Mendime
Idriz Zeqiraj: Komandantët pranojnë fajësinë për vrasjet politike!
E premte, 15.07.2022, 06:14 PM
KOMANDANTËT PRANOJNË FAJËSINË PËR VRASJET POLITIKE!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Janë, të paktën, 4 (katër) raste faktike të pranimit të krimeve,
kryesisht, të vrasjeve të kundërshtarëve politikë nga disa komandantë banditër:
I. Kur Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, po diskutonte
afatin e mandatimit të saj, për hetimin e krimeve të luftës dhe të pas luftës,
komandantët që "e kishin mizën pas veshit", reaguan ashpër, të mos
kalohej tej vitit 2000! Pse? Sepse, luftën e konsideronin si "kohë të
rrëmujshme" dhe mund t`ia faturonin vrasjet pushtuesit. Dhe, arritën ta
kufizojnë deri në fund-vitin 2000. Kjo është amnistim i krimeve të mëvonshme
serike, nga e njëjta strukturë kriminale, e përkufizuar, mençurisht e
profesionalisht, si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, nga prokurori amerikan
Xhack Smith.
II. Reagimi kundërshtues i disa komandantëve kriminelë të PAN-it,
për emërimin në poste drejtuese dhe garimin për deputetë, të fëmijëve të të
vrarëve për motive politike, e quajnë provokim! Kandidatura simpatike e Fetah
Rudit, u mirëprit nga populli, por i irritoi fort komandantët. Kjo tregon se
kriminelët e PAN-it, nuk janë penduar për krimet e tyre. Dhe, duke e ndjerë
vetën, të implikuar në vrasjet polititike, nuk e duan ballafaqimin me viktimat,
përkatësisht, trashëgimtarët e tyre.
III. TV "Dukagjini" ka një reprizë të gjithmonshme:
"A është e vërtetë se Hashim Thaçi ju ka kërkuar, qoftë edhe përmes të
tjerëve, të mbroheni në heshtje",- i bënë pyetjen publike moderatori Ermal
Panduri, ish-ministrit të Brendshëm, në Qeverinë e Përkohëshme, Rexhep Selimit?
"- Po, si nuk është e vërtetë", - përgjgjet, prerazi,
ministri në fjalë.
IV. "Ata që po i vret UÇK-ja, po i vajton LDK-ja",-
shkruante fletushta anti-kombëtare "Zëri i Kosovës", pronë e
komandantëve kriminelë. Ky është pranimi ekskluziv, i një të vërtete të madhe!
Çdo koment është i tepërt!
Praktikimi i heshtjes nga komandantët e akuzuar për krimet
vrastare, të kundërshtarëve politikë, është bërë e zakonshme. Sepse, sipas një
utrësie rumune: "Ata që gënjejnë, duhet të kenë memorie të fortë".
Sepse, përsëritja e gënjeshtrës, rrezikon t`i tradhtojë memorja!
Pra, fajësia e pranuar për krimet, tashmë, të bëra, nga disa
komandantë, me bandat e tyre, është evidente. Janë të tepërta dhe bjerrje kohe
hetimet të stërzgjatura. Elementet e krimit janë konsumuar katërcipërisht.
Ndonëse dhuna fizike, e përdorur nga fashizmi dhe komunizmi, për ta pranuar
fajësinë, konsiderohet jo njerëzore, drejtësia, në vendet demokratike, mbi
bazën argumentuese, jep dënimin e plotë, sikur i pandehuri ta këtë pranuar
krimin.
Mjerisht, Gjykata Ndërkombëtare, qoftë në Kosovë, qoftë në Hagë,
ka bërë hetime dhe gjykime "shkel e shko", duke anashkaluar provat
dhe krimet faktike. Në vend të vendosjes së drejtësisë, Gjykata është mjaftuar
me leximin e shifrave disa milionshe, të dhëna avoketërve dhe të ndara më
gjyqaëtarët, duke e siguruar lirinë, por, jo edhe pafajësinë!
"Më mirë vonë se kurrë", - thotë urtësia. Limaj ka bërë
hapin e parë, duke pranuar se vrasjet politike kanë ndodhur, realisht. Dhe, jo
si disa kolegë të tij kriminelë, të cilët mohojnë motivet, madje, i quajnë edhe
"të vjetëruara, që duhet harruar"! Nuk është vetëm Baton Haxhiu, i
cili apelon për pajtim të brendshëm dhe të jashtëm, duke i amnistuar
kriminelët! Janë edhe disa "gjeneralë", eksponentë të krimit, të
haraçit dhe të korrupsionit, që duan të harrojnë të kaluarën e zezë të tyre,
duke i mbuluar me "tam-temet" e "betejave" të tyre
imagjinare.
Vërtet, nuk është hera e parë, që Limaj reflekton drejtë, në
raport me kolegët e tij: "98 % të ushtarëve na vinin nga radhët e
LDK-së", - deklaron, përsëritshëm, Limaj. Por, kur shtrohet pyetja: A
duhet të japë përgjegjësi Fatmir Limaj? Mendoj, gjithësesi po, sepse ai ka qenë
dhe vazhdon të jetë njëri ndër të akuzuarit kryesor.
Mendësia se "kam kaluar në filtrin e drejtësisë vendore dhe
ndërkobëtare dhe jam dëshmuar i pafajshëm", siç pretendon Limaj, me sojin
e tij, është një "përrallë dimri"! Të gjithë të akuzuarit dhe të
arrestuarit, për krime vrastare apo hajnore, përgjatë tej dy dekadave, kanë
qenë dhe mbetën të fajshëm. Për disa vrasje faktike, dënimet kanë qenë
simbolike, sikur të kenë vjedhur apo therur ca pula!
Avokati i njohur Ben Emerson thotë se "liria e një komandanti
ka kushtuar 11 milionë euro", prej tyre ai pranon se ka marrë 5 (pesë)
milionë euro. Por, kurrë nuk përmend fjalën "pafajësi"!? Haga ka
arrestuar gabimisht vetëm një person dhe brenda 24 orësh e ka liruar, me kërkim
falje, e ka kthyer të lirë në Kosovë, me dëmshpërblimin përkatës, ligjor.
Gjykata e Hagës kurrë nuk i ka dënuar të pafajshmit, por, ka
liruar të fajshmit. Prandaj, është themeluar Gjykata Speciale e Kosovës, me
seli në Hagë, për ta korrigjuar, tashmë, fajësinë e bërë nga Gjykata e Hagës, e
cila, me vendime arbitrare politike, shkeli mbi gjakun e shumë qindra viktimave
të pafajshme, kryesisht, shqiptarë, luftëtarë dhe atdhetarë, të përkushtuar për
çlirimin e Kosovës.
Shkaku i vrasjeve politike - pushteti dhe paraja!
Fatmir Limaj, më në fund, duhet të flasë, sepse ai ka qenë pjesë e
vendimmarrjes, përkrah Hashimit, me shokë. Janë pazarët tenderuese, që kanë
prishur miqësinë e tyre. Përndryshe, ata i lidhin të bëmat e luftës dhe pas
saj, madje, pazgjidhshëm, të cilat janë tmerruese. Limaj është bërë yll i
mediave vizive. Flet "për Shkup dhe për Shkodër"! Por, tani është
radha dhe rasti të flasë për vrasjet politike, rast unik, kur bota demokratike
luftonte për shpëtimin e popullit të Kosovës, ndërkohë, disa komandantë
bastardë e hafije të Serbisë, vrisnin FARK-istët luftëbërës të Ibrahim Rugovës;
luftëtarët dhe veprimtarët e LDK-së; si dhe veprimtarët e hershëm të LPK-së!
E përsërisim, Fatmir Limaj di shumë për vrasjet e kundërshtarëve
politikë, sidomos në domenin e sundimit të tij, që përfshinë koxha hapësirë.
Nëse nuk i njeh ekzekutorët, urdhërdhënësit i di. Përtej dy dekadave u heshtën,
nuk u hetuan, sepse krimi në pushtet dhe shtet, kishte kapur sistemin e
drejtësisë. Përmendja e vrasjeve politike, konsiderohej blasfemi! As Limaj
kurrë nuk e ngriti zërin për hetimin e tyre. Madje, "e bëri namin",
për mbojtjen e imunitetit të deputetit, ndërkohë që, sipas shërbimeve
informative prestigjioze ndërkombëtare, Parlamenti i Kosovës kishte 27 deputetë
kriminelë!
Që vrasjet politike, me listimin dhe ekzekutimin e kundërshtarëve
politikë kanë ndodhur, tashmë, është dëshmuar bindshëm. Sikur nuk mjaftuan
jetimët numerikë të Kosovës, me prindër të vrarë nga soldateka e Millosheviçit!
Numrin e jetimërve e shtuan "komandantët" shqipfolës, që thirreshin
në emër të luftës. Kjo nuk ndodhi as në Kroaci dhe as në Bosnje.
Por, ka ndodhur dekada më parë në Shqipërinë hoxhiste! Enver
Hoxha, luftën çlirimtare e konvertoi në luftë civile, qytetare. Prandaj, nuk
gëzoi reparacionet, dëshpërblimin për luftën, edhe pse ishte në anën e
koalicionit fitues. Duke shkelur mbi kufoma, arriti pushtetin. Madje, duke
ushtruar dhunë dhe terror mbi shqiptarët, sundoi për afro gjysmë shekulli.
Tirana zyrtare, social-komuniste, hartoi të njëjtin plan kriminal
edhe për Kosovën. Sigurimsat e Enverit, të veshur me petkun diplomatik, kishin
kontaktuar me protaginistë të LPK-së, qysh në vitet `80-a, njëherësh, edhe
hafije të UDB-së. Përvoja e komunistëve shqiptarë, gjatë Luftës së Dytë
Botërore, ishte garantuese për marrjen e pushtetit në Kosovë.
Gjatë luftës në Kosovë, krerët zyrtarë të Tiranës, intriguan në
sabotimin e luftës. Ata krijuan Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, në Hotel
"Rogner", me hafije të shumëfishtë, kryesisht, të shteteve armike të
Kosovës. Ndërkohë, Sigurimsat enveristë, instruktonin kriminelët e Kosovës, për
ta marrë pushtetin me dhunë.
Për të qenë krimi mirë i organizuar, Sigurimsat themeluan
organizatën ilegale, kriminale SHIK. Atentatimet e para filluan në territorin e
Shqipërisë, duke filluar nga ekzekutimi zyrar i Ministrit të Luftës, Kolonel
Ahmet Krasniqit, në vlugun e luftës. Rast unik! Agjentët e SHIK-ut u aktivizuan
edhe në Kosovë, por, me një intensitet të shtuar. Lufta favorizonte që krimet
t`ua faturonte të tjerëve. Por, përzgjedhja e viktimave, zbulonte autorësinë e
krimeve.
Pra, vrasjet politike u bënë për pushtet dhe para. Kjo, tashmë,
është dëshmuar bindshëm. Edhe Fatmir Limaj duhet ta pranojë dhe ta pohojë
zëshëm, motivin vrastar të disa komandantëve, si pjesë e Ndërmarrjes të
Përbashkët Kriminale. Luftimi i krimit është detyrë e çdo qytetari. Kur bëhet
fjalë për njerëzit publikë, ky është një obligim shtesë. Hapi i parë është
bërë!
Pjesa e parë: "Limaj i dyshuar për 6 raste vrastare e
korruptive"
-
F u n d -