Faleminderit
Hamza Halabaku: Në kujtim të njeriut që fitoi epitetin e Arkitektit të Pavarësisë së Kosovës
E shtune, 21.01.2023, 08:00 PM
NË KUJTIM TË NJERIUT QË FITOI EPITETIN E ARKITEKTIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS
Dr.
Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës, tash e 17 vjet shkoi në amshim,
por aq sa po kalojnë vitet, aq po hetohet se skenës së gjithmbarshme
shtetërore, nacionale, kulturore dhe politike të shqiptarëve jo vetëm në
Kosovë, po i mungon një personalitet siç ishte ai
Nga
Hamza HALABAKU
Dr.
Ibrahim Rugovën e njoha në gjysmën e dytë të viteve të shtatëdhjeta kur isha
punësuar në Sekretariatin e atëhershëm, respektivisht Komitetin Krahinor për
Arsim, Shkencë e Kulturë të Kosovës.
Në
vitin 1978, isha caktuar në vendin e punës bashkëpunëtor për veprimtarinë
botuese në sektorin e kulturës. Në atë sektor të administratës së atëhershme,
Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Kosovës kishte formuar Komisionin për
Veprimtari Botuese dhe Film. Ky komision lejonte botimet e veprave private të
autorëve që kishin vlera të larta artistike dhe i lironte nga tatimi, ndërsa
nuk i lejonte për botim veprat që ishin shund dhe kiç. Dr. Ibrahim Rugova
asokohe ishte anëtar i atij komisionit, kurse unë kujdesesha për procesverbalin
dhe vendimet që i merrte komisioni.
Atëherë
kisha filluar që të përcjell shkrimet e dr. Ibrahim Rugovës që shpeshherë
botoheshin në faqet e kulturës, në gazetën tonë “Rilindja”, sidomos të
shtunave, që ishte e vetmja gazetë informative dhe Abetarja jonë e të gjitha
fushave në përgjithësi, e asaj të kulturës në veçanti.
Dr.
Ibrahim Rugova ishte shpeshherë në faqet e “Rilindjes” me recensionet e tij për
letërsinë që atëbotë krijohej në Kosovë. Shkruante për përmbledhjet me poezi të
Esad Mekulit, Azem Shkrelit, Ali Podrimes, Beqir Musliut e të poetëve të tjerë
që krijonin në Kosovë, por edhe për ata që krijonin e që kishin krijuar edhe
jashtë kufijve të Jugosllavisë së atëhershme.
Emri
i dr. Rugovës u lartësua edhe më shumë në vitet e tetëdhjeta, pas një takimi të
një grupi të shkrimtarëve të Kosovës me shkrimtarët e Serbisë në Beograd, në
“Francuska 7”, më 27 e 28 prill të vitit 1988”. Sipas informatave të shtypit të
Prishtinës, në gjuhën shqipe, të asaj kohe (“Rilindja” e “Fjala”) grupi i
shkrimtarëve të Kosovës, të cilin e ka kryesuar dr. Ibrahim Rugova kishte dal
fitimtar.
Shkrimtari
më i madh shqiptar, Ismail Kadare, në parathënien e librit të Rugovës “Çështja
e Kosovës” në fq. 30 mes tjerash shkruan: “Mjafton të lexosh këtë rrëfim
të gjatë të Rugovës, për të kuptuar mirë personazhin e vetë si dhe idetë dhe
platformën e tij e të shqiptarëve. Por ajo që kapet edhe më qartë prej këtij
libri është se sa larg dhe sa lart qëndron ky lider shqiptar në krahasim me
gjithë liderët e tjerë që e kanë kthyer sot Ballkanin në log të tërbimit e të
zisë”.
Në
vitet e nëntëdhjeta dr. Ibrahim Rugova, si kryetar i LDK-së i vizitoi dhe i
njoftoi kancelaritë kryesore të Perëndimit për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë
dhe në trojet e tyre etnike në Jugosllavi. Atë botë ai vizitoi Berlinin e
Vjenën, Romën e Parisin, Brukselin e Londrën, Strasburgun e Uashingtonin.
Kështu në kohën kur as shumica e banorëve të Lubjanës, kryeqyteti i Republikës
së Sllovenisë, që ishim së bashku në të njëjtën federatë, apo që jetonim, si të
thuash, në të njëjtin nën qiell, nuk dinin gjë fare për neve shqiptarëve që
jetonim në Kosovë, dr. Ibrahim Rugova i njoftoi qendrat kryesore evropiane dhe
ato përtej Oqeanit Atlantik se është një vend që quhet Kosovë e që banohet me
një shumicë absolute shqiptare, që nuk ka asgjë të përbashkët me sllavët, sepse
shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe
se atyre u pengohet drita, e u është zënë fryma, u mohohen të drejtat
elementare njerëzore nga pushteti serbo-sllav në krye të së cilit pushtet ishte
kasapi i Ballkanit me emrin Millosheviq.
Kancelaritë
evropiane dhe SHBA i besuan dr. Ibrahim Rugovës dhe i ndihmuan djemtë tanë,
pjesëtarët e UÇK-së, që ashtu, gati të paarmatosur kishin dalë për të mbrojtur
vendin e tyre.
Tani
u bënë 17 vite nga shkuarja në amshim e dr. Ibrahim Rugovës, presidentit
historik të Kosovës që ishte një intelektual i ditur, i cili në kohën më të
vështirë i doli përpara popullit të vetë për ta udhëhequr me mençuri e urtësi,
me guxim e dinjitet. Aq sa po kalojnë vitet, aq po hetohet se skenës së
gjithmbarshme shtetërore, nacionale, kulturore dhe politike të shqiptarëve jo
vetëm në Kosovë, po i mungon personaliteti intelektual, inteligjent, kulturor e
akademik i Dr. Ibrahim Rugovës, e sidomos vlerat, parimet, edukata, kultura,
nderi, morali, karakteri, narrativi, vizioni, ideali dhe testamenti i tij
intelektual, profesional, politik, shkencor dhe humanist.
Nuk
munda të mos e përmend fjalën guxim për arsye se atë kohë i gjithë brezi im e
din mirëfilli se nuk ishte lehtë të bëheshe lider i një populli të pa mbrojtur
e të pa armatosur, pa pasur as polici e as ushtri, pa pasur as të drejtën që
fëmijët tanë të shkonin në shkollat që vetë baballarët e tyre i kishin ndërtuar
me djersën e vet në vitet e shtatëdhjeta. Atë botë na mungonin edhe spitalet. Na
mungonte edhe informimi, sepse të gjitha dritaret informative, radioja, gazetat
e televizioni ishin mbyllur nga regjimi që e përmenda më lartë.
Presidenti
historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova ishte një det i thellë e i qet, i urtë e
i ditur, i mençur e këmbëngulës në kërkesat e tija për lirinë, pavarësinë dhe
sovranitetin e vendit të vet. Edhe pse dinte shumë, asnjëherë nuk thoshte më
shumë se Liri, Pavarësi, Demokraci, e më që kancelaritë evropiane nuk pranonin
që të gjithë shqiptarët të jenë të bashkuar në një shtet, ai vazhdimisht, sa
herë takohej me burrështetasit evropianë, kërkonte që Kosova të njihej si shtet
i pavarur dhe sovran në kufijtë që Kosova i kishte me Kushtetutën e vitit 1974.
Dr.
Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës, nuk ishte vetëm i LDK-së, po
ishte i të gjithë shqiptarëve të Kosovës, ngase ai me plot mëritë e fitoi
epitetin e arkitektit të pavarësisë së Kosovës.
Dhe
krejt në fund, e ndiej veten shumë të vogël të shkruaj apo të flas për një
korife të letërsisë e shkencës tonë, për një njeri të dijes dhe një udhëheqës
politik të popullit shqiptar, për një burrë shteti siç ishte dr. Ibrahim
Rugova, një personaliteti, të cilin do të donte ta kishte në historinë e vet
çdo popull e çdo komb në botë.
Nuremberg, 20 Janar 2023
Nga
e djathta në të majtë, dr. Ibrahim Rugovës, presidentit historik i Kosovës dhe
autori i shkrimit Hamza Halabaku