Kulturë
Albert Zholi: Flest shkrimtari vlonjat Çlirim Hoxha
E diele, 29.01.2023, 07:27 PM
Flest shkrimtari vlonjat Çlirim Hoxha: Si luajta në dramën “Pranvera që s’vonoi” të Bashkim Hoxhës, “Në vitet e para” të Ferhat Çakërrit, “Lidhur si fishek gjerdani” të Bashkim Kozelit
Nuk
harroj rolet në dy filma, “Gunat përmbi tela” të regjisorit Muharrem Fejzo dhe
“Vëllezër e shok” të regjisorit Dhimitër Anagnosti.
28
marsi i vitit të mbrapsht 1997 tragjedia e Otrantos, nuk e harroj dot. Atë ditë
në Vlorë u mblodh Komiteti Kombëtar i Shpëtimit Publik
-
Dhe dita tjetër e vështirë në punën time si gazetar ka qenë 9 janari 2004, kur
ata dibran të shkretë ngrinë nga të ftohtët në ujërat e detit.
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Shkrimtari
Hoxha dhe pse kishte dëshirë dhe prirje për aktrim pas viteve 1990 ai ju
përkushtua krijimtarisë artistike. Por në periudhën e realzmit socialist ai nuk
ishte anëtar i Lidhjes të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës ku bënin pjesë
emra të spikatur si; poeti Nexhat Hakiu, poeti Hiqmet Meçaj, poeti Ferhat Çakërri,
Fadil Zeqiri, poeti Bardhosh Gaçe, poetja Maro Pasho, Andrea Petromilo, bardi
popullor Lefter Çipa, Pali Shtëmbari, Luan Toto, Odise Goro, Jani Malo e Merita
Caci. Shkrimtari Mihallaq Qillieri, Shefqet Tigani, etj. Dramaturgët Bashkim
Kozeli, Miliano Stefa, Harallamb Fandi, Ferdinand Hysi, etj. Piktorët e
Popullit Skënder Kamberi e Nestor Jonuzi. Piktorët e talentuar, Petrit Ceno,
Agim Sulaj, Agron Dine, Sabaudin Xhaferri, Hilmi Bani, etj. Skulptorët Zeqir
Alizoti, Skënder Tena, Bujar Elmazi etj.
-Si e kujtoni Lidhjen e
Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë përpara viteve ’90?
Unë
nuk kam qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë
përpara viteve ’90. Nuk kam qenë, sepse nuk kam
botuar asnjë libër në atë kohë, pavarësisht se rrekesha të dërgoja
ndonjë poezi drejt gazetës “Drita”, të cilën nuk ma botonin. Di që kryetari i
saj në Vlorë ka qenë piktori i ndjerë Ilmi Bani. Unë kam filluar të shkruaj pas
vitit 1990, pra i përkas erës së re të letërsisë dhe gazetarisë. Kam qenë i
prirur për t’u bërë aktor, një pasion i hershëm
qysh në fëmijërinë time. Isha i të dyja planeve, atij dramatik dhe atij
komik, por fati nuk donte. Tentativa ime për të ndjekur Institutin e Lartë të
Arteve dështoi, jo për mungesë talenti, por për mungesën e një miku dhe ca
arsye të tjera të kohës. Megjithatë, u aktivizova në disa premiera të teatrit
“Petro Marko” në Vlorë, në dramën “Pranvera që s’vonoi” të Bashkim Hoxhës, “Në
vitet e para” të Ferhat Çakërrit, “Lidhur si fishek gjerdani” të Bashkim
Kozelit etj, si dhe në dy filma, “Gunat përmbi tela” të regjisorit Muharrem
Fejzo dhe “Vëllezër e shok” të regjisorit Dhimitër Anagnosti.
-Kë kujton nga krijuesit
apo Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, dega Vlorë në sistemin
monist?
Me
aq sa di, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, dega Vlorë, ka
pasur gjallëri dhe emra të spikatur në të gjitha artet. Kam qenë i pranishëm në
mjaft përurime të librave të rinj, në mjaft konkurse letrare që organizonte
Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj”, pallati i Kulturës “Labëria” apo në
lëvizjen amatore mes qendrave të punës apo shkollave. Kam qenë prezent në
diskutimet kritike që bëheshin pas hapjes së ekspozitave me piktura. Lidhja e
Shkrimtarëve dhe Artistëve” të Vlorës kishte disa seksione, siç ishin ai i
letërsisë për fëmijë dhe të rinj, i letërsisë së realizmit socialist, i
pikturës dhe skulpturës, i arteve pamore. Gjithashtu i muzikës dhe artit skenik
etj. Në lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës bënin pjesë emra të
spikatur si; poeti Nexhat Hakiu,poeti Hiqmet Meçaj, poeti Ferhat Çakërri, Fadil
Zeqiri, poeti Bardhosh Gaçe, poetja Maro Pasho, Andrea Petromilo, bardi
popullor Lefter Çipa, Pali Shtëmbari, Luan Toto, Odise Goro, Jani Malo e Merita
Caci. Shkrimtari Mihallaq Qilleri, Shefqet Tigani, etj. Dramaturgët Bashkim
Kozeli, Miliano Stefa, Harallamb Fandi, Ferdinand Hysi, etj. Piktorët e
Popullit Skënder Kamberi e Nestor Jonuzi. Piktorët e talentuar, Petrit Ceno,
Agim Sulaj, Agron Dine, Sabaudin Xhaferri, Hilmi Bani, etj. Skulptorët Zeqir Alizoti,
Skënder Tena, Bujar Elmazi etj.
- Po Kadare apo Agolli a
kanë ardhur dhe bërë takime me anëtarët e Lidhjes së Vlorës dhe personalisht
vetë a i keni takuar? Keni mbresa?
Me
sa mbaj mend, në Vlorë vinin shpesh si Dritëro Agolli, që ishte Kryetar i Lidhjes
së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, por edhe Kadareja. Me Agollin
shkrimtarët dhe artistët vlonjat kishin më shumë kontakte për shkak të
pozicionit të tij si kryetar i lidhjes. Të gjitha krijimet letrare dhe
artistike në atë kohë u nënshtroheshin diskutimeve, sepse kritika kishte një
rol parësor në evidentimin e vlerave të një vepre dhe ndikonte në përhapjen e
jehonës së saj në popull. Përpara viteve ‘90 mund ta botoje një roman, një
vëllim me tregime, një vëllim poetik, mund të vije në skenë një dramë, por nuk
kalonte shumë dhe mund të përfundoje në burg për modernizëm, për mungesën e
rolit të partisë në jetën e përditshme, për sfumimin e rolit të Enver Hoxhës në
udhëheqjen e vendit, për zbutje të luftës së klasave etj mbroçkulla të kohës.
Libri jot mund të hiqej nga qarkullimi dhe të kthehej në karton, si rasti i të
madhit Petro Marko apo disa të tjerëve. Po kështu ndodhte edhe në artet e
tjera.
Në atë system kush ishte
gazeta juaj e preferuar dhe me cilat gazeta bashkëpunonit?
Siç
e theksova në fillim të kësaj interviste, gazeta më e mirëpritur e kohës për
krijuesit vlonjat e jo vetëm, ishte gazeta “Drita”, organ i Lidhjes së
Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e cila dilte çdo të diel. Oh, me sa
kuriozitet e prisnim ne rinia e asaj kohe, që kishim prirje nga artet. “Drita”
ishte një gazetë e këndshme dhe e pa përsëritshme. Të gjithë korifejt e artit
shkruanin aty, apo ishin prezent me krijimtarinë e tyre të freskët.
Konkurrenca
mes artistëve në ato vite ishte shumë e madhe. Madje, më kujtohet kur bëhej
përzgjedhja e veprave më të mira që do të paraqiteshin në Galerinë Kombëtare të
Arteve në Tiranë, me rastet e përvjetorëve të festave të çlirimit apo të
pavarësisë. Kishte një qejf-mbetje të madhe tek ata që nuk u përzgjidhej
krijimtaria, sidomos në pikturë apo në skulpturë. Kjo bënte që makina që do të
çonte veprat e përzgjedhura në Tiranë të vonohej, sepse nuk e linin të ikte ata
që pretendonin se vepra e tyre ia vlente të paraqitej në galerinë kombëtare në
Tiranë. Ndonjëri prej tyre e fuste me forcë në karrocerinë e makinës veprën e
tij, mjafton që ajo të ekspozohej në Galeri.
- Po sot a ka Lidhje
krijuesish në qytet?
Sot
gjërat kanë ndryshuar. Ka një liri të gjerë për krijuesit vlonjat, si për ata
të letërsisë, ashtu edhe për ata të artit pamor. Ajo që të dhemb është
përçarja. Nuk ka më Lidhje të Shkrimtarëve dhe Artistëve, që mbështetej nga
shteti. Sot shkrimtarët kanë ngelur të vetmuar, organizuar në disa shoqata që
hiqen zvarrë. Veprat e tyre nuk publikohen, nuk mbështeten financiarisht. Botohet
me sforco të madhe duke iu lutur herë njërit e herë tjetrit biznesmen. Botohet
me lekët e pensionit, apo edhe me kredi nga bankat?! Sot krijuesi është i
detyruar të rropatet me libra në krah derë më derë e librari më librari për të
përhapur letërsinë e tij. Askush nuk i fton të marrin pjesë në konkurset
kombëtare. Kanë ngelur konkurset kombëtare në disa emra të përvitshëm, sikur
letërsi të bëhej vetëm në Tiranë. Më qesharak bëhen ata që organizojnë Panairin
kombëtar të librit çdo nëntor. Ndajnë çmimet letrare ditën e parafundit të
panairit pa i lexuar fare krijimet e fituesve. Si mund t’i lexosh brenda tri
ditëve?! Dhe pastaj kur dëgjojmë në televizor se çmimin e fitoi filan
shkrimtar. Çmime të paravendosura pa filluar panairi. Ore, bëjmë pyetje ne, po
pse vetëm ky qenka çdo vit fitues, ose një herë në dy vjet?! Vetëm ky shkruaka
bukur, të tjerë nuk paska?! Ç’pyet për atë punë. Gjëra që mbajnë erë dhe që
demoralizojnë të gjithë ata krijues që bëjnë letërsi të bukur, por që nuk ua
var njeri teneqen. Letërsia shqiptare është në krizë. Unë i kam propozuar
Drejtores së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, z. Alda Bardhyli që të
interesohet për një bashkim të të gjithë shkrimtarëve shqiptar në një organizëm të vetëm, por e
mbështetur nënë kujdesin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Është shumë
e nevojshme dhe e rëndësishme që letërsia e re shqiptare të dalë në dritën e
diellit dhe të jetë e pranishme edhe jashtë vendit. A e kuptoni, na mbyti
letërsia e huaj, ku botuesit kanë gjetur thembrën e Akilit. Të mjerët autor të
gjallë, lere ata që nuk jetojnë më, të cilëve u zhvatet e drejta e autorit dhe
bëhen miliona?! Një problem tjetër që lidhet me krijimtarinë letrare në
Shqipëri është mungesa e bashkëpunimit me medien televizive. Kjo medie nuk ka interes
t’i bëjë publicitet letërsisë shqiptare, me ndonjë përjashtim, kur dihet se
libri sot përjeton krizën më të madhe për shkak të konkurrencës që i bën
teknologjia. A shikoni më sot të rinj me libra në duar? Jo, vetëm me telefon
dhe me kokën poshtë. Interneti përveç komunikimit ndër-njerëzor dhe lajmit të
shpejtë, të tjerat i ka negative. Fëmijëve u vret kreativitetin, u dëmton sytë
dhe u trullos trurin. Për mua interneti apo telefoni janë drogë elektronike, që
shkakton varësi torturonjëse. Edhe shpikësi i inteligjencës artificiale në
SHBA, Lamier, u bënë thirrje prindërve që të kenë kujdes me përdorimin e
teknologjisë nga fëmijët. Çfarë t’i thuash një prindi që fëmija i tij mbushi 2
vjeç dhe për dhuratë ai i fali një telefon celular të tipit më të fundit. O Zot
çfarë bëhet kështu?! Në do ta bësh një njeri skllav, jepi një telefon celular.
Po libri ku është? Ku është shpikja më e madhe e njerëzimit, ai që të ndriçon
trurit dhe truri që ndryshoi botën?!
-Keni qenë gazetar në
disa gazeta qendrore. Kush ka qenë dita më e vështirë si gazetar? Si i kujton
muajt e vitit 1997 në Vlorë?-Saranda një qytet libra dashës. Sa libra ka pasur
libraria e qytetit? Cilat mosha lexonin më shumë?
Kam
qenë gazetar në disa nga gazetat kombëtare gjatë këtyre viteve dhe kam parë dhe
ndeshur shumë ngjarje dhe episode që më kanë lenë mbresa në kujtesën time. Dy
kanë qenë ngjarjet më rrëqethëse që kam përjetuar. Kam shkruar me disa emra apo
pseudonime, për shkak të situatave të nxehta, apo për shkak se punoja në disa
medie njëkohësisht. Sazan Karaburuni, Ilir Ruci, Gani Kanina, Çlirim Hoxha e
ndonjë tjetër. 28 marsi i vitit të mbrapsht 1997 tragjedia e Otrantos, nuk e
harroj dot. Atë ditë në Vlorë u mblodh Komiteti Kombëtar i Shpëtimit Publik në
sallën e madhe të Gjimnazit “Ali Demi”. Kishin ardhur, në mos gabohem, Sabri Godo, Preç Zogaj, Frok Çupi, Skënder
Gjinushi, Paskal Milo, Petrit Kalakula, Kurt Kola etj politikanë të kohës.
Mbledhjen e drejtonte Kryetar Koçiu dhe ai i Vlorës Albert Shyti. Në fund të
mbledhjes do të përpilohej një deklaratë që do t’i shpërndahej shtypit dhe
përfaqësive diplomatike. Deklarata kërkonte mes të tjerash dorëheqjen pa kushte
të Presidentit Sali Berisha për qetësimin e situatës, si shkaktar të tragjedive
të ndodhura pas shembjes së firmave piramidale. Kundër kësaj pike ishte Sabri
Godo, por, pro kësaj pike ishte Frok Çupi dhe shumica e të pranishmëve. Debati
zgjati ca dhe si përfundim u miratua sipas asaj që këmbëngulte Frok Çupi.
Ndërkohë njerëzit ishin mbledhur në sheshin e flamurit dhe prisnin krerët e
komitetit të Shpëtimit Publik ardhur nga të gjitha rrethet e vendit. Aty u mor
vesh se nga Porti i Vlorës ishte nisur atë pasdite një anije me refugjatë dhe
seç po pëshpëritej nëpër dhëmbë. Kur mbërritëm në shtëpi atë natë në lajmet e
orës 20 dëgjuam për tragjedinë e Otrantos. Më besoni, kisha frikë të hapja
dritaren, mos dëgjoja ndonjë klithmë të mbytur. Lajmi u përhap me shpejtësinë e
dritës. Kush kishte njerëz në atë anije të zezë po kalonte në krizë. Vlora
mbante frymën e pagjumë deri në agim. Menjëherë ndoqa lajmet te Rai Uno dhe
mora emrat e të mbijetuarve. Pamjet ishin të frikshme. I shtypa gjithë natën në
makinën e shkrimit dhe të nesërmet ngjita listën te Banka Tregtare në sheshin e
flamurit. Njerëzit u grumbulluan dhe po lexonin emrat me frikë në zemër. O
tmerr ku je! Situata në qytet ishte tepër e nderë. Gra me të zeza, që iknin
kuturu duke pyetur për fatin e të dashurve të tyre. Ata të zhdukur, që nuk u
gjetën kurrë, ishte e vështirë të përshkruhen, sepse njerëzit e tyre luteshin
ditë e natë: O Zot, të lutem më thuaj, ku janë, a janë gjallë???
Dhe
dita tjetër e vështirë në punën time si gazetar ka qenë 9 janari, kur ata
dibranë të shkretë ngrinin nga të ftohtët në ujërat e detit, kur gomonia me të
cilën ishin nisur pësoi defekt e u shua. Telefona që kërkonin ndihmë deri në
shkarkimin e baterive. Dallgë që u hipnin sipër duke i lagur në palcë. Erë që
kuiste si e marrë, ku shkoni bre burra?! Shpirtra që u ngjitën në qiell... Ne,
gazetarët e Vlorës ishim mbledhur në kokë të Portit të Vlorës dhe prisnim me
ankth. Anija italiane që i kishte tërhequr nga pas Karaburunit i kishte çuar në
ishullin e Sazanit dhe po vonohej sjellja e tyre në port. Dikush nga autoriteti
portual tha se, po i sistemojnë, sepse kanë ngrirë në pozicione të ndryshme. Ky
ishte një tmerr i vërtetë. U vonuan, por mbërritën. Për së largu anija
ushtarake italiane që po i sillte jepte shenja zie. Dhjetëra autoambulanca
ishin rreshtuar në bankinën e portit në pritje. Edhe sot e kësaj dite ata
dibranë fatkeq kërkojnë shpagim. Shqipëria në ato vite ishte një shtet që
rrokullisej ku ta shpinte fati. E për të gjitha këto gishti drejtohet nga
politika, ajo e ka në dorë shtetin, rregullin, policinë, ushtrinë, drejtësinë.
Kam
shumë për të thënë e shkruar, sepse e tillë ka qenë puna ime si gazetar investigativ.
Ka të tjera episode të vështira, që duhen përmendur, por po e le me kaq pa u
zgjatur më për të vazhduar edhe pak me librat.
Në
vitin 1997 Biblioteka Publike, “Shevqet Musaraj” e Vlorës kishte 120 mijë
ekzemplar libra dhe ndodhej brenda mjediseve të Pallatit të Kulturës “Labëria”
në Skelë. Gjatë trazirave ajo u sulmua dhe u grabit. Nga 120 mijë libra mbetën
vetëm rreth 30 mijë. Drejtoresha e atëhershme e kësaj biblioteke, zonja e
nderuar Liljana Gjika, arriti të shpëtonte librat e rrallë që kishte biblioteka
në fondin e saj. Ajo gjeti një furgon dhe me ndihmën e djalit të vetëm, Yllit,
mori nga biblioteka enciklopeditë dhe të tjerë libra të rrallë dhe i siguroi në
shtëpinë e saj. Për librat e tjerë u tha se, ata, pra grabitësit, vodhën
kulturë dhe me kaq u mbyll kjo histori. Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” u
vendos në një godinë tjetër, duke zënë dy katet e një pallati në Vlorë, por ky
qytet libërdashës, siç është njohur Vlora në vite, meriton një bibliotekë
dinjitoze në mes të qytetit. E kam kërkuar kudo ku më është dhënë rasti gjatë
dhjetë viteve që e drejtova këtë bibliotekë, por klithmat e mia prej shkrimtari
e gazetari i fshiu era e jugut.
- Cilat janë problemet e
krijuesve vlonjat sot?
Gjatë
këtyre viteve të tranzicionit letërsia në qytetin e Vlorës ka vazhduar të
pasohet nga brezi në brez dhe sot rrezikon të shuhet, sepse ata që shkruajnë
kanë ngelur në pak emra që numërohen me gishtat e dorës. Dua të përmend këtu
disa emra, por kam frikë mos harrojë ndonjë. Po e nis me ata që nuk janë më, si
një homazh për kontributin që dhanë mbi truallin e Vlorës mëmë e më gjerë.
Petro Marko e Fatos Arapi. Miliano Stefa, Petrit Qejvani, Anastas Bita, Vangjel
Pici, Luan Toto, Avni Varfi, Lefter Çipa, Astrit Hajdini, Nertesi Asllani,
Zenepe Luka. Qofshin të pa harruar në kujtesën e Vlorës dhe vlonjatëve.
Sot
vazhdojnë aktivitetin letrar emra të tillë si, Bardhosh Gaçe, Eqerem Canaj,
Vilheme Vranari Haxhiraj, Idajet Jahaj, Albert Habazaj, Theodhori V. Baba, Elma
Rama, Theodhori Proko, Luto Memokondi, Pëllumb Velo, Kleo Lati, Petraq Pali,
Laureta Petoshati, Fate Velaj, Andi Meçaj, Kristo Çipa, Alisa Velaj, Rudina
Papajani, Anila Toto, Zamira Agalliu, Gëzim Zilja, Kozma Billa, Neki Dredha,
Pajtim Xhelo, Ruzhdi Bajrami, Alma Feruni, Natasha Limaj, Çlirim Hoxha etj.
Disa të tjerë për shkak të moshës janë tërhequr nga krijimtaria, ose nuk
shkruajnë më, por mbeten pena të nderuara në panteonin e letërsisë vlonjate si,
Hiqmet Meçaj e ndonjë tjetër.
Po
e mbyll këtu këtë udhëtim nëpër vite,
duke lenë të hapur portën për të tjera përshkrime, mbresa, kujtime dhe
meditime.
Mos
harroni: Libri ndriçon mendjen. Mendja ndryshon botën!