Editorial
Ryzhdi Baloku: Hipokrizia serbe
E shtune, 10.07.2021, 05:22 PM
HIPOKRIZIA SERBE
Nga
Ryzhdi Baloku
Kohë
më parë shkrova dhe e publikova në disa portale reagimin tim ndaj një rrene të
madhe, të botuar në librin me titull: "Gjenocidi i shqiptarëve ndaj
serbëve në shekullin 20; dokumente" (Šiptarski genocid nad srbima u 20
veku? dokumenti), me konotacion përçmues "shiptarski" e jo
"allbanski", botim ky i kishës serbe, me redaktore Sllavica
Radomiroviq, i cili ishte përkthyer edhe në gjuhën angleze nga Kosara
Gavrilloviq, ku shkruante se libri ka 951 faqe.
Reagimin
tim për të, e shkrova në katër faqe të formatit A4. Megjithëkëtë, preferova që
kundër këtij libri të organizohet një konferencë shkencore me pjesëmarrje
ndërkombëtare, në të cilën do të demantohej përmbajtja propaganduese e shpifjes
së "gjenocidit të shqiptarëve ndaj serbëve", ndërsa Ministrisë për
Kulturë të Republikës së Kosovës i sugjerova që menjëherë ta përgatisë padinë
për t'ia dorëzuar UNESKO-s, kundër dioqezës "Rashkë-Prizren", për
fshehjen apo zhdukjen e figurave të trashëgimisë shqiptare nëpër freskat e
kishave të Kosovës.
Ndaj
akuzave që ishin shkruar aty, përgjigjja ime në atë reagim ishte pos tjerash se
asokohe shqiptarët s'kanë pasur fuqi as t'ia prishin "tymin e
duhanit" dikujt, e lëre më të bëjnë gjenocide ndaj të tjerëve, siç na
fajëson kisha serbe përmes botimit të atij libri.
Na
është e njohur se, shteti serb nuk ka ndonjë gjenezë të hershme historike,
andaj edhe dihet mirë filli i tij.
Faktet
tregojnë se si në tokat arbërore Rusia e krijoi shtetin e tyre. Madje edhe
popullatën serbe arriti ta rrisë numerikisht me asimilimin e popujve të tjerë,
në mesin e të cilëve ishin edhe shqiptarët e besimit ortodoks.
Brenda
popullatës serbe, edhe sot sipas mbiemrave mund të veçohen familjet që për kah
gjeneza nuk i takojnë nacionalitetit serb, ngase këtë gjë na mundëson vetë
kuptimi i mbiemrave të tyre, si: Arnautoviq, Vllahoviq, Gërkoviq, Gërgureviq,
Gërguroviq, Kastratoviq, Latinoviq, Martinoviq, Cincareviq etj.
Megjithëkëtë,
këtë çështje më duhet ta lë me kaq dhe t'i kthehem thelbit të kësaj teme, të
cilën që në fillim e kam parashtruar para lexuesve.
Për
të qenë hipokrizia serbe edhe më e madhe sesa deri tash, Kuvendi Komunal i
Srebrenicës në Bosnje e Hercegovinë, me iniciativën e kryetarit të këtij organi
z.Radomir Pavlloviq, miraton Rezolutën mbi "pësimet e popullit serb në
Srebrenicë, në shekullin 20. dhe gjykimin e të gjitha krimeve të kryera ndaj
serbëve, si dhe pjesëtarëve të të gjithë popujve në territorin e ish
Jugosllavisë", shkruan gazeta-portali POLITIKA e Beogradit me
dt.02.07.2021.
Sipas
këtij portali, miratimin e vendimit e kanë votuar vetëm asamblistët serbë,
ngase përfaqësuesit boshnjakë me atë rast e kanë lëshuar sallën e Kuvendit pas
një debati të gjatë, me qëllim që mos të jenë pjesëmarrës të atij absurdi.
Serbët
nuk janë aq naivë sa mos ta dinë se e tërë bota ka njohuri për gjenocidin serb
ndaj boshnjakëve, ngase në prezencë të ushtarëve dhe oficerëve të Kombeve të
Bashkuara, në Srebrenicë janë marrë e pushkatuar pa dallim moshe të gjithë
meshkujt boshnjakë, kufomat e të cilëve më vonë janë gjetur nëpër varreza
masive.
Përkundër
kësaj, ata po ashtu e dinë mirë nga përvoja e tyre manipuluese se si me rrena
ta krijojnë mitin, e me mite ta ndërtojnë historinë, sikurse për Betejën e
Kosovës së vitit 1389, ngase faktet historike tregojnë qartë se shkenca serbe
ka manipuluar me të dhëna, si me qenë ajo një betejë serbo-turke, e jo e betejë
e koalicionit të krishterë kundër turqve otomanë.
Për
fat të keq, në këtë kurth manipulimi kanë rënë disa personalitete me ndikim, si
nga qarqet e politikës ndërkombëtare, po ashtu edhe nga ato shkencore.
I
gjithë ky manipulim i serbëve është ndërtuar aq bukur saqë edhe krijuesit e saj
tani qorras i besojnë, siç thotë edhe vetë akademiku serb Dobrica Qosiç:
"Në këtë vend, secila gënjeshtër bëhet e vërtetë". Pra, për ta e
vërtetë është edhe Beteja e Kosovës së vitit 1389, mu ashtu siç shkruan
historiografia serbe.
Serbët
e dinë mirë se tash për tash, libri i botuar nga kisha serbe me titull:
"Gjenocidi i shqiptarëve ndaj serbëve në shekullin 20? dokumente",
dhe "Rezoluta mbi pësimet e popullit serb në Srebrenicë, në shekullin 20.
dhe gjykimin e të gjitha krimeve të kryera ndaj serbëve...", nuk do t'u
"pinë ujë". Mirëpo, qëllimi i tyre është që për të ardhmen të lënë
gjurmë, me paramendim se do t'u shërbejnë pastaj si dokumente për historinë e
tyre, sikurse për Betejën e Kosovës së vitit 1389.
Sipas
mendimit tim, mos-ndalja e kësaj hipokrizie serbe dhe vazhdimi i saj me avazin
e vjetër ka për qëllim fshehjen e pretendimeve hegjemoniste që kanë ata, duke
menduar se një ditë bota do t'i "ha" edhe këto mashtrime.
Në
këtë kontekst mu kujtua një fabul që dikur e kisha lexuar, te cilën tani do ta
ndaj me ju lexues të nderuar, me qëllim që ta kuptoni më mirë gënjeshtrën
serbe.
Fabula
që e kisha lexuar e përshkruante ngjarjen si vijon:
Derisa
Gënjeshtra dhe e Vërteta po ecnin rrugës bri njëra tjetrës, filluan të
bisedojnë. Kur iu afruan liqenit, Gënjeshtra i tha asaj: - Eja të lahemi, uji
është shumë i mirë.
Duke
pasur dyshim, e Vërteta provoi ujin dhe konstatoi se uji ishte i këndshëm.
Të
dyja u zhveshën, u zhytën në ujë dhe nisën të lahen së bashku. Mirëpo befas,
Gënjeshtra doli nga uji dhe iku me vrap posa i veshi rrobat e të Vërtetës. E
Vërteta e befasuar doli me vrull nga aty duke u përpjekur për t'i marrë rrobat
e veta, por megjithatë mbeti lakuriq në stom të ujit.
Kur
bota e pa të Vërtetën lakuriq, u çudit me pamjen e tillë, andaj e shikoi me
zemërim dhe përbuzje.
Për
ta fshehur trupin e saj, e Vërteta fisnike u kthye në ujin e liqenit dhe u
zhduk përgjithmonë. Që nga ajo kohë, Gënjeshtra e shëtit botën e veshur si e
Vërteta...
Serbët
e dinë mirë këtë fabul, andaj rrenën e tyre e zbukurojnë aq bukur, saqë bëhet e
dashur dhe e pranueshme edhe për të tjerët që e dëgjojnë apo lexojnë, sikurse
për Betejën e Kosovës së vitit 1389.
Nga
ky këndvështrim mund të thuhet si përfundim se Rezoluta e Kuvendit Komunal të
Srebrenicës dhe Libri i përmendur i kishës serbe, kanë për qellim që në të
ardhmen ta manipulojnë historinë me to.