E diele, 02.10.2022, 08:59 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Don Alfons Tracki

E merkure, 06.07.2022, 10:50 AM


Nga Fritz RADOVANI:

Pjesa Nr. 44. Zamak i Flamurit Kastriotit…

DON ALFONS TRACKI

“I  HUMBUNI”  DON  ALFONS  TRACKI!

“Misionarët në Shqipni vritën tri herë,

pushkatohën, harrohën dhe, të tretën

herë, Ua dhunojnë edhe vorrin e Tyne”.

Vetem kaq: I humbun”, shënohej ndër të gjithë rregjistrat e klerikëve që ishin mbrenda “perdës së hekurt”, e ndoshta, përgjithmonë mbetej ashtu.

Jo vetem, nuk asht e meritueshme që shumë figura të ndrituna të historisë sonë kombëtare të mbulohën nga pluhuni i harresës, por jo ma pak përgjegjësi historike dhe morale kemi edhe përpara veprës së misionareve të fesë, të cilët, në rininë e tyne, me punë vetmohuese provuen me fakte se toka Shqiptare për ta ishte Atdheu i dytë i Tyne.

Kjo asht arsyeja kryesore që më shtyni me u ndalue tek “i humbuni” Don Alfons Tracki, i ardhun misionar nga Breslau.

Don Alfonsi asht le nga prindët Jozef e Marta Tracki, në vitin 1896 në Breslau. I ati ishte oficer i gardës mbretnore. Don Alfonsi kishte edhe dy vëllazën të tjerë, Hansin dhe Gjergjin, që u vranë në Luftën e Dytë Botnore, ndërsa e motra e tij Kordola, mbas vitit 1944 nuk dihet ku ka përfundue.

Alfonsi i ri, pa mbushë 17 vjet, vjen ushtar në Shqipni me forcat Austro-Hungareze. Mbas luftës vëndos me qëndrue këtu, pikërisht, kur Breslau i kalon Polonisë. Në natyrën e tij dallohet kjartë gërshetimi i karakterit të vendosun gjerman me besimtarin katolik polak. Ka lanë në një anë armët e hekurta dhe rrokë armën ma të fuqishme të njerzimit, tue u ba përjetësisht ushtar i Krishtit në armatën Shqiptare. Ai e admiroi këtë armatë sëpse asht pikërisht ai kler që një vit maparë, bashkë me të gjithë atdhetarët shqiptarë kishte ngritë nalt edhe njëherë flamurin e Gjergj Kastriotit, tue i ba të ditun Botës se Shqiptarët janë këtu. Edhe pse kishim kalue pesë shekuj robni të dhunëshme fara e krishtënimit jo vetëm nuk ishte shue, por kishte marrë aq hov sa me shumë frikë e thom, “drue se nuk përsëritet kurrma!”

E, ku i kanë vorret Herojt? - Kurrkund!

Imzot Mikel Koliqi më tregonte se veprimtaria e Don Trackit, ishte baza e “Veprimit Katolik” në Shqipni. Krahas veprimtarive sportive e zejtare vendin kryesor e zente aktiviteti atdhetar. Vazhdon edhe ai vetë Seminarin Papnuer të Jezuitve dhe i përfundon studimet teologjike në Bosnje. Në vitin 1926 shugurohët meshtar. Fillon menjëherë aktivitetin fetar në Shqipni.

Formon lidhje të ngushta e miqësore me meshtarët Shqiptarë Don Kolec Prennushi, At Pjetër Meshkalla, vëllaznit Gazulli, që simpatizojnë Lëvizjen e malësorëve të Veriut kundër Zogut. Don Gjoni u var nga Zogu, ndërsa Don Nikolli u dënue me katër vjet burg në Gjinokastër. Për këtë lidhje edhe Tracki u nxuer jashtë nga Shqipnia nëpërmjet të Musa Jukës, i cili nuk e shihte me sy të mirë grumbullimin e rinisë shkodrane rreth Trackit. Ndërhymja e Bajraktarit të Shkrelit, Vat Marashi tek Zogu, e rikëthen Trackin në Shqipni, me kusht mos me qëndrue në Shkodër. Ai shkoi në qendrën malarike të Velipojës ku banonin malësorë të ramë nga Alpet.

Zotnonte mirë gjuhën shqipe gja e cila bani me u hy në zemër fshatarëve. Njohja e zakonëve të malësisë e vëndoste në krye të vendit mbasi shumë shpesh, malësorët kishin nevojë për mendimin e priftit ndër kuvendët e tyne. Merrej me pajtim gjaqësh dhe ishte kudo ku lypej me u shmangë vëllavrasja. Kjo arësye e shtyni shpesh me ndërhy edhe pranë organëve qeveritare për me shpëtue ndonjë që binte ma vonë në duert e gjermanve.

Po cili kje shpërblimi që mori prej nesh?

Në vitin 1944 Hausdingu i shpjegoi Trackit, se edhe në Shqipni ka shumë ngatrresa të mbrendshme dhe se mundësia e ardhjes në pushtet asht e komunistëve, mbasi ata i ndihmojnë edhe anglezët prandej, eja me né, se do të kenë edhe ndryshim sistemesh dhe ti do të konsiderohësh edhe gjerman. Pavarësisht se ti i ke ndihmue shumë shqiptarët nuk ka me t’a dijtë kush për nderë pra, mos e rreziko jetën me qëndrue këtu!

Tracki ju përgjegj: “Jo, nuk vij me ju, mbasi nuk kam ardhë në Shqipni për qëllime politike, as ushtarake dhe as si pushtues.

Këtu unë kam Atdheun e dytë, Shqipninë, të cilit, i kam shërbye si Meshtar dhe këtu, due të vdes si Shqiptar!”.

Ata ikën, ndërsa Tracki qëndroi këtu.

Për me evitue përpjekjet me partizanë në ditët e para të 1945, ai shkoi në malësi tek priftnit Nikoll Gazulli, Luigj Pici, Ndre Zadeja dhe se fundit tek Don Injac Gjoka.

Aty e njoftuen se kërkohet nga disa partizanë, që në Velipojë e kanë shpallë armik. Ato ditë edhe Ndoc Jakova kishte ikë nga ushtria mbasi fillojnë përshpëritjet se Ndoci, asht i lidhun ngusht me klerin katolik. Edhe Ndoci shkon tek Don Injaci, ku takohet me Trackin dhe të dy bashkë shkojnë në Shpellë të Mëri Kokës në Stenë.

Po kalonte vitin me grupin e Gjergj Vatës, Martin Sheldisë, Gjelosh Lulit, Mark Malës, Nikoll Prenk Dedës, Pjetër Gjokës etj. Jeta e malit dihet. Tracki nga Breslau në shpella të Veriut.

E, pse? Për ata që njohin zonën e Shllakut asht e kjartë vuejtja dhe sakrifica e madhe që ka ba Tracki.

Terroristi Zoji Themeli, kryetar i seksionit Mbrendshëm të Shkodrës më 31 dhjetor 1945, e njofton Drejtorinë e Mbrojtjës së Popullit në Tiranë: “Ju njoftoj se përveç Dom Alfons Trackit që gjindet në këtë qark, nuk ka elementa fetarë me kombësi gjermane.” (Dosja 1885).

Në mes të natës së 12-13 shkurtit 1946, kur forcat e Ndjekjës nisën për në Dushman, mbasi ishte ba një vrasje atje gabojnë rrugë. Koha e keqe me shi kishte vështirsue kalimin. Prrojet kishin shpërthye. Brigada merr drejtimin kah shtegu i shpellës, jashtë së cilës atë natë bante roje Ndoc Jakova. Në shpellë ndigjohen disa krizma armësh që u shuen shpejt. I pari i ndigjoi Gjergj Vata, i cili i zgjoi shokët nga gjumi dhe po prisnin sinjalin prej Ndocit për me veprue. Nuk ndihej asgja. Mendojnë pse Ndoci nuk po i ban me dijtë, shka ndodhi!? Vrojtojnë me kujdes jashtë dhe vërejnë se aty afër ndigjohen ecje këpucësh ushtarake, që ushtojnë pak prej natës e pak prej gurve të kalldramit të rrugës.

Pergatitën me ça rrethimin nga një shteg që nuk njihëj nga Ndjekja. I pari prinë Gjergji, mbasi dinte shtigjet, të tjerët u nisën mbas tij.

Don Alfonsi nuk pranoi me marrë atë drejtim pa shkue deri tek vendi ku ishte Ndoci. Gjergji ka kundërshtue tue parashikue pritën. Don Alfonsi ishte i vendosun me shkue kah Ndoci, parandjente dishka të keqe dhe u nis. Kur mërrinë tek vendi gjenë Ndocin e plagosun randë që ishte i lamë me gjak. Ndoci e njeh. Don Alfonsi i jep të zgjidhun, e kungon dhe e vojon, i çon kokën nga balta e pellgu i gjakut, e mbështetë për parzëm, i ban Kryq dhe qëndron me té derisa Ndoci jep Shpirt. Si një babë i mirë që shtërngon fort djalin  e vet në fund të jetës.

Afrohën forcat e Ndjekjës. Don Alfonsi nuk lëvizë nga vendi, madje, u thotë: “Afronju, mos kini frikë se nuk kam armë, tashti ejani kur të doni se unë e kreva detyrën teme!” E lidhën me litar duersh dhe e sollën në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës. Aty ra në duert e një krimineli fanatik, i pa ngopun me gjak klerikësh, tek katili Fadil Kapisyzi që për pesë muej nuk la gja pa ba në trupin e Trackit. Përpilohët, si gjithënjë një proçes falls (me sekretar Kol Kirin), ku nuk mungojnë as shpifsit, po as trilluesit kundër misionarit të pafaj që kishte shpëtue sa jetë të rinjësh nga duert e nazistëve si: Çesk Kabashi, Zef Kol Preka, që me paturpësi e akuzon Trackin se i kishte kërkue 200 napolona me i shpëtue djalin, apo  një vagabond si Gjovalin Mazrreku, që e quan me fjalorin e njohun të tij t’ agjentit sigurimit: “Fashisti i poshtër Don Alfons Tracki”.

Debili Rustem Sykja e akuzon për propagandë naziste etj. Shpërblimi i veprës së misionarit të palodhun ndaj atyne të rinjve që i kishte ndihmue pa dallim feje dhe që, ndodheshin në sallën e kinema “Rozafat”, ishin thirrjet e tyne mizore dhe të paturpëshme: “Plumbin ballit, kriminelët në litar!”

***

Tracki deklaron në gjyq (Dosja nr. 1885):

“Për doktrinën fashiste kishe me thanë se kjo ka gjetë njeriun dhe njeriu kokën. Sa për nazizmin, unë jam gjerman por, nuk jam nacional-socialist. Nuk jam as nuk due me kenë mbasi si doktrinë asht e gabueme. Na kurrfarë ndihmet nuk i kemi dhanë. Tham se fashizmi dhe nazizmi janë njilloj, e duhet me kenë kundër. Unë me politikë nuk jam marrë, pyetni ata që kam ndejë me ta. Prifti po të merret me politikë sharron, prandej edhe kam ndejë larg. Ndersa tek Oberlajn dhe Dr. Hotnik nuk kam shkue, kishin zyre të tjera se merrëshin me hetime politike. Në rrethin “Veprimi Katolik” flitej për fenë. Propagandë kundër Bashkimit Sovjetik nuk kam ba, por si gjerman kam dashtë me fitue Gjermania në luftë kundër Rusisë.

Kam kenë tek Hausdingu, por kjo nuk don me thanë se jam nazist. Fillimi i luftës ka kenë i padrejtë. Për Gjrmaninë naziste jam gëzue që ka mbarue. Nazizmi nuk asht potencë që ka dalë nga populli por me dhunë. Nuk e lente kush fitorën e nazizmit, se ishte çue gjithë bota kundër.

Delegati Apostolik nuk ka shkue te Hausdingu, por më ka çue mue për disa dezertor italian, për pilotët, po, kam ndërhy dhe u asht falë jeta. Mos me ndigjue me ba përkthime në Gestapo nuk e queja gja të mirë, mbasi unë punoja në interes të popullit shqiptar. Unë dola në mal se partizanët nuk ishin ushtri e rregullt, vepron kushdo në kokën e tij, të vrasin dhe të përsekutojnë. Me Ndoc Jakovën kemi nda bukën dhe sende të tjera, që na nepshin katundarët, por edhe kemi ble. Partizanët kur na kanë rrethue në luftë, unë jam diftue ushtar! Nuk kam dijeni se Papa ka bekue armët. Unë këtu kam kenë në Atdheun tem.”

Po japim disa mendime politike të Trackit: “Krotnik më ka thanë se na po shkojmë, por ky popull asht në grindje në mes të shoqi-shoqit e mund të fitojnë komunistat, se i ndihmojnë anglezët. Për majorin Nil, ishte dy ftyrash, ndryshej me Sali Myftinë, e ndryshej me Nik Sokolin. Gjermanët donin me lanë oficera në Dukagjin por në tetor ky urdhën u prapsue. Zef Mirashi e Gjergj Vata më kanë tregue se Muharrem Bajraktari asht Komandant i Përgjithshëm.

Anglia e Gjermania e luftojnë shoqi-shojnë për jetë a për dekë e në Shqipni, të thuesh bashkë-veprojnë. Këto të pohueme janë fakte, por si shpjegohën? - Unë nuk dij me dhanë përgjegje. Por, një fakt asht se, që Anglia si e ka pasë ma përpara edhe tash don me pasë konceptin e sundimit. Sundimin e Evropës e don! Historia e vërteton se ekujlibrin ndërmjet shtetëve të Evropës don ekskluzivisht me e rregullue Anglia. Shembujt janë: (Holanda, Spanja, Franca - lufta e pafund e njiqindvjetve, Lufta e I-rë dhe e II-të Botnore), e tash? - Mue më duket se në hesapë të vet Anglia nuk ka shti një Rusi të evolucionarizueme e prandej, tash mbas Luftës së II-të Botnore, nuk i del besoj hesapi si ka mendue e dashtë.

Shtetet e ndryshme të Evropës edhe të vogla tue përdorë të drejtat e veta të fitueme me gjak nuk po këcejnë ma simbas vishkëllimit e taktit të Anglisë, e nuk po pvesin atë për trajtimin e qeverimit të vet, me një fjalë i kanë dalë dorët Anglisë.Rregullimi i Evropës nuk asht ma në dorën e saj si dikur.

Ardhjën e Gjermanisë në Shqipni nuk mund ta konsideroj as mirë as keq mbasi jam gjerman, por mbas principit tem - lum i forti - por edhe kjo prap asht ide e gabueme! Ndoshta për problemet kombëtare të Shqipnisë gjermanët kanë punue mirë, mbasi Kosova me tokat tjera që i përkasin truellit Shqiptar e ja kanë marrë, kam frikë se nuk i kthehën ma.

Populli më ka pyet: “A të shkruhemi fashista?” - Unë i kam thanë se edhe po të shkruheni nuk asht ndonjë dam se merrni harxh, por nuk i kam thanë se po mos të jesh fashist - nuk je katolik, për milici i kam thanë mos u shkrueni! (Ky asht një dorëshkrim i Trackit, fq. 9,10.).

Kam kenë në Meshkallë (Shllak) më 31 dhetor 1945 dhe jam nisë te Don Injac Gjoka në Mazrrek, ku kam pritë anmisti prej Don Luigj Picit e Luigj Mjedës. Më 12 janar kam shkue në shpellë tek Gjergj Vata e Nik Sokoli.

Më 13 shkurt 1946, më kapën partizanët.”

Me datën 17 korrik 1946, ora 17.00 Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetari Mustafa Iljazi, antarë, Zurdi Shehu e Anastas Koroveshi dhe prokuror Aranit Çela (akti nr. 249), vëndosi: 1. Llesh Marashi, me varje në litar. 2. Kol Ashiku, 3. Nikoll Preng Dedaj dhe 4. Don Alfons Tracki , dënohën me vdekje, me pushkatim. Don Alfonsi nuk kishte asnjë lidhje me grupin.

Me datën 17 korrik, pra, atë natë bahët kërkesa për falje jete nga avoketnit e secilit të dënuem me vdekje.

Më datën 18 korrik 1946, bahet shqyrtimi i akteve në Gjykatën e Lartë në Tiranë, nga: Kryetari, major Frederik Nosi, antarë kap.Veladin Zejneli e kap. Nexhat Hyseni, prokuror Nevzat Haznedari dhe vëndosi:..

Me datën 18 korrik 1946 njoftohët Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, me shkresën  nr. 902/7 se: “Në bazë të vëndimit të dhënë me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët: Llesh Marashi, Kol Ashiku, Nikoll Preng Dedaj dhe Don Alfons Tracki. I pari në litar. Dënimi i tyre në përgjithësi është konsideruar me vend nga i gjithë opinjoni.

Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi, nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal.

Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë.

Shef i Seksionit Shkodër (Zoji Themeli) d.v.

Ekzekutimi u krye në orën 5.00 të datës 18 korrik 1946, po kërkesat e të dënuemve kur janë shqyrtue nga Gjykata e Naltë dhe Kuvendi Popullor?

Pse në shkresën e Zoji Themelit nuk asht emni i të ndjerit Kel Abati, që u pushkatue me këtë grup pa pasë asnjë lidhje me ta?

Pse asnjëherë nuk doli në dritë vrasja misterioze e Kel Abatit, mos edhe ky ishte “kriminel”? A duhet besue se me të vërtetë Kel Abatit ju fal jeta mbas ekzekutimit?

Ndoshta ma vonë e drejta do të dalin, por kam frikë se jo!

Vrasësit gjithmonë punojnë me mbulue krimet e veta, mjeti ma i mirë i tyne asht harresa! Po, mos harroni se Tracki ngriti një Permendore me vepra!

Tracki ishte modeli ma i përkryem i Meshtarit Katolik”, shkruan At Konrrad Gjolaj O.F.M. Ai shenon në librin “Çinarët”(1966) edhe Emnat e Nderuem të Klerikëve që ka përgatitë Misionari Don Alfons Tracki:

Don Mark Gjani   I mbytun në sigurim në 1945, vjeç 36, në Mirditë.

Don Dedë Maçaj  I pushkatuem ushtar në 1947, vjeç 27.

Don Mark Bicaj   I mbytun në sigurim në 1948, vjeç 37.

Don Dedë Malaj    I pushkatuem në 1959, vjeç 42, në Shkoder.

Don Ejëll Deda      Vdes mbas dy vjetësh në burg në 1948, 31 vjeç.

Don Mark Hasi       Vdes mbas 20 vjetësh në burg në 1981, 60 vjeç.

Don Nikoll Gjini     Vdes mbas 24 vjetësh në burg në 1987, 76 vjeç.

Don Anton Muzaj  Vdes mbas hetuesisë, në 1948, 29 vjeç.

9. Don Lazer Sheldija Vritet në 1988 në ShBA, nga sigurimi komunist.

10. Ndue Sokai            Vdes mbas 10 vjetësh burg, 54 vjeç.

11. Don Injac Gjoka    Vdes mbas 10 vjetësh burg.

12. At Zef Pllumbi      Vdes mbas 25 vjetësh burg.

13. At Konrrad Gjolaj   Vdes mbas 17 vjetësh burg.

14. Don Preng Ndrevashaj Ishte me sherbim fetar në ShBA.

E kushedi sa, do të vazhdonte rreshti i Zamakve të Flamurit të Kastriotit, sikur, Ky Misjonar, të mos pushkatohej në vitin 1946 në Atdheun e Dytë, në Shqipni. Edhe Ky ishte Zamak i vertetë i Flamurit të Skenderbeut!

Melbourne, 4 Korrik 2022.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora