E marte, 23.04.2024, 04:05 PM (GMT+1)

Editorial

Anton Marku: Të gjitha pikat e Albinit

E hene, 21.08.2023, 07:59 PM


Të gjitha pikat e Albinit

Nga Anton Marku

Si po tenton Albini që me anë të pikave të shkruajë tregimin që të tjerët nuk e bënë. Ai ka gjithmonë diçka për të thënë dhe vazhdon me kryeneçësi përpjekjet e tij që symbyllur të vizatojë vija të drejta. Për fat të keq të tij, në të shumtën e rasteve, ato po i dalin të lakuara. Por, ky është vetëm fillimi i kësaj historie. Ajo nuk mbaron këtu. Presidentja Osmani ka marrë rolin e portierit të dytë: ajo është gjithmonë aty, por nuk luan pothuajse asnjëherë.

Pika e parë

Vendimet e Kryeministrit Kurti për sa i përket menaxhimit të krizës në veri kanë qenë jo mirë të analizuara, të pamatura dhe të pakoordinuara me aleatët. Këtu bëjnë pjesë veçanërisht ato  për organizimin e zgjedhjeve komunale në katër komunat në veri duke ditur se serbët do t‘i bojkotojnë ato, instalimi, me përcjellje policore, të katër kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave të banuara me shumicë serbe, ndalimi i importeve për mallrat nga Serbia, etj.

Aplikimi i dhunës dhe manifestimi i forcës përmes policisë nuk do të sjellë stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë në veri të vendit. Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje politike për problemet aktuale.

Në anën tjetër është mjaft e qartë se as Kurti e as Vuçiçi nuk janë të interesuar që të zbatojnë marrëveshjet e dakorduara, por që të fitojnë në kohë dhe të zvarrisin proceset. Është gabim të besohet se Kosova më së miri mbrohet duke e sulmuar verbalisht fqinjin verior, ashtu siç bëjnë pothuajse përditë në deklaratat e tyre Kryeministri dhe Presidentja e Kosovës.

Pika e dytë

Militantët e Vetvendosjes nga ‘‘radio-mulliri’’, sidomos ai grup që mendon vetëm me njërën anë të trurit, sot janë vetëm konsumues të informatave, jo dhe prodhues të tyre. Kjo ka sjellë automatizimin e punës së tyre mendore dhe ka ngulfatur aftësitë kreative.

Nuk ndodhë rrallë, sidomos në muajt dhe javët e fundit, që qeveritarët aktualë të tentojnë t’i kompensojnë deficitet e tyre në dashuri për shtetin e Kosovës duke baltosur bashkësinë ndërkombëtare, opozitën dhe mediat. Andaj nuk ka vend për shumë entuziastë për të nesërmen, duke marrë në konsideratë faktin se ata ende, edhe sot, vazhdojnë të bashkëjetojnë me të djeshmen.

Pika e tretë

Kryeministrit Kurti nuk mund të ia mohojë askush talentin për të bërë armiq në çdo anë: nga Uashingtoni në Bruksel, nga Tirana në Shkup. Ai nuk është as i ‘‘parakohshëm’’ as ‘‘i paskohshëm’’: ai është thjeshtë jashtë kohe.

Sa polarizues po aq dhe dhe kontravers, ai është duke u shndërruar në një ‘‘vagabond’’ politik i cili nuk i bie ziles as nuk troket me mirësjellje por e shtyen apo then derën. Kundër egos se vet njeriu nuk mund të vaksinohet. Korona ka kaluar. Me këtë edhe koha kur të jesh negativ ishte pozitiv.

Pika e pestë

Është fakt i pamohueshëm se Kryeministri Kurti erdhi deri këtu nga poshtë, jo nga lartë. Hobi i tij është fjala. Koha po e dëshmon se fjalët e tij janë më të mençura se sa ai.

I përhumnbur në flluskat e patriotizmit, sanksionet duket se e kanë shkundur pak, por jo dhe këndellur. Ai duhet përfundimisht ta kuptoj se vendimet jopopullore nuk janë gjithmonë edhe anti-popullore. Në këtë aspekt tash po ndodhë diçka, por për të ardhur deri tek pika zero, e kjo është heqja e masave ndaj Kosovës, e të cilat kanë mundur të mos vendoseshin fare sikur në Prishtinë të kishte pasur pak më shumë ndjeshmëri politike, duhet të ndodhë edhe shumëçka.

Deri atëherë jeta e qytetarëve të zakonshëm do të vazhdojë të fërkohet çdo ditë me të panjohurat që sjell e nesërmja.

Pika e gjashtë

Shteti është këmishë që po i bie ngushtë Kosovës. Menaxhimi i saj po tregohet jo i lehtë. Diskrecioni dhe besimi janë alfa dhe omega e diplomacisë. Aktualisht, në politikën e jashtme të Kosovës vlerësimi dhe falënderimi janë mall i mangët.

Pikat pas presjes

Pikat që Kryeministri Kurti po i shkruan dhe bën publike kohë pas kohe, dhe atë sa herë që nuk ka përgjigje për kërkesat shumë konkrete të bashkësisë ndërkombëtare, nga vendimmarrësit në nivel global, po konsiderohen ‘‘anekdota’’ 24 karatëshe. Aforizma me pak kalori.

Ai kësaj radhe ka lozur ‘‘all-in’’. Në këtë ka shkuar aq larg saqë ka humbur veten nga sytë.

Vjenë, 20 gusht 2023



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora