| E merkure, 06.07.2022, 10:50 AM |
Nga
Fritz RADOVANI:
Pjesa
Nr. 44. Zamak i Flamurit Kastriotit…
DON ALFONS TRACKI
“I
HUMBUNI” DON ALFONS
TRACKI!
“Misionarët
në Shqipni vritën tri herë,
pushkatohën,
harrohën dhe, të tretën
herë,
Ua dhunojnë edhe vorrin e Tyne”.
Vetem kaq: “I humbun”, shënohej ndër të gjithë
rregjistrat e klerikëve që ishin mbrenda “perdës së hekurt”, e ndoshta,
përgjithmonë mbetej ashtu.
Jo vetem, nuk asht e
meritueshme që shumë figura të ndrituna të historisë sonë kombëtare të mbulohën
nga pluhuni i harresës, por jo ma pak përgjegjësi historike dhe morale kemi
edhe përpara veprës së misionareve të fesë, të cilët, në rininë e tyne, me punë
vetmohuese provuen me fakte se toka Shqiptare për ta ishte Atdheu i dytë i Tyne.
Kjo asht arsyeja kryesore që më
shtyni me u ndalue tek “i humbuni” Don Alfons Tracki, i ardhun misionar nga
Breslau.
Don Alfonsi asht le nga prindët
Jozef e Marta Tracki, në vitin 1896 në Breslau. I ati ishte oficer i gardës
mbretnore. Don Alfonsi kishte edhe dy vëllazën të tjerë, Hansin dhe Gjergjin,
që u vranë në Luftën e Dytë Botnore, ndërsa e motra e tij Kordola, mbas vitit
1944 nuk dihet ku ka përfundue.
Alfonsi i ri, pa mbushë 17
vjet, vjen ushtar në Shqipni me forcat Austro-Hungareze. Mbas luftës vëndos me qëndrue
këtu, pikërisht, kur Breslau i kalon Polonisë. Në natyrën e tij dallohet kjartë
gërshetimi i karakterit të vendosun gjerman me besimtarin katolik polak. Ka lanë
në një anë armët e hekurta dhe rrokë armën ma të fuqishme të njerzimit, tue u
ba përjetësisht ushtar i Krishtit në armatën Shqiptare. Ai e admiroi këtë
armatë sëpse asht pikërisht ai kler që një vit maparë, bashkë me të gjithë
atdhetarët shqiptarë kishte ngritë nalt edhe njëherë flamurin e Gjergj
Kastriotit, tue i ba të ditun Botës se Shqiptarët janë këtu. Edhe pse kishim
kalue pesë shekuj robni të dhunëshme fara e krishtënimit jo vetëm nuk ishte
shue, por kishte marrë aq hov sa me shumë frikë e thom, “drue se nuk përsëritet
kurrma!”
E, ku i kanë vorret Herojt? -
Kurrkund!
Imzot Mikel Koliqi më tregonte
se veprimtaria e Don Trackit, ishte baza e “Veprimit Katolik” në Shqipni.
Krahas veprimtarive sportive e zejtare vendin kryesor e zente aktiviteti
atdhetar. Vazhdon edhe ai vetë Seminarin Papnuer të Jezuitve dhe i përfundon
studimet teologjike në Bosnje. Në vitin 1926 shugurohët meshtar. Fillon
menjëherë aktivitetin fetar në Shqipni.
Formon lidhje të ngushta e
miqësore me meshtarët Shqiptarë Don Kolec Prennushi, At Pjetër Meshkalla,
vëllaznit Gazulli, që simpatizojnë Lëvizjen e malësorëve të Veriut kundër
Zogut. Don Gjoni u var nga Zogu, ndërsa Don Nikolli u dënue me katër vjet burg
në Gjinokastër. Për këtë lidhje edhe Tracki u nxuer jashtë nga Shqipnia
nëpërmjet të Musa Jukës, i cili nuk e shihte me sy të mirë grumbullimin e
rinisë shkodrane rreth Trackit. Ndërhymja e Bajraktarit të Shkrelit, Vat
Marashi tek Zogu, e rikëthen Trackin në Shqipni, me kusht mos me qëndrue në
Shkodër. Ai shkoi në qendrën malarike të Velipojës ku banonin malësorë të ramë
nga Alpet.
Zotnonte mirë gjuhën shqipe gja
e cila bani me u hy në zemër fshatarëve. Njohja e zakonëve të malësisë e
vëndoste në krye të vendit mbasi shumë shpesh, malësorët kishin nevojë për
mendimin e priftit ndër kuvendët e tyne. Merrej me pajtim gjaqësh dhe ishte
kudo ku lypej me u shmangë vëllavrasja. Kjo arësye e shtyni shpesh me ndërhy
edhe pranë organëve qeveritare për me shpëtue ndonjë që binte ma vonë në duert
e gjermanve.
Po cili kje shpërblimi që mori
prej nesh?
Në vitin 1944 Hausdingu i
shpjegoi Trackit, se edhe në Shqipni ka shumë ngatrresa të mbrendshme dhe se
mundësia e ardhjes në pushtet asht e komunistëve, mbasi ata i ndihmojnë edhe
anglezët prandej, eja me né, se do të kenë edhe ndryshim sistemesh dhe ti do të
konsiderohësh edhe gjerman. Pavarësisht se ti i ke ndihmue shumë shqiptarët nuk
ka me t’a dijtë kush për nderë pra, mos e rreziko jetën me qëndrue këtu!
Tracki ju përgjegj: “Jo, nuk vij me ju, mbasi nuk kam ardhë në
Shqipni për qëllime politike, as ushtarake dhe as si pushtues.
Këtu
unë kam Atdheun e dytë, Shqipninë, të cilit, i kam shërbye si Meshtar dhe këtu,
due të vdes si Shqiptar!”.
Ata ikën, ndërsa Tracki qëndroi
këtu.
Për me evitue përpjekjet me
partizanë në ditët e para të 1945, ai shkoi në malësi tek priftnit Nikoll
Gazulli, Luigj Pici, Ndre Zadeja dhe se fundit tek Don Injac Gjoka.
Aty e njoftuen se kërkohet nga
disa partizanë, që në Velipojë e kanë shpallë armik. Ato ditë edhe Ndoc Jakova
kishte ikë nga ushtria mbasi fillojnë përshpëritjet se Ndoci, asht i lidhun
ngusht me klerin katolik. Edhe Ndoci shkon tek Don Injaci, ku takohet me
Trackin dhe të dy bashkë shkojnë në Shpellë të Mëri Kokës në Stenë.
Po kalonte vitin me grupin e
Gjergj Vatës, Martin Sheldisë, Gjelosh Lulit, Mark Malës, Nikoll Prenk Dedës,
Pjetër Gjokës etj. Jeta e malit dihet. Tracki nga Breslau në shpella të Veriut.
E, pse? Për ata që njohin zonën
e Shllakut asht e kjartë vuejtja dhe sakrifica e madhe që ka ba Tracki.
Terroristi Zoji Themeli,
kryetar i seksionit Mbrendshëm të Shkodrës më 31 dhjetor 1945, e njofton
Drejtorinë e Mbrojtjës së Popullit në Tiranë: “Ju njoftoj se përveç Dom Alfons
Trackit që gjindet në këtë qark, nuk ka elementa fetarë me kombësi gjermane.”
(Dosja 1885).
Në mes të natës së 12-13
shkurtit 1946, kur forcat e Ndjekjës nisën për në Dushman, mbasi ishte ba një
vrasje atje gabojnë rrugë. Koha e keqe me shi kishte vështirsue kalimin.
Prrojet kishin shpërthye. Brigada merr drejtimin kah shtegu i shpellës, jashtë
së cilës atë natë bante roje Ndoc Jakova. Në shpellë ndigjohen disa krizma
armësh që u shuen shpejt. I pari i ndigjoi Gjergj Vata, i cili i zgjoi shokët
nga gjumi dhe po prisnin sinjalin prej Ndocit për me veprue. Nuk ndihej asgja.
Mendojnë pse Ndoci nuk po i ban me dijtë, shka ndodhi!? Vrojtojnë me kujdes
jashtë dhe vërejnë se aty afër ndigjohen ecje këpucësh ushtarake, që ushtojnë
pak prej natës e pak prej gurve të kalldramit të rrugës.
Pergatitën me ça rrethimin nga
një shteg që nuk njihëj nga Ndjekja. I pari prinë Gjergji, mbasi dinte
shtigjet, të tjerët u nisën mbas tij.
Don Alfonsi nuk pranoi me marrë
atë drejtim pa shkue deri tek vendi ku ishte Ndoci. Gjergji ka kundërshtue tue
parashikue pritën. Don Alfonsi ishte i vendosun me shkue kah Ndoci, parandjente
dishka të keqe dhe u nis. Kur mërrinë tek vendi gjenë Ndocin e plagosun randë
që ishte i lamë me gjak. Ndoci e njeh. Don Alfonsi i jep të zgjidhun, e kungon
dhe e vojon, i çon kokën nga balta e pellgu i gjakut, e mbështetë për parzëm, i
ban Kryq dhe qëndron me té derisa Ndoci jep Shpirt. Si një babë i mirë që
shtërngon fort djalin e vet në fund të
jetës.
Afrohën forcat e Ndjekjës. Don
Alfonsi nuk lëvizë nga vendi, madje, u thotë: “Afronju, mos kini frikë se nuk
kam armë, tashti ejani kur të doni se unë e kreva detyrën teme!” E lidhën me
litar duersh dhe e sollën në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës. Aty ra në
duert e një krimineli fanatik, i pa ngopun me gjak klerikësh, tek katili Fadil
Kapisyzi që për pesë muej nuk la gja pa ba në trupin e Trackit. Përpilohët, si
gjithënjë një proçes falls (me sekretar Kol Kirin), ku nuk mungojnë as
shpifsit, po as trilluesit kundër misionarit të pafaj që kishte shpëtue sa jetë
të rinjësh nga duert e nazistëve si: Çesk Kabashi, Zef Kol Preka, që me
paturpësi e akuzon Trackin se i kishte kërkue 200 napolona me i shpëtue djalin,
apo një vagabond si Gjovalin Mazrreku,
që e quan me fjalorin e njohun të tij t’ agjentit sigurimit: “Fashisti i
poshtër Don Alfons Tracki”.
Debili Rustem Sykja e akuzon
për propagandë naziste etj. Shpërblimi i veprës së misionarit të palodhun ndaj
atyne të rinjve që i kishte ndihmue pa dallim feje dhe që, ndodheshin në sallën
e kinema “Rozafat”, ishin thirrjet e tyne mizore dhe të paturpëshme: “Plumbin
ballit, kriminelët në litar!”
***
Tracki deklaron në gjyq (Dosja nr. 1885):
“Për doktrinën fashiste kishe
me thanë se kjo ka gjetë njeriun dhe njeriu kokën. Sa për nazizmin, unë jam
gjerman por, nuk jam nacional-socialist. Nuk jam as nuk due me kenë mbasi si
doktrinë asht e gabueme. Na kurrfarë ndihmet nuk i kemi dhanë. Tham se fashizmi
dhe nazizmi janë njilloj, e duhet me kenë kundër. Unë me politikë nuk jam marrë,
pyetni ata që kam ndejë me ta. Prifti po të merret me politikë sharron, prandej
edhe kam ndejë larg. Ndersa tek Oberlajn dhe Dr. Hotnik nuk kam shkue, kishin
zyre të tjera se merrëshin me hetime politike. Në rrethin “Veprimi Katolik”
flitej për fenë. Propagandë kundër Bashkimit Sovjetik nuk kam ba, por si
gjerman kam dashtë me fitue Gjermania në luftë kundër Rusisë.
Kam kenë tek Hausdingu, por kjo
nuk don me thanë se jam nazist. Fillimi i luftës ka kenë i padrejtë. Për
Gjrmaninë naziste jam gëzue që ka mbarue. Nazizmi nuk asht potencë që ka dalë
nga populli por me dhunë. Nuk e lente kush fitorën e nazizmit, se ishte çue
gjithë bota kundër.
Delegati Apostolik nuk ka shkue
te Hausdingu, por më ka çue mue për disa dezertor italian, për pilotët, po, kam
ndërhy dhe u asht falë jeta. Mos me ndigjue me ba përkthime në Gestapo nuk e
queja gja të mirë, mbasi unë punoja në interes të popullit shqiptar. Unë dola
në mal se partizanët nuk ishin ushtri e rregullt, vepron kushdo në kokën e tij,
të vrasin dhe të përsekutojnë. Me Ndoc Jakovën kemi nda bukën dhe sende të
tjera, që na nepshin katundarët, por edhe kemi ble. Partizanët kur na kanë
rrethue në luftë, unë jam diftue ushtar! Nuk kam dijeni se Papa ka bekue armët.
Unë këtu kam kenë në Atdheun tem.”
Po japim disa mendime politike
të Trackit: “Krotnik më ka thanë se na po shkojmë, por ky popull asht në
grindje në mes të shoqi-shoqit e mund të fitojnë komunistat, se i ndihmojnë
anglezët. Për majorin Nil, ishte dy ftyrash, ndryshej me Sali Myftinë, e
ndryshej me Nik Sokolin. Gjermanët donin me lanë oficera në Dukagjin por në
tetor ky urdhën u prapsue. Zef Mirashi e Gjergj Vata më kanë tregue se Muharrem
Bajraktari asht Komandant i Përgjithshëm.
Anglia e Gjermania e luftojnë
shoqi-shojnë për jetë a për dekë e në Shqipni, të thuesh bashkë-veprojnë. Këto
të pohueme janë fakte, por si shpjegohën? - Unë nuk dij me dhanë përgjegje.
Por, një fakt asht se, që Anglia si e ka pasë ma përpara edhe tash don me pasë
konceptin e sundimit. Sundimin e Evropës e don! Historia e vërteton se
ekujlibrin ndërmjet shtetëve të Evropës don ekskluzivisht me e rregullue
Anglia. Shembujt janë: (Holanda, Spanja, Franca - lufta e pafund e
njiqindvjetve, Lufta e I-rë dhe e II-të Botnore), e tash? - Mue më duket se në
hesapë të vet Anglia nuk ka shti një Rusi të evolucionarizueme e prandej, tash
mbas Luftës së II-të Botnore, nuk i del besoj hesapi si ka mendue e dashtë.
Shtetet e ndryshme të Evropës
edhe të vogla tue përdorë të drejtat e veta të fitueme me gjak nuk po këcejnë
ma simbas vishkëllimit e taktit të Anglisë, e nuk po pvesin atë për trajtimin e
qeverimit të vet, me një fjalë i kanë dalë dorët Anglisë.Rregullimi i Evropës
nuk asht ma në dorën e saj si dikur.
Ardhjën e Gjermanisë në Shqipni
nuk mund ta konsideroj as mirë as keq mbasi jam gjerman, por mbas principit tem
- lum i forti - por edhe kjo prap asht ide e gabueme! Ndoshta për problemet kombëtare të Shqipnisë gjermanët kanë punue mirë,
mbasi Kosova me tokat tjera që i përkasin truellit Shqiptar e ja kanë marrë,
kam frikë se nuk i kthehën ma.
Populli më ka pyet: “A të
shkruhemi fashista?” - Unë i kam thanë se edhe po të shkruheni nuk asht ndonjë
dam se merrni harxh, por nuk i kam thanë se po mos të jesh fashist - nuk je
katolik, për milici i kam thanë mos u shkrueni! (Ky asht një dorëshkrim i Trackit, fq. 9,10.).
Kam kenë në Meshkallë (Shllak)
më 31 dhetor 1945 dhe jam nisë te Don Injac Gjoka në Mazrrek, ku kam pritë
anmisti prej Don Luigj Picit e Luigj Mjedës. Më 12 janar kam shkue në
shpellë tek Gjergj Vata e Nik Sokoli.
Më 13 shkurt 1946, më kapën
partizanët.”
Me datën 17 korrik 1946, ora
17.00 Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetari Mustafa Iljazi, antarë, Zurdi Shehu
e Anastas Koroveshi dhe prokuror Aranit Çela (akti nr. 249), vëndosi: 1. Llesh Marashi, me varje në litar.
2. Kol Ashiku, 3. Nikoll Preng Dedaj dhe 4. Don Alfons Tracki , dënohën me vdekje, me pushkatim. Don Alfonsi
nuk kishte asnjë lidhje me grupin.
Me datën 17 korrik, pra, atë
natë bahët kërkesa për falje jete nga avoketnit e secilit të dënuem me vdekje.
Më datën 18 korrik 1946, bahet
shqyrtimi i akteve në Gjykatën e Lartë në Tiranë, nga: Kryetari, major Frederik
Nosi, antarë kap.Veladin Zejneli e kap. Nexhat Hyseni, prokuror Nevzat
Haznedari dhe vëndosi:..
Me datën 18 korrik 1946
njoftohët Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, me shkresën nr. 902/7 se: “Në bazë të vëndimit të dhënë
me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët: Llesh Marashi, Kol Ashiku,
Nikoll Preng Dedaj dhe Don Alfons Tracki. I pari në litar. Dënimi i tyre në
përgjithësi është konsideruar me vend nga i gjithë opinjoni.
Vetëm për
priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër
diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi, nuk e meritonte dënimin me
vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal.
Në anën
katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë.
Shef i Seksionit Shkodër (Zoji
Themeli) d.v.
Ekzekutimi u
krye në orën 5.00 të datës 18 korrik 1946, po kërkesat e të dënuemve kur janë shqyrtue nga
Gjykata e Naltë dhe Kuvendi Popullor?
Pse në shkresën e Zoji Themelit
nuk asht emni i të ndjerit Kel Abati, që u pushkatue me këtë grup
pa pasë asnjë lidhje me ta?
Pse asnjëherë nuk doli në dritë
vrasja misterioze e Kel Abatit, mos edhe ky ishte “kriminel”? A duhet besue se
me të vërtetë Kel Abatit ju fal jeta mbas ekzekutimit?
Ndoshta ma vonë e drejta do të
dalin, por kam frikë se jo!
Vrasësit gjithmonë punojnë me
mbulue krimet e veta, mjeti ma i mirë i tyne asht harresa! Po, mos
harroni se Tracki ngriti një Permendore me vepra!
“Tracki ishte modeli ma i përkryem i Meshtarit Katolik”, shkruan At
Konrrad Gjolaj O.F.M. Ai shenon në librin “Çinarët”(1966) edhe Emnat e Nderuem
të Klerikëve që ka përgatitë Misionari Don Alfons Tracki:
Don Mark Gjani I mbytun në sigurim në 1945, vjeç 36, në
Mirditë.
Don Dedë Maçaj I
pushkatuem ushtar në 1947, vjeç 27.
Don Mark Bicaj I
mbytun në sigurim në 1948, vjeç 37.
Don Dedë Malaj I
pushkatuem në 1959, vjeç 42, në Shkoder.
Don Ejëll Deda Vdes mbas dy vjetësh në burg në 1948, 31
vjeç.
Don Mark Hasi Vdes mbas 20 vjetësh në burg në 1981, 60
vjeç.
Don Nikoll Gjini Vdes mbas 24 vjetësh në burg në 1987, 76
vjeç.
Don Anton Muzaj Vdes
mbas hetuesisë, në 1948, 29 vjeç.
9. Don Lazer Sheldija Vritet në 1988 në ShBA, nga sigurimi komunist.
10. Ndue Sokai Vdes
mbas 10 vjetësh burg, 54 vjeç.
11. Don Injac Gjoka Vdes
mbas 10 vjetësh burg.
12. At Zef Pllumbi Vdes
mbas 25 vjetësh burg.
13. At Konrrad Gjolaj Vdes mbas 17 vjetësh burg.
14. Don Preng Ndrevashaj Ishte
me sherbim fetar në ShBA.
E kushedi sa, do të vazhdonte
rreshti i Zamakve të Flamurit të Kastriotit, sikur, Ky Misjonar, të mos
pushkatohej në vitin 1946 në Atdheun e Dytë, në Shqipni. Edhe Ky ishte Zamak i
vertetë i Flamurit të Skenderbeut!
Melbourne, 4 Korrik 2022.