Mendime
Enver Bytyçi: Liderët serbë - Flasin për paqe e përgatiten për luftë!
E marte, 06.09.2022, 07:54 PM
Liderët serbë ende me maska: - Flasin për paqe e përgatiten për luftë!
Nga
Enver Bytyçi
Kryeministrja
e Serbisë, Ana Brnabiq, ishte për herë të parë në Kosovë. Ajo foli në
Mitrovicën e Veriut dhe u përpoq të sjellë mesazhe paqeje, aq sa mund ta bëjë
këtë një politikan(e) i rëndësishëm serb. Është e pamundur që ndonjë lider e
politikan i lartë me pushtet në Serbi të jetë vërtet e deri në fund paqësor.
Edhe nëse është grua, si Brnabiq! Prandaj ajo sapo shqiptoi mesazhin për paqe e
stabilitet, deklaroi njëkohësisht se vendi i saj nuk do të lejojë kurrë që
serbët të persekutohen. Njësoj si Milosheviçi në vitin 1989! Po ashtu në stilin
e Vladimir Putinit edhe ajo e Vuçiqi paralajmërojnë luftë e konflikt, gjithnjë
„në mbrojtje të serbëve në veriun e Kosovës“!
Njësoj
si kryeministrja, edhe presidenti i Serbisë bëri të njëjtën gjë nga Beogradi,
kur thoshte se „ndërrimi i targave dhe vendosja e KRS na qenka dhunim i
serbëve“ në Kosovë. E përdori ndryshimin e targave në Kosovë nga ana e serbëve
si „diskriminim“, „dhunë të institucioneve të Kosovës“, dhe shtyrje të tyre për
t’u larguar nga vendlindja. E njëjta retorikë e arsyetimit të luftës së
Vladimir Putin në Ukrainë. Nuk ka asnjë ndryshim. Megjithatë retorika e paqes e
kryeministres Brnabiq është për t’u mirëpritur.
Por
bota duhet të njoftohet e informohet se serbët e Kosovës nuk përjetojnë asnjë
lloj dhune nga ana e shqiptarëve ose institucioneve të Kosovës. Le t’i
referohemi targave: - Gjithë bota ka targa të unifikuara dhe në asnjë vend të
globit ose europian nuk refuzohen ato. Nëse refuzohen targat dhe imponohet
përdorimi i targave të shtetit, askund kjo nuk trajtohet si shkelje e të
drejtave të njeriut. Targat janë element sigurie për çdo vend. Ato nuk shihen e
nuk janë pjesë e legjislacionit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut. Asnjë
gjykatë nuk ka dhënë ndonjëherë ndonjë vendim në favor të dikujt që refuzon
përdorimin e targave të një vendi.
Prandaj
dhe politizimi i procesit të ndërrimit të targave nga Beogradi duhet të
denoncohet si përpjekje për destabilizim. Por jo vetëm kaq. Aleksandër Vuçiqi
zbuloi faktin se në dy ditët e para të shtatorit vetëm dy serbë kanë pranuar
marrjen e targave KRS. Me këtë rast ai nxiti ekstremistët kriminelë, të cilët
nuk duan të identifikohen përmes targave, që të sulmojnë shtëpinë e njërit prej
tyre e madje t’i venë asaj flakën asaj. Nëse presidenti i Serbisë dhe kryeministrja
e këtij vendi mendojnë se nxitja e dhunës prej tyre është paqe, atëherë do të
duhet të ndryshojë definicioni për paqen. Por është fakt se ngjarja që ndodhi
më njërën prej familjeve që ndryshoi targën dhe u pajtua me kërkesën e qeverisë
së Kosovës u nxit nga vetë kreu i shtetit serb.
Madje
kjo nxitje ndodhi menjëherë sapo atij i doli dehja nga vera e panairit të
Beogradit, ku nën shoqërinë e kryeministrit të Shqipërisë do të duhej të ishte
„zbutur“, siç pretendon Edi Rama. Në fakt ndodhi e kundërta. Mesa duket
shëtitja në lumin Sava me anije e kthjelloi presidentin Vuçiq nga mendja dhe ia
largoi emocionin e të qenit krenar për miqësinë e tij me Edi Ramën. Iu rikthye
menjëherë rutinës së përditshme të provokimit të konfliktit në Kosovë.
Ndërrimi
i targave në Kosovë është çwshtje e ligjit të shtetit të Kosovës. Dhe ligji nuk
është diskriminues, sepse ai është i njëjtë për të gjithë qytetarët e vendit pa
dallim e diskriminim për një etni të caktuar. Targat nuk kërcënojnë askënd,
përveç banditëve dhe kriminelëve, të cilët nga mosrespektimi e tyre fshehin
veprimtarinë e tyre kriminale. Targat ilegale, jo shtetërore, i japin avantazh
vetëm kriminelëve. Atëherë rezulton se presidenti i Serbisë dhe kryeministrja
Brnabiq po mbrojnë kriminelët serbë në veri të Mitrovicës me thirrjen që bëjnë
për targat ose me „paralajmërimin“ për mbrojtjen e serbëve në Kosovë.
Pse
serbët në Kosovë nuk janë të kërcënuar nga shqiptarët dhe institucionet e
Kosovës? Sepse ata nuk janë dhunuar në asnjë rast, nuk janë diskriminuar për
asgjë. Përkundrazi, janë favorizuar në pagesat e energjisë elektrike, në
raportin e tyre me ligjet për taksat e tatimet e me gjithçka tjetër në shkelje
të ligjit. Tani që kërkohet respektimi i ligjit, presidenti e kryeministrja e
Serbisë i bashkohen anti-ligjit, anti-rendit kushtetues, anti-rregullit
shtetërore dhe bëjnë thirrje për anarki. Vuçiq e Brnabiq duhet të sjellin një
rast të vetëm ku detyrimi për të paguar shërbimin me energji elektrike, ujë
etj., të konsiderohet „dhunim i të drejtave të njeriut“! Ata duhet të na
provojnë me dokumente e ligje ndërkombëtare një rast kur shteti toleron mos
pagesën e taksave dhe tatimeve. Madje le të na thonë se cili është raporti i
shtetit serb për këto çështje me shqiptarët në Luginën e Preshevës ose për
pakicat e tjera në Serbi.
Ta
trajtosh kërkesën për respektimin e ligjit demokratik si „diskriminim”, kjo
ngjan si me rastin e Martinoviçit, të kohës së Milosheviçit, rast
vetë-plagosjeje që qarqet akademike e shtetërore të Serbisë e trajtuan si
„gjenocid shqiptar kundër serbëve në Kosovë“! Kjo lloj propagande është nxitje
e dhunës dhe e luftës në rajon. Nuk ka asnjë lidhje me paqen. Prandaj dhe
institucionet e Kosovës duhet të bëjnë alarm kudo nëpër botë. Sepse liderët e
Serbisë mbajnë maska. Flasin për paqe e përgatiten për luftë!