Mendime
Eshref Ymeri: Servilizmi i politikanëve shqiptarë merr një shuplakë
E hene, 03.01.2022, 08:00 PM
Servilizmi i politikanëve shqiptarë merr një shuplakë të mirë nga ambasadorja franceze
Nga
Eshref Ymeri
Në një njoftim më të fundit nga Tirana, thuhet:
“Ambasadorja
franceze në Shqipëri, Barsacq, ka kritikuar ndërhyrjet e ambasadorëve në
politikat e brendshme të Shqipërisë. Në një intervistë për “Euronews”, ajo
ka dhënë një mesazh të fortë, duke theksuar se shqiptarët vendosin vetë dhe nuk
duhet që ambasadorët të vendosin për ta. Për deklaratat e kolegëve të saj,
Barsacq u shpreh se duhet pasur parasysh që të zbatohet Konventa e Vjenës”
(Citohet sipas: “Ambasadorja franceze kundër Yuri Kim, Barsacq: Ambasadorët
s’kanë pse të vendosin për shqiptarët”. Kanali tv “Syri”. 03 janar
2022).
Perëndimi evropian
e ka ditur me kohë se cila është psikologjia e politikanëve shqiptarë, e ka
njohur mirë natyrën e tyre servile dhe mercenare, për shkak të së cilës ata nuk
ushqejnë kurrfarë respekti për popullin e vet, por ama janë gati orë e çast që
të shndërrohen në rrogozë shembullorë dhe në lepitka të zellshme të të huajve.
Populli shqiptar, po ashtu, i njeh mirë politikanët e vet se nga gjiri i tij
kanë dalë. Por e keqja është se vetë populli shqiptar, tradicionalisht, të
huajin e ka respektuar dhe vazhdon ta respektojë më shumë se vetveten. Prandaj,
gjatë shekujve, jo më kot, është krijuar në gjuhën shqipe ajo e famshmja fjalë
e urtë:
“Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e shtegtarit”.
Pra, shqiptari
mikun, të huajin e ka bërë zot shtëpie për shkak të mikpritjes së tij jashtë
normave të etikës së komunikimit me të. Një qytetar i nderuar kosovar, me banim
në Zvicër, shkruan:
“… a na solli neve ndonjë të mirë bujaria dhe zemërgjerësia me të huajt?
Asnjëherë, kurrë! (Sokol Braha. “Vjen i kodrës, nxjerr të votrës”. Shtypshkronja “Grafobeni”.
Prishtinë, 2011, f. 56).
Duke e ngritur kaq
lart kultin e të huajit dhe duke shpërfillur kultin e vetvetes, populli
shqiptar ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë nga gjiri i vet politikanë pa
kurrfarë dinjiteti kombëtar. Nënkuptohet që politikanët tanë, pa kurrfarë
dinjiteti para të huajve, nuk mund të fitonin dot respektin e Perëndimit
evropian. Për rrjedhojë, në heshtje, nuk mund ta gëzonin, nuk mund ta gëzojnë
dhe nuk kanë për ta gëzuar kurrë respektin e diplomatëve të huaj. Sepse
servilin, mercenarin, të huajt e përbuzin në heshtje, por e shfrytëzojnë vetëm
për interesat e tyre dhe vetëm kaq.
Ambasadorja
franceze meriton një falënderim të thellë nga të gjithë shqiptarët me vetëdije
të lartë kombëtare, për shuplakën e merituar që i ka dhënë tërthorazi elitës së
rreme të politikës shqiptare pa shtyllë kurrizore, të kësaj tufe servilësh të
pështirë të diplomatëve perëndimorë, mes të cilëve ambasadorja Yuri Kim ka
arritur deri atje, sa t’i lejojë vetes të shndërrohet në një kujdestare të
pasionuar të “kopshtit” të politikanucëve
shqiptarë. Kjo është edhe arsyeja që asaj, në Tiranë, i kanë ngjitur nofkën“Teto
Kimetja”.
Kaliforni, 03 janar 2022