Editorial
Eshref Ymeri: Rama dhe Enver Hoxha, dy argatë-servilë të pështirë të Beogradit
E marte, 21.06.2022, 09:17 PM
Rama dhe Enver Hoxha, dy argatë-servilë të pështirë të Beogradit
Nga
Eshref Ymeri
Shumë intelektualë
të formatit nacionalistë, në analizat e tyre kanë nxjerrë në pah servilizmin
dhe natyrën prej argati të pështirë të Ramës në shërbim të serbosllavizmit, të
përfaqësuar nga krimineli me damkë i Dardanisë Aleksandër Vuçiç. Nuk ka asgjë
për t’u habitur nga qëndrimi i Ramës, i cili, është i zhveshur kokë e këmbë nga
dinjiteti personal dhe, për pasojë, nga dinjiteti kombëtar, si shegert dhe
puthador shembullor i Beogradit. Kjo për arsyen e thjeshtë se ai është produkt
i partisë socialiste, bijës besnike të partisë komuniste, e cila, që prej 08
nëntorit të vitit 1941, u vu krejtësisht në shërbim të titizmit, si agjenturë e
serbosllavizmit. Në vitin 1948 u krijua përshtypja sikur kryetradhtari i
Shqipërisë dhe kryeargati i titizmit Enver Hoxha, i shkëputi “përfundimisht”
urat me serbosllavizmin. Vitet në vijim nxorën në pah më së miri se ai pati
shkëputur me të vetëm urat në dukje. Por për vazhdimin e lidhjeve sa më të
ngushta me titizmin, Enver Hoxha ndërtoi ura të nëndheshme. Dhe s’mund të
ndodhte ndryshe. Sepse fara e tradhtisë brendashqiptare, me në krye Enver
Hoxhën, farë që Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi e patën mbjellë me shumë
kujdes në Tiranë në atë 08 nëntor, kishte një imunitet të jashtëzakonshëm për
mbijetesë. Dhe “bima” që mbiu nga ajo farë tradhtarësh në Shqipëri, ka dhënë
dhe vazhdon të japë “prodhim” të bollshëm, me të cilin janë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqehen breza
të tërë drejtuesish në partinë socialiste, deri te Rama. Si trashëgimtar besnik
i tradhtisë enverhoxhiste, Rama, për të sfiduar ballas Dardaninë, ka dalë me
letra të hapura në shërbin të serbosllavizmit, çka e ka dëshmuar jo vetëm me
puthadorësinë e tij origjinale ndaj Vuçiçit, por edhe me përkrahjen e
gjithanshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë kryeargatit të Vuçiçit,
kryetradhtarit të Dardanisë Hashim Thaçi, duke kryer vizita jo vetëm në qelinë
e tij në Hagë, por edhe në familjen e tij në Skënderaj.
Për t’i bindur
lexuesit e nderuar me dinjitet kombëtar për besnikërinë e kryeargatit Enver Hoxha
ndaj serbosllavizmit edhe shumë kohë pas vitit 1948, një besnikëri kjo e
trashëguar nga Rama me një zell të patreguar, në vijim po iu përcjell dy
fragmente, të shkëputura nga libri im me titull “Përkthimi, një histori
pasioni”, botim i Shtëpisë Botuese “OMSCA-1”, 2015, f. 293-294).
Është fjala për kohën kur drejtoja Redaksinë e përkthimeve në tetë gjuhë të
huaja në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”.
“Pas shpërthimit
të demonstratave të studentëve të Univeritetit të Prishtinës në pranverën e
vitit 1981 dhe shtypjes së tyre të përgjakshme nga ana e makinës ushtarake të
shovinizmit serbomadh, në muajin shtator të po atij viti, në redaksi na
dërguan* për përkthim Përkujtesën e Vasa Çubrilloviçit (1897-1990), akademik,
historian, profesor i Universitetit të Beogradit, një shovinist i kalibrit të
lartë, armik i tërbuar i popullit shqiptar të Kosovës, i cili, në vitin 1937,
ia drejtonte kryeministrit jugosllav Milan Stojadinoviç (1888-1961). Në atë
Pëkujtesë ai kishte hartuar projektin për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova.
Porosia na u dha
që materiali të përkthehej sa më shpejt se situata vazhdonte të mbetej e ndezur
në Kosovë. Materiali u përkthye dhe u bë gati për në shtypshkronjë, ku do të
botohej në format broshure. Por para se ta zbrisnim në shtypshkronjë, në
Redaksi erdhi porosia e prerë që, në kapakun dhe në ballinën e broshurës, nuk
duhej të figuronte as autorësia e botimit, as enti botues, as viti i botimit.
Kjo porosi tingëlloi në Redaksi si paradoksale, por përkthyesit dhe redaktorët
bisedonin me njëri-tjetrin vetëm në intimitet. Me një fjalë, broshura në gjuhë
të huaja duhej të dilte “kaçake” dhe e tillë duhej të qarkullonte në vendet
përkatëse. Ishte me të vërtetë një porosi absurde. Me mikun tim, përkthyesin
Edmond Tupja, bisedonim me zë të ulët:
me sa duket, dashuria zhuritëse për Jugosllavinë dhe për Titon që pati
shpërthyer më 08 nëntor 1941, edhe pas prishjes në dukje të marrëdhënieve me
Beogradin në vitin 1948, vazhdonte ta rrezatonte afshin e nxehtë në fshehtësi
edhe pas 33 viteve që kishin kaluar. Pra, që të mos i mbetej qejfi Beogradit,
broshura, me Përkujtesën e Çubrilloviçit, do të bridhte “kaçakçe” nëpër botë,
si “jetime” hesapi, por askush s’mund ta akuzonte Tiranën komuniste se e paskej
hedhur ajo në qarkullim, se ajo mund të ishte botuar, fjala vjen, edhe në
Burkina Faso, edhe në Zanzibar apo edhe në Guinea Bisao! Ky ishte jo vetëm një
qëndrim prej servili të pështirë i udhëheqësit komunist shqiptar Enver Hoxha ndaj Beogradit shovinist, por
edhe një qëndrim prej tradhtari të kulluar nga ana e tij ndaj popullit shqiptar
të Kosovës.
-------------------------
*Përkujtesën e Çubrilloviçit na e dërgoi për përkthim Instituti i studimeve
marksiste-leniniste, të cilin e drejtonte Nexhmije Hoxha. Nga ai institut na
vinin për përkthim edhe “vepra” të Enver Hoxhës.