E premte, 19.04.2024, 09:54 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Plaga e relievit

E premte, 16.06.2023, 08:30 PM


PLAGËT E RELIEVIT

SIPAS NJË POEZIE TË SABIT RRUSTEMIT

Nga Timo Mërkuri

I -Poezia "Reliev me plagë" e poetit kosovar Sabit Rrustemi është një shprehje poetike e thellë dhe imagjinative që përshkruan një rrugëtim në historinë e kombit tonë, mbetur me “gjysëm shtëpi”,  “gjysëm tapi” e “një haraç të ri” në një “botë të rreme që flinte në qetësi/si varret nën një fije bari”. Pikërisht te këto vargje ndjejmë e kuptojmë se “relievi me plagë” është vetë Kosova dhe  përdorimi i metaforës "Reliev me plagë" ndihmon në të përshkruar Kosovën në një mënyrë të përshkallëzuar dhe emocionale, duke përdorur imazhe të dhimbshme dhe të rënda për të shprehur gjendjen dhe ndjenjat që vendi ka përjetuar. Ky lloj përdorimi i metaforës ndikon në forcimin e impaktit emocional të poezisë dhe krijon një ndjesi të fortë për lexuesin. Poezia e Sabit Rrustemit "Reliev me plagë" përdor këtë figurë letrare për të shprehur thellësinë e vuajtjeve dhe përvojave të Kosovës nëpërmjet një imazhi të fortë dhe tërheqës..

Poezia fillon me vargjet:

"Një sy gjumë më mbeti në breg

Relievit me plagë

Dhe një baladë"

vargje që përshkruajnë historinë e popullit që nuk vuri gjumë në sy  për të mbrojtur kufijtë por dhe për të  rindërtuar “shtëpinë” që digjej nëpër luftëra, që ngjanin si balada qoftë nga koha e gjatë e zhvillimit (me vite) qoftë dhe nga përmasat e zhvillimit të tyre. Këtu lind dhe pyetja e madhe në se luftërat janë zhvilluar si në balada apo baladat flasin për luftërat reale.

"Tevona

Sa gurë e dhe e dru

Përziva për një shtëpi"

duke përshkruar me tre vargje pak fjalëshe se ishte munduar gjatë gjithë jetës së tij “për një shtëpi”, të cilën dikur e kishte patur (Iliria, Arbëria) , por befas, duke shprehur ndjenjat e tij të humbjes së përjetuar:

"Një mal jetë kalova

Nëpër prishendreqje

Kur u ngrita

Eh si u ngrita

Desh më ra pika

Me një gjysmë shtëpi

E gjysmë tapi

Dhe një haraç të ri"

duke na tronditur me faktin se dikur e pa veten : “Me një gjysmë shtëpi/E gjysmë tapi/ Dhe një haraç të ri” dhe ne jemi ne gjendje që kesaj “dikur” t’i vëmë datën 1913. Ketu e ndjejme dhe kuptojmë pse poeti vijon me vargjet :

“Bota e rreme flinte në qetësi

Si varret nën fije bari”

duke përdorur si figurë letrare shprehjen e njohur “I heshtur (apo fle) si varri”. Nga struktura dhe figurat e përdorura, edhe  kjo poezi  dallohet që është e viteve 90, kohë kur poeti dhe shokët e tij u paraprinin ndërgjegjësimit të masave për organizimin e revoltave, por që në vitet ‘99-2000 ka shtuar me tingull preludi vargjet :

"Rrënjët e mia prej antike

Buluan në piptha të rinj

Një nga një i çmendën

Imja shtëpi u rinua

E u përtëri

Në miliona dashuri"

ku veç me cilësorin “rrënjët e mia antike” shfaq hershmërinë dhe autentitetin e kombit tonë.

E parë në këtë kontekst poezia jo vetëm është shkruar në dy kohë por edhe shfaq situatën në dy kohë, pavarësisht se përsëri mbetëm në “dy shtëpi” pranë e pranë, por së paku nuk kemi ndonjë “gardh” në mes.

Duke ecur në linjën e optimizmit të poetit ndjejmë se së afërmi do jemi “një shtëpi e madhe” në qytetin Europë. Për këtë ju siguroj unë, pavarësisht erërave të forta që fryjnë tani, pranvera dhe për kombin tonë do vijë shumë shpejt dhe lulet ne oborrin  dhe saksitë tona do çelin.

II –Poeti përdor një gjuhë poetike të thjeshtë, por shprehëse të thellë dhe të ndjeshme, duke i dhënë lexuesit një udhëtim emocional dhe reflektues nëpër histori. Imazhet e përdorura në poezi krijojnë një atmosferë të mahnitshme dhe të ngazëllyer, duke lejuar lexuesin të ndjehet pjesë e udhëtimit të poetit dhe të identifikohet me ndjenjat dhe përvojat e tij. Përdorimi i termave të thjeshta si "reliev me plagë", "gurë", "dru", "mal", "prishendreqje" dhe "piptha të rinj" krijon imazhe të gjalla të situatave të ndryshme të përjetuara nga autori.

Poezia "Reliev me plage" është një shembull i fuqishëm i shprehjes së ndjenjave personale dhe transformimit emocional nëpërmjet poezisë. Sabit Rrustemi me këtë poezi shpreh aftësinë e tij për të kapur thellësinë e emocioneve dhe për të shprehur ato në një mënyrë të bukur dhe të ndjeshme.

III –Në poezinë "Reliev me plage" të Sabit Rrustemit, gjejmë shumë figura artistike që përdoren për të shtuar fuqinë emocionale dhe për të krijuar imazhe të thella. Poeti ynë është mjeshtër i përdorimit të metaforave, jo si zbukurim por si shprehje e mendimit poetik, shpesh herë metaforik. Psh, metafora “Reliev i plagosur” tregon se autori ndjehet i plagosur dhe i trishtuar, pse ashtu është dhe vetë atdheu.

Nëpërmjet imazhit  "Sa gurë e dhe e dru/Përziva për një shtëpi" autori paraqet veten në një situatë të vështirë, madje duke shfaqur gurët dhe drunjtë si simbole të qëndrueshmërisë dhe  pjesë e materialeve për të ndërtuar NJË Shtëpi të Vetme e të forte, përballë kohëve.

Personifikimi "Bota e rreme flinte në qetësi/Si varret nën fije bari" është shfaqja më e butë e botës në gjumë, ose më saktë angazhimi pro shqiptar i saj

Sabit Rrustemi përdor mjeshtërisht edhe hiponimin: përdorimi i fjalëve më specifike në vend të fjalëve më të përgjithshme i cili ndihmon në krijimin e imazheve të detajuara dhe të thella., psh."Rrënjët e mia prej antike/Buluan në piptha të rinj", ku autori përdor "piptha të rinj" për të përshkruar rrënjët e tij të rinovuara dhe të ringjallura, lindjen e filizave të rinj.

IV-Poeti Sabit Rrustemi përdor një gjuhë poetike të thjeshtë, por me fuqi të madhe për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e tij në poezinë "Reliev me plage". Le të shohim disa nga fjalët dhe elementët gjuhësorë që ai përdor në poezi:

Poeti, edhe në këtë poezi,  ka aftësinë që fjalët e thjeshta t’i shfaqë të ngarkuara emocionalisht dhe me fuqi për të përshkruar gjendjet dhe ndjenjat e tij. Fjalët si "plagë", "drurë", "shtëpi", "mal", "dashuri" etj. janë fjalë me kuptim të thellë dhe ndikim emocional.

Poeti përdor një rimë të lehtë dhe një ritëm të qetë, që ndihmon në krijimin e një atmosfere të veçantë dhe të harmonizuar me temën e poezisë. Ky stil poetik ndihmon në përqëndrimin e lexuesit dhe në forcimin e emocioneve që transmetohen në vargje.

Gjuha që përdoret në poezinë e Rrustemit është e pastër, e qartë dhe e ndjeshme dhe e kuptueshme nga masa e gjerë e lexuesve me arsim të niveleve të ndryshme.

Në aspektin fotografik, poezia ngjan me një filiz peme të drejtë që synon lartësitë dhe jo gjerësitë, duke i ngjarë një filiz lisi.

V- Poezia “Reliev me plagë” u zgjodh  prej meje  nga vëllimin poetik “Ëndrra që puthet”, (Rozafa, Prishtinë 2001) për qasjen me situatën aktuale duke parë    domethënia e saj shtrihet në tre kohë.

Sarandë, më qershor 2023



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora