E hene, 29.11.2021, 09:39 PM (GMT)

Kryeshkrim

Zemra Shqiptare: Si nuk duhet të jetë turizmi në Kosovë

E merkure, 03.11.2021, 09:30 PM


Si nuk duhet të jetë turizmi në Kosovë

Nga Zemra Shqiptare

Me siguri shumëkush mund të ketë dëgjuar për bukuritë e rralla, trashëgiminë e vyer arkeologjike dhe natyrën e mahnitshme që lulëzon përreth kështjellës mesjetare të Novobërdës, perlën e mirëfilltë të turizmit kulturor-historik në Kosovë.

Duke mos dashur aspak të biem në kundërshtim me këtë përshkrim kaq të saktë të kësaj treve dhe kësaj kështjelle që askund tjetër nuk mund të haset në Ballkan e jo vetëm, ndërkaq e mendojmë të nevojshme të tregojmë edhe “anën tjetër të medaljes”, duke hedhur dritë mbi mangësitë e papranueshme që gjithashtu fatkeqësisht turistët apo të apasionuarit e historisë së moçme të Kosovës, do të gjejnë si pengesa gjatë vizitës së tyre në viset rreth e përqark kësaj fortese malore.

Së pari do theksuar se Novobërda vijon të mbetet e izoluar dhe thuajse jashtë tërë itinerareve të udhëtimeve apo vizitave të organizuara turistike.

Kjo domethënë se për të shkuar, për t’u ngjitur deri në lartësitë e Novobërdës, aq më tepër për të qëndruar ndonjë natë dhe mbase për të bujtur në afërsi të kësaj kështjelle madhështore, nevojiten patjetër njohuri lidhur me historinë dhe rëndësinë e këtij qyteti mesjetar, të cilat mund ta nxisin turistin të ndërmarrë një udhëtim të tillë, ndonëse do pranuar se jo gjithkush mund të ketë dijeni kaq të hollësishme të kësaj fushe, siç mund të kuptohet vetvetiu.

Novobërda sakaq, nuk mjafton që promovohet shumë pak (ose aspak), por edhe turistin më sypatrembur, guximtar dhe të etur për të zbuluar veçoritë unike të këtij ngulimi historik mesjetar, gjatë udhëtimit, qëndrimit dhe tërë përvojës së tij në këtë vend, e shoqërojnë shpesh një mori peripecish aspak të këndshme.

E tepërt të thuhet që në këtë mal klimaterik, me natyrë të virgjër, gjelbërim dhe pemë frutore pafund, përveç rrënojave, mureve të lashtë, kishave të vjetra, kështjellës që ngrihet hijerëndë mbi shkëmbinj dhe trashëgimisë mijëravjeçare në minierat e shumta të shfrytëzuara qysh në kohërat e romakëve, ndërkaq mundësitë për të bujtur diku rrëzë kështjellës, janë thuajse të barabarta me zero.

Edhe nëse gjen ndonjë vend ku ta futësh kokën (përkufizimi i duhur për këtë lloj akomodimi aspak normal turistik), do të përballesh me kushte gjysmake dhe shërbim tejet të mangët.

Ndriçimi në vendbanimin poshtë kështjellës, është praktikisht tërësisht i munguar, dhe për të dalë në terrin e natës, duhet të marrësh parasysh ose gremisjen teposhtë kodrës, ose përplasjen e beftë me ndonjë lopë ripërtypëse (përveç rastit kur lopa tund këmborët, dhe paralajmëron praninë e saj barngrënëse), ose ndoshta ke për të humbur në errësirë, e mbas disa ditësh do të të gjejnë të sfilitur diku në Gjilan, Badovc apo në ndonjë minierë të braktisur.

Gjithashtu ndihet së tepërmi mungesa e tabelave udhëzuese për turistët, ku veçanërisht të tregohet hollësisht historia e qytetit mesjetar dhe kështjellës së Novobërdës, ku të flitet për banorët e saj, për zhvillimin e këtij qyteti, për minierat dhe nxjerrjen e argjendit dhe arit në viset përreth, për kontaktet tregtare me gjithë Europën anembanë, për historinë e kishave dhe katedraleve që gjenden kudo përqark, e gjithçka tjetër që ngjall kureshjen e turistëve shqiptarë e sidomos të huaj, pa dyshim duke qenë nevoja që këto të dhëna të shkruhen në disa gjuhë.

Një tjetër aspekt që meriton vëmendje dhe veprim të menjëhershëm, është pikërisht gjendja në të cilën dergjet vetë Kështjella e Novobërdës, muret e së cilës, pas rikonstruktimit diletant të bërë nga një firmë serbe, janë në pikë të hallit, dhe po të kishin zë, do të përgjëroheshin për ndihmë nga organet përkatëse.

Si të mos mjaftonte kjo, shumëkush e gjen të udhës, që me automjete të rënda 4x4, të ngjitet deri pranë mureve mbi shkëmbinj, për të improvizuar gara Rally të çmendura, që ndonjë ditë largqoftë do të shkaktojnë dëme të pariparueshme në kështjellën e ngratë, e cila pasi u ka bërë ballë dy rrethimeve nga osmanët, duke i qëndruar pastaj kryelartë edhe shekujve dhe kohës, sot rrezikohet më tepër nga shpërfillja dhe keqtrajtimi njerëzor, sesa nga gjylet e topave dhe mësymjet e ushtarëve të armatosur gjer në dhëmbë dikur.

Duket ndërkaq se përdorimi i parapëlqyer i kështjellës në fjalë, është kryesisht fotografimi i nuseve dhe dysheve martesore pas dasmave të shumta verore, teksa me gjasë shumë pak prej atyre që ngjiten në lartësinë e mureve dhe rrënojave të saj, e kanë mirëfilli idenë në çfarë monumenti të çmuar të mesjetës arbërore ndodhen, ndërsa zgërdhihen harbueshëm mes një selfie dhe tjetrës.

Për ta shtuar edhe më shumë antireklamën e përditshme ndaj këtij qyteti të ndritshëm mesjetar, ndërkohë çmimet e ushqimit dhe bujtjes në afërsi të kështjellës, nuk mungojnë të bëhen stratosferike, deri në masën që nëse një porcion fli, poshtë në rrugën Prishtinë-Gjilan kushton 45 cent, lart në Novobërdë, çmimi dhjetëfishohet duke arritur në plot katër euro e gjysmë, diçka që të shtyn të mendosh se mbase ky lloj tarifimi i detyrohet secilit kilometër të përshkuar nga Llabjani deri në mal (distancë pikërisht rreth 10 kilometra).

Sakaq turistit (veçanërisht nëse jo vendas, domethënë kuptueshëm më i hutuar), rrengjet nuk i reshtin me kaq, dhe uji i mbushur kuturu në ndonjë burim të ndotur, i shitet sikur të ishte ujë i paketuar në shishe nga ndonjë firmë e njohur, me çmim sigurisht të shtrenjtë (sa Frëngu pulën, i thonë toskët), kurse po ta marrësh veten në qafë dhe të kalosh natën, ose disa net atypari, uji i dushit do të të ofrohet “bujarisht” drejtpërdrejt nga pusi, i mbushur me papastërti dhe minerale tepër të dëmshme për lëkurën dhe shëndetin tënd (ujë me të cilin bujtinari nuk guxon as të spërkasë bimët e lulet në kopshtin e vet).

Për arsye të mistershme, dikush u ka mbushur mendjen “operatorëve turistikë” vendas (eufemizëm ky, kur kihen parasysh kushtet inekzistente të organizimit të turizmit në këtë trevë me kaq shumë trashëgimi historike), se po t’i bombardosh turistët me speca (edhe djegës) tre herë në ditë, atëherë u paske shërbyer si në hotel me pesë yje (njëfarë deformimi profesional ky ndoshta, ngaqë akoma vendasit kujtojnë me përmallim të përlotur, kohën kur gjatë punimeve shkatërruese të firmës serbe për rinkonstruktimin e mureve të kështjellës, punëtorët ishin ushqyer me dietë të rreptë specash kundrejt pagesës, duke majmur banorët vendas).

Si përfundim, çmimet e kripura në ditët çmendurisht të nxehta si të kësaj vere, përfshijnë gjithashtu edhe dhomat pa asnjë lloj klimatizimi, ku të djersitësh shtatë palë djersë nuk është thjesht shprehje frazeologjike, por realitet i dhimbshëm.

Kjo metodë zhvatëse ndaj të apasionuarve pas historisë, malit, natyrës, trashëgimisë mesjetare, mbyllet denjësisht me faktin që nëqoftëse nuk vjen me makinën tënde, atëherë është krejtësisht e pamundur të ngjitesh nga Llabjani gjer në Novobërdë, dhe si rrjedhojë, të takon edhe të paguash “taksën” e majme prej 20 eurosh, që i shkojnë dikujt që shtyn kohën përtueshëm anash rrugës Gjilan-Prishtinë, dhe shfrytëzon rastin për të ndukur ca të holla të mira nga turistët e pafat.

E fundit, ndonëse jo për nga rëndësia, kur gjendesh lart në mal, poshtë kështjellës së mrekullueshme, interneti shndërrohet në “mollë të ndalueme” migjeniane, meqenëse operatori serb që e ofron, shpesh pëson avari rreth pesëmbëdhjetë orëshe, për të cilat askush nuk merr përgjegjësi, megjithëse turisti, në faturën e kripur që i paraqitet pas qëndrimit disa ditor, e ka të përfshirë edhe Wi-Fi falas.

Të krijohet përshtypja sikur për dikë nga vendasit, kujtimet e “arta” të zadrugave jugosllave, druzhe Titos dhe kohëve të bashkim-vëllazërimit, kanë shumë më tepër rëndësi sesa zhvillimi i mirëfilltë i turizmit në këtë trevë me rëndësi jetike për trashëgiminë kulturore dhe turistike të Kosovës.

Katedralet, kishat, rrënojat që gjenden anekënd Novobërdës, deri disa kilometra tutje, artefaktet e moçme, zbulimet arkeologjike, mirëmbajtja e kështjellës, e cila po rrënohet dita-ditës, prania në Mesjetë e arbërorëve, raguzanëve dalmatë, minatorëve saksonë, e tregtarëve venedikas, hebrenjve e plot të tjerëve, lavdia e këtij qyteti të mahnitshëm, rezulton të vlejnë shumë më pak se dritëshkurtësia dhe synimi për të nxjerrë fitime të padrejta dhe të pamerituara maksimale në kurriz të vizitorëve dashamirës.

Të vjen keq ta shohësh Novobërdën në këtë gjendje, për shkak të vlerave të paçmuara që ajo ngërthen për të shkuarën dhe të tashmen e Kosovës, dhe sidomos të potencialeve të pallogaritshme të kësaj kështjelle, rrënojave përreth saj, këtij muzeu të vërtetë në qiell të hapur, që rrethohet nga një natyrë e harlisur, ku mushkritë të mbushen me ajër të pastër dhe syri nuk ngopet me pamjen e mahnitshme që hapet përtej horizontit nga të gjitha anët.

Do të mjaftonte që kështjella të mirëmbahej, të hulumtohej në mënyrë profesionale, të ruhej me kujdes të veçantë, të shndërrohej në destinacion të preferuar turistik (pse jo edhe elitar), ku të ndërthurej turizmi kulturor dhe arkeologjik, me turizmin malor, por edhe me turizmin rural, ku synohen shijet, gatimet dhe prodhimet bio të fshatit.

Novobërda është mirëfilli guri i çmuar i trashëgimisë kulturore dhe i turizmit të Kosovës, por si çdo gjë me rëndësi kaq të veçantë, nevojitet përkushtim dhe punë serioze që kjo kështjellë, ky ngulim, kjo natyrë dhe këto rrënoja të vjetra, pikësëpari të ruhen nga dëmtimet dhe të vihen në pah për kureshtjen e turistëve (duke u kryer njëherësh edhe studimet dhe kërkimet e duhura shkencore për të nxjerrë në dritë mesjetën arbërore në këtë qytet).

Natyra bujare dhe paraardhësit tanë mesjetarë, i kanë falur Novobërdës një trashëgimi të jashtëzakonshme që do ta kishte zili jo vetëm çdo vend tjetër i Ballkanit, por sigurisht edhe gjithë Europa, me kusht që ky potencial kaq i madh turistik dhe historik, të dihet të shfrytëzohet në mënyrë të baraspeshuar, të padëmshme për mjedisin, rrënojat arkelogjike dhe gjithashtu vizitorët, duke gjetur ekuilibrin e nevojshëm midis zhvillimit të sektorit turistik, dhe mirëqenies së kështjellës e ambientit përreth.

Novobërda është një monument i gjallë i madhështisë së mesjetës arbërore në Kosovë, që tregon çfarë përparimi të pashoq ka pasur kjo trevë (e sigurisht edhe më gjerë) në shekujt kur ky qytet printe në zhvillimin ekonomik dhe kulturor në krejt Ballkanin, dhe pikërisht për këtë arsye nëpërkëmbja e kësaj trashëgimie është diçka tepër e papranueshme që nuk mund të lejohet të ndodhë kurrsesi.

Babëzia për të synuar fitimin e çastit në dëm të mirëqenies afatgjatë, është një dukuri që mjaftueshëm ka sjellë pasoja vështirësisht të ndreqshme në Shqipëri e në vendet e tjera fqinje me Kosovën, ku gjatë tranzicionit përvoja të tilla kanë qenë jo të pakta.

Është mirë që së paku në të ardhmen (dashtë Zoti të afërt), Novobërdës t’i kursehen dëme të tilla të mëtejshme.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora