Kulturë
Aleksandër Çipa: Guidë nga Mati, te matjanët dhe anasjelltas
E diele, 22.05.2022, 02:26 PM
Guidë nga Mati, te matjanët dhe anasjelltas
Nga
Aleksandër Çipa*
Libri “Matjani
për Matin” është një antologji rrëfimesh dhe adresimesh për Matin. Si e
tillë, ajo ka vlerën atipike të një përmbledhjeje informuese,
gjeografipërshkruese, historie kronologjike, ka pasurinë ekspresive të një
doracaku orientues tej së shkuarës dhe matanë së ardhmes së Matit. Por si një
antologji atipike, kjo përmbledhje vjen përkushtueshëm prej një biri të paepur
në shërbim dashuronjës për visin e vet, prej një publicisti me profil të
krijuar ndër dekada, si shërbestar historiko-kulturologjik për vendlindjen dhe
sidomos, visdashjen e bashkëvendasve të vet, Matin. Bëhet fjalë për një
visdashje që mbart dhe udhëhiqet prej dëshirës dhe përkushtimit epistologjik të
bijve të vet.
Janë dhjetra emra
të shquar të përfaqësimit historik dhe kulturor kombëtar shqiptar që kanë
origjinën dhe zanafillën fisnore të tyre nga visi i Matit. Është ky troll që në
identitetin dhe modernitetin shqiptar të historisë, jo vetëm shpërfaqet
atipikisht, por dominon përfaqësueshëm.
Për këtë arsye,
autori i këtij libri, Hamdi Hysuka, motivin e parë shtytues për aktin autorial
ka dashurinë dhe krenarinë genuine të visdashjes, të krahinë-përkimit dhe të
shqueshmërisë kombëtare si në rrafshin historik, atë politik dhe sidomos
kulturor dhe antropologjik.
Krejt vëllimi
publicistik është i mbushur me materien përkushtuese për Matin dhe matjanët.
Një përcaktueshmëri klasike kjo, në raportin vis-njeri për të provuar me krejt
materien e vet shkrimore se: visi e fiton provën dhe ngjizjen historike të
vetvetes, pashmangshmërisht në saj të historisë që bën njeriu. Në rastin e
Matit, është fjala për një histori që u materializua jo thjesht si kontribut
historik, politik, kulturor apo më gjerë shpirtëror, por parësisht, material
arkeologjiko-historik.
Në disa prej
shkrimeve të këtij libri ofrohen opcionet më të pakundërshtueshme të historisë
zanafillore, të artefakteve të përshkruara arkeologjike, të kontributit
kulturologjik në fillimësinë e shqipes si me Pjetër Budin, apo në adresimin e
pandërprerë albanologjik të kontributorëve më të famshëm ndërkombëtarë të kësaj
disipline, të cilët njeri pas tjetrit, nuk e kanë humbur dritësimin prej fari
të matjanëve në fushën e dijes, prelatësisë dhe sidomos mendimtarisë në
shkrimtarësi dhe rrëfimtari.
Antologjia e
ciklit të gjerë të publicistikës (me shumë autorësi) në këtë libër, nuk e
eklipson punën selektuese dhe konceptin strukturues të vetë autorit Hysuka.
Madje në këtë koncept, duket se e ka bashkëndarë autorësinë individuale për
interes të drejtnjohjes dhe plotnjohjes së krahinës së vet, duke dashur të
perifrazojë misionin vetiak sipas afërisë me poezinë e famshme të Kadaresë për
Skënderbeun: “Ç’ka mangut linte ditën Gjergji / plotësonte natën Skënderbeu”…E
thënë në mënyrën më të drejtëpërdrejtë, kjo antologji nuk ka vetëm përshkrim,
por është në tërësinë tekstuale të saj një doracak me vlerë të gjithëhershme
përdorimi për përcaktueshmëritë kohore historike të Matit, për drejtorientimet
kulturore të së shkuarës dhe përdorimi i pazhbëshëm referencial i saj,
lartësimi mbipolitik dhe aq më tepër partiak i bijve matjanë si dhe
rivlerësimet e historisë në kontekstet kombëtare dhe gjithëshqiptare të bijve
dhe protagonistëve të vet.
Në këtë libër
është në fuqi klithma optimiste për të mos humbur asgjë nga e shkuara e
vendlindjes Mat. Është e jehonshme dëshira për të ardhmen e ndritshme turistike
të krahinës, për një punë të palodhshme dhe pandërprerje për ndryshimin dhe
promovimin e kulturës, trashëgimisë dhe sidomos identitetit entitar të Matit
dhe matjanëve. Në këtë mënyrë, sipas autorit, duke shërbyer dhe kontribuar për
vendlindjen, ke fituar provën për gurin peshues të së nesërmes matjane.
Antologjia
përshkruese në krejt strukturën e vet, ndjek një linjë të fisme idolatrie për
atdhesinë. Në sociologji do të thuhej për toposin. Por ne e evitojmë qëllimisht
këtë term socio-gjeografik, sepse ia vlen më tepër kuptimësia e atdhesisë
matjane. Jo më kot, autori ka përfshirë në hyrjen e këtij libri, strukturën në
miniaturë të një enciklopedie personalitetesh matjane në kuadër të krejt historisë
kombëtare shqiptare. E ka mundësuar jo vetëm racionalisht, por edhe
konceptualisht drejt, duke mos mbetur vetëm në emërsinë e kontributorëve të
shquar matjanë në historinë politike të kombit, por edhe në adresimin te
bashkëkohës të tij, të cilët edhe amlin edhe ashtin prej matjanësh e dëshmojnë
dhe shpërbjejnë duke i dhënë vlerë jo vetëm lokale, por gjithëkombëtare dhe
ndërkombëtare. Në këtë aspekt, libri ka vlerë unike dhe të çmueshme për
publicistikën enciklopedike entitare shqiptare.
Libri i Hamdi Hysukës
është ndër të tjera, me vlerën e një doracaku emërdëshmues për inteligjencën
dhe ekspertët me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar të Matit në gjithëkohësi.
Në të gjitha
lëmitë, në kapitujt shkrimorë të këtij libri, bij të Matit bëhen zëra të një
polifonie kulturore dhe shkrimore aq të lakmueshme nga krahina apo vise të
tjera të shqiptarësisë dhe rajonit tonë ballkanik. Është kjo një dëshmi aq
autentike për valencën intelektuale, atë civile dhe sidomos të investimit
njerëzor të kësaj krahine. Libri ofron dëshminë e vet autentike dhe provat
vijuese për një gjendje dhe shpirt emancipues që trashëgohet në viset e Matit.
Bijtë dhe bijat
intelektuale të krahinës janë miniaturisht prelatë të një bashkëjetese dhe
kulti europianist të pranësisë dhe pranimit religjionar. Mjafton të kalosh
tekstin-guidë nën titullin “Të mirin e të zotin gjithkush e do” dhe të
mjafton të krijosh një imazh të plotë perceptual për kontributësinë
intelektuale dhe qytetare të matjanëve në hapësirat historike dhe atë
teritoriale të kombësisë sonë.
Ky libër edhe pse
është konceptuar (dhe falë autorit ia ka dalë të mbetet besnik i dritësimit të
më së duhurës lokale), nuk është një tekst me gravitet lokalist. Përkundrazi,
ka peshën specifike të rrëfimtarisë dhe fjalëthënies shumënjerëzore. Për këtë
arsye, autori i tij, Hamdi Hysuka, e imponon lexuesin të fitojë dijeni dhe
njohje më shumë se prej një autori.
*Kryetar i Unionit
të Gazetarëve të Shqipërisë