Faleminderit
Dorian Koçi: Themistokli Gërmenji - Martiri i lirisë së shqiptarëve
E merkure, 09.11.2022, 08:56 PM
MARTIRI I LIRISË SË SHQIPTARËVE…
Nga
Dorian Koçi
Shteti
kombëtar shqiptar lindi shumë i dobët në vitin 1912-1913. Nëse do perifrazonim
një shprehje të njohur diplomatike, do të përshkruhej përmes saj se ai lindi si
një “fëmijë i gjallë por i mekur”. Vështirësitë që hasi shteti i porsalindur
shqiptar nuk kishin të bënin vetëm me vështirësitë e njohura të qeverisjes
administrative dhe të sundimit të ligjit por kryesisht me mbijetesën e tij.
Territoret
shqiptare u kthyen në një teatër luftimesh të luftërave ballkanike në 1912-1913
në vigjilje të lindjes së shtetit shqiptar dhe gjatë viteve tëLuftës së Parë
Botërore(1914-1918), çka e vështirësoi shumë mbijetesën e pikëpamjes politike
të vazhdimësisë së shtetit shqiptar në kufijtë e përcaktuar në Konferencën e
Londrës.
Pikërisht
në këtë kohë, përpjekjet e patriotëve shqiptarë të shpërndarë nga zjarri i
Luftës së Madhe nëpër kolonitë shqiptare në Europë dhe SH.B.A për të krijuar
vazhdimësinë juridike të shtetit shqiptar dhe njohjen e tij nga aleancat e
ndryshme që ishin krijuar gjatë Luftës së Parë Botërore, janë përpjekje epike
që meritojnë një vëmendje të veçantë nga ana e studimeve historike.
Krahina
autonome e Korçës dhe figura e Themistokli Gërmenjit, arkitektit të krijimit të
këtij enti të veçantë shtetformues, përbëjnë një histori politike dhe sociale
të admirueshme, efektet e së cilave u ndjenë të ishin pak vite më vonë
përcaktuese për fatin politik të Shqipërisë dhe për vazhdimësinë kulturore të
lidhjeve të Shqipërisë me Perëndimin.
Korça
është djepi i nacionalizmit shqiptar dhe qyteti ku u mbrujtën idetë e mëdha të
krijimit të shtetit të ardhshëm të shqiptarëve. Kjo ngjizje e ideve kombëtare
në Korçë dhe rrethinat e saj nuk ishte e rastësishme. Krahina e Korçës
përmbushi shumë më herët se krahinat e tjera shqiptare kushtet për një
urbanizim të shpejtë nëpërmjet rritjes së volumit të tregtisë mes krahinave të
Epirit dhe Maqedonisë duke shfrytëzuar shumë mirë portin e Selanikut, si dhe
nëpërmjet emigracionit të suksesshëm në shumë qendra urbane të Evropës Lindore
si Bukuresht, Athinë, Sofje apo dhe deri në Afrikë, në Kajro, Aleksandri dhe
Ismailia.
Në
këto qendra urbane, kryesisht në Bukuresht e Kajro u mbrujtën dhe u formuan dy
breza veprimtarësh të Lëvizjes Kombëtare, ku mes tyre spikat dhe Themistokli
Gërmenji. Patrioti shqiptar Themistokli Gërmenji është një nga figurat
kombëtare, jeta dhe aktiviteti i të cilit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në
kujtesën kolektive shqiptare. I shkolluar si shumica e patriotëve shqiptarë në
një shkollë greke në qytetin e Korçës, ashtu si shumë figura të tjera në
historinë e kombeve të tjerë, zgjimin kombëtar e përfiton përmes gjuhës së
shkruar. Një letër e ardhur nga Bukureshti nga i ati i tij emigrant në gjuhën
shqipe, shërbeu si shkëndija për të kuptuar identitetin e vet gjuhësor e
kombëtar përkarshi identiteve të tjerë fetarë dhe imagjinar që i mbivendoseshin
nga arsimimi i tij. Historia e tij personale në fakt u kthye në një histori të
përgjithshme të komunitetit të tij që arsimohej në shkolla greqisht por
frymonte dhe gjallonte shqip në jetën e përditshme. Ndarja tejet e prapambetur
e popullsisësipas modelit të mileteve në Perandorinë Otomane kishte krijuar
keqkuptime të mëdha që mundoheshin të plotësoheshin nga nacionalizmat agresivë
të fqinjëve.
“Kultura
islamike e Perandorisë Osmane i kishte mëshuar identifikimit të besimit fetar
me kombin, duke sheshuar dallimin midis shqiptarëve e myslimanëve të tjerë nga
njëra anë dhe duke nxjerrë më në pah, nga ana tjetër, atë midis islamikëve dhe
të krishterëve gjithfarësojësh. Në një shoqëri shumëkombëshe, siç ishte ajo e
Perandorisë Osmane, jeta e nënshtetasve të saj, ç’është e vërteta, ishte
organizuar rreth besimit, të cilit, ata i përkisnin: domethënë, vija ndarëse
ndërmjet të qeverisurve dhe qeverisësve - ose, thënë më shkoqur, popullsisë
hegjemone - ishte religjioni dhe jo kombësia, ku padyshim, ashtu si në të
gjithë perandorinë, myslimanët përftonin një pozicion të priveligjuar, gjë që,
në rastin e Shqipërisë qe shndërruar e kishte përbërë një pengesë objektive për
të arritur bashkimin kombëtar të myslimanëve me të krishterët, qofshin ata
ortodoksë apo katolikë .
Themistokli
Gërmenji do të ishte në ballë të zgjimit të komunitetit të vet
shqiptaro-ortodoks për të rikomfirmuar identitetin kombëtar dhe do të shndrohej
në një tribun dhe udhëheqës të popullsisë së vet. Ai do të ishte dhe njeri i
aksionit pasi në krahinën e Korçës, çeta e tij patriotike do të ishte nga të
parat që do të ngrinte flamurin e lirisë. Kjo trashëgimi politike dhe kulturore
e personalitetit të tij do të ishin faktorë vendimtarë që në vitin 1916 do të
bënte të mundur themelimin e Krahinës Autonome të Korçës nën flamurin francez.
Zona e pushtimit francez ishte më e vogël se zona e pushtimit austro-hungarez
dhe ajo italiane gjatë Luftës së Parë Botërore në Shqipëri. Megjithatë në këtë
zonë ndodhej një nga qytetet me të rëndësishme të Shqipërisë, Korça. Para
ardhjes së francezëve, Korça ishte në duart e ushtrisë greke e cila e pushtoi
zyrtarisht qytetin më 27 tetor 1914.
Menjëherë
sa vendosën pushtimin e tyre në këtë rajon për realizimin e synimeve
aneksioniste, vendosën në të gjitha postet kryesore funksionarë grek. Regjimi i
egër i pushtimit grek dhe si dhe synimet e kahershme ndaj qytetit të Korçës dhe
krahinave përreth tij, shkaktuan pakënaqsi në rradhët e popullsisë shqiptare.
Në këto kushte sapo ushtria franceze vendoset në qytet, një komision korçarësh,
në emër të popullsisë së krahinës u kërkoi atyre largimin e menjëhershëm të
trupave greke dhe ngritjen e një administrate shqiptare. Komanda franceze jo
vetëm nuk i mori parasysh këto kërkesa, por e kaloi administratën e qytetit nga
duart e grekëve kostandinistë në duart e aleatëve të vetë, grekëve venizelistë
. Në rrethana të tilla patriotët shqiptarë i drejtuan armët e tyre edhe ndaj
pushtuesve francezë. Robert Voutres, gazetari zvicerina i dërguar me mision në
Shqipëri për të raportuar për revisten “L’Illustration” në artikujt e botuar
shkruan se Franca, në fillim të dhjetorit, kishte në Korçë çeta të dobëta të
destinuara për të ruajtur qetësinë në vend, për të parandaluar spiunazhin dhe
kontrabandën dhe për të mbuluar krahun ekstrem të majtë të ushtrive aleate që
vepronin në zonën Follorinë - Manastir. Në sytë e nacionalistëve shqiptarë,
Franca ishte e njohur vetëm si filohelene. Kur një oficer francez bisedonte me
Sali Butkën, duke i kërkuar atij pse luftonte kundër nesh, shefi i komitëve u
përgjigj: “Franca, në Konferencën e Londrës, ishte armiqësore ndaj vendit tim.
Ajo kërkon t’i japë Greqisë më shumë se ç’është e mundur në Shqipërinë Jugore.
Austria, nga ana tjetër, mbështet të drejtat tona, kjo është arsyeja pse ne
jemi austrofilë”. Kjo atmosferë e mosbesimit të ndërsjelltë do të reflektohej
dhe në ballafaqimin e forcave ushtarake në terren. Forcat e organizuara
patriotike shqiptare filluan të përbëjnë jë problem të vërtetë për komandën
franceze çka vërtetohet dhe nga reportazhet e Voutre që pasqyrojnë frymën e
kohës. Ndërkohë, komitat rrethuan Korçën me një brez bajonetash. Vetëm rruga e
Bilishtit ishte e jona. Të gjitha kodrat përreth në lindje, jug dhe perëndim,
ishin në dorë të shqiptarëve, që ishin të ndarë në dy çeta: Ajo e Themistokli
Gërmenjit, një i krishterë ortodoks nacionalist i bindur se kishte grupuar nën
komandën e tij të gjithë të krishterët shqiptarë dhe ajo e Sali Butkës që
kishte të rekrutuar në mesin e muslimanëve. Postat e batalioneve tona
indo-kineze ishin në dalje të qytetit, dhe, në fillim të dhjetorit, situata
dukej kritike. Për të mundur komitët duheshin kontingjente të mëdha ushtarësh,
të angazhuar në këtë kohë në një pjesë tjetër të frontit, dhe (Korça-shënimi
im) ishte në dorë të një sulmi të disa mijërave ushtarëve të çrregullt me
pushkë gjermane dhe të paguar me ar austriak. Shqipëria nuk ishte në luftë me
Francën, atëherë pse ushtarët tanë rrezikonin çdo herë që dilnin jashtë qytetit
dhe goditeshin? “Nëse Franca, - tha Themistokli Gërmenji, - do me të vërtetë të
shpallë pavarësinë tonë duke vazhduar të na mbrojë ushtarakisht, ajo duhet të
jetë e sigurt se paqja do të mbizotërojë së shpejti në vend.”
Kjo
lëvizje patriotike i detyroi autoritetet ushtarake franceze dhe përfaqësuesit e
qytetit të nënshkruanin marrëveshjen e 10 dhjetorit 1916 për shpalljen e
“Krahinës Autonome të Korçës”, e cila zgjati deri më 16 shkurt 1917. Repoteri
Robert Voutre përshkruan entuziazmin dhe optimizmin e popullsisë së Korçës në
momentin e shpalljes së autonomisë së krahinës nën protektoratin francez. Më 10
dhjetor, para një turme të madhe, flamuri kombëtar shqiptar, i kuq, me
shqiponjën e zezë dykrenore në mes, flamuri i vjetër të Skënderbeut që luftoi
kundër turqve, u ngrit në ballkonin e kolonelit francez që komandonte
territorin dhe bashkinë e qytetit. Një këshill administrativ, që shërben në të
njëjtën kohë si parlament dhe qeveri, u zgjodh nga populli. Ai përfshin
katërmbëdhjetë anëtarë, shtatë myslimanë dhe shtatë të krishterë, dhe një
delegat nga Bilishti. Ky këshill përgjigjet për administrimin e brendshëm të
qytetit që numëron më shumë se njëqind mijë njerëz. Protokolli i 10 dhjetorit
ishte i përbërë prej 9 nenesh me një përfaqësi prej 14 vetash nga Korça, ku
bënin pjesë (7 ortodoksë e 7 myslimanë), të cilët arritën të nënshkruanin me
komandantin e forcave franceze të Korçës, me kolonelin Hanri Dekuan.
Administrimi i krahinës iu besua një këshilli administrativ i quajtur ndryshe
këshilli qeveritar, i përbërë po nga ato figura politike shqiptare, që kishin
nënshkruar dokumentin.
Ky
këshill do kishte nën urdhrat e veta xhandarmërinë dhe njëkohësisht do të
krijoheshin edhe repartet lëvizëse shqiptare për të ruajtuar “pavarësinë e
territorit dhe lirinë e banorëve”. Ky protokoll mbyllej me dy pika të ndjehme
për shqiptarët, ku gjuha zyrtare do të ishte shqipja, ndërsa flamuri i krahinës
autonome të Korçës do të ishte “flamuri tradicional i Skënderbeut me shiritat
trengjyrësh të flamurit francez” . Shpallja e autonomisë me emrin “Republikë” u
bë në një mbledhje solemne, ku u mbajtën fjalime nga Themistokli Gërmenji dhe
koloneli Dekuan. Me emrin e “Republikës” u shtypën pulla poste dhe u vunë në
qarkullim monedha 1 fr. dhe 0.5 fr .Shpallja e autonomisë së krahinës së Korçës
zgjoi energji të fjetura te popullsia shqiptare në rajon. “Shqipëria
shqiptarëve”shkruan Voutre, kjo është motoja e njerëzve të të gjitha
komuniteteve të kësaj pllaje të pasur të Korçës, ku toka është shumë pjellore,
nëntoka e pasur me bakër dhe mineral hekuri. Qymyri është në nivelin e tokës
dhe në ditët e fundit këshilli administrativ filloi shfytëzimin. Ky qymyrgur
shitet nën kujdestarinë franceze për nevojat e trupave tona. Republika e Korçës
është ndoshta aktualisht shteti i vetëm në Evropë që balancon buxhetin e tij
dhe nuk ka defiçit. Nga taksat, të dhjetat dhe detyrimet raportohet në të
vërtetë 46.000 franga në muaj, 35.000 prej të cilave shërbejnë për të
përforcuar xhandarmërinë e qytetit. Të pajisur mjaft mirë, me një uniformë kaki
dhe një tegel kuq e zi, dy ngjyrat kombëtare, policia ka një pamje të bukur.
Ata formojnë dy organe të veçanta: xhandarmërinë e policisë dhe xhandarmërinë e
lëvizshme (kufitare). E para mban rendin në qytet, e dyta është përgjegjëse, në
përputhje me kushtetutën e shtetit të ri, për të mbrojtur integritetin
territorial dhe pavarësinë e Shqipërisë. 350 xhandarët erdhën për të luftuar me
ne kundër bandave të çrregullta që i shërbenin Austrisë. Shkollat ne Korçë janë
siguruar finaciarisht nga emigrantët shqiptarë në Amerikë dhe Egjipt në shuma
të mëdha deri në disa milionë franga, të cilat rritën kështu buxhetin vendor.
Sapo vendosëm në program mësimin e gjuhës franceze. Në Korçë po botohen shumë
gazeta. Kryesorja, “Gazeta e Korçës”, del në katër faqe në shqip, frëngjisht
dhe greqisht. Një rend i përsosur mbizotëron tani në territorin e qytetit me
trupat tona austriake, bullgare dhe greke. Për dy muaj nuk ka pasur asnjë krim,
fakt i veçantë në historinë e Shqipërisë. Pulla të shtypura ose të gdhendura
duke përdorur burimet lokale dhe duke mbajtur shqiponjë me dy koka dhe
mbishkrimin «Korçë (emrin shqiptar i Koritza), Shqipëria e pavarur,»
zëvendësojnë aktualisht pullat e vjetra greke apo epirote. Kartëmonedha 1
Franga dhe 50 qindarka janë krijuar për të plotësuar pamjaftueshmërinë e
monedhës të vogël. Franca, për nga traditat e saj liberale, dhe me frymën e
vetëmohimit me të cilat ajo kishte të bënte me qytetin e Korçës, është
vlerësuar sidomos nga shqiptarët si fuqi mbrojtëse. Çka bëjmë, nuk është e
mërzitshme, nuk ka asnjë synim territorial në Shqipëri dhe gëzon nga ana
tjetër, një autoritetit të padiskutueshëm moral në Ballkan.
Stadi
më evolues i Krahinës Autonome të Korçës, në Republikën e Korçës është frut i
drejtë për së drejtë i aksionit politik të Themistokli Gërmenjit që në
atmosferën e krijuar në Korçën e zbrasur nga ushtritë greke por ende me
grekomanë shqiptarë brenda, diti të luajë një Real Politikë të vërtetë duke
plotësuar qëllimet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare por edhe interesat e
francezëve në rajon. Ishte pikërisht arritja e këtij qëllimi të lartë shkaku i
fundit tragjik të Themistokli Gërmenjit. Patrioti shqiptar u vra dhe nuk u
pushkatua ligjërisht nga organet e sigurisë franceze sepse pikërisht ishte
njeri që me aktivitetin e tij prishi të gjitha skemat e pista të rregullimit të
territoreve të pasluftës.
Në
vitin 1916-1917, Greqia po përjetonte një dilemë të madhe politike për të hyrë
apo jo në Luftën e Parë Botërore përkrah Antantës, vendet e të cilave
tradicionalisht kishin sponsorizuar nacionalizmin agresiv grek po të qëndronte
neutral për të ndihmuar Fuqitë Qendrore pasi ishte e lidhur kulturalisht dhe
politikisht nëpërmjet origjinës së Dinastisë së vet mbretërore.
Në
krye të fraksionit pro Antantës qëndronte politikani i rafinuar grek
Venizellos, ndjekësit të Megali Idesë dhe hartuesi i politikës së jashme greke
të tre deteve dhe dy kontinenteve, ku krahina e Vorio-Epirit (Epirit të Veriut)
zinte një vend qendror në mëtimet territoriale greke ndaj Shqipërisë. Për t’i
shpëtuar presionit politik të ruajalistëve grekë ai ishte shpërngulur në Selanik
ku ishte vendosur dhe Armata Franceze e Lindjes. Republika e Korçës dhe aktet
administrative të ngritjes së flamurit shqiptar, hapjes së shkollave shqip dhe
pjesëmarrjes së shqiptarëve të dy besimeve fetare në administratën
franceze-shqiptare ishin veprime politike që kishin ç’bërë gjithë politikën
ekspansioniste greke të më së 30 vjetëve në rajon. Rolin destabiliyues të
Greqisë e ka kuptuar dhe një vëzhgues i jashtëm si shte reporteri e gazetari
Robert Voutre. Mbërrita në Korçë-shkruan ai- dy muaj pasi ishte shpallur
Republika dhe nga të gjitha anët, në mes muslimanëve e ortodoksëve, kam dëgjuar
vetëm mirënjohje për Francën. Kuptohet qartë pasiguria e kësaj popullate të
vuajtur të Korçës këto katër vitet e fundit. Prej dy muajsh shqiptarët
dëshmojnë se ata janë në gjendje të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin.
Mosmarrëveshjet fetare nuk ekzistojnë për arsyen e thjeshtë se nuk ka se kush
t’i nxisë. Venizellosi dhe përkrahësit e tij ishin kundërshtarë të rreptë të
asaj se çkish ndodhur në Korçë dhe statusit që kishin fituar patriotët
shqiptarë në krahinë.
Në
Selanik ishte vendosur dhe Esat Pashë Toptani sëbashku me 500 trupa të tij
shqiptare që mëtonte se përfaqësonte Shqipërinë dhe ishte rreshtuar përkrah
Antantës. Edhe ai ishte një kundërshtar i rreptë i çdo përpekje që
delegjitimizonte aksionte e tij politike. Dokumentet historike të shqyrtuara
dhe të njohura deri më tash nuk na lejojnë të flasim me siguri për përfshirjen
e këtyre dy personazheve në pushkatimin e Themistokli Gërmenjit, por një
analizë shkak pasojë na bën të mundur që të sugjerojmë se edhe Venizellosi si
dhe Pashai tiranas mund të jetë përfshirë në intrigën politike kundër
Themistokli Gërmenjit.
Esat
Pasha gjendej vetëm, pa përkrahje nga pothuajse e gjithë klasa dhe elita
politike shqiptare dhe kërkonte me ngulm një territor shqiptar ku mund të hynte
sërish me luftëtarët e vet dhe prej andej të shpallte qeverinë e vet. Pjesa
veriore dhe qendrore e Shqipërisë ishte nën administrimin austriak pas
dërrmimit të Serbisë dhe zona jugore shqiptare ishte nën Italinë.
Me
të dy këto fuqi ai tashmë nuk kishte më marrëdhenie të mira për ta lejuar që të
rikthehej në Shqipëri dhe i vetmi territor ku ai mund të kthehej ishte terriori
i Korçës dhe rrethinave të saj ku ishin trupat franceze. Esat Pasha ishte në
marrrëdhënie shumë të mira me gjeneralin francez Sarrej dhe aksioni i tij
politik përkonte shumë mirë me synimet politike franceze në rajon. Reduktimi i
statusit të Krahinës Autonome të Korçës menjëherë pas vrasjes së Themistokli
Gërmenjit dhe hyrjes së Greqisë në Luftën e Parë Botërore përkrah Antantës
dëshmon se interesat greke dhe franceze përputheshin në rajon.
Sigurisht
që fjala e fundit i mbetet shqyrtimit të dosjes së plotë hetimore, të
dëshmitarëve për fat të keq shqiptarë në gjyqin me dyer të mbyllura ndaj
Themistokli Gërmenjit që duhet të shqyrtohet dhe shikohet nga historianët dhe
penalistët. Por një gjë është e sigurtë se Themistokli Gërmenji nuk u pushkatua
sepse tradhëtoi për interes të një fuqie tjetër të huaj idealet e mëdha të
Republikës Franceze, Liri-Barazi-Vëllazëri por sepse me patriotizmin e tij për
Shqipërinë dhe aksionin politik të krijimit të Republikës së Korçës prishi
planet politike të Greqisë dhe tutorëve të saj politikë në rajon. 102 vjet pas
vrasjes së tij, çështja e Themistokli Gërmenjit duhet sqaruar plotësisht para
opinionit publik shqiptar në mënyrë të tillë që organizatorët të mos i
shpëtojnë gjyqit të historisë.