Mendime
Gurakuç Kuçi: Opsioni i “paqes” apo “guri i varrit” në Ballkanin Perëndimor
E shtune, 16.07.2022, 06:22 PM
Opsioni i “paqes” apo “guri i varrit” në Ballkanin Perëndimor
Nga
Dr. Gurakuç Kuçi*
Ruajtja
dhe shtrirja ideologjike dhe gjeopolitike e Rusisë përdor decidivisht edhe
civilizimin në kuptimin e ortodoksizmit si religjion nëpërmjet Kishës Globale
Ortodokse, ku kanë krijuar edhe bazën e veprimit që quhet zyrtarisht “Doktrina
Ruse”.
Pas
pushtimit të Krimesë nga Rusia, Kisha Ortodokse Ruse bashkë me Sergei Lavrovin
dhe Vladimir Putinit kishin dalë me një deklaratë “për rezistencë ndaj
liberalizimit internacionalist dhe mbrojtjes së civilizimit ortodoks”. Gjë që
po vazhdon edhe sot në rastin e pushtimit të Ukrainës.
Pra,
sllavët nacionalizimin e tyre e kanë të ndërtuar mbi fenë ortodokse dhe uniteti
i tyre është i pandashëm që nga rënia e Bizmarkut dhe prishja e Marrëveshjes së
Risigurimit, që nga ajo kohë sllavët kanë pasur një model bashkëpunimi modern
të fuqishëm imperialist (bashkëpunimi ka qenë gjithmonë, por këtu po flasim për
atë në nivel shtetesh moderne). Rusia i
ka dalë në ndihmë Serbisë në çdo luftë e ka tentuar që të bëjë luftë edhe me
NATO-në për Kosovën.
Sot
Serbia dhe Rusia po e vazhdojnë tendencën e imperializmit në Ballkan me metoda
konservatore nacionaliste nëpërmjet Kishës Ortodokse dhe atyre moderne si “Open
Ballkan”. Në këtë grackë po bien të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të
cilat pretendojnë që me zhdukjen dhe ndarjen e Kosovës do të përmbushen
apetitet serbe dhe vendet tjera në Ballkanin Perëndimor nuk do të influencohen
më nga Serbia.
Luftërat
në Ballkan, Suzan Vuuzvard (Susan Woosward) thoshte se nxiten nga fraksionet e
ndryshme etnike, ku secila lufton për të fituar “parakushtet gjeopolitike dhe
institucionale të sovranitetit, marrjen e aseteve strategjike dhe ekonomike,
duke siguruar kufij të sigurt për të ardhmen, duke shkatërruar ato të armiqve,
dhe ndërtimin (në kontekst të luftës) e aleancave të jashtme për mbrojtjen e
tyre”.
Serbia
kur kishte suprimuar autonominë e Kosovës nuk ishte ngopur, ishte hedhur në sulm
kundër Kroacisë, Sllovenisë e Bosnjës.
Tani
që kaluan 27 vjet nga masakra e Srebrenicës jemi dëshmitarë të
neo-imperializimit serb në Ballkanin Perëndimor duke shtrirë forcën e saj
nëpërmjet kishës në Mal të Zi dhe Kosovë, e nëpërmjet “Open Ballkan” në gjithë
rajonin. Serbia në Ballkanin Perëndimor po pret kohën të futët në luftë në atë
që mund të quhet faza e zgjerimit të luftës Ukrainë-Rusi apo thënë më mirë
perëndimi ndaj ortodoksizmit (ortodoksizmit që është nën udhëheqjen e Rusisë).
Realpolitika
e vendeve të rajonit me Serbinë dhe kundër Kosovës, është guri i varrit për
rajonin. Kosova është stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe shprishja e këtij
rendi kalon nga Kosova.
Maqedonia
e Veriut do të zhdukej duke u ndarë ndërmjet tri shteteve; Mali i Zi do
shkrihej nën Serbi dhe sigurisht edhe Bosnja.
Besimi
se “Open Ballkan” ka përkrahjen perëndimore është i njëjtë sikur besimi në
paqen e Oslos të viteve ’90 ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.
Kosova
ka pasur opsione edhe për autonomi vazhdimisht dhe sikur të pranoheshin ato,
sot do të ishim nën Serbi, por ka punuar për pavarësi, i ngjashëm është edhe
puna me “Ballkanin e Hapur” si imperializëm serb modern dhe ai nacionalist
nëpërmjet kishës ortodokse.
Në
gjithë këtë paritet, Kosova po del që ka vetëm një aleat të sinqertë, Shtetet e
Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri
i Malit të Zi mund të besojë në politikën e tij, pasi deri tani ishte i
suksesshëm, por me Serbinë nuk mund të ketë sukses. Realpolitika e Shqipërisë
ndaj Kosovës është dhimbja më e madhe që mund t’i ndodhë shqiptarëve, e Kosova
duke e pasur furnizimin ekonomik më të madh nga Serbia është ndihma më e mirë
ndaj armikut të saj. Ndërsa Maqedonia e Veriut uroj të ketë kuptuar më shumë
gjëra nga incidenti i fundit nacionalist-shovinist anti-shqiptar.
Instrumentet
për paqe të gjitha janë që nga pavarësia e Kosovës, vendimi i GJND-së për
Kosovën e procesi i Berlinit; këto janë të mjaftueshme. Pa u përmbushur këto,
nuk ka nevojë për instrumente dhe koncesione të reja. Këto instrumente nuk janë
vetëm për Kosovën por edhe fqinjët e saj.
__________________
*Autori është i lauruar
doktor në lëmin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe historinë e diplomacisë,
anëtar i stafit drejtues të Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë