Mendime
Florim Zeqa: A do të kthehemi ndonjëherë kah e mbara?!
E hene, 21.11.2022, 08:56 PM
A do të kthehemi ndonjëherë kah e mbara?!
Shkruan:
Florim Zeqa
Sikur
ne shqiptarët ta kishim afinitetit e përvetësimit të gjërave pozitive në vend
të atyre negative, sot do të ishim njëri nga popujt më të zhvilluar të
kontinentit evrpoian. Mirëpo, për fatin e keq, punët e mira nuk na bëjnë
përshtypje aq sa na bëjnë ato negative. Për punët e mira flasim pak, kurse për
rastet negative nuk ndalemi së foluri me ditë e javë të tëra.
Humbja e anës njerëzore,
humbje e çdo gjëjë në jetë
Për
dukuritë e shumëta negative të shoqërisë sonë, gjithnjë fajin ua kemi hudhur
pushtimeve të gjata. Mirëpo, paslufta në Kosovë na i nxori në sipërfaqe të
gjitha të metat dhe anët negative të shoqërisë sonë.
Gara
e ashpër e politikanëve për të ardhur në pushtet dhe vrapimi pas privilegjeve
të pushtetit, i ka joshur edhe qytetarët e varfër të ngarendin pas politikanëve
të korruptuar me shpresën për grabituar diçka nga gjahu i pushtetarëve, të
cilët u vardisën pas politikanëve milionerë duke i harruar shokët dhe miqtë e
deridjeshëm, duke i harruar veprimtarët dhe aktivistët e ndershëm, duke i
harruar kontributdhënësit dhe luftëtarët e vërtetë të lirisë sonë.
Ambiciet
për pushtet dhe pasurim të paligjshëm, kanë bërë që të largohemi aq shumë nga
vlerat tona, saqë gjithnjë e më pak po u ngjajmë atyre shqiptarëve të viteve të
’90-ta, të atyre që e ndanin çdo gjë që kishin më njëri-tjetrin.
Interesi apo djalli i
keq mes shqiptarëve
Në
të kaluarën nuk kishim shumë, por e kishim zemrën e madhe, ishim më human dhe
më solidarë seqë jemi sot. Ishim të shtypur nga regjimi gjenocidial i
Millosheviqit, por ishim më të bashkuar më njëri-tjetrin, e duanim dhe
respektonim njëri-tjetrin sikur të ishim vëllëzër të të njëjtëve prindër.
Nërsa,
sot në Kosovën e lirë, në vend të dashurisë vëllazërore ka hyrë interesi si
djallë mes nesh, egoja dhe xholozia si thika pas shpinës së njëri-tjetrit.
Derisa
në të kaluarën jo shumë të largët (viteve të ’90-ta) e ndanim kafshatën e gojës
me njëri-tjetrin, sot mundohemi t’ia nxjerrim nga goja kafshatën tjetrit!
Një
degëdisje dhe katandisje e tillë mes shqiptarëve nuk ka ndodhur asnjëher gjatë
historisë.
“Meritat”
për këtë katandisje të shoqërisë kosovare përgjatë këtyre viteve të lirisë dhe
pas pavarësisë nuk i kanë pushtuesit, por partitë politike dhe politkanët e të
gjitha llojeve dhe ngjyrave, të shndërruar në kusarë të pangopshëm të
plaçkitjes së çdo pasurie publike dhe shtetërore nga djersa dhe mundi i
qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.
Nepotizmi dhe
klientelizmi, sëmundje kronike e partive politike
Nepotizmin,
klientelizmin dhe punësimet familjare nëpër institucione shtetërore janë
produkt i kësaj klase politike dhe jo meritë e Serbisë. Kjo e fundit (Serbia)
ka qëllime grabitçare ndaj Kosovës dhe kjo nuk është befasi për qytetarët e
Kosovës. Por, befasi e papritur ishte dhe është trajtimi i Kosovës si plaçkë
lufte nga të gjithë politikanët e pasluftës pa përjashtim.
Të
tillë i bëri egoja për pushtet dhe pasurim të pakufijshëm kundrejt një
popullate të varfër, për të cilën nuk bënë asgjë të mirë.
Madje
edhe investimet në infrastrukturën rrugore gjithnjë janë bërë në pragë të
fushatave zgjedhore dhe sipas shtrirjes gjeografike të elektoratit të partive
në pushtet.
Asnjëra
nga partitë aktuale pa dallim pushtet dhe opozitë, nuk e kanë të drejtën të
krrekosen që kanë bërë diçka të mirë për qytetarët e vendit, kur për 23 vjet
rresht nuk arritën të krijojnë një bazë të sigurimeve shëndetësore për
qytetarët e vendit.
Sigurimet
shëndetësore janë bazike dhe jetike për të ardhmen e një shoqërie njerëzore,
janë siguria dhe shpresa për jetë në shtetin e Kosovës. Lënja anash e sistemit
publik shëndetësorë dhe fuqizimi i sektorit privat shëndetësorë, për qytetarët
e varfër janë pak më tepër diskriminuese, janë vrastare për të moshuarit dhe të
sëmuarit me gjëndje të rënduar socio-ekonomike dhe pa përkujdesje familjare.
Qytetarët vetëm numra
për vota të kusarëve politikë
Moskujdesja
e politikanëve në krye të shtetit (nuk bëhet fjalë vetëm pushtetarët aktualë)
për të moshuarit dhe të sëmuarit është dhunim i të drejtave të njeriut, është
fyerje dhe nënçmim ndaj shumicës së popullatës në Kosovë. Politikanët e sotëm,
qytetarët e këtij vendi nuk i trajtojnë si njerëz por vetëm si numra gjatë
fushatave zgjedhore.
Pensionet
dhe ndihmat sociale tepër të ulëta dhe diskriminuese janë të pamjaftueshme për
nevojat e përditshme të të moshuarëve dhe sëmuarëve të cilët burim të vetëm
ekzistencial i kanë të ardhurat nga shteti.
Të
privilegjuar për shërim në sistemin publik dhe privat shëndetësorë janë të
afërmit dhe të përshtatshmit e pushtetit, gjegjësisht ata që kanë lidhje
familjare me njerëzit e veshur me petkun e pushtetit dhe familjarët e
militantëve partiak, përmes lidhjeve nepotike dhe korruptive.
Në
të kundërtën, ata që nuk u përkasin këtyre kategorive, sorrollaten poshtë e
lartë korridoreve të spitaleve duke bredhur nga njëri spital në tjetrin derisa
t’i “shpëtojë” vdekja nga trajtimi ç’njerëzorë që ju bëhet në institucionet
tona publike shëndetësore, ngase tek ato private nuk e kanë guximin as t’iu
afrohen objekteve shkaku i gjëndjes së rënduar ekonomike.
Për
habi, intelektualët kanë mbetur vetëm vrojtues të kësaj situate, pa e thënë
asnjë fjalë dhe pa e bërë asnjë veprim në përmirësimin e gjendjes paradoksale
të krijuar në vendin tonë. Heshtja është pajtim me të keqën dhe largim nga vlerat
njerëzore. Në këtë situatë, vetëvetiu vjen pyetja logjike; “A do të kthehemi
ndonjëherë kah e mbara?!”