Kulturë
Faik Smajli: Përshtypje nga libri me tregime “Kohëpërfytje” i Prof. Hazir Mehmetit
E marte, 23.05.2023, 08:29 PM
Hazir
Mehmeti me Faik Smajlin, Bedri Tahirin dhe Kreshnikun te Ura e Gurit Vicianë
Përshtypje
nga libri me tregime “KOHËPËRFYTJE” i Prof. Hazir Mehmetit
(Vështrim
i përgjithshëm, pa iu futur në hollësi tregimeve veç e veç)
Nga
Faik SMAJLI
Nëse
do t’i afroheshim një lloj definicioni të tregimeve të shkurtëra, ato janë
shumë të shkurtra në të cilat trajtohet një temë e vetme. Në përgjithësi, ato
nuk kanë kufizime në temën e duhur dhe variojnë nga histori të trilluara deri
tek tekste të një natyre sugjestionuese ose të pazakontë. Mikro-historitë
pothuajse gjithmonë anojnë nga çështjet e mbinatyrshme ose përshkrimet e një
realiteti mbresëlënës.
Sido
që të jetë, dy elementët themelorë brenda kësaj nëngjinie letrare janë
origjinaliteti dhe konkretizimi. Në këtë mënyrë, historia e shkurtër do të ketë
aftësinë të befasojë ose të pushtojë lexuesin (dhe nuk do të jetë një rrëfim
"i harruar lehtësisht"). Kjo do të thotë se autori duhet të ketë
aftësinë të fiksojë lexuesit e tij nga fjalia e parë deri në fjalinë e fundit.
Një
histori e shkurtër nuk ka të njëjtën hapësirë për të zhvilluar përshkrime të
mjedisit krahasuar me zhanret e tjera letrare (të tilla si romani, për
shembull), rrjedhimisht, nuk ka vend për të prezantuar personazhet në thellësi
dhe nuk ka kohë për të reflektuar në motivimet e thella të tyre. Dhe në
përputhje me rrethanat, zhvillimi i tregimit është shumë i ngjeshur. Pra,
tregimtari (Autori) zbret nga makro (romani) në mikro (tregim), qofte tregim më
i gjatë apo më i shkurtër, dhe bënë një përmbledhje të thukët.
Së
pari, tregimet e Prof. Hazir Mehmetit të përmbledhura nën titullin epik;
“KOHËPËRFYTJE” na dëshmojnë se janë autentike, njerëzore, të përjetuara, në
kohë dhe hapsirë reale. Autori është brenda konturave të tregimit, që u cekën
më lartë, të cilat tregime kanë edhe hyrjen, zhvillimin dhe denoncimin, ose
përfundimin.
Së
dyti, tregimet janë të shkruara me një gjuhë të pasur dhe të pastër, me një
gjuhë letrare dhe artistike të admirueshme, me një stil të veçantë, gjë që na
dëshmon se autori ka kulturë dhe njohuri të gjërë e mbreslënëse rreth letrave
shqipe, dhe në këtë mënyrë na dhuron tregime të rrjedhshme, të kuptueshme, me
narrativë të duhur, të qartë dhe tërheqëse që të mbesin gjatë në kujtesë.
Vetëm
tutilli i librit “Kohëpërfytje” (pa hyrë në tregime veç e veç) na kumton një
dramë, një luftë e përpjekje epike për qëndresë, mbijetesë – instinkti parësor
i njeriut. Pastaj, kur futemi në brendësi të tregimeve na shfaqen tablotë e
plota të dramave, të ngjarjeve, të përsonazheve, të heronjve autentikë, e që
janë njerëzor, të butë e të dashur dhe në të njejtën kohë të ashpër,
qëndrestarë e të paepur deri në fund, ashtu siç e kërkon koha.
Fat
të tillë kanë ata popuj dhe ata njerëz që me dhunë të egër gjenden nën pushtim,
në robëri, pa pasur mundësi normale për një jetë të lirë, pa brenga e pa drama
të mëdha dhe janë të detyruar të përfytën me kohën zezonë, me dhunën e
varfërinë, deri tek kafshata e gojës. Eshtë vetë tregimtari (autori) që i
përket këtij populli, popullit të tij të robëruar dhe gjithë kjo dramë i
përplaset mbi kurriz. Në fakt, në përgjithësi, vetë tregimtari është Heroi
qëndror (Petriti) që edhe në rastet kur duket se nuk është në qendër të betejës
ai është aty, është pjesëmarrës e dëshmitar i tyre, sepse janë familjarët, të
afëmit, shokët e miqtë e tij në këto beteja, dhe ai jep kontributin e tij në
këtë kohëpërfytje.
Tregimet
kanë vijimësi dhe pashmangshëm lidhen me njëra - tjetrën, sepse ato përmbajnë
edhe një lloj biografie të vetë tregimtarit që na e shpërfaqë atë që nga fëmijëria
e deri në ditët tona e që është gati një jetë e tërë. Aty janë pashmangshëm
përsonazhet e familjarëve, e gjyshërve, prindërve, axhallarëve, kushurinjëve,
farefisit më të gjërë, bashkëfshatarëve, shokëve të fëmijërisë, miqve e
bashkëpunëtorëve. Tregimet e ngjarjeve që zhvillohen në fshatin e tij e që
tregimtari e quan me emër madheshtor “Tokëlartë” na shpërfaqin autoktoninë tonë
të lashtë në trojet tona, lidhjen e pazgjidhshme me truallin, me tokën e të
parëve. Përmes dialogjeve të përsonazheve na shfaqen elemente baladash, këngët
e vallet, tregime të moçme shqiptare, besime e bestytni shumë të vjetra, na
shfaqen festa e veshje, kode e tradita te trasheguara në shekuj etj. Gjithçka
frymon shqip, që nga emrat e njerëzve, mjeteve të punës, botës bimore e
shtazore e deri tek toponimet e trevave tona.
Po
ashtu, trajtohet emigrimi, dëbimi i njerëzve me dhunë (kjo plagë e madhe e jona
nëpër shekuj), ikja dhe kthimi, qoftë i përkohshëm (Stamboll, Detroid,
Sarajevë, Kanada a Austri etj.), por edhe lidhja e pandashme shpirtërore me
atdheun, malli për tokën e të parëve. Na shfaqet gjithë filozofia e një populli
të lashtë e që historia nuk ishte aspak bujare me të, por që nuk ia shuajti dot
qëndresën, luftërat, krenarinë dhe nuk e zboi dot nga toka e tij e shenjt.
S’kishte
si të mungonte as lufta e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndresa
dhe heroizmi deri në sakrifica sublime, siç janë tregimet “Bali Met” e
“Postieri”, që janë tregime reale, pa trillime e ekzagjerime e që mbeten dëshmi
e referenca autentike historike të një kohëpërfytjeje.
Gjithë
kjo gamë përplasjesh e përfytjesh të një kohe të shkuar, jo edhe shumë të
largët, na shfaqet si në një film a dokumentar, si në një pikturë të madhe a
shumë piktura sëbashku dhe si të thuash përmblidhet në një arkivë të vogël si
referencë historike për kohët dhe gjeneratat e ardhshme. Lexuesi i ri ka
mundësinë të mësojë shumëçka për ato kohëra nëpër të cilat ka kaluar një
popull, populli ynë.
Edhe
tregimet që janë të shkëputura nga vendlindja dhe të vendosura në një atdhe të
dyte, në Austri, qoftë edhe ato pas periudhës së luftës, nuk e shkëpusin as një
herë lidhjen shpirtërore e fizike me tokën e truallin e të parëve – Kosovën.
Edhe pse i detyruar të emigrojë si shumë bashkatdhetarë tjerë jep kontributin e
tij të çmuar nga larg e nga afër për njerëzit dhe atdheun e tij dhe jo vetëm.
Përsonazhet e këtyre tregimeve janë të mirëintegruar në shoqërine evropiane dhe
nuk janë më përsonazhe të ndonjë province të varfër e të harruar, por janë të
krahasuar dhe japin kontribut të çmuar kudo në shoqëritë e zhvilluara e të
përparuara evropiane e më gjërë, deri në fjalën e fundit të shkencës, siç është
tregimi “Bija e dijes”.
Në
tregimin “Miku” shohim dashurinë dhe respektin për mikun, dashamirësin e
ndihmësin e kauzës sonë (shkrimtarin e njohur austriak Prof. Peter Paul
Wiplinger, por edhe për misionaren e njohur bamirëse, zonjushën Gerdtrude që ka
shërbyer me vite në Shqipëri) e që është një ndjenjë humane, njerëzore e
falenderuese, për mikëpritësin e mikëpritës të tjerë, sikurse është rasti edhe
tek tregimi “Shportë miqësie” me Kristinën që i gjenden pranë në kohë të
vështira, duke e ndihmuar kur ajo ka nevojë.
Në
tregimet e Prof. Hazir Mehmetit hasim edhe ndjenjën e dashurisë së pastër që
kurorëzohet me dasmën e martesës së Erës dhe Edit, tek tregimi “Era dhe Edi”.
Jeta vazhdon me gjithë peripecitë dhe gëzimet e sukseset e saj… Po ashtu, kemi
edhe çaste humori, ironie e sarkazme (figura e mjete këto të letërsisë
artistike) në tregimin “Kokërdhia”.
Libri,
që nga fillimi e deri në fund të mbërthen me epikë e lirikë sëbashku, ashtu siç
është edhe vetë jeta, nëpër kohë furtunash e nëpër kohë më të qeta, dhe nuk të
lëshon pa i shkuar deri në fund.
Tashmë
mund të themi me gojën plotë se Prof. Hazir Mehmeti zë vend të merituar në prozën
e shkurtër shqipe. Ky është libri i tij i dytë dhe presim edhe prurje tjera me
vlera artistike dhe estetike në të ardhmen.
Londër, Maj – 2023