një nënë si ajo,  më thotë: ky fëmijë është i sëmurë moj bijë. Nuk e shikon si i’a  kanë mbuluar   fytyrën bulëzat e djersës? I’u afrua dhe po ja fshinte djersët me një shami. - Këtë fëmijë do t’a marrim  dhe do ta mjekojmë në shtëpinë tonë, -  këmbënguli nëna.
Më pas, firmosëm marrjen e fëmijës në dorëzim sipas procedurave që kishte drejtoria e Befotrofit dhe menjëherë thërrasim  mjeken pediatre,  zonjën Rexhina Preka,  e cila  pasi e viziton, konstaton se  fëmija kishte marrë një bronkopneumoni të rëndë. Në këto kushte,  mjekja pediatre i caktoi kurën me antibiotikë dhe mamaja filloi ta trajtonte fëmijën me ushqim special gjatë gjithë atyre ditëve. Edhe pse lejen për të mbajtur këtë fëmijë në shtëpinë tonë e kishim të kufizuar, mamaja shkonte shpesh në drejtorinë e Befotrofit për t’a shtyrë afatin sa më shumë që të ishte e mundur. 
Ishte fundi i vitit l984. Ato ditë të para të janarit të vitit l985, bënte një i ftohtë i madh dhe të gjitha  zonat e veriut ishin bllokuar nga dëbora dhe moti i keq. Për këtë arsye fëmija nuk mund të dilte nga shtëpia sepse gjëndja e tij do të rëndohej edhe më shumë.
Fëmija me emrin Andi Seferi qëndroi në shtëpinë tonë plot tre muaj dhe gjendja e tij u përmirësua shumë drejt një shërimi të plotë.
Prezenca e Andit të vogël në shtëpinë tonë, ndryshoi shumë gjëra. Në radhë të parë ai na  ndryshoi atmosferën e rënduar  që kishte pllakosur familjen tonë nga  humbja e vëllait  por edhe nga vdekja e babait.
Tashmë ai ishte bërë  pjesë e familjes sonë dhe mamaja e kishte të vështirë ta largonte nga vetja.
Ditët e para, - tregon Vjollca, - kur motrat vinin për të parë mamanë befasoheshin me prezencën e fëmijës së vogël dhe e pyesnin se i kujt ishte ky fëmijë.
Mamaja bënte shaka dhe u thoshte se është fëmija Çimit, vëllait tonë beqar. Dhe ato me humorin karakteristik shkodran i’a kthenin: “Po kur morët viçin, sillni edhe lopën…”.

Zyra Xhelili, nëna e dytë e Andit.

Nënë Zyraja me djalin e saj të madh biologjik Gëzimin dhe djalin adoptiv të saj Andin

Nënë Zyraja, kjo grua e dhimbsur dhe me zemër të madhe, është me origjinë turke.
Në një moshë tepër të re, në vitet e paraçlirimit,  ajo e  lë familjen e saj në Turqi dhe emigron e vetme në Shqipëri. Në fillim  vendoset në Tiranë, ku edhe martohet me Sherif Xhelilin, një jurist i kohës se Zogut, me të cilin lindi plot tetë fëmijë. Si një familje e prekur nga regjimi komunist nga ana e të shoqit, kjo familje transferohet në Shkodër. Vështirësitë e jetës dhe të qenit jabanxhi në një vend të huaj, duket se e kishin bërë shumë të ndjeshme dhe të butë natyrën e kësaj gruaje me zemër të madhe.
Bujarinë, kujdesin, dashurinë dhe përkushtimin e të cilës nuk  e ndjenë vetëm tetë fëmijët që ajo  i rriti me shumë mund e sakrifica, por i ndjeu edhe Andi i vogël, fëmija jetim i cili shumë shpejtë do të fitonte zemrën e kësaj gruaje fisnike.
Nënë  Zyraja, që nga dita e parë kur e njohu Andin, vogëlushin e jetimores,  nuk do ta ndante më kurrë nga fëmijët e saj. Tashmë,  Andi kishte vendin e tij në familjen Xhelili.
Nënë Zyraja do të ndiqte hap pas hapi ecurinë  fëmijës duke u interesuar çdo ditë në Befotrof, duke parë nga afër të gjitha  kushtet e jetesës. Në më të shumtën e rasteve vogëlushi jetonte në shtëpinë e nënë Zyrasë, dhe natyrshëm ai u bë pjesë e pandarë  kësaj  familjeje kaq të dashur. Të gjithë fëmijët e Zyrasë, duke e parë Andin si  “pikën e dobët” të nënës së tyre,   e konsideronin  tashmë si vëllain e tyre më të vogël.
Njëherë Nënë Zyraja u sëmurë dhe zuri shtratin. E kishin zënë  ethet dhe rënkonte nga dhimbjet dhe temperatura e lartë  duke shfryrë nënë zë: “..e zeza, do vdes…”. 
Andi i vogël e kishte dëgjuar këtë shprehje  dhe nisi  ta marrë  me të mirë Nënë Zyranë duke i thënë: “ Jo nëna, jo,  nuk do vdesësh..! Po vdiqe ti, do vdes edhe unë me ty….” 
Kjo e kishte prekur shumë Nënë Zyranë, e cila nuk mundi t’i mbante dot lotët.
Vjollca,  motra adoptive e Andit,  tregon  momentin kur  Andi mbushi 6 vjeç dhe do të shkonte në klasën e parë. Me këmbënguljen tone, - thotë ajo,-  e rregjistruam në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”. Por çudia më e madhe për ne ishte kur Andi nisi të mësonte të shkruante emrin e tij. 
Një ditë, mësuesi i klasës së parë  Mustafai, vjen në shtëpinë tonë dhe na tregon një fletore të detyrave të klasës të Andit.

Vjollca Xhelili me motrën dhe vëllain adoptiv Andin

Në kapakun e kësaj fletoreje ishte shkruar nga dora e tij  ky emër: Andi Xhelili.
- Nuk e kuptoj, - vazhdoi mësuesi, - në rregjistër ky djalë figuron me mbiemrin “Seferi”, ndërsa në të gjitha fletoret e klasës, ai shkruan mbiemrin tuaj, “Xhelili”.
- Ai fëmijë ju do shumë të gjithëve, përse nuk e birësoni...!?, - guxoi të shkonte më tej gjatë bisedës mësuesi. Për një çast,  ne që ndodheshim aty,  shtangëm...
Në të vërtetë birësimin e Andit e dëshironte prej kohësh Nënë Zyraja. E dëshironte qysh ditën e parë kur ajo e mori në jetimore. Por ajo druhej se mos cënohej “biografia” e fëmijës, pasi familja e saj  shikohej me një tjetër sy...
Pas viteve ’90 - të, familja Xhelili u tranferua në Tiranë.
Nënë Zyraja e  mori  me vete edhe Andin, i cili sapo kishte përfunduar klasën e tetë me nota të shkëlqyera. Kur Andi mbushi l5 vjeç, ajo i  nisi të gjitha  proçedurat për birësimin e tij pranë Komitetit Shqiptar të Birësimit. Këto  procedura  u përfunduan  me sukses dhe tashmë Andi figuron si biri i Nënë Zyrasë, gruas që e deshi dhe bëri kaq shumë për këtë fëmijë.  Me shpenzimet e saj, ajo mundi t’a regjistrojë Andin në shkollën turke “Mehmet Akif Kolej”.
Mirëpo Andi studioi aty vetëm dy vitet e para dhe  transferohet në shkollën e mesme te gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, sepse  pagesa në këtë shkollë private u shtrenjtua dhe Nënë Zyraja nuk mundi  më t’a përballonte atë  pagesë.
Vitet e fundit, gjendja shëndetësore e Nënë Zyrsë u rëndua së tepërmi. Disa ditë përpara se të ndërronte jetë, ajo u la  fëmijëve të saj një porosi të veçantë:
“Ma kini kujdes djalin e vogël Andin. Ta doni më shumë se e keni dashur tani që jam gjallë....”
Vdekja e Nënë Zyrasë ishte një humbje e madhe për të gjithë familjen Xhelili.
Por ai që e ndjeu më shumë këtë humbje, ishte Andi, i vogëli jetim që gjeti tek kjo grua fisnike  dashurinë e humbur të prindërve që e lindën dhe që s’mundi  t’i njohë kurrë ata.

Epilog...

Qysh kur u  shpërngulën nga Shkodra në vitin l992, Andi së bashku me Vjollcën,   motrën adoptive, jetojnë në Tiranë, në një shtëpi të improvizuar me  dy dhoma të vogla në ambientet e ish – “Shkollës së Lirë”, në Rrugën “Ali Demi”.
Vjollca Xhelili punon si edukatore në kopshtin Nr. 22 në kryeqytet. Ajo është një nga  “motrat” që i është përkushtuar më shumë Andit,  pasi  është më pak e ngarkuar se motrat dhe vëllezërit e tjerë.
Edhe pse është në prag të pensionit, ajo kurrë nuk u martua. Ndoshta, nga që nuk pati kohë të mendonte për këtë moment të rëndësishëm që çdokush e konsideron  si të tillë  krijimin e një tjetër familjeje të re.  Në gjithë këto vite, ajo  i’u përkushtua me dashurinë e një motre të vërtetë vëllait të saj adoptiv.
Pas Nënë Zyrasë, Vjollca është personi që i ka qëndruar më pranë Andit. Ajo ka ndjekur nga afër  të gjitha stadet e jetës së tij. Qysh nga momenti kur e njohu në Befotrofin e Shkodrës dhe deri tani që Andi i ka mbushur 23 vjeç, ajo i ka shërbyer atij si një nënë dhe motër e vërtetë. Ajo i  kryen të gjitha  shërbimet duke e larë dhe hekurosur, i gatuan dhe kujdeset për veshjen dhe paraqitjen e jashtme të tij. Gjithmonë  kështu është kujdesur që kur Andi ishte i vogël. E mësonte dhe e përgatiste për në shkollë,  e ushqente dhe e argëtonte tek lodrat e qytetit, e shoqëronte për në shfaqjet e teatrit dhe të kinemasë. Ajo ndiqte hap pas hapi të gjitha ndryshimet e tij dhe shikonte se si rritej ky fëmijë në sytë e saj, në sytë e të gjithë njerëzve që e rrethonin plot dashuri. Dhe ajo gëzohej, gëzohej pamasë kur shikonte se si mundte  t’i falte kaq shumë dashuri Andit të vogël. Të gjitha këto ajo  i kujton me shumë nostalgji.
Vjollca  flet me një pasion të zjarrtë për vëllanë e saj adoptiv. Ajo flet  me një dashuri kaq të madhe,  saqë çdo vëlla do të ishte krenar për një motër si ajo.
Nga dëshira  e madhe  për të treguar shumë gjëra për vëllanë e saj, ajo  nuk nguron të tregojë edhe një “sekret” të vogël të Andit. Sot, ai është i fejuar. Vajza që ka “rrëmbyer” zemrën e tij, është  në një fakultet me Andin. Atje u njohën dhe u dashuruan  bashkë. 
Por historia e dashurisë së tyre, ndryshon shumë nga ajo e prindërve të vërtetë të Andit.
Kjo e fundit, tashmë është e fashitur... I përket  një të shkuare  të largët që ndoshta s’do të kthehet më kurrë...

*Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

 

V.O

Shkrimi është botuar në revistën “Integrim”, periodike, informative-social-kulturore, botim i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora