Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Çka mund të kuptojmë nga deklarata e Departamentit të Shtetit?
E merkure, 27.07.2022, 07:59 PM
Çka mund të kuptojmë nga deklarata e Departamentit të Shtetit pas takimit të Blinken me Kurtin dhe Osmanin?
Nga
Blerim Latifi
Mendoj
se dy gjëra kryesore:
1.
Partneriteti SHBA - Kosovë është i qëndrueshëm.
Kjo
do të thotë se interpretimet mbi ftohjen e marrëdhënieve midis dy vendeve kanë
qenë, me gjasë, ekzagjerime, kryesisht të nxitura nga opozita.
A
duhet që për këtë tash t'ia nxjerrim sytë opozitës?
Jo.
Ajo po përpiqet ta sajojë tregimin e saj kundër pushtetit dhe kjo është
krejtësisht legjitime në demokraci. Madje, edhe e domosdoshme, sepse nuk ka
demokraci aty ku ekziston veç tregimi i pushtetit për realitetin. Nëse tregimi
i saj nuk ecën, vetë opozita i bartë pasojat.
2.
SHBA mbështet dialogun Kosovë - Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Europian.
Kjo
mund të kuptohet si njëlloj vazhdimësie e qëndrimit amerikan gjatë
administratës Obama, kur e gjithë barra e dialogut iu la në duar europianëve.
Pra, me gjasë, nuk duhet të presim ndonjë angazhim më aktiv e praktik nga
Uashingtoni për t'i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit tonë me Serbinë.
Kështu,
i lënë në mëshirën e pafuqisë europiane dhe të pafuqisë së Beogradit e Prishtinës
për të arritur vetë një marrëveshje të paimponuar nga Perëndimi, ky problem do
të vazhdojë të na mbajë peng të një status quoje qartësisht të dëmshme për
shtetin dhe shoqërinë kosovare. Mbase edhe për një kohë të gjatë, fatkeqësisht.
Një
konkluzion: amerikanët nuk na janë hidhëruar, vazhdojnë të na duan, vazhdojnë
ta duan më të mirën për ne, por nuk kanë kohë të merren aq shumë me andrallat
tona, sepse andrallat tona nuk çojnë peshë në trazirën e madhe gjeopolitike e
cila e ka përfshi botën.